Lajmet

Mbyllet QMF-ja në “Kalabri”, qytetarët ankohen: Na kanë marrë në qafë – komuna jep detaje

Published

on

Mbyllja e Qendrës së Mjekësisë Familjare (QMF-IX) në “Kalabri” për shkak të renovimit që parashihet të zgjasë deri në tre muaj, ka krijuar shqetësim tek qytetarët e kësaj rrethine në kryeqytet.

Ani pse Komuna e Prishtinës ka dalë me njoftim disa ditë para mbylljes, ata thonë se nuk janë informuar për një gjë të tillë.

Qytetarët e “Kalabrisë” e konsiderojnë sfidë mbylljen e kësaj qendre dhe vizitën nëpër QMF-të e tjera të kryeqytetit.

Isuf Ahmeti thotë se për shkak të moshës dhe lëvizjes së shpeshtë të veturave do ta ketë të vështirë të shkojë për vizitë në QMF-të e tjera të kryeqytetit. Madje ai shprehet skeptik që procesi i renovimit do të përfundojë brenda tre muajve siç është premtuar, derisa tregon se nuk është njoftuar për këtë vendim të komunës.

“Qenka shumë keq, edhe ne tash si banorë prej këtu e kemi problem të shkojmë në ambulantat e tjera shumë. Sidomos unë që jam në moshë, në këtë lëvizje të shpeshtë veturave që po ka rrugëve, si të shkojë. Nuk ka familje, që nuk ka njerëz të sëmurë…Na paskan marrë në qafë në këtë punë, nuk e kam ditur fare, qenka tre muaj po do të shkojë një vit gati. Këta kanë thënë tre muaj, asnjëherë nuk ka dalur siç kanë thënë”, thotë Ahmeti.

Po ashtu, edhe Bajram Çitaku potencon se nuk ka qenë i informuar për mbylljen e Qendrës së Mjekësisë Familjare në lagjen e tij, e cila u bë me 3 qershor. Mosmarrjen e shërbimeve për shkak të renovimit përgjatë tre muajve, Çitaku e konisderon si dëm të madh për qytetarët.

“A jeni informuar paraprakisht se do të mbyllet? Nuk e di…Është dëm i madh për tre muaj të mbyllet. Kanë nevojë populli (të vizitohen tek mjeku)”, shprehet Citaku.

Shaban Kolaj tregon se për shkak të moshës së shtyrë, ka nevojë që të vizitohet tek mjeku më shpesh, derisa shpreson që riparimi i kësaj qendre të bëhet sa më shpejtë.

“Sigurisht se i vjetër 70 vjeç, normale ka nevojë çdo njeri (të vizitohet tek mjeku). Por, shpresoj që riparohet sa më shpejtë dhe ta kemi edhe më afër nuk do të ishte keq. Por, doktorë ka gjithandej”, thotë Kolaj.

Ndërkaq, lidhur me këtë çështje, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku thotë se mbyllja e QMF-së në “Kalabri” është bërë për shkak të nevojës për renovim. Sadiku potencon se punimet mund të zgjasin deri në tre muaj. Ai thotë se qëllimi i këtij veprimi ka qenë krijimi i kushteve më të favorshme për stafin e punës dhe vetë pacientëve.

“Qendra e Mjekësisë Familjare në Emshir (Kalabri), është qendër në të cilën ne kem filluar renovimin e saj. Për këtë arsye nga 3 qershori i këtij viti, qytetarët e Emshirit nuk do të marrin shërbime për diku rreth dy deri në tre muaj sipas operatorit ekonomik që ka filluar renovimin atje. Qëllimi ynë është që ajo qendër e cila ka qenë shumë e ngarkuar gjatë procesit të Covid 19 në Kosovë, për arsye se ka qenë qendra e cila ka dhënë shërbime për pacientët me Covid 19 dhe ka pasur dëmtime të mëdha të institucionit, ne kem i filluar ta bëjmë renovimin komplet të saj, me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për punë. Për arsye se duke krijuar kushte më të mira për punë ne krijojmë mundësi për të dhënë shërbime më cilësore për qytetarët e kryeqytetit”, thekson Sadiku.

Qytetarët e “Kalabrisë” mund të vizitohen dhe të marrin shërbime mjekësore nëpër të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare në kryeqytet.

Lajmet

Osmani priti në takim ambasadorin e Irlandës, Ragnar Almqvist

Published

on

By

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Irlandës në Kosovë, Ragnar Almqvist, me të cilin ka diskutuar mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

Në takim, Presidentja Osmani ka falënderuar Irlandën për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, veçanërisht në proceset integruese evropiane dhe përkrahjen në organizatat ndërkombëtare. Ajo ka theksuar rëndësinë e partneritetit me Irlandën, si një vend me vlera të përbashkëta demokratike dhe një aleat i çmuar i Kosovës.

Ndër temat kryesore të diskutimit ishte nevoja për heqjen e masave të padrejta, të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, duke nënvizuar se heqja e tyre do të ishte një mesazh i fuqishëm për Kosovën për të kontribuar tutje në vlerat dhe vizionin e përbashkët të BE-së.

Gjithashtu, Presidentja dhe Ambasadori Almqvist kanë biseduar edhe për avancimin e Kosovës në rrugën e integrimit evropian dhe rëndësinë e mbështetjes nga partnerët ndërkombëtarë në këtë proces.

Continue Reading

Lajmet

Përfundon rinumërimi i 1631 fletëvotimeve të pavlefshme nga votimi me postë

Published

on

By

Ka përfunduar rinumërimi i 1,631 fletëvotimeve të pavlefshme nga votimi me postë, të cilat gjendeshin në 177 kuti të votimit.

Këtë e ka konfirmuar për EO zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Ai tha se ky proces është zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), në përputhje me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Rinumërimi kishte filluar sot në orën 12:00 dhe është realizuar nën mbikëqyrjen e stafit të KQZ-së dhe vëzhguesve të subjekteve politike.

Continue Reading

Lajmet

​Vazhdon rinumërimi i fletëvotimeve të pavlefshme nga votimi me postë

Published

on

By

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vijon rinumërimi i fletëvotimeve të pavlefshme nga votimi me postë.

Bëhet fjalë për rinumërimin e 1.631 fletëvotimeve të pavlefshme nga votimi me postë. Numri i kutive të votimit është 177.

Procesi i rinumërimit të fletëvotimeve të pavlefshme nga votimi me postë ka filluar sot në mesdite.

Ndërkaq, të martën në mesnatë ka përfunduar rinumërimi i fletëvotimeve nga 50 vendvotime te rregullta, sipas vendimit të KQZ-së.

Continue Reading

Lajmet

​Maqedonci: Nuk pajtohemi me kufizimet për FSK-në por do ta respektojmë zotimin për veri

Published

on

By

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se do ta respektojnë zotimin e autoriteteve të vendit, të bërë në vitin 2023, për të mos e dislokuar FSK-në në veri pa koordinim paraprak me KFOR-in, por theksoi se nuk pajtohen me këto kufizime.

Maqedonci tha të mërkurën se kanë marrë konfirmimin që trupat amerikane do të jetë prezentë në Kosovë përmes KFOR-it, madje sipas tij, po diskutojnë me SHBA-në për prezencë ushtarake edhe jashtë këtij mandati.

Autoritetet e Kosovës në krye me kryeministrin e atëhershëm, Hashim Thaçi, u patën zotuar se nuk i dërgojnë ushtarët në veri – pjesë e banuar me shumicë serbe – pa pëlqimin paraprak të KFOR-it.

Maqedonci tha të mërkurën në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë, se asnjëherë nuk ka bërë rizotim të këtij dakordimi.

Shpesh është keqinterpretuar një letër që kam shkruar për komandantin e KFOR-it. Asnjëherë nuk kam bërë rizotim. Ministri i Mbrojtjes nuk bën rizotim të një letre e cila është bërë si zotim nga një kryeministër për sekretarin e përgjithshëm të NATO-s. Ne kemi thënë se do të respektojmë atë zotim, pavarësisht se nuk pajtohemi nga kufizimet që ka për veprim FSK-ja në veri, pa koordinim paraprak me KFOR-it. Do të vazhdojmë të respektojmë këtë zotim duke koordinuar paraprakisht me KFOR-in para se të dërgojmë trupa në veri”, theksoi ai.

Në konferencën e mbajtur të martën në Prishtinë, shefi i NATO-s u pyet nëse kanë ndryshuar qasjen sa i përket transformimit të FSK-së në ushtri.

Mandati është që FSK-ja të ketë çfarë i duhet që të jetë efektive për rolin e saj humanitar këtu në Kosovë. Ky është mandati që NATO e ka për të ndihmuar FSK-në që të bëhet më e mirë, që të jetë një forcë e fuqishme humanitare”, tha Rutte.

Sa i përket deklarimeve të djeshme të shefit të NATO-s, Maqedonci tha se Kosova është bërë me ushtri përmes ndryshimeve ligjore në vitin 2018 dhe si të tillë e njohin shtetet në mënyrë bilaterale.

Maqedonci tha se po vazhdojnë të diskutojnë që edhe NATO si institucion në të ardhmen e afër të njoh mandatin e ri të FSK-së.

Ne do të vazhdojmë që të diskutojmë me partnerët tanë në NATO që edhe NATO si institucion në të ardhmen e afërt të njoh mandatin e ri të FSK-së. Për t’u theksuar është fakti që në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, NATO ka një mision të veçantë që e kryen përmes një ekipi që quhet ndërlidhës dhe këshillues të NATO-s”, theksoi ai.

Qeveria e Kosovës miratoi të mërkurën nismën për lidhjen e marrëveshjes kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke folur për mbështetjen ushtarake amerikane ndaj Kosovës, ai tha se ka marrë konfirmimin se e njëjta do të vazhdojë të jetë prezentë në Kosovë.

Ne po vazhdojmë të kemi konfirmim se ushtria amerikane do të jetë prezentë në kuadër të KFOR-ti. Përveç kësaj ne jemi të interesuar dhe po diskutojmë për prezencë ushtarake amerikane edhe jashtë mandatit të KFOR-it, pra në aspektin bilateral, duke qenë pjesë e aktiviteteve të përbashkëta në FSK. Ne po diskutojmë në dy drejtime prezencën ushtarake amerikane. Një që lidhet me vendimmarrjen e vet tyre për të vazhduar që të jetë pjesë e KFOR-it dhe e dyta përmes bashkëpunimit bilateral që ShBA të ketë prezencë në Kosovë si në aspektin e trajnimeve por edhe shfrytëzimit të hapësirave tona për qëllime të përbashkëta strategjike”, theksoi ai.

Maqedonci foli edhe për ndërtimin e fabrikës së municionit në Kosovë, ku tha se plani është që e njëjta të ndërtohet në pjesën perëndimore të vendit, jashtë rrezes së veprimit të rrezikut që mund të vjen nga Serbia.

Continue Reading

Të kërkuara