Lajmet

Më shumë qira, më pak kursime: Albin Kurti deklaron bilancin e tij “modest”

Published

on

Bazuar në të dhënat e fundit të pasurisë për vitin 2026, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka raportuar ndryshime në bilancin e tij financiar, ku spikat rritja e kostos së banimit dhe rënia e dukshme e kursimeve personale.

Kreu i qeverisë ka bërë të ditur se qiraja mujore për banesën ku qëndron është rritur nga 250 në 350 euro. Ndryshim drastik vërehet te paratë e gatshme; ndërsa vitin e kaluar ai kishte 1,800 euro kursime, këtë vit ka deklaruar se në llogarinë e tij rrjedhëse në një nga bankat e Kosovës posedon vetëm 16 euro e 41 centë.

Edhe në këtë raport, Kurti nuk ka deklaruar pasuri të paluajtshme në emër të tij. Pasuria kryesore e familjes mbetet banesa e bashkëshortes në Norvegji, me vlerë 530 mijë euro dhe sipërfaqe 67.00 m². Familja ka një kredi aktive në një bankë norvegjeze, ku nga shuma fillestare prej 270 mijë eurosh, mbeten për t’u shlyer edhe 160 mijë euro, me një afat deri në vitin 2052.

Sa i përket pagave, ekziston një diferencë e ndjeshme mes të hyrave të çiftit. Albin Kurti ka arkëtuar 21,315.76 euro neto në vit nga buxheti i shtetit dhe ka specifikuar se nuk përfiton asnjë lloj kompensimi tjetër. Në anën tjetër, bashkëshortja e tij, përmes angazhimit në institutin norvegjez “NUPI”, ka siguruar të hyra vjetore prej 51 mijë eurosh.

Në llogaritë rrjedhëse në Oslo, bashkëshortja e kryeministrit mban 21,500 euro, ku përfshihen edhe kursimet e vajzës së tyre. Në fund të deklarimit, kryeministri ka rikonfirmuar se nuk zotëron automjet, aksione në biznese apo asete në kriptovaluta.

 

 

Continue Reading

lajme

Protestë në Prishtinë për ndryshimet në Ligjin për Specialen

Published

on

By

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën që mbahet sot në sheshin e Prishtinës, me kërkesë për votimin në lexim të dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Protesta nis në ora 09:00, ndërsa OVL-UÇK u ka bërë thirrje kategorive të dala nga lufta e UÇK-së dhe qytetarëve që t’i bashkohen tubimit.

Në njoftimin e saj, OVL-UÇK ka bërë thirrje për pjesëmarrje të përbashkët, duke theksuar rëndësinë e, siç thuhet, unitetit dhe dinjitetit.

“Të bashkuar dhe me dinjitet, për të mbrojtur atë që është e jona dhe për të dëshmuar se UÇK-ja na bashkon”, thuhet në njoftimin e organizatës.

Protesta vjen pas zhvillimeve të së hënës në Prishtinë, ku pati tensione dhe ndërhyrje të Policisë me gaz lotsjellës, ndërsa protestuesit kërkuan që Projektligji për ndryshimet në Ligjin për Specialen të votohej edhe në lexim të dytë.

Një ditë më pas, në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara u miratua në parim me 91 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Tash, përmes protestës së sotme, kërkohet që ndryshimet e propozuara në Ligjin për Specialen të kalojnë edhe në leximin e dytë.

Protesta mbahet në sheshin e Prishtinës, duke nisur nga ora 09:00.

D.L

Continue Reading

Lajmet

REL: Kush mbetet në krye të shtetit nëse Kosova nuk e zgjedh presidentin sot?

Published

on

By

Kosova ka afat deri më 6 tetor për ta zgjedhur presidentin e ri. Nëse Kuvendi dështon ta bëjë këtë, çka pason është e qartë: Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme. Por, shumë më pak e qartë është se kush do t’i ushtronte kompetencat e presidentit pas kësaj?

Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin e fundit për rastet KO256/26 dhe KO258/26, ka konstatuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka filluar më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.

Kjo lidhet drejtpërdrejt me nenin 82 të Kushtetutës, sipas të cilit Kuvendi shpërndahet nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditësh nga fillimi i procedurës së zgjedhjes.

Pra, nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor, nuk nevojitet një vendim i veçantë i Kuvendit për shpërndarjen e tij – thjesht aktivizohet dispozita kushtetuese për shpërndarjen e Kuvendit.

Gjykata e kishte sqaruar këtë parim edhe më herët. Në aktgjykimin e marsit 2026, ajo kishte konstatuar se dështimi për ta zgjedhur presidentin brenda afatit kushtetues çon në shpërndarjen e Kuvendit dhe në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Por, këtu lind një problem tjetër kushtetues: kush mbetet në krye të shtetit?

Në rrethana të zakonshme, kompetencat e presidentit do t’i ushtronte kryetari i Kuvendit, si ushtrues detyre i presidentit.

Por, në situatën aktuale, kjo zgjidhje kushtetuese është komplikuar nga fakti se kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tashmë e ka ushtruar këtë detyrë për gjashtë muaj.

Haxhiu mori detyrën e presidentes pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit më 4 prill. Por, sipas nenit 90, paragrafit 3 të Kushtetutës, posti i ushtruesit të detyrës së presidentit “nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj”.

Kjo periudhë gjashtëmujore përfundoi të dielën, më 4 tetor.

Paqartësitë kushtetuese

Pikërisht këtu shfaqet një paqartësi që Kushtetuta nuk e adreson shprehimisht: kush i ushtron kompetencat presidenciale pasi përfundon periudha maksimale gjashtëmujore e ushtruesit të detyrës, ndërsa presidenti i ri ende nuk është zgjedhur?

Sipas interpretimeve të disa organizatave të shoqërisë civile në vend, kufiri gjashtë-mujor i nenit 90 është absolut. Në këtë lexim, Haxhiu nuk mund të vazhdojë t’i ushtrojë kompetencat presidenciale vetëm për shkak se ende nuk është zgjedhur presidenti i ri.

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi argumenton se, pas skadimit të këtij afati, vendi mbetet pa ushtrues detyre të presidentit.

Jakaj thotë për Radion Evropës së Lirë se kjo krijon rrezik për kaos kushtetues, sepse pa president disa detyra të rëndësishme shtetërore mund të mbeten pa u ushtruar.

“Presidenti është edhe Komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Nëse vendi mbetet pa president dhe pa ushtrues detyre me mandat të vlefshëm, nuk do të ketë as person që e ushtron këtë funksion”, thotë Jakaj.

Jakaj shton se ushtruesja e detyrës ishte paraparë si zgjidhje e përkohshme, gjatë së cilës partitë politike do të duhej të arrinin marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.

“Fatkeqësisht, deri tani është parë më shumë se cilës parti i takon posti, sesa procesi dhe kriteret që duhet t’i përmbushë presidenti”, vlerëson ai.

Kështu, kjo zbrazëtirë kushtetuese krijon një problem të menjëhershëm praktik: nëse deri sot në mesnatë Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin e ri, kush do t’i ushtronte kompetencat e tjera që Kushtetuta ia rezervon presidentit dhe kush do t’i shpallte zgjedhjet e parakohshme?

Në një analizë të publikuar më 2 tetor, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), që shqyrton ushtrimin e detyrës së presidentit përtej kufirit gjashtëmujor, vlerësoi se Kushtetuta nuk parasheh qartë se kush i ushtron kompetencat presidenciale pas përfundimit të tij.

KDI i bëri thirrje kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së presidentit, ose palëve të tjera të autorizuara, t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për sqarim lidhur me ushtrimin e këtyre kompetencave pas 4 tetorit dhe autoritetin për shpalljen e zgjedhjeve në rast se presidenti nuk zgjidhet.

Deri më tani, një kërkesë e tillë nuk është bërë.

Radio Evropa e Lirë pyeti Zyrën e Presidentes nëse Haxhiu mund të vazhdojë t’i ushtrojë kompetencat presidenciale pas përfundimit të afatit gjashtëmujor, kush do t’i shpallte zgjedhjet e parakohshme në rast të shpërndarjes së Kuvendit dhe nëse për këto çështje do t’i kërkohej sqarim Gjykatës Kushtetuese, por nuk mori përgjigje.

Gjykata Kushtetuese, deri më tani, nuk e ka zgjidhur shprehimisht këtë vakuum kushtetues, teksa, sipas KDI-së, mungesa e një mekanizmi të shprehur pasimi pas përfundimit të gjashtëmujorit krijon pasiguri për ushtrimin e kompetencave të presidentit.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme pasi disa prej këtyre kompetencave janë të nevojshme për daljen nga kriza.

Presidenti, përkatësisht ushtruesi i detyrës së kësaj pozite, është ai që shpall zgjedhjet për Kuvendin dhe, pas zgjedhjeve, thërret mbledhjen e parë të legjislaturës së re.

Prandaj, nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor, çështja nuk është vetëm se kur do të mbahen zgjedhjet e ardhshme, por edhe se kush do ta ketë autoritetin për t’i shpallur.

Sipas Jakajt, meqenëse duket që nuk do të ketë një marrëveshje të shpejtë në mes të partive poltike, ndoshta Kuvendi është dashur që të hënën ta zhvillojë procesin e votimit për president, edhe nëse votimi do të dështonte.

“Në atë rast, ushtruesja e detyrës do të mund t’i thërriste partitë politike dhe të caktonte datën e zgjedhjeve të reja. Pas zgjedhjeve, Kuvendi i ri do të mblidhej brenda afatit kushtetues dhe do ta zgjidhte presidentin. Më pas, presidenti do të caktonte mandatarin për formimin e Qeverisë. Ky do të ishte një opsion urgjent për ta nxjerrë vendin nga bllokada”, thotë Jakaj për REL-in.

Në mungesë të një interpretimi të qartë kushtetues, kjo dilemë mund të përfundojë sërish para Gjykatës Kushtetuese. /REL/

Continue Reading

Vendi

Moti për sot në Kosovë

Published

on

By

Sot në Kosovë pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe me vranësira të pakta, bën të ditur Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Gjatë ditës, temperaturat maksimale do të lëvizin ndërmjet 20 deri në 25 gradë Celsius, ndërsa ato minimale në orët e mëngjesit kanë zbritur nga -1 deri në 2 gradë Celsius.

Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi prej 1 deri në 5 metra për sekondë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

17 të lënduar nga protesta e mbrëmshme, 6 prej tyre policë

Published

on

By

Gjithsej 17 persona, prej të cilëve gjashtë zyrtarë policorë dhe 11 protestues, kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e përplasjeve gjatë protestës së të hënës mbrëma para Kuvendit të Kosovës. Nga Qendra Emergjente se të gjithë të lënduarit kanë marrë trajtimin e duhur mjekësor, janë në gjendje plotësisht stabile dhe tashmë janë liruar për në shtëpi.

Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, bëri të ditur se tetë persona u trajtuan nga ekipi i Klinikës së Oftalmologjisë për shkak të ndikimit të gazit lotsjellës, ndërsa tre të tjerë morën kujdes për plagë prerëse. Ai konfirmoi se asnjë nga pacientët nuk ka pasur lëndime serioze apo me rrezik për jetën.

Situata në kryeqytet u tensionua gjatë orëve të mbrëmjes në rrugën “Agim Ramadani” dhe përreth Kuvendit, ku protestuesit kërkonin kalimin në lexim të dytë të Projektligjit për Dhomat e Specializuara. Për të vënë situatën nën kontroll dhe për të mundësuar daljen e deputetëve nga ndërtesa, Policia e Kosovës u detyrua të përdorte gaz lotsjellës dhe topin e ujit. Gjatë këtij përshkallëzimi u hodhën mjete piroteknike, u dogjën kontejnerë dhe u raportua për pengim apo sulme ndaj disave deputetëve, zyrtarëve dhe një gazetari, me ç’rast policia shoqëroi tre persona në stacion.

Continue Reading

Të kërkuara