Neurologu amerikan Robert Bermel ka ndarë katër simptoma të mundshme të sklerozës multiple (MS) që, sipas tij, nuk duhet të injorohen dhe kërkojnë menjëherë këshillë mjekësore.
Ashtu si shumë sëmundje tjera, skleroza multiple shfaqet ndryshe tek çdo person, simptomat mund të jenë të lehta ose të rënda.
Kjo sëmundje autoimune ndikon në sistemin nervor qendror, duke shkaktuar probleme si dobësi muskulore, çrregullime të shikimit, mpirje, dhe vështirësi në kujtesë. Sipas Dr. Bermel, simptomat e para të sklerozës multiple zakonisht zgjasin më shumë se 24 orë, shfaqen gradualisht gjatë disa orëve ose ditëve dhe përkeqësohen përpara se të fillojnë të përmirësohen.
“Këto probleme janë ndryshe nga çdo shqetësim tjetër që keni përjetuar më parë në jetën tuaj,” – thekson ai për faqen Cleveland Clinic.
Më poshtë janë katër shenjat paralajmëruese që Dr. Bermel këshillon të mos injorohen:
1. Humbje e dhimbshme e shikimit në njërin sy
Një nga shenjat e para të zakonshme të sklerozës multiple është neuriti optik, inflamacioni i nervit që lidh syrin me trurin. Kjo shkakton humbje të dhimbshme të shikimit në një sy, e cila mund të ndihet si një dhimbje e shurdhër ose therëse që përkeqësohet kur lëvizni syrin.
“Pacientët e përshkruajnë ndjesinë si ‘të shikosh përmes syzeve të diellit të njollosura’ nga njëra anë,” – shpjegon Dr. Bermel, duke shtuar se ky është zakonisht një shqetësim që kërkon vizitë të menjëhershme mjekësore.
2. Dobësi ose mpirje e zgjatur në një gjymtyrë
Ndjesia e krahut ose këmbë “që bie në gjumë” është e zakonshme, në rastin e sklerozës multiple, mpirja ose ndjesia e shpimit të gjilpërave zgjat gjatë, për orë apo edhe ditë. Ky është tregues i mundshëm i dëmtimit të nervave nga inflamacioni në sistemin nervor qendror.
3. Paralizë ose dobësi në fytyrë
Dobësia muskulore e shkaktuar nga skleroza multiple prekë edhe njërën anë të fytyrës, duke sjellë paralizë të përkohshme ose vështirësi në lëvizjen e muskujve facialë. Edhe pse kjo mund të ndodhë edhe për arsye të tjera. Dr. Bermel rekomandon që çdo ndryshim i tillë të vlerësohet menjëherë nga një mjek.
4. Marramendje e fortë dhe e vazhdueshme
Truri i vogël dhe trungu i trurit janë përgjegjës për ekuilibrin dhe koordinimin e trupit. Kur skleroza multiple prek këto zona, mund të shfaqen periudha të gjata marramendjeje të fortë, që zgjasin të paktën dy ditë. Kjo lloj marramendjeje është zakonisht më e rëndë se ajo e zakonshme, duke shkaktuar ndjesinë se po humbni ekuilibrin ose se nuk mund të ecni pa u mbajtur.
Dr. Bermel thekson se megjithëse këto simptoma lidhen edhe me gjendje tjera, kur janë të pazakonta, të forta dhe të zgjatura, është shumë e rëndësishme të konsultoheni menjëherë me një neurolog për të shmangur komplikime afatgjata. /A.Z/UBT News/