Lajmet

Me kërkesë të BE-së, TikTok tërheq programin për shpërblimin e përdoruesve

Published

on

Rrjeti social TikTok do të heqë përgjithmonë funksionin e shpërblimeve të përdoruesve në aplikacionin e përdorur në Francë dhe Spanjë, pas presionit nga rregullatorët evropianë, thanë të hënën Bashkimi Evropian (BE) dhe kompania kineze.

Platforma TikTok Lite mbërriti në Francë dhe Spanjë – të vetmet vende të BE-së ku është e disponueshme – në prill të këtij viti. Përdoruesit mbi 18 vjeç mund të fitojnë pikë për shikimin dhe pëlqimin e videove, të cilat i shkëmbejnë me mallra si kuponë ose karta dhuratash (gift card) përmes një programi shpërblimi.

“Ne ia dolëm të tërhiqnim përgjithmonë programin TikTok Lite Rewards, i cili mund të kishte efekte të varësisë”, tha komisionari evropian për Tregun e Brendshëm, Thierry Breton.

TikTok Lite është një version më i vogël i aplikacionit popullor TikTok, i cili merr më pak memorie në telefonin tuaj të mençur dhe është krijuar për të punuar me një lidhje më të ngadaltë interneti.

TikTok u zotua ta heqë programin nga blloku 27-vendesh dhe të mos ekzekutojë “asnjë program tjetër që do të anashkalonte tërheqjen”, tha Komisioni Evropian në një deklaratë.

Është fitorja e parë e madhe për Aktin e Bashkimit Evropian për Shërbimet Digjitale (DSA), një ligj i ri gjithëpërfshirës që kërkon që firmat digjitale që operojnë në bllok të monitorojnë në mënyrë efektive përmbajtjen në internet për të mbrojtur përdoruesit nga efektet e dëmshme.

Komisioni nisi një hetim mbi aplikacionin Lite në prill për shqetësimet rreth efekteve “varësi” duke e detyruar TikTok-un të pezullojë përkohësisht programin.

Çështja tani është mbyllur pasi TikTok, në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, hyri në angazhime të detyrueshme.

Çdo shkelje e premtimit mund të çojë në dënime të rënda, sipas DSA-së.

“Ne do të monitorojmë nga afër pajtueshmërinë e TikTok-ut. Vendimi i sotëm dërgon gjithashtu një mesazh të qartë për të gjithë industrinë e mediave sociale”, tha zëvendëspresidentja Ekzekutive e Komisionit, Margrethe Vestager.

TikTok ka konfirmuar se ka “tërhequr” programin e shpërblimeve.

“Ne gjithmonë përpiqemi të bashkëpunojmë në mënyrë konstruktive me Komisionin Evropian dhe rregullatorët e tjerë. TikTok është i kënaqur që ka arritur një zgjidhje miqësore”, tha një zëdhënës i kompanisë.

TikTok mbetet nën hetim që kishte nisur që nga shkurti mes shqetësimeve se rrjeti social mund të mos jetë duke bërë mjaftueshëm për t’i trajtuar ndikimet negative te të rinjtë.

TikTok është ndër 25 platformat “shumë të mëdha” në internet, përfshirë Facebook-un, Instagram-in dhe YouTube-n, të cilat duhet të jenë në përputhje me rregullat më të rrepta të DSA-së nga gushti i vitit 2023.

Rregullat, gjithashtu, presin që shitësit digjitalë me pakicë të veprojnë në mënyrë efektive për t’i mbrojtur blerësit në internet.

DSA i jep BE-së fuqinë për të gjobitur kompanitë deri në gjashtë për qind të të ardhurave të tyre vjetore globale.

Shkelësit e përsëritur mund të shohin platformat e tyre të bllokuara në BE.

Hetimet po vazhdojnë për rrjetin social X, i njohur më parë si Twitter, si dhe faqen kineze të shitjeve online AliExpress dhe kompaninë Meta, e cila përfshin Facebook dhe Instagram.

TikTok po përballet, gjithashtu, me një sërë problemesh përtej Atlantikut. Kompania kineze që zotëron TikTok-un, ka ngritur një padi për të ndaluar një ligj amerikan që kërkon që aolikacioni të shitet vitin e ardhshëm ose të përballet me një ndalim nga SHBA. ByteDance pretendon se kjo shkel të drejtën e Amendamentit të Parë për fjalën e lirë.

Shtetet e Bashkuara rritën presionin ndaj TikTok-ut javën e kaluar me një padi, duke e akuzuar aplikacionin për shkelje të privatësisë së fëmijëve duke mbledhur të dhëna rreth tyre pa lejen e prindërve të tyre kur ata përdorin platformën.

TikTok tha se nuk pajtohet me pretendimet dhe se kompania ka masa mbrojtëse për të siguruar përvoja të përshtatshme për moshën.

Vendi

Kurti takon Përfaqësuesin e UNDP-së, rikonfirmohet bashkëpunimi strategjik

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Përfaqësuesin e Përhershëm të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Nuno Queirós.

Perfaqwsuesi Queirós e uroi Kryeministrin Kurti për mandatin e tij të ri dhe kabinetin qeveritar.

Ndërkaq, Kryeministri Kurti falënderoi Queirós për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe UNDP-së, duke theksuar se UNDP mbetet një partner strategjik në forcimin e institucioneve dhe në zbatimin e reformave me rezultate konkrete për qytetarët.

Në takim u rikonfirmua gatishmëria për bashkëpunim në fusha me prioriet si lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit, mbrojtja e trashëgimisë kulturore, dokumentimi dhe adresimi i krimeve të luftës, mbrojtja e mjedisit dhe tranzicioni i gjelbër, si dhe reforma në arsim dhe ngritja e kapaciteteve institucionale.

Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e reformës në prokurimin publik, me fokus në rritjen e transparencës, digjitalizimin e proceseve dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës kundër keqpërdorimit të fondeve publike.

Ai bëri me dije se qeveria do të vazhdojë me miratimin e strategjisë anti-korrupsion dhe ligjit për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Të dy palët theksuan se bashkëpunimi i deritanishëm ka dhënë rezultate të prekshme dhe shprehën përkushtimin për ta thelluar më tej partneritetin në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe forcimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.

 

Continue Reading

Lajmet

Dialogu Kosovë-Serbi nën udhëheqjen e Konjufcës

Published

on

By

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, priti sot Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, ku diskutuan mbi zhvillimet e fundit në dialog dhe mënyrën e avancimit të tij.

Gjatë takimit, Konjufca informoi  Sørensen se nga tani procesi i dialogut do të udhëhiqet nga ai personalisht, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. U shkëmbyen pikëpamje mbi momentumin aktual të dialogut dhe parimet që mund të sigurojnë një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm.

Konjufca theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar që dialogun ta shohë si mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit evropian.

Konjufca dhe Sørensen u pajtuan mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian për një dialog konstruktiv dhe të rezultateve konkrete.

Continue Reading

Vendi

Haxhiu dhe ambasadori britanik diskutojnë zgjedhjen e Presidentit

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ku biseduan mbi marrëdhëniet e mes dy vendeve, zhvillimet aktuale institucionale dhe proceset lidhur me Presidencën.

Gjatë takimit, Kryetarja Haxhiu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, veçanërisht në faza kyçe të zhvillimit të saj, duke theksuar progresin e arritur në konstituimin e institucioneve dhe në kalimin e fazave të rëndësishme.

Ambasadori Hargreaves e përgëzoi Kryetaren Haxhiu për zgjedhjen në detyrë dhe vlerësoi përparimin e shpejtë të Kuvendit në miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe buxhetit për vitin 2026. Ai gjithashtu diskutoi me Kryetaren për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe shprehu pritshmëri për bashkëpunim të ngushtë mes parlamenteve të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Në këtë takim u ritheksua nga të dy palët gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë edhe intensifikimin e shkëmbimeve parlamentare që lidhen me institucionet e larta të shtetit.

Continue Reading

Lajmet

DW:Rrezik për zgjedhje të reja në Kosovë?

Published

on

By

Partitë politike opozitare shprehen, se për zgjedhjen e Presidentes/it të Kosovës duhen marrëveshje politike me partinë në pushtet në mënyrë që të gjendet një emër konsensual.

Kanë mbetur vetëm edhe dhjetë ditë nga koha kur Parlamenti i Kosovës duhet të zgjedhë presidenten apo presidentin e ri të vendit në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme parlamentare. Presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë është deklaruar se dëshiron të kandidojë edhe për një mandat pesëvjeçar, por, në këtë fazë, akoma asnjë nga subjektet politike nuk janë deklaruar hapur, nëse do ta mbështesin kandidaturën e saj. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,  që është edhe lideri i partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, ka filluar konsultimet me partitë politike opozitare për ta diskutuar çështjen e presidentit, por, as Kurti, në këtë fazë akoma nuk është deklaruar nëse do ta mbështesë presidenten aktuale, Vjosa Osmani, edhe për një mandat. Do të ketë konsensus me opozitën?

Kurti takimin e parë që zhvilloi për çështjen e presidentit ishte ai me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, me të cilin, sipas Kurtit, “Hamza shprehu gatishmërinë për koordinim parlamentar për çështje të interesit shtetëror e kombëtar”. “U diskutua për zhvillimet politike në vend e më gjerë dhe nevojën për të hapur një kapitull të ri të komunikimit dhe dialogut konstruktiv qeveri-opozitë në të mirë të Republikës sonë dhe pluralizmit partiak e demokratik. Natyrisht, temë e bisedës ishte edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit, për çfarë kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë kohë në bazë të afateve kushtetuese. U konstatua që bashkëpunimi është i nevojshëm, duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm”, tha Kurti pas takimit me Bedri Hamzën.

Kreu i PSK, pas takimit me Kurtin, tha se zgjedhja e Presidentit nuk është çështje vetëm e një partie, por e të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur. “Si subjekt politik opozitar, nuk kemi qenë dhe nuk jemi pengesë e proceseve shtetërore, por as nuk mbështesim kandidatura që nuk përfaqësojnë unitetin qytetar, sipas frymës kushtetuese. Uroj që të ketë reflektim nga ata që e kanë përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidatura me mbështetje të gjerë, duke shmangur kalkulimet afatshkurtra partiake. Stabiliteti institucional është jetik dhe duhet të trajtohet si i tillë”, tha Hamza, që është edhe kryetar i partisë më të madhe opozitare, PDK.

Albin Kurti, nga ana e tij, paralajmëroi takim edhe me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, për të vazhduar më pas edhe me udhëheqësit e subjekteve tjera parlamentare në opozitë. Të gjitha partitë politike opozitare shqiptare në zgjedhjet e 28 dhjetorit morën gjithsej 41 mandate në Parlament, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje e vetme ka 57 mandate.

Partitë opozitare nuk duhet të dorëzohen pa kushte

Për analistët politikë, rezultati i zgjedhjeve të dhjetorit ishte kryesisht pasojë e gabimeve strategjike të partive opozitare. Analisti Artan Muhaxhiri i tha më herët DW-së se kjo patjetër që nuk do të thotë se partitë opozitare “duhet të dorëzohen pa kushte në procesin e zgjedhjes së presidentit, sepse ky është kontekst i ri në të cilin ato janë të patejkalueshme”. “Proporcionalisht me pushtetin parlamentar, roli parësor në gjetjen e zgjidhjes i takon gatishmërisë së Kurtit për të ofruar propozime të respektueshme dhe realiste, pa performanca komplikuese. Gjatë gjithë mandatit Presidentja Osmani ka qenë përkrahëse e devotshme e ideve të Kryeministrit Kurti, prandaj rikandidimi i saj eventual do të mund të mendohej vetëm nëse Kurti do të ishte i gatshëm për të lëshuar pe ndaj ndonjë kërkese të rëndësishme opozitare”, thotë Muhaxhiri. Kryeministri Kurti më herët është deklaruar se ai do ta takoi Osmanin dhe të flasë me të, sikundër që është i gatshëm të flasë edhe me subjektet e tjera politike, qoftë për ta rizgjedhur Osmanin, qoftë për kandidat tjetër konsensual. /DW Shqip/

 

Continue Reading

Të kërkuara