Lajmet

Roberts: Akuzat e Prokurorisë janë vetëm supozime, mungojnë provat konkrete

Published

on

Gjatë paraqitjes së argumenteve të tij, avokati i Selimit, Geoffrey Roberts vuri në dukje se prokuroria po operon me hamendësime sa i përket funksionimit të brendshëm të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Sipas Roberts, prokuroria ka dështuar të vërtetojë takimet që pretendon se kanë ndodhur mes krerëve të zonave operative. Ai ka theksuar se në rindërtimin e ngjarjeve nga ana e ZPS-së ka paqartësi totale për elementet bazë të një akuze:

“Takimet që ZPS-ja pretendon se kanë ndodhur në Shtabin e Përgjithshëm apo mes komandantëve të zonave kanë boshllëqe të mëdha se kush mori pjesë në këto takime, kur dhe ku, dhe se si informacioni u nda në këto takime,” deklaroi Roberts.

Mbrojtja u ndal edhe te pretendimet për urdhra të lëshuar ndaj personave që perceptoheshin si bashkëpunëtorë të regjimit. Roberts ka sqaruar se nuk ka asnjë dokument apo dëshmi që lidh Selimin me vendime të tilla.

“Nuk ka prova se Selimi kishte dijeni, ishte i përfshirë apo mbështeste këto urdhra të supozuara,” u shpreh avokati, duke shtuar se sjellja e Shtabit të Përgjithshëm po interpretohet pa pasur një bazë faktike që implikon klientin e tij.

Në fund, avokati Roberts kritikoi logjikën e prokurorisë, e cila sipas tij, po përpiqet ta fajësojë Selimin thjesht për shkak të pozicionit dhe prezencës së tij fizike në Kosovë gjatë luftës.

“Fakti se Selimi në atë kohë ishte në Kosovë nuk është asgjë më tepër se një supozim nga ana e prokurorisë,” përfundoi ai, duke e quajtur këtë qasje të pamjaftueshme për të dëshmuar përgjegjësinë penale.

Avokati i Selimit: Nuk pati ndërmarrje kriminale, synimi ishte fundi i shtypjes nga Millosheviqi

Gjatë paraqitjes së fjalës përfundimtare në Gjykatën Speciale në Hagë, avokati i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, ka deklaruar me vendosmëri se nuk ka ekzistuar asnjë Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale në të cilën ishte i përfshirë klienti i tij apo të bashkakuzuarit e tjerë në asnjë moment të periudhës që përfshin aktakuza.

“Dua të themi shumë qartë se nuk ka ekzistuar Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale (NKP) në të cilën ishte përfshirë Rexhep Selimi apo të bashkakuzuarit e tij në asnjë moment të periudhës së aktakuzës. Kjo është kështu, ka qenë dhe mbetet dhe ky është qëndrim “

Roberts theksoi para trupit gjykues se ky qëndrim mbetet i palëkundur, duke argumentuar se qëllimi për të marrë në kontroll Kosovën nuk ishte në asnjë mënyrë kriminal.

Përkundrazi, sipas tij, kjo ishte rruga e vetme dhe e domosdoshme për t’i dhënë fund shtypjes sistematike dhe brutale që forcat e dhunshme të regjimit të Millosheviqit po ushtronin mbi popullsinë shqiptare në Kosovë, duke e cilësuar veprimtarinë e UÇK-së si një mjet për çlirim dhe jo si projekt kriminal.

“Në vetvete qëllimi për të marrë në kontroll Kosovën nuk është kriminal dhe shumë larg nga kjo është e vetmja mënyrë për ti dhënë fund shtypjes sistematike dhe brutale të popullsisë shqiptare në Kosovë nga forcat e dhunshme të Millosheviqit” tha avokati i Selimit

Roberts: Selimi është tërësisht i pafajshëm

Pas përfundimit së fjalëve përmbyllëse të mbrojtjes së Kadri Veselit, fjalët përfundimtare po i vazhdon mbrojtja e Rexhep Selimit.

Avokati i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, deklaroi në hapje të fjalës së tij se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dështuar plotësisht të vërtetojë krimet që i ngarkohen klientit të tij.

Ai theksoi se Selimi është tërësisht i pafajshëm për të gjitha pretendimet e aktakuzës dhe se prokuroria nuk ka arritur të përmbushë detyrimin ligjor për të vërtetuar fajësinë e tij.

“Selimi është tërësisht i pafajshëm për të gjitha krimet e pretenduara në aktakuzë. ZPS-ja thjesht nuk ka arritur të përmbush detyrimin e saj për të vërtetuar krimet e pretenduara. Kaq është dhe ky është qëndrimi ynë” tha ai.

Roberts sqaroi se mbrojtja nuk e ka për detyrë të vërtetojë se pretendimet e prokurorisë janë të gabuara, pasi barra e provës i takon vetëm ZPS-së.

Sipas tij, prokuroria nuk mund ta transferojë këtë përgjegjësi te mbrojtja, por duhet të paraqesë prova që kanë vlerë provuese, janë koherente, relevante dhe dëshmi të dëshmitarëve të mbështetshme për të vërtetuar akuzat e ngritura.

Avokati i Veselit: ZPS-ja po përdor dëshmitë e pasluftës sepse nuk ka prova për periudhën e luftës

Në Gjykatën Speciale në Hagë, mbrojtja e Kadri Veselit ka argumentuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar po tenton të përdorë zhvillimet e pasluftës për të mbuluar mungesën e provave gjatë periudhës së luftës.

Avokati Rodney Dixon ka sqaruar para trupit gjykues se dëshmitë që lidhen me Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK) i përkasin një periudhe shumë më të vonshme se ajo e pretenduar në aktakuzë.

Gjatë fjalës së tij, Dixon deklaroi se: “Dëshmia e Veselit, së cilës ata i referohen, ka të bëjë me SHIK-un pas luftës, ku ai përshkruan zhvillimet në periudhën pasluftës në gjysmën e dytë të vitit ’99 dhe pastaj në vitin 2000 deri në zhbërjen e strukturës së SHIK-ut në vitin 2008. Veseli shprehet se kapacitetet e SHIK-ut si strukturë në fillim ishin të kufizuara sa i përket numrit dhe trajnimeve, dhe vetëm më vonë, në gjysmën e dytë të vitit 2000, kishin filluar një bazë të strukturës që funksiononte në mënyrën e duhur sa i përket operacioneve.”

Më tej, mbrojtja u ndal edhe te dëshmitë e bashkëluftëtarëve të tij, duke specifikuar se asokohe nuk kishte trajnime të mirëfillta të inteligjencës.

Avokati përmendi se: “Për këtë dha dëshmi edhe Jakup Krasniqi, se ai ishte rekrutuar në verën e vitit 2000 dhe në dëshminë e tij ai tha se kur bëri trajnimin e parë nga miqtë ndërkombëtarë, ishte trajnimi i parë që kishte të bëjë me shërbimet e zbulimit.” Në mbyllje të argumentit të tij, Dixon akuzoi ZPS-në për mungesë faktesh konkrete për periudhën e konfliktit, duke theksuar se: “Pra, e gjitha kjo është pas lufte dhe ajo çfarë bëri ZPS-ja është se kaloi në periudhën e pasluftës, sepse nuk kanë asgjë gjatë luftës.”

Mbrojtja e Veselit kërkon hetim të thellë për dokumentet e Beogradit

Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me provat që dorëzohen nga autoritetet serbe në procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara.

Ai ka kërkuar që çdo material që vjen nga Beogradi t’i nënshtrohet një analize të rreptë për të vërtetuar origjinën dhe vërtetësinë e tij, duke insistuar se Prokuroria ka detyrim të verifikojë çdo detaj përpara se t’i paraqesë ato si prova.

“Duhet kushtuar rëndësi e veçantë dokumenteve që u janë dhënë autoriteteve e sigurisht që do t’i cekim shënimet dhe dokumentet; duhet trajtuar po ashtu edhe autenticiteti, zinxhiri i ruajtjes e të tjerë. Dhe, sipas Dhomës së Apelit, është shumë e rëndësishme që të shikohen me shumë imtësi provat që janë dhënë nga autoritetet e Beogradit lidhur me përgjimet dhe dokumentet e tjera, dhe kjo është një gjë që duhet ta bëjë realisht prokuroria. Është tjetër gjë t’i japësh të gjitha dokumentet në grup pa vënë në diskutim asnjë prej tyre, por është tjetër gjë të shohësh me hollësi se çfarë origjine kanë këto dokumente dhe çfarë autenticiteti; kjo si punë duhet të bëhet absolutisht me shumë hollësi.”, tha avokati i Veselit

Dixon: ZPS po përdor dokumente pa vërtetësi nga frika e dëshmitarëve

Gjatë seancës gjyqësore në Hagë, avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, ka hedhur akuza të rënda ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke e cilësuar qasjen e tyre për nxjerrjen e provave si tërësisht jo logjike.

Dixon argumentoi se prokuroria po tenton të fusë dokumente si prova pa i ballafaquar dëshmitarët me to, pasi sipas tij, prokurorët janë të pasigurt për atë që mund të thuhet në sallë.

“Sigurisht kur je i frikësuar se çfarë mund të thotë dëshmitari, është më e sigurt që të kërkosh pranimin e provave jo gojore,” u shpreh ai, duke kujtuar se shumë dëshmitarë kanë deklaruar se nuk dinë asgjë për dokumentet që u janë treguar.

Avokati theksoi se ZPS-ja ka për detyrë të vërtetojë autenticitetin e çdo materiali, por në vend të kësaj po tenton të shmangë lidhjen direkte midis dëshmisë dhe dokumentit.

Sipas Dixon, prokuroria po aplikon standarde të dyfishta, duke kundërshtuar dokumentet e mbrojtjes kur nuk i volit, ndërsa insiston në vërtetësinë e dokumenteve të veta pa asnjë bazë solide: “ZPS-ja e ka për detyrë të tregojë që këto janë dokumente autentike në qoftë se duan të mbështeten në vërtetësinë e përmbajtjes së tyre.”

Mbrojtja e Veselit nis fjalët përfundimtare

Pas përfundimit të mbrojtjes së Hashim Thaçit, procesi gjyqësor në Gjykatën Speciale ka vazhduar me paraqitjen e fjalëve përfundimtare nga ekipi mbrojtës i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Para trupit gjykues, Veseli po përfaqësohet nga avokati i tij, Rodney Dixon, i cili po shpalos argumentet përmbyllëse kundër akuzave të Prokurorisë.

Ky proces po zhvillohet në një moment kyç, pasi vetëm një ditë më parë ekipi mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi mbylli zyrtarisht fjalën e tij përfundimtare.

Të dy udhëheqësit, së bashku me Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, po gjykohen për pretendimet mbi krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Pas përfundimit të fjalëve përmbyllëse nga të gjitha ekipet e mbrojtjes, trupi gjykues do të tërhiqet për të shqyrtuar provat përpara shpalljes së aktgjykimit.

Continue Reading

Lajmet

Policia e Kosovës shpall masat e shtuara të sigurisë dhe bllokimet e rrugëve për finalen Kosovë-Turqi

Published

on

By

Sot, më 31 mars 2026, Prishtina është qendra e vëmendjes sportive botërore, pasi Stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë nikoqir i ndeshjes finale të play-off-it për Kampionatin Botëror “FIFA World Cup 2026” ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Dueli, i cili fillon në orën 20:45, konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e futbollit kosovar, çka ka shtyrë Policinë e Kosovës të ndërmarrë një plan gjithëpërfshirës për rendin dhe sigurinë publike.

Për të garantuar mbarëvajtjen e kësaj feste sportive, Policia ka njoftuar se do të ketë prani të shtuar të zyrtarëve në stadium, në të gjithë qytetin dhe në tri “Fan Zona” të krijuara enkas për tifozët.

Si pasojë e fluksit të madh dhe lëvizjes së delegacioneve zyrtare, do të ketë bllokime të përkohshme dhe kufizime të qarkullimit në rrugët kryesore të kryeqytetit.

Segmentet më të prekura përfshijnë rrugët “Tring Ismajli”, “Agim Ramadani”, “Eqrem Çabej”, zonën te semaforët kryesorë, Bulevardin “Bill Clinton”, rrethin te Stacioni i Autobusëve, si dhe rrugët “Hekurudhat” e “Tirana” që çojnë drejt stadiumit.

Gjithashtu, kufizime do të ketë në perimetrin rreth stadiumit, përfshirë rrugën “Luan Haradinaj” deri te Ministria e Drejtësisë dhe rrugën “Fehmi Agani”.

Pas përfundimit të ndeshjes, vëmendja do të përqendrohet në rrugët që dërgojnë drejt aeroportit, duke përfshirë lagjen “Arbëria” dhe rrugën “Ahmet Krasniqi”. Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve në terren, të shfrytëzojnë rrugë alternative sa më shumë që të jetë e mundur dhe të kontribuojnë në ruajtjen e qetësisë, duke e cilësuar sigurinë si një përgjegjësi të përbashkët për këtë ngjarje madhore.

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu priti në takim Shefin e EULEX-it

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Shefin e EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano.

Në këtë takimit u diskutuan zhvillimet aktuale në Kosovë, me theks të veçantë në sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve dhe rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it.

Në këtë takim u rikonfirmua përkushtimi i përbashkët për forcimin e shtetit të së drejtës dhe për avancimin e proceseve që kontribuojnë në stabilitetin institucional dhe në rritjen e besimit të qytetarëve, sipas njoftimit të Kuvendit të Kosovës

Continue Reading

Lajmet

Ambasada e SHBA-së mbështet “Dardanët” para finales me Turqinë në “Fadil Vokrri”

Published

on

By

Atmosfera para përballjes vendimtare mes Kosovës dhe Turqisë është ndezur, madje kësaj ngjarje vëmendje i ka kushtuar edhe Ambasada e Amerikës në Kosovë

Përmes një postimi në rrjetet sociale, përfaqësia diplomatike amerikane ka rreshtuar veten përkrah tifozëve dardanë në këtë natë historike, duke dhënë një mesazh të qartë mbështetjeje: “Nga të gjithë ne në Ambasadën e SHBA-së, ne po ju mbështesim – luani fort dhe bëjeni Kosovën krenare”.

Kjo ndeshje, e cila konsiderohet si një finale e vërtetë për fatet e kualifikimit në Kampionatin Botëror, pritet të fillojë në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Interesimi për këtë takim është i jashtëzakonshëm dhe shkallët e stadiumit pritet të jenë të stërmbushura me tifozë që kërkojnë fitoren historike.

Përfaqësuesja e Kosovës zbret në fushë me moral të lartë dhe me përkrahjen e plotë të partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa vëmendja e gjithë opinionit publik është përqendruar në Prishtinë për këtë sfidë vendimtare që përcakton rrugëtimin drejt botërorit.

Continue Reading

Lajmet

Bëhu lider i komunikimit me Programin e Gjuhës Angleze

Published

on

By

Programi i Gjuhës AnglezeUBT po pozicionohet si një ndër platformat më të rëndësishme për përgatitjen e profesionistëve të ardhshëm në fushën e arsimit, përkthimit dhe komunikimit ndërkombëtar.

Ky program është ndërtuar mbi një kurrikulë moderne që përkon me standardet më të larta evropiane, duke u ofruar studentëve jo vetëm njohuri teorike mbi gjuhësinë dhe letërsinë, por edhe aftësi praktike që kërkohen sot në sektorin publik dhe privat.

Përmes një mjedisi stimulues që nxit mendimin kritik dhe krijimtarinë, studentët pajisen me kompetenca për të komunikuar me saktësi akademike dhe për të operuar me përgjegjësi etike në projekte komplekse.

Një element kyç që e bën këtë program unik është dimensionimi ndërkombëtar, ku përmes bashkëpunimeve me universitete prestigjioze në SHBA, Britani të Madhe, Gjermani, Itali dhe vende të tjera të BE-së, studentëve u mundësohet shkëmbimi semestral dhe përfitimi i bursave të plota përmes rrjeteve si Erasmus+ dhe CEEPUS.

Përveç përvojës ndërkombëtare, UBT ka krijuar lehtësi për të gjithë ata që synojnë të nisin rrugëtimin e tyre akademik në këtë drejtim, duke ofruar një bursë studimi prej 20% për të tri vitet e studimit për studentët e rinj që regjistrohen.

Ky investim në talentet e reja plotësohet nga resurset e pasura që UBT vë në dispozicion, si biblioteka e specializuar e gjuhës angleze, platformat e avancuara digjitale për mësimdhënie dhe mbështetja e vazhdueshme nga Qendra e Karrierës për punësim dhe praktika profesionale.

Duke pasur një staf akademik të kualifikuar në universitetet më të mira botërore dhe diploma që njihen gjerësisht në Kosovë dhe në Bashkimin Evropian, programi siguron që çdo i diplomuar të jetë një profesionist dhe i gatshëm për të kontribuar në zhvillimin arsimor dhe ekonomik të vendit.

Continue Reading

Të kërkuara