Magazinë

Mbretëria nëntokësore e kripës që mahnit vizitorët

Published

on

Vetëm pak kilometra nga Krakow, miniera e kripës në Wieliczka është një nga atraksionet më të çuditshme dhe magjepsëse të Evropës. Me tunele që shtrihen për mbi 240 kilometra dhe nëntë nivele nëntokësore deri në 330 metra thellësi, ajo ofron një udhëtim unik në historinë, kulturën dhe artin e kripës.

Një botë nën tokë

Hapësira është e pazakontë: muret gri të kripës mund t’i lëpish për të ndier shijen e saj autentike, ndërsa statuja, skulptura dhe llambadarët e mëdhenj tregojnë historinë e minatorëve dhe përparimet teknologjike gjatë shekujve. Vizitorët mund të zgjedhin rrugën turistike klasike – një shëtitje prej dy kilometrash që zgjat rreth dy orë – ose aventurën e minatorëve, ku pajisen me helmetë, llambë koke dhe pajisje emergjente për siguri.

“Ajri këtu është i pastër, pothuajse pa baktere,” shpjegon guida Patrycja Antoniak. “Është e mirë për ata me alergji, dhe nuk është si në një minierë qymyrguri ku pluhuri e bën frymëmarrjen të vështirë.”

Historia e jashtëzakonshme e Wieliczkës

Miniera ka një histori 700-vjeçare. Që nga përdorimi i kripës si monedhë nga komunitetet parahistorike, gërmimet filluan në shekullin XIII. Në shekullin XIV, miniera u bë pasuri mbretërore nën sundimin e Casimir III the Great. Të ardhurat nga kripa përbënin deri në një të tretën e thesarit mbretëror dhe ndihmuan në financimin e universitetit të parë të Polonisë.

Në shekullin XV, miniera prodhonte 7–8 mijë ton kripë në vit. Puna ishte e vështirë, shpesh dekada punë për një dhomë të vetme, dhe minatorët kishin detyra të rrezikshme, si djegia e metanit për të shmangur shpërthimet. Kuajt, të futur në minierë për të tërhequr kripën, nuk e shihnin më dritën e diellit gjatë gjithë jetës së tyre.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nën pushtimin nazist, miniera u shndërrua në fabrikë nëntokësore për prodhimin e pjesëve të avionëve, ku punonin të detyruar të burgosur nga kampet e afërta.

Kapela e Shën Kingës – një mrekulli nën tokë

Një nga atraksionet më të famshme është Kapela e Shën Kingës, një kishë madhështore e gdhendur plotësisht në kripë, e përfunduar në vitin 1964 pas 67 viteve pune nga tre minatorë të përkushtuar. Aty gjenden skena biblike, altare dhe llambadarë nga kristalet e kripës. Legjenda thotë se Princesha Kinga, mbrojtësja e minatorëve të kripës, hodhi unazën e saj të fejesës në një minierë në Hungari; ajo më vonë u gjet e ngulitur në një bllok kripë në Poloni.

Sot, aty mbahen mesha, organizohen dasma dhe ngjarje të veçanta – një shembull i mahnitshëm se si historia dhe arti mund të bashkëjetojnë nën tokë.

Aventura dhe mirëqenia nën tokë

Wieliczka nuk është thjesht një muze: dhomat më të mëdha kanë shërbyer për gala dhe evente private, bungee jumping, madje edhe fluturime me balonë të lidhur. Një spa 135 metra nën tokë ofron trajtime për frymëmarrjen, falë ajrit të pastër dhe të pasur me minerale.

“Është një vend unik ku historia, arti, dhe mirëqenia bashkohen,” thotë Antoniak. “Minatorët që punojnë këtu ruajnë kompleksin nga uji dhe dëmimet strukturore, duke e mbajtur të sigurt për vizitorët.”

Një mbretëri e gjallë nën tokë

Edhe pse miniera nuk prodhon më kripë industriale, mbi 380 punonjës punojnë për të ruajtur strukturën dhe sigurinë e saj. Wieliczka mbetet një destinacion unik ku vizitorët mund të ndjejnë magjinë e një mbretërie të gdhendur në kripë – një kombinim i jashtëzakonshëm historie, arti dhe aventurës nën tokë.

Continue Reading

Lajmet

Dua Lipa: “Ndihem në shtëpi kudo që është Callum”

Published

on

Dy muaj pas martesës me aktorin Callum Turner, Dua Lipa ka folur hapur për dashurinë, jetën e saj dhe kapitullin e ri personal, në një intervistë për Vogue Italia.

Në intervistën e publikuar më 24 gusht, këngëtarja tregon se dita e martesës ishte magjike dhe se ajo dhe Turner vendosën të ndiqnin vetëm dy këshilla: ta përjetonin ditën sikur të ishin edhe vetë të ftuar, me më pak ankth e më shumë argëtim, dhe të kërkonin vazhdimisht njëri-tjetrin mes të pranishmëve. Festimet u zhvilluan në Sicili, pas ceremonisë civile në Londër.

Dua Lipa ka treguar edhe për lidhjen e saj të veçantë me Italinë, ku thotë se gjen qetësi dhe mirëqenie. Për të, prania e bashkëshortit tashmë lidhet drejtpërdrejt me ndjenjën e shtëpisë.

“Ndihem në shtëpi kudo që është Callum”, është shprehur ajo.

Këngëtarja ka folur edhe për mënyrën se si ka ndryshuar këndvështrimi i saj ndaj dashurisë. Ndërsa në këngët e mëparshme shpesh trajtonte kërkimin e dashurisë, tash ajo dëshiron të eksplorojë se çfarë ndodh kur dashuria e vërtetë tashmë është gjetur.

“Tani dua të zbuloj çfarë ndodh kur e gjen vërtet dashurinë”, ka thënë Lipa, duke theksuar se e tërheqin më shumë kompleksitetet dhe detajet e vogla të një marrëdhënieje.

“Duhet të kem kujdes me atë që dëshiroj”

Lipa ka folur edhe për manifestimin, praktikë për të cilën ka treguar prej kohësh interes. Në “Training Season”, kënga e publikuar në fillim të vitit 2024, ajo këndonte për dëshirën për të gjetur dashurinë e vërtetë. Më vonë ajo konfirmoi lidhjen me Turner, ndërsa në vitin 2026 çifti u martua.

“Duhet të kem kujdes me atë që shpresoj, sepse pothuajse gjithmonë më realizohet”, ka thënë ajo.

Përtej karrierës, këngëtarja thotë se tash nuk e mat më suksesin vetëm me arritjet profesionale. Ajo dëshiron një jetë “full but not busy”, pra të pasur, por jo të mbushur me angazhime të pafundme.

Leximi mbetet një tjetër pjesë e rëndësishme e jetës së saj. Përmes Service95, ajo ka krijuar edhe një platformë ku kultura, udhëtimet, ushqimi dhe çështjet sociale ndërthuren me përmbajtje të ndryshme, ndërsa klubi i saj i leximit e ka afruar me autorë dhe lexues nga vende të ndryshme.

Nga Prishtina në Londër dhe në skenën botërore

Dua Lipa ka folur edhe për prejardhjen e saj dhe rrugëtimin drejt suksesit. E lindur në Londër nga prindër kosovarë, ajo u kthye me familjen në Prishtinë dhe më vonë u rikthye në Londër në moshën 15-vjeçare, me synimin për të ndjekur ëndrrën e saj muzikore.

Sot, pas një karriere ndërkombëtare dhe tash si e sapomartuar, Lipa thotë se është më pak perfeksioniste dhe më e gatshme ta pranojë paparashikueshmërinë e jetës.

“Me kalimin e kohës kam mësuar ta fal veten dhe të jem më e butë me veten”, ka thënë ajo.

Për Dua Lipën, kapitulli i ri duket se ka një temë të qartë: nga kërkimi i dashurisë te përjetimi i saj.

/A.K/

Continue Reading

Sport

Lojërat Mesdhetare nga viti 1951 deri te Prishtina 2030

Published

on

By

Lojërat Mesdhetare janë një prej ngjarjeve më të rëndësishme shumë-sportëshe në rajonin e Mesdheut. Ato u themeluan në vitin 1951, me idenë që sporti të shërbejë si urë bashkëpunimi dhe afrimi mes vendeve të këtij rajoni.

Ideja për organizimin e tyre u prezantua nga egjiptiani Mohamed Taher Pasha, atëkohë president i Komitetit Olimpik të Egjiptit dhe nënkryetar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, me mbështetjen e anëtarit grek të IOC-së, Ioannis Ketseas. Projekti u diskutua në Lojërat Olimpike të Londrës në vitin 1948, ndërsa tri vjet më vonë u realizua edicioni i parë.

Aleksandria 1951, fillimi i historisë

Edicioni i parë i Lojërave Mesdhetare u zhvillua në vitin 1951 në Aleksandri të Egjiptit. Që atëherë, Lojërat janë zhvilluar në intervale të rregullta, kryesisht çdo katër vjet, duke mbledhur sportistë nga vendet e Mesdheut.

Gjatë dekadave, numri i vendeve pjesëmarrëse dhe i sporteve është rritur ndjeshëm. Për herë të parë, gratë morën pjesë në Lojërat Mesdhetare në edicionin e vitit 1967, të zhvilluar në Tunis.

Pas Aleksandrisë, Lojërat u zhvilluan në Barcelonë (1955), Bejrut (1959), Napoli (1963), Tunis (1967), Izmir (1971), Algjer (1975), Split (1979), Casablanca (1983), Latakia (1987), Athinë (1991), Languedoc-Roussillon (1993), Bari (1997), Tunis (2001), Almeria (2005), Pescara (2009), Mersin (2013), Tarragona (2018) dhe Oran (2022).

Kush ka fituar më së shumti medalje?

Në historikun e Lojërave Mesdhetare, Italia është vendi me më së shumti medalje. Deri në përfundim të edicionit të vitit 2022, sportistët italianë kishin fituar gjithsej 2,303 medalje, prej tyre 876 të arta, 741 të argjendta dhe 686 të bronzta.

Në vendin e dytë renditet Franca me 1,740 medalje, ndërsa pas saj vijnë Spanja, Turqia dhe Greqia.

Italia ka qenë veçanërisht dominuese në edicionet e fundit dhe vazhdon ta mbajë rekordin historik për numrin e përgjithshëm të medaljeve.

Taranto 2026, edicioni që po zhvillohet në Itali

Pas Oranit në vitin 2022, radha i ka ardhur Italisë. Edicioni i 20-të i Lojërave Mesdhetare po zhvillohet në Taranto dhe në qytete të tjera të Pulias, nga 21 gushti deri më 3 shtator 2026.

Ky edicion është i veçantë edhe për Kosovën, e cila po merr pjesë në një numër të madh sportesh dhe po synon të shkruajë një kapitull të ri në historinë e saj sportive.

Por Taranto nuk është vetëm një tjetër ndalesë në historinë e Lojërave Mesdhetare. Për Kosovën, këto gara kanë një rëndësi edhe më të madhe, pasi vendi tashmë e ka siguruar organizimin e edicionit të vitit 2030.

Prishtina 2030, një kapitull historik për Kosovën

Më 8 shtator 2023, Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), e mbajtur në Heraklion të Greqisë, vendosi që Prishtina të jetë nikoqire e edicionit të vitit 2030.

Kandidatura e Kosovës mori 55 nga 66 vota, ndërsa tetë delegatë votuan kundër dhe tri vota ishin të pavlefshme. Prishtina ishte kandidatura e vetme zyrtare për organizimin e Lojërave të vitit 2030.

Kjo do të jetë hera e parë që Kosova organizon Lojërat Mesdhetare dhe njëkohësisht ngjarja më e madhe shumë-sportëshe që vendi ka organizuar deri më tani.

Si arriti Kosova ta fitojë organizimin?

Rruga drejt organizimit nuk ishte pa sfida. Kosova ishte kandidatura e vetme, por procesi u shoqërua edhe me kundërshtime politike.

Serbia, ndonëse nuk paraqiti kandidaturë për organizimin e Lojërave, u përpoq të ndikonte në procesin e votimit. Sipas Komitetit Olimpik të Kosovës, delegati serb kërkoi që votimi për vendin nikoqir të shtyhej, por drejtuesit e ICMG-së e konsideruan këtë propozim në kundërshtim me statutin.

Një tjetër sfidë ishte fakti se Kosova nuk ka dalje në det. Megjithatë, ndryshimet në statutin e ICMG-së ua kanë mundësuar edhe vendeve pa bregdet të kandidojnë për organizimin e Lojërave.

Në këtë drejtim, Shqipëria është zotuar ta ndihmojë Kosovën, duke ofruar bregdetin shqiptar për zhvillimin e garave të sporteve ujore dhe të lundrimit.

Investimi më i madh sportiv i Kosovës

Kosova aktualisht nuk e ka të gjithë infrastrukturën e nevojshme për organizimin e një ngjarjeje të përmasave të tilla. Për këtë arsye, vendi duhet të ndërtojë dhe rinovojë një numër të madh të objekteve sportive dhe infrastrukturës përcjellëse.

Sipas planifikimeve të paraqitura nga autoritetet kosovare, për organizimin e Lojërave Mesdhetare parashihet një investim prej mbi 250 milionë eurosh gjatë viteve të ardhshme.

Ky do të ishte investimi më i madh i një qeverie kosovare në sport që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

Për Kosovën, që deri më tani nuk ka organizuar një ngjarje të madhe ndërkombëtare të këtij niveli, Prishtina 2030 shihet si një mundësi për të ndërtuar infrastrukturë të re sportive dhe për ta rritur kapacitetin e vendit për organizimin e garave ndërkombëtare.

Një investim shumë më i madh se edicionet e kaluara

Kostoja e parashikuar për Prishtinën është dukshëm më e lartë se investimet që janë bërë në disa nga edicionet e fundit.

Tarragona në Spanjë, e cila organizoi Lojërat në vitin 2018, investoi rreth 70 milionë euro, ndërsa një pjesë e madhe e këtij financimi erdhi nga buxheti i shtetit spanjoll.

Në vitin 2022, Orani i Algjerisë ishte nikoqir i Lojërave. Ndërkohë, Omani, në përgatitjet e tij për edicionin e mëhershëm, kishte investuar rreth 32.4 milionë euro për rinovimin e një stadiumi olimpik dhe infrastrukturës tjetër sportive.

Rasti i Tarragonës gjithashtu shërben si shembull për sfidat që mund të sjellë një organizim i tillë. Pas përfundimit të Lojërave, disa prej objekteve sportive u përballën me mungesë të shfrytëzimit dhe interesit publik, ndërsa organizatorët u kritikuan për mungesën e një kthimi të kënaqshëm të investimit.

Çfarë do të thotë Prishtina 2030 për Kosovën?

Lojërat Mesdhetare nuk kanë të njëjtin ndikim global dhe mediatik si Lojërat Olimpike apo Kampionatet Botërore në sportet kryesore. Megjithatë, për Kosovën organizimi i tyre paraqet një hap të jashtëzakonshëm.

Vendi do të ketë mundësinë të presë mijëra sportistë nga vendet e Mesdheut, të ndërtojë dhe modernizojë infrastrukturën sportive, të fitojë përvojë në organizimin e ngjarjeve të mëdha dhe ta promovojë Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Nga Aleksandria në vitin 1951, përmes dhjetëra qyteteve në Evropë, Afrikë dhe Azi, deri te Taranto në vitin 2026, Lojërat Mesdhetare kanë kaluar më shumë se shtatë dekada histori.

Tani, kjo histori po i afrohet një kapitulli të ri: në vitin 2030, Prishtina do të bëhet qyteti i 21-të që pret Lojërat Mesdhetare.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Russell Crowe luan emigrantin shqiptar në thrillerin e ri “The Get Out”

Published

on

Aktori fitues i “Oscar”-it, Russell Crowe, rikthehet në ekranin e madh me një rol që mund të tërheqë veçanërisht vëmendjen e publikut shqiptar. Ai interpreton Manco Kapak, një emigrant shqiptar që ka ndërtuar jetën në Los Angeles, por që përballet sërish me të kaluarën kriminale.

Në thrillerin “The Get Out”, me regji të Derrick Borte, Crowe portretizon pronarin e një klubi nate në Los Angeles, i cili duket se ka lënë pas jetën kriminale. Megjithatë, e kaluara e tij lidhet me botën e krimit, trafikun e parave dhe kartelet e drogës.

Pas një problemi serioz shëndetësor, Manco vendos të largohet nga kjo jetë dhe të shesë klubin, me synimin për të nisur një kapitull të ri së bashku me partneren e tij, Sunny, të luajtur nga Teresa Palmer.

Por plani i tij prishet kur klubi bëhet objekt i një grabitjeje. Manco përfshihet sërish në një botë nga e cila kishte tentuar të largohej, ndërsa kërcënimet e karteleve, sulmuesit e maskuar dhe një blerës misterioz, Joe Carver, i luajtur nga Luke Evans, e vendosin përballë rreziqeve të reja.

Personazhi i Mancos ndërtohet mbi përplasjen mes së kaluarës dhe dëshirës për një jetë të re. Identiteti i tij shqiptar është pjesë e rëndësishme e historisë, duke sjellë në një produksion të Hollywood-it figurën e një emigranti shqiptar që përpiqet të ndërtojë një identitet të ri në Amerikë.

Në kast janë gjithashtu Aaron Paul dhe Nina Dobrev, ndërsa filmi është përshtatur nga romani “Strip” i Thomas Perry-t, me skenar të Derrick Borte dhe Daniel Forte.

“The Get Out” ndërthur thrillerin kriminal, aksionin dhe humorin e zi. Filmi është shfaqur në kinema gjatë qershorit 2026 dhe zgjat rreth 100 minuta.

Për publikun shqiptar, veçanërisht interesant mbetet fakti se Russell Crowe sjell në ekran një personazh me prejardhje shqiptare, i cili përpiqet të shkëputet nga e kaluara dhe të ndërtojë një të ardhme të re./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Nga një pengmarrje reale në Brooklyn te filmi klasik “Dog Day Afternoon”

Published

on

Një grabitje banke në Brooklyn, një pengmarrje që zgjati me orë dhe një fund tragjik u shndërruan disa vite më vonë në materialin e një prej filmave më të njohur të kinemasë amerikane, “Dog Day Afternoon”, me regji të Sidney Lumet dhe Al Pacinon në rolin kryesor.

Ngjarja reale ndodhi më 22 gusht 1972, kur John Wojtowicz dhe Salvatore Naturile hynë në një degë të Chase Manhattan në Brooklyn me synimin për të grabitur bankën. Plani dështoi dhe shtatë punonjës u morën peng, duke nisur një rrethim që tërhoqi vëmendjen e policisë, mediave dhe një turme të madhe njerëzish jashtë bankës.

Ngjarja u kthye shpejt në një spektakël mediatik. Kamerat ndoqën negociatat dhe zhvillimet nga afër, ndërsa pengmarrësit u shndërruan në personazhe të një drame që po zhvillohej pothuajse drejtpërdrejt para publikut.

Rrethimi përfundoi në aeroportin “John F. Kennedy”, ku ndërhyri FBI-ja. Salvatore Naturile u vra, ndërsa Wojtowicz u arrestua.

Tre vjet më vonë, Sidney Lumet e solli historinë në ekran përmes “Dog Day Afternoon”. Filmi nuk u kufizua vetëm në rikrijimin e një ngjarjeje kriminale, por e përdori atë për të portretizuar shoqërinë amerikane të viteve ’70.

Al Pacino luan Sonny Wortzik, personazhin e bazuar në Wojtowicz. Përmes interpretimit të tij, Sonny shfaqet si një figurë kontradiktore, e kapur mes dëshpërimit, frikës, impulsivitetit dhe pamundësisë për të kontrolluar një situatë që i ka dalë nga duart.

Lumet e shndërron bankën në një hapësirë ku përplasen krimi, media dhe kureshtja publike. Përtej pengjeve dhe grabitësve, jashtë ndërtesës rritet turma dhe vëmendja mediatike, duke e bërë gjithnjë e më të paqartë kufirin mes një ngjarjeje kriminale dhe një spektakli publik.

Kjo është edhe një nga arsyet pse “Dog Day Afternoon” konsiderohet më shumë se një film kriminal. Vepra trajton famën e papritur, ndikimin e medias dhe mënyrën se si publiku mund të shndërrojë një personazh të një krimi në figurë publike.

Filmi mori gjashtë nominime për Oscar, përfshirë nominimin për filmin më të mirë dhe për aktorin më të mirë për Al Pacinon, ndërsa fitoi çmimin për skenarin më të mirë origjinal.

Më shumë se pesë dekada pas ngjarjes që e frymëzoi, “Dog Day Afternoon” vazhdon të mbetet një shembull i fuqisë së kinemasë për ta kthyer një histori kriminale në një reflektim mbi shoqërinë, median dhe njerëzit që papritur gjenden në qendër të vëmendjes./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara