Lajmet

Mbrojtja dhe Siguria në punë

Published

on

Nga prof,dr. Hazir Çadraku –  Mbrojtja dhe siguria në punë nuk njohin kufij, në të kanë të drejtë të gjithë njerëzit në botë. Si e tillë, mbrojtja dhe siguria paraqet një proces i cili daton që nga fillimi i veprimtarisë së njeriut. Kështu që, edhe në ditët e sotme mbetet një sfidë globale.

Të dhëna të shkruara dhe elektronike tregojnë se në sektorë të ndryshëm pune, të punësuarit ballafaqohen me lëndime të llojeve të ndryshme, të shoqëruara në jo pak raste edhe me humbje të jetës së tyre në vendet e punës. Sot, edhe pse teknika, teknologjia dhe shkenca janë zhvilluar në shkallë të lartë, duke ofruar kushte në kryerjen e punëve në mënyrë më të lehtë, më të shpejtë dhe më të sigurt, megjithatë lëndimet dhe vdekjet në vende pune mbeten një sfidë e cila duhet të konsiderohet me prioritet nga çdo sistem dhe shoqëri. Mund të themi se është e pa mundur që të arrihet siguri dhe mbrojtje absolute gjatë kryerjes së aktiviteteve në një vend pune.

Një përgjigje e kësaj që theksuam më sipër, do të ishte parandalimi. Parandalimi do të ishte zgjedhja më e mirë, sepse i njëjti argumenton pohimin: “parandalimi është më i mirë se kurimi”.

Koncepti i parandalimit tanimë është një qasje e cila theksohet në direktiva të vendeve të Bashkimit Evropian, që paraqet në vete një qasje praktike ndaj problemeve të cilat kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe sigurinë e shëndetit në punë.

Kjo do të thotë se është me prioritet që të vlerësohen dhe analizohen vendet dhe proceset e punës për të identifikuar të gjitha rreziqet e mundshme, të cilat mund të jenë afatshkurtra dhe afatgjata, me qëllim që më pas të ndërmerren aktivitete, veprime dhe masa për parandalimin (shmangien) e tyre, duke u mbështetur në praktika, teknika, teknologji dhe punë kërkimore shkencore. Mbrojtja dhe siguria e shëndetit në punë nuk është një degë e re shkencore. Ajo është e vjetër po aq sa është edhe vetë njerëzimi, e aplikuar në praktikë me mënyra, metoda dhe mjete të kohës. Në lidhje më mbrojtjen dhe sigurinë në punë, shënime të shkruara në nivelin global gjenden qysh në vitin 1437, ndërsa në nivelin rajonal, respektivisht në vendet e Ballkanit, ku ndodhet edhe vendi ynë, mbrojtja dhe siguria e shëndeti në punë zë fill në vitin 1833. Në territorin e Kosovës mbrojtja dhe siguria e shëndetit në punë filloi të përcaktohet me dispozita ligjore që nga viti 1922. Në atë kohë, respektivisht në harkun kohor të viteve 1921-1922, ishte nxjerr ligji i parë për mbrojtje në punë. Pas përfundimit të luftës së dytë botërore, në vitin 1965, del ligji i mbrojtjes në punë. Këto të dhëna kanë rëndësi historike: e para për të treguar se mbrojtja në punë nuk është një lëmi e re, dhe e dyta, për të treguar se në atë kohë territori i Republikës së Kosovës (së sotme) ishte në kuadër të ish-sistemit juridik të Jugosllavisë. Sot, mbrojtja dhe siguria e shëndetit në punë në Republikën e Kosovës është e rregulluar me akte juridike. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila është akti më i lartë juridik në shkallë vendi, garanton të drejtën në punë dhe zgjedhjen e profesionit (neni 49), si dhe në nenin 51 thekson mbrojtjen shëndetësore dhe sociale. Pra, në mënyrë më të zgjeruar është theksuar se e drejta në punë garantohet dhe secili person është i lirë të zgjedh profesionin dhe vendin e punës. Prandaj, në këtë këndvështrim, mund të themi se bashkë me të drejtën e garantuar për punë, është edhe e drejta për mbrojtje dhe siguri gjatë ushtrimit të veprimeve dhe aktiviteteve gjatë realizimit të një pune. Në përgjithësi mund të theksoj se Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka normuar mbrojtjen dhe sigurinë në punë, si një e drejtë e njeriut e cila realizohet përmes ndërmarrjes së masave dhe veprimeve që sigurojnë kushte të sigurta pune, mbrojtjen e shëndetit dhe mbrojtjen e integritetit fizik dhe moral. Më hollësisht, e drejta për mbrojtje dhe siguri në punë në Republikën e Kosovës është e rregulluar me ligje, udhëzime administrative, rregullore dhe aktet tjera juridike, të cilat rrjedhin apo detyrohen nga ligjet. Pra, siguria dhe shëndeti në punë është rregulluar në ligjin Nr. 04/L-161, qëllimi i të cilit është përcaktimi i masave për përmirësimin e shkallës së sigurisë dhe shëndetit të të punësuarve në punë. Sipas ligjit Nr. 04/L-161, siguria dhe shëndeti në punë definohet si pjesë përbërëse e organizimit të procesit të punës, duke ndërmarrë masat parandaluese, që kanë synim përmirësimin e kushteve të punës, mbrojtjen e shëndetit të punëtorëve, përmirësimin e ambientit të punës, mbrojtjen fizike dhe psikike të të punësuarve dhe të të tjerëve, që marrin pjesë në procesin e punës. Çështjes së mbrojtjes dhe sigurisë së shëndetit në punë kujdes i veçantë i është kushtuar edhe në ligjin Nr. 03/ L-212, respektivisht në kreun VI, neni 42, në të cilin theksohet mbrojtja dhe siguria në punë. E një rëndësi të veçantë për sa i takon sigurisë dhe shëndetit në punë, është edhe rregullorja për kriteret minimale për mbrojtje dhe sigurinë e shëndeti në punë. Po ashtu, edhe kuadri institucional në të dy nivelet, në atë qendror dhe lokal, është mjaftë mirë i konsoliduar, si në aspektin hartimit të kuadrit ligjor (transpozim të direktivave të BE-së), po ashtu edhe në hartimin e strategjive, planeve të veprimit dhe ngritjes së kapaciteteve humane, për të menaxhuar dhe kontrolluar zbatimin e dispozitave ligjore për sa i takon mbrojtjes dhe sigurisë së shëndetit në punë. Ndonëse ende kërkohet angazhim, koordinim, bashkëpunim ndërinstitucional, përfshirë këtu institucionet akademike kërkimore shkencore, siç është në këtë rast UBT, është një nga institucionet e arsimit të lartë më kredibile, që ofron mundësi për të zhvilluar programe dhe projekte kërkimore për avancimin e lëmit të mbrojtjes dhe sigurisë në punë. Po të kthehemi për të parë se cila është detyra e mbrojtjes dhe siguria në punë, atëherë themi se qëllimi kryesor i saj është parandalimi i numrit të vdekjeve, lëndimeve, sëmundjeve profesionale etj., në vendet e punës, si dhe humbjeve financiare dhe materiale të cilat janë apo mund të jenë rrjedhojë e vdekjeve, lëndimeve, sëmundjeve në vende pune, përfshirë këtu edhe përcaktimin e rregullave dhe sjelljet në mjedisin e punës. Vendi i punës definohet ai vend pune ose ajo hapësirë, nën mbikëqyrjen direkte dhe indirekte të punëdhënësit, ku të punësuarit qëndrojnë dhe kryejnë veprimtari dhe aktivitete pune brenda një orari të caktuar kohor. Në përgjithësi, vendi i punës është një vend apo hapësirë, ku i punësuari pjesën më të madhe të ditës e kalon aty. Mbrojtja në punë definohet si bashkësi e aktiviteteve teknike, juridike, shëndetësore, sociale, psikologjike, pedagogjike, etj., me ndihmën e të cilave parandalojmë dhe minimizojmë rreziqet të cilat mund të jenë potencial për rrezikimin e jetës dhe shëndetit të të punësuarve gjatë kryerjes së punëve në një vend pune. Ashtu siç janë të ndryshme profesionet dhe punët që bëjmë, po ashtu edhe vendet e punës janë të ndryshme. Pra, dallohen në aspektin e paraqitjes së rreziqeve dhe masave të cilat duhet të ndërmerren për parandalimin e tyre. Në vendin tonë, ndër vendet e punës të cilat konsiderohen me shkallë të lartë rreziku janë: vendet e punës në miniera dhe në ndërtimtari, duke mos anashkaluar edhe sektorë të tjerë. Mirëpo, mbështetur në të dhënat nga raporte institucionale, të cilat kanë përgjegjësi dhe detyrë për të menaxhuar, kontrolluar, monitoruar dhe raportuar për mbrojtjen dhe sigurinë e shëndetit në punë, rezulton se puna në sektorin e ndërtimit është me shkallë rreziku të lartë. Ky pohim argumentohet nga të dhënat zyrtare të publikuara në raporte të cilat, që nga viti 2000, e deri më sot, sektorin e ndërtimit e nxjerrin me numrin më të madh të të punësuarve, të cilët kanë humbur jetën dhe kanë pësuar lëndime në shkallë të ndryshme. Kështu, vetëm në këtë vit (2018), është raportuar se kemi 23 të punësuar të cilët kanë humbur jetën në vend pune në sektorin e ndërtimit. Kjo e dhënë dhe të dhënat nga vitet paraprake janë shqetësuese dhe sinjalizojnë apo janë një alarm, i cili duhet të dëgjohet me kujdes nga të gjitha institucionet me përgjegjësi direkte dhe indirekte për të ndërmarrë masa për parandalimin e tyre. Pse vjen deri tek këto ngjarje/ndodhi me fatalitet, është vështirë të definohet me saktësi, për arsye se në këto ndodhi ndikojnë një numër i madh faktorësh. Pra, nuk kemi të bëjmë me vetëm një faktor, edhe sepse sipas të dhënave statistikore të publikuara, tregohet se “Faktori Njeri” tek lëndimet është i pranishëm në 90% të rasteve. Prandaj, me të drejtë psikologjia e punës shtron disa pyetje të cilat kërkojnë përgjigje: Pse ngjajnë lëndimet?, Cili është shkaku që njeriu të gabojë? Në mos ekziston tek individët prirja për lëndime?. Për t’iu dhënë përgjigje pyetjeve të shtruara janë bërë shumë matje dhe hulumtime, të cilat si përfundim kanë nxjerrë se lëndimet asnjëherë nuk ndodhin për efekt të një shkaku. Si përfundim, del se lëndimet janë kombinim i shumë rrethanave që favorizojnë ndodhjen e lëndimit, apo janë të paraqitura në të njëjtën kohë. Në anën tjetër, çdo aksident ndodh për shkak të gabimeve, e ato vijnë nëse i punësuari nuk di të punojë sigurt, nuk mund të punojë i sigurt dhe nëse nuk do të punojë i sigurt. Si konstatim, nga kjo që theksuam më lartë, del të jetë se aksidentet të cilat sot ndodhin në vende pune në sektorin e ndërtimit në vendin tonë lidhen me to. Pra, ka të punësuar në sektorin e ndërtimit të cilët nuk dinë të punojnë sigurt. Ky pohim mbështet në praktikën e moshës së të të punësuarave në sektorin e ndërtimit, ku vlerësohet se mbi 60% janë me moshë të re (17-35 vjeç), dhe si të tillë, të rinjtë kanë më tepër prirje të vetëbesimit, i mbivlerësojnë mundësit e veta dhe nuk kujdesen aq për rreziqet, pra kanë prirje për të sjell veten në rrezik. Pra, janë më pak vigjilent, nuk vlerësojnë si dhe sa duhet rrezikun dhe pasojat që mund t’i kenë prej tij. Element tjetër pse ata nuk dinë të punojnë sigurt është edhe përgatitja profesionale (p.sh. shkolla profesionale teknike ndërtimore, etj.), apo arritja e shkathtësive teknike dhe operative për të punuar sigurt, përmes trajnimeve e formave të tjera. Pse nuk mund të punojnë sigurt?. Përgjigja në këtë pyetje gjendet tek punëdhënësi, i cili ka për detyrë dhe përgjegjësi (sipas Ligjit Nr. 04/L-161, Nr.03/L-212 etj.) të sigurojë kushte pune me standarde të cilat parandalojnë lëndimet, aksidentet me fatalitet, etj. Një ndihmesë apo kontribut i theksuar në këtë përgjigje do të vinte nga shtimi i intensitetit të kontrollit dhe monitorimit nga ana e inspektoratit të punës në nivel qendror dhe lokal në kantier ndërtimi (vendpunishte). Nuk do të punojë sigurt?. Përgjigja për këtë pyetje do të gjendet me kombinim të një vargu veprimesh, si p.sh: identifikimi i elementeve që e shtyjnë të punësuarin, pra pse ai/ajo “nuk dëshiron të punojë sigurt” (njohuria e pamjaftueshme, sëmundje, pakënaqësi shpirtërore, etj.), ndërrimi i pozicionit të punës-vendit të punës, trajnimit teorik, praktik dhe testit të njohurive, masave sociale etj., dhe nëse pas këtyre masave nuk do të vërehej ndonjë përmirësim, do të duhej të nxirrej nga aktivitetet ndërtimore dhe të rekomandohej për ndonjë aktivitet në sektorë të tjerë. Në përgjithësi, mund të themi se disa nga faktorët e mundshëm të cilët shpijnë në lëndime, fatalitet dhe ndikime në funksione psikologjike në një vend pune, janë: aftësia, karakteristikat e personalitetit, kushtet e mjedisit të punës, mjedisi social i punës, motivimi për punë, qëndrimi, gjendja psikofizike të organizmit, etj. Në kuadër të faktorëve, një rëndësi të veçantë ka edhe lodhja, ku sipas disa statistikave, rezulton se 25% e fatkeqësive vijnë nga lodhja. Po ashtu, shqetësimi i tepërt, kënaqësia dhe pakënaqësia i sjellin lëndimet. Sipas statistikave, rezulton se rreth 50% e lëndimeve janë nga depresioni shpirtëror. Përdorimi i pijeve alkoolike në vende pune (në veçanti në ndërtimtari, ku puna është në lartësi dhe thellësi), sjell shkallë të lartë rreziku, jo vetëm për të punësuarin në gjendje të dehur, por edhe për të punësuar të tjerë dhe për mjedisin rrethues në përgjithësi. Rol të rëndësishëm luan edhe udhëheqja. Udhëheqja joadekuate sjell pakënaqësi të të punësuarit dhe si efekt i këtyre pakënaqësive vjen deri tek lëndimet dhe aksidentet e tjera. Pra, në një masë të vogël apo të madhe, këta janë disa nga treguesit të cilët dërgojnë ose edhe janë duke dërguar në lëndime, vdekje dhe elemente të tjera të të punësuarave në sektorin e ndërtimit. Ka mendime se 98% e lëndimeve në vende pune mund të parandalohen. Për sa më lartë, tejkalimi apo për të dhënë përgjigje afatgjate me qëllimin e vetëm për të parandaluar dhe minimizuar sa më shumë numrin e të lënduarve dhe vdekjeve në sektorin e ndërtimit në shkallë vendi, do të duhej të ndërmerren masat si në vijim: organizative, teknike, sociale, pedagogjike, psikologjike, ergonomike, etj.

Si përfundim: – Sektori i ndërtimit në shkallë vendi mbetet me shkallë të lartë të rrezikut;

 – Ka një shqetësim sa i takon trendit në rritje të vdekjeve dhe lëndimeve në vendet e punës;

 – Mungesa e investimeve nga punëdhënësit në organizmin e trajnimeve për të punësuarit;

– Në shumë situata punëdhënësit nuk aplikojnë masat e mbrojtës për sigurinë e shëndetit në punë;

– Në shumë raste punëdhënësit nuk zbatojnë dispozitat ligjore për siguri në punë;

– Ka mungesë të kontrollit dhe monitorimit nga ana e inspektoratit të punës në kantiere ndërtimi;

 – Ka mungesë të planeve për mbrojtje dhe sigurinë e shëndetit në punë në kantier ndërtimi;

  Mungesë e bashkëpunimit institucional dhe institucioneve të arsimit të lartë për gjetjen e zgjidhjeve teknike, teknologjike dhe shkencore, të cilat do të parandalonin lëndimet dhe aksidentet në punë; Disa rekomandime:

– Rritja e shkallës së kontrollit dhe monitorimit nga inspektorati i punës;

 – Zbatimi i dispozitave ligjore nga punëdhënësit dhe të punësuarit;

 – Investime më të mëdha nga punëdhënësit në masat parandaluese për mbrojtje dhe sigurinë e shëndetit në punë;

– Hartimi i planeve për mbrojtje dhe siguri në punë nga punëdhënësit;

– Punëdhënësit të ndërmarrin masa për trajnime profesionale dhe masa e veprime konkrete për mbrojtje në punë;

– Rritja e shkallës së koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, institucioneve të arsimit të lartë dhe punëdhënësve, në gjetjen e zgjidhjeve për ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit në punë;

Continue Reading

Lajmet

Numërimi i votave nga KQZ: Kush janë kandidatët më të votuar pas 35% të kutive?

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po vazhdon me procesimin e rezultateve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sipas të dhënave zyrtare të orës 16:20, ku janë numëruar 35.27% gara brenda listave partiake tashmë ka marrë formë.

Në listën e Vetëvendosjes, garës i prin bindshëm bartësi i listës dhe lideri i partisë, Albin Kurti, i cili deri më tani ka grumbulluar 80,669 vota. Ai ndiqet nga Glauk Konjufca me 63,340 vota, ndërsa e treta radhitet Albulena Haxhiu me 36,623 vota. Në vendin e katërt pozicionohet Hekuran Murati me 31,943 vota, i pasuar nga Donika Gërvalla-Schwarz me 29,592 vota dhe Xhelal Sveçla me 23,830 vota.Dhjetëshen e parë e përmbyllin Avni Dehari me 21,718 vota, Hajrulla Çeku me 20,472 vota, Mimoza Kusari Lila me 20,464 vota dhe Ejup Maqedonci me 17,858 vota.

Te PDK-ja, procesit të numërimit i prin me shkëputje të ndjeshme bartësi i listës Bedri Hamza, i cili ka siguruar 38,800 vota. Ai ndiqet nga Përparim Gruda që mban vendin e dytë me 24,616 vota, dhe Arian Tahiri i treti me 21,411 vota. Në pozitën e katërt gjendet Uran Ismaili me 19,265 vota, i pasuar nga Sala Jashari me 13,605 vota dhe Vlora Çitaku me 13,369 vota. Lista e më të votuarve te kjo parti vazhdon me Ganimete Musliun me 10,344 vota, Arben Mustafën me 9,374 vota, Mërgim Lushtakun me 9,137 vota dhe Enver Hoxhajn që mbyll top-10-shen me 8,864 vota.

Në radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, garën e udhëheq bartësja e listës Vjosa Osmani Sadriu, e cila ka marrë 25,820 vota. Ajo ndiqet ngushtë nga kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, me 23,384 vota. E treta në radhë është Doarsa Kica Xhelili me 18,358 vota, e pasuar nga Hykmete Bajrami me 14,488 vota dhe Avdullah Hoti me 13,215 vota.Në vendin e gjashtë radhitet Ukë Rugova me 11,061 vota, i ndjekur nga Kujtim Shala me 10,723 vota dhe Anton Quni me 8,956 vota. Dhjetëshen e parë për LDK-në e plotësojnë Armend Zemaj me 8,103 vota dhe Lutfi Haziri me 7,925 vota.

Në AAK, garës aktualisht i prin kryetari i partisë dhe njëherësh bartësi i listës, Ardian Gjini, me 13,407 vota. Pas tij renditet Ramush Haradinaj me 12,089 vota, ndërsa i treti është Daut Haradinaj me 9,196 vota. Në pozitën e katërt radhitet Besnik Tahiri me 8,066 vota, i pasuar nga Bekë Berisha me 6,451 vota dhe Burim Ramadani me 5,972 vota. Listën e dhjetë kandidatëve më të votuar e përmbyllin Time Kadrijaj me 5,839 vota, Agim Çeku me 5,168 vota, Arbër Tolaj me 4,771 vota dhe Albana Bytyqi me 3,211 vota. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Gjimnazi Natyror në UBT International Smart Schools, arsim modern me diplomë të njohur ndërkombëtarisht

Published

on

By

Nëse dëshironi një arsimim modern që kombinon shkencën, teknologjinë dhe zgjidhjen e sfidave reale të botës së sotme, atëherë Gjimnazi Natyror në UBT International Smart Schools është zgjedhja ideale për ju.
Falë akreditimit nga Cambridge International Education, nxënësit përfitojnë një diplomë të njohur ndërkombëtarisht, e cila u hap dyert drejt universiteteve prestigjioze dhe mundësive të shumta akademike në mbarë botën.
Nxënësit përfitojnë nga laboratorë modernë dhe të pajisur me teknologjinë më të avancuar, ku teoria shndërrohet në praktikë përmes eksperimenteve dhe hulumtimeve shkencore. Këtu, të rinjtë nuk mësojnë vetëm konceptet shkencore, por i zbatojnë ato në situata konkrete, duke zhvilluar aftësi analitike dhe kërkimore.
Programi mësimor është i orientuar drejt zgjidhjes së problemeve reale, përmes projekteve inovative që fokusohen në teknologjinë e gjelbër, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e ideve kreative për të ardhmen. Nxënësit angazhohen në projekte të bazuara në realitet, të cilat i përgatisin për sfidat akademike dhe profesionale të shekullit XXI.
Një nga veçoritë kryesore të këtij programi është mësimi praktik, ku çdo njohuri teorike shoqërohet me aplikim konkret. Përmes projekteve ndërdisiplinore, nxënësit mësojnë të punojnë në ekip, të analizojnë të dhëna dhe të zhvillojnë zgjidhje inovative.
Për më tepër, ata përfitojnë mentorim nga ekspertë të fushës, profesionistë dhe akademikë që i udhëzojnë në zhvillimin e ideve, projekteve dhe karrierës së tyre të ardhshme.
UBT International Smart Schools, Gjimnazi Natyror nuk është vetëm një program mësimor, është një hap drejt krijimit të shkencëtarëve, inovatorëve dhe liderëve të së ardhmes.
Edhe pak vende të lira kanë mbetur, ndërsa regjistrimet e hershme po vazhdojn në UBT International Smart Schools.

Continue Reading

Lajmet

UBT vazhdon mbështetjen për maturantët: Mijëra nxënës ndjekin javën e dytë të programit përgatitor për Testin e Maturës 2026

Published

on

By

Nxënësit e vitit të fundit të shkollave të mesme anë e mbanë Kosovës po vazhdojnë të ndjekin me interes të lartë programin intensiv përgatitor për Testin e Maturës Shtetërore 2026, i cili po organizohet në ambientet moderne të UBT-së.

Ky program tashmë ka hyrë në javën e tij të dytë, duke bërë bashkë qindra dhe mijëra nxënës të cilët synojnë të konsolidojnë njohuritë e tyre përpara këtij rrugëtimi të rëndësishëm akademik. Për t’u siguruar që studentët e së ardhmes të jenë sa më të gatshëm, trajnimet po fokusohen me përkushtim në lëndët kryesore si Gjuhë Shqipe, Gjuhë Angleze dhe Matematikë, si dhe në lëndët kryesore zgjedhore si Teknologji e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) dhe Biologji.

Për t’u dalë në ndihmë të gjithë nxënësve dhe për të lehtësuar qasjen e tyre, UBT e ka shtrirë këtë program përtej kryeqytetit.

Përveç në Prishtinë, trajnimet përgatitore po zhvillohen paralelisht dhe me të njëjtin intensitet edhe në qendrat e UBT-së në qytetet e tjera përfshirë Ferizajn, Prizrenin dhe Pejën. Përmes angazhimit të kuadrove profesionale dhe stafit të përzgjedhur akademik të UBT-së, maturantët po marrin njohuritë e nevojshme, strategjitë dhe teknikat e duhura për ta kaluar me sukses këtë sfidë.

Ky organizim tradicional rikonfirmon përkushtimin e vazhdueshëm të UBT-së për të ngritur cilësinë e arsimit dhe për t’i përkrahur të rinjtë në tranzicionin e tyre drejt studimeve universitare dhe karrierës profesionale.

Continue Reading

Lajmet

Pesë të arrestuar në operacionin “White Star”, sekuestrohen armë, drogë dhe pasuri e madhe

Published

on

Pesë persona janë arrestuar gjatë një operacioni të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, i zhvilluar në disa qytete të vendit nën emrin “White Star”.

Aksioni është realizuar në Prishtinë, Pejë, Prizren, Viti dhe Drenas, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale dhe në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore.

Të dyshuarit janë ndaluar me vendim të prokurorit special për 48 orë, nën dyshimin për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, si dhe për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve dhe përfshirje në pastrim parash.

Gjatë kontrolleve në lokacione të ndryshme janë sekuestruar:

  • 6 armë zjarri
  • 5 karikatorë dhe 239 fishekë
  • Lëndë narkotike (kokainë dhe fara marihuane)
  • 25 telefona mobilë
  • 7,595 euro para të gatshme
  • 10 automjete dhe 1 motoçikletë
  • 10 kompjuterë
  • 13 USB dhe 1 DVR
  • 16 ora dore

Operacioni është mbështetur nga EUROPOL-i dhe autoritetet e Belgjikës, Francës dhe Holandës, të cilat kanë qenë të pranishme dhe kanë monitoruar zhvillimin e aksionit në terren së bashku me prokurorin e rastit.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se ky operacion paraqet goditje të rëndësishme ndaj krimit të organizuar dhe se veprimet hetimore do të vazhdojnë në drejtim të zbardhjes së plotë të rastit dhe identifikimit të të gjithë të përfshirëve. /A.K/

Continue Reading

Të kërkuara