Lajmet

Mbyllet qumështorja “Vita” pas inspektimit të AUV-së

Published

on

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka kryer një inspektim të jashtëzakonshëm në qumështoren “Vita”, gjatë të cilit janë marrë mostra të qumështit UHT, qumështit pluhur dhe vajit të palmës për analiza laboratorike, si dhe është verifikuar dokumentacioni, objekti dhe linjat e prodhimit.

Sipas AUV-së, gjatë kontrollit janë konstatuar mospërputhje me legjislacionin në fuqi. Agjencia bëri të ditur se subjekti ushtron veprimtari për përpunimin e qumështit në bazë të autorizimit përkatës, por në objekt janë instaluar edhe linja për prodhimin e produkteve me bazë qumështi, qumësht pluhur, vaj palme dhe lëndë të tjera ndihmëse, për të cilat nuk posedon autorizimin e nevojshëm.

Megjithatë, AUV theksoi se në këtë fazë nuk është marrë asnjë vendim për mbylljen e subjektit, duke sqaruar se inspektimi ka konsistuar vetëm në verifikim dhe marrje mostrash, ndërsa veprimet e mëtejshme do të varen nga rezultatet laboratorike.

Pas inspektimit, qumështorja “Vita” njoftoi se do ta ndërpresë punën për shtatë ditë.

Drejtori i përgjithshëm i kompanisë, Artan Spahia, deklaroi para mediave se fabrika nuk do të punojë deri në daljen e rezultateve dhe vendimit përfundimtar nga autoritetet.

“Sot e mbyllim fabrikën deri në njoftimin e radhës. Vendimi është që të mbyllet deri sa ata të dalin me një vendim me rezultatet. Ne i kemi kontrollet e analizat të gjitha. Fermerë ju kërkojmë falje, por ministri në detyrë është ai që po ju mbyll juve e po ju falimenton. Shpresoj që të kthehemi pas shtatë dite. Nga sot, qumështorja ‘VITA’ nuk punon dhe nuk pranon qumësht”, tha Spahia.

Më pas, në një adresim para punëtorëve, ai kritikoi ministrin në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, duke pretenduar se veprimet e tij favorizojnë importin e qumështit.

“Ministri i cili më shumë e do Serbinë, më shumë sesa neve. Do më shumë me hy qumështi prej Serbisë, në Maqedoni e me u fut në Kosovë, sesa qumështi i ‘Vitës’. Ne nuk jemi kriminela, ne kemi me shku faqebardhë dhe nuk kemi me u dorëzu”, u shpreh ai.

Spahia u premtoi gjithashtu punëtorëve se kompania do të vazhdojë aktivitetin në sektorë të tjerë dhe se pagat e tyre do të ekzekutohen pavarësisht pezullimit të përkohshëm të prodhimit.

Gjatë ditës, ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, njoftoi se 25 inspektorë ishin dërguar për një kontroll të paparalajmëruar në qumështoren “Vita”, ndërsa AUV ka bërë të ditur se procedurat administrative dhe çdo masë e mundshme do të varen nga rezultatet e analizave laboratorike.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dogana e Kosovës ndalon 23,500 euro të padeklaruara në Merdarë

Published

on

Dogana e Kosovës ka zbuluar 23,500 euro të padeklaruara gjatë kontrollit të një automjeti në dalje të Pikës së Kalimit Kufitar në Merdarë.

Sipas njoftimit zyrtar, automjeti ishte përzgjedhur për kontroll bazuar në analizën e riskut dhe më pas ishte dërguar në vijën e dytë për kontroll të detajuar nga zyrtarët doganorë dhe Policia Kufitare.

Gjatë kontrollit janë gjetur 10 mijë euro në çantën personale të udhëtarit, ndërsa 13,500 euro të tjera ishin të fshehura në zarfe brenda një ndarjeje të automjetit, duke e çuar shumën totale në 23,500 euro të padeklaruara.

Autoritetet kanë bërë të ditur se personi kishte dokumente që dëshmojnë prejardhjen e ligjshme të mjeteve monetare, përfshirë kontratë noteriale për shitblerje prone dhe dëshmi të tërheqjes bankare.

Rasti i është referuar Hetimeve Doganore për procedura të mëtejshme, ndërsa në bazë të ligjit është mbajtur 25 për qind e shumës së padeklaruar, kurse pjesa tjetër i është kthyer poseduesit.

Dogana e Kosovës ka rikujtuar se çdo person që hyn ose del nga vendi me 10 mijë euro e më shumë është i obliguar t’i deklarojë ato, në të kundërtën përbën kundërvajtje dhe mund të sjellë masa ligjore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Turqia ndalon ankorimin e anijes turistike LGBTQ+ me mbi 1,000 pasagjerë amerikanë

Published

on

Autoritetet turke kanë ndaluar ankorimin në portet e vendit të një anijeje turistike që u shërben udhëtarëve amerikanë LGBTQ+, duke përmendur “standardet morale” dhe “vlerat familjare”, sipas drejtuesit ekzekutiv të kompanisë organizatore Atlantis Events.

Anija turistike “Athinë–Venecia”, e cila ishte planifikuar të nisej nga Greqia më 5 korrik dhe të ndalonte në qytetin portual Kuşadasi, si dhe më pas në Stamboll, nuk është lejuar të ankorohet në Turqi. Anija, e quajtur “Scarlet Lady” dhe në pronësi të Virgin Voyages, pritej të transportonte mbi 1,000 pasagjerë nga SHBA.

Sipas kompanisë organizatore, autoritetet lokale në Turqi e kanë anuluar ndalimin e planifikuar, duke e arsyetuar vendimin me pretendime se aktiviteti i organizuar nga grupi është “i papajtueshëm me strukturën shoqërore dhe vlerat morale”.

Pas këtij vendimi, itinerari i lundrimit është ndryshuar dhe pritet të përfshijë ndalesa në Kajro të Egjiptit dhe në ishullin grek të Kretës, në vend të Turqisë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Xhelal Sveçla paraqitet në Gjykatë për rastin e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës

Published

on

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është paraqitur në Gjykatë në lidhje me rastin e përdorimit të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të vitit 2018.

Gjykata më herët kishte vendosur që të ndajë procedurën penale ndaj Sveçlës nga ajo e të pandehurve të tjerë në këtë rast, ku përfshihen ish-deputetët Salih Zyba, Fitore Pacolli-Dalipi dhe Drita Millaku.

Sipas aktakuzës, më 21 mars 2018, gjatë një seance plenare në Kuvendin e Kosovës ku po diskutohej ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, është përdorur gaz lotsjellës brenda sallës nga ora 12:10 deri në 15:40, duke detyruar ndërprerjen e seancës dhe largimin e deputetëve.

Prokuroria pretendon se si pasojë e veprimeve të të akuzuarve është pamundësuar vazhdimi i punës së Kuvendit gjatë seancës së jashtëzakonshme./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Aktakuzë ndaj gjashtë personave për keqpërdorim në prokurimin publik në Suharekë

Published

on

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, prej tyre katër zyrtarë komunalë në Suharekë dhe dy pronarë të operatorëve ekonomikë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik.

Sipas aktakuzës, të pandehurit D.M. dhe A.K., në cilësinë e menaxherit dhe mbikëqyrësit të kontratës, dyshohet se kanë tejkaluar kompetencat e tyre gjatë zbatimit të kontratave për ndërtimin e rrugëve lokale në fshatin Javor, duke aprovuar punime të papërfunduara dhe duke lejuar pagesa në vlerë prej 29,458.20 euro. Në disa raste, sipas prokurorisë, rrugë të kontraktuara nuk ishin ndërtuar fare, duke i shkaktuar komunës dëm financiar dhe duke mundësuar përfitim të kundërligjshëm për operatorin ekonomik.

Po ashtu, E.SH. dhe I.H. akuzohen për veprime të ngjashme në projekte të tjera rrugore në Javor dhe Luzhnicë, ku janë miratuar pagesa prej 17,124.10 euro, ndonëse disa prej punimeve nuk ishin realizuar.

Ndërkohë, XH.K. dhe A.S., në cilësinë e përfaqësuesve të operatorëve ekonomikë, akuzohen se kanë paraqitur dokumentacion të rremë mbi përfundimin e punimeve, duke përfituar mjete publike në mënyrë të kundërligjshme dhe duke dëmtuar buxhetin e Komunës së Suharekës.

Prokurori i çështjes ka propozuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë pas përfundimit të procedurës gjyqësore, si dhe ka kërkuar ndalimin e ushtrimit të funksioneve në shërbimin publik për të pandehurit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara