Ukrainasit po përpiqen të fshijnë gjurmët e luftës në fshatrat e marra nga trupat ruse në rajonin e Kharkiv.
Banorët e fshatit Mala Rohan, që mban plagët e konflikteve të dhunshme, po riparojnë shtëpitë e tyre të dëmtuara dhe po rifillojnë bujqësinë. Në hyrje të fshatit tërheqin vëmendjen makinat civile dhe të blinduara të shtypura nga tanket.
Vasiliy Zabara, një banor, tha se nuk prisnin që një sulm i tillë të kryhej kundër vendit të tij.
“Kishte një rrezik, por ne nuk prisnim që Rusia të na sulmonte kaq shpejt”, tha ai.
“Një kolonë me tanke dhe mjete të blinduara ruse nisi të hynte në fshat më 26 shkurt, dy ditë pas fillimit të luftës. Ushtria ruse u vendos në fshat, krijoi një bazë të përkohshme dhe filloi të sulmonte rajonin e Kharkiv prej andej. Katër ditë pasi hynë në fshat, ushtarët rusë kontrolluan të gjitha shtëpitë”, kujton 71-vjeçari.
Duke thënë se për shkak të përplasjeve të forta në fshat janë strehuar në magazinë poshtë shtëpisë së tyre, ai ka rrëfyer: “Në strehë qëndruam një muaj, moti ishte i ftohtë, temperatura ishte nën zero. Kisha vajzat e mia, gruan dhe nipin 12-vjeçar me mua. Të gjithë ishim shumë të frikësuar”.
Ushtarët ukrainas hynë në fshat më 27-28 mars dhe rifituan kontrollin, tha Zabara, duke shtuar se përleshjet më të ashpra në fshat u zhvilluan gjatë këtyre dy ditëve.
Avionët rusë godasin rajonin çdo ditë dhe askush nuk mund të parashikonte se ku do të binin raketat, tha Zabara, duke shtuar se tingujt e shpërthimeve tashmë janë bërë pjesë e përditshmërisë së tyre.
Ai tha se po përpiqet të riparojë shtëpinë dhe hambarin e tij të dëmtuar në fshat me ndihmën e fqinjëve të tij.
“Jeta vazhdon. Ne duhet të jetojmë disi, duhet të vazhdojmë jetën tonë, nuk kemi zgjidhje tjetër“, përfundoi ukrainasi. /UBTNews/
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka bërë të ditur se është bërë ekzekutimi i 100 eurove për studentët në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0.
Ai ka njoftuar se sot është finalizuar dhe dorëzuar lista e studentëve të kualifikuar për mbështetjen me 100 euro.
“Pas pranimit të verifikimeve të nevojshme nga institucionet e arsimit të lartë, komisioni verifikues sot ka finalizuar dhe dorëzuar listën e studentëve që janë kualifikuar për mbështetjen e njëhershme me 100 euro”, ka thenë Murati. /E.A/
Teologia nga Kosova, Igballe Berisha-Huduti, është shpallur “person i padëshiruar” në Shqipëri për një periudhë 15-vjeçare. Vendimi është marrë nga autoritetet shtetërore në kuadër të masave për sigurinë kombëtare dhe rendin publik.
Sipas vendimit të transmetuar nga mediat në Shqipëri, ky hap u ndërmor bazuar në informacionet e institucioneve të sigurisë, të cilat e vlerësojnë veprimtarinë e saj si rrezik potencial. Ndaj Hudutit rëndojnë dyshime për lidhje me regjimin iranian dhe për thirrje publike kundër rendit kushtetues në Shqipëri. Urdhri tashmë i është përcjellë për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të kufirit e migracionit.
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai deklaroi se Huduti ka qenë e përfshirë si “e infiltruar” në protestat që po zhvillohen në Tiranë kundër ndërtimit të një resorti luksoz në Zvërnec. Kreu i qeverisë shqiptare ka publikuar edhe fotografi në rrjetet sociale, duke ngritur akuza për lidhje të saj me figura dhe struktura të huaja.
Nga ana tjetër, vetë Igballe Berisha-Huduti i ka mohuar të gjitha pretendimet dhe akuzat e autoriteteve. Përmes një reagimi, ajo ka theksuar se pjesëmarrja e saj në protesta ka qenë tërësisht qytetare dhe patriotike, pa asnjë motiv tjetër të fshehur. /E.A/
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policia e Kosovës vazhdojnë të gëzojnë nivelin më të lartë të besimit publik në vend. Sipas rezultateve të Anketës Rajonale WeBalkans 2026, 87.4% e qytetarëve kanë shprehur besim të plotë në FSK-në, ndërsa 85.6% në Policinë e Kosovës, duke i renditur këto dy institucione në krye të listës për sa i përket besueshmërisë.
Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës e ka vlerësuar këtë rezultat si një dëshmi të pastër të profesionalizmit, përkushtimit dhe angazhimit të vazhdueshëm të zyrtarëve policorë në garantimin e rendit dhe sundimit të ligjit. Nga ky institucion theksuan se besimi i qytetarëve është themeli i punës së tyre dhe një motiv shtesë për të vazhduar mbrojtjen e jetës dhe pronës së komunitetit.
Anketa tregon gjithashtu se për qytetarët e Kosovës, siguria, sundimi i ligjit dhe lufta ndaj korrupsionit mbeten prioritetet kryesore për zhvillimin e vendit. Një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve kanë kërkuar që forcimi i zbatimit të ligjit të mbetet në fokusin kryesor të institucioneve shtetërore.
Në përgjigje të këtyre gjetjeve, Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj për të luftuar pa kompromis krimin e organizuar, korrupsionin dhe çdo dukuri tjetër që cenon sigurinë publike. Institucioni ka premtuar investime të mëtejshme në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe rritjen e transparencës, duke shprehur njëkohësisht mirënjohje të thellë për përkrahjen e vazhdueshme të qytetarëve. /E.A/
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Qendror të Punës, ka ndërmarrë një aksion të gjerë kontrolli, duke realizuar 98 inspektime të përbashkëta në qendrat e masazhit dhe lokalet e muzikës në të gjithë territorin e vendit.
Siç njofton Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, si rezultat i mungesës së dokumentacionit të nevojshëm dhe mosrespektimit të orarit të punës, janë mbyllur tri qendra masazhi, prej të cilave dy në Komunën e Gjakovës dhe një në Komunën e Rahovecit.
Përveç mbylljes së këtyre lokaleve, IQMT ka shqiptuar edhe pesë gjoba ndaj subjekteve të tjera ekonomike që nuk kanë prezantuar dokumentacionin e kërkuar ligjor gjatë procesit të inspektimit.
Nga ministria theksojn se me qëllim të garantimit të ushtrimit të ligjshëm të veprimtarive ekonomike, IQMT në koordinim me institucionet përgjegjëse do të vazhdojë organizimin e aksioneve të tilla në të gjithë vendin. /E.A/