Lajmet

Mbi 40 persona të vdekur nga zjarret vdekjeprurëse në Mesdhe

Mijëra njerëz janë evakuuar nga ato zona.

Published

on

Më shumë se 40 njerëz kanë vdekur – shumica prej tyre në Algjeri – shkaku i zjarreve të Mesdheut që rrezikojnë një numër të madh të fshatrave dhe vendpushimeve të turistëve. Mijëra njerëz janë evakuuar nga ato zona.

Greqia po përgatitet që të organizojë edhe më shumë fluturime për evakuim të njerëzve nga Rodosi, pasi zjarret po shpërthejnë edhe në ishujt e Korfuzit dhe Evias.

Vala e gjatë aktuale e të nxehtit nuk duket se do të ndalet pasi që temperaturat pritet të rriten mbi 44 gradë Celsius në disa pjesë të Greqisë.

Zjarre masive u përhapen në Sicili dhe e detyruan Italinë ta mbyllë për pak kohë aeroportin e Palermos.

Erërat e forta dhe bimësia e thatë bëjnë që zjarrfikësit të përpiqen në shumë zona për t’i shuar flakët.

Numri më i madh i vdekjeve deri më tani është në Algjeri, ku në mesin e 34 viktimave ishin edhe dhjetë ushtarë të rrethuar nga flakët gjatë një evakuimi në provincën bregdetare të Bejaia, në lindje të Algjerit. Bejaia është zona më e goditur nga zjarret, me 23 të vdekur, raportojnë mediat lokale.

Autoritetet algjeriane thanë se 80 për qind e zjarreve ishin shuar që nga e diela, por një përpjekje masive për shuarjen e zjarrit po vazhdon ende, me rreth 8.000 persona, qindra kamionë zjarrfikës dhe disa avionë.

Zjarret kanë shpërthyer edhe në Tunizinë fqinje, ku 300 persona u desh të evakuoheshin nga fshati bregdetar Melloula.

Në Greqi, Ministria e Mbrojtjes Civile paralajmëroi të mërkurën për një “rrezik ekstrem” zjarri në gjashtë nga 13 rajonet e vendit.

Një ekip shkencëtarësh të klimës – grupi World Weather Attribution – tha se vala e të nxehtit e këtij muaji në Evropën Jugore, Amerikën e Veriut dhe Kinë do të ishte praktikisht e pamundur pa ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit.

Në ishullin Rodos më shumë se 20.000 njerëz janë evakuuar nga shtëpitë dhe vendpushimet në pjesën jugore të vendit, gjatë ditëve të fundit. Një zyrtar i aeroportit i tha agjencisë së lajmeve AFP se më shumë se 5.000 njerëz ishin kthyer në shtëpi në më shumë se 40 fluturime urgjente midis të dielës dhe të martës.

Agjencitë Jet2 dhe Tui kanë anuluar nisjet për në Rodos për ditët në vijim.

Sektori i turizmit punëson një në çdo pesë punëtor në Greqi dhe industria është jetike për Rodosin dhe shumë ishuj të tjerë grekë.

Në ishullin Evia, në veri të Athinës, dy pilotë vdiqën kur avioni i tyre zjarrfikës Canadair u rrëzua në një luginë. Diku tjetër në ishull, trupi i djegur i një burri u gjet në një kasolle të largët rurale.

Mijëra njerëz janë evakuuar gjithashtu në Evia dhe Korfuz, ndërsa Kreta – një tjetër destinacion kryesor pushimesh – është vënë në gatishmëri të lartë.

Italia është goditur nga kushte ekstreme të motit, me stuhi në veri dhe zjarre në Sicili dhe disa rajone të tjera jugore.

Një çift rreth të 70-tave u gjet i vdekur në një shtëpi të djegur nga zjarri pranë Palermos, një grua 88-vjeçare gjithashtu vdiq pranë qytetit dhe një viktimë e katërt e zjarrit, një 98-vjeçar, u gjet në Kalabri, në lindje të Sicilisë.

Stuhitë në veri ndërkohë morën dy jetë të martën shkaku i rënies së pemëve.

Një zjarr në rajonin Foggia, në bregdetin e Adriatikut të Italisë, detyroi evakuimin e 2.000 njerëzve nga tre hotele, raporton mediumi italian Rai. Zjarri iu afrua Viestes nga një park kombëtar aty pranë.

“Ne po përjetojmë në Itali një nga ditët më të komplikuara në dekadat e fundit – stuhi shiu, tornado dhe breshër gjigant në veri, si dhe vapë përvëluese dhe zjarre shkatërruese në qendër dhe jug”, tha ministri i Mbrojtjes Civile, Nello Musumeci./REL

Vendi

Nisin patrullimet e përbashkëta mes Policisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë për sezonin veror

Published

on

By

Nga sot, 1 korrik 2026, kanë nisur zyrtarisht patrullimet e përbashkëta rrugore ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit Shqiptar në territorin e Shqipërisë. Ky angazhim vjen në kuadër të bashkëpunimit tradicional ndërinstitucional, me synim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe ofrimin e një shërbimi më efikas për të gjithë qytetarët.

Këto patrullime vijnë në një moment kyç, pikërisht gjatë sezonit veror kur fluksi i qytetarëve që udhëtojnë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë rritet ndjeshëm. Përmes këtij koordinimi të ngushtë, dy policitë synojnë të rrisin sigurinë publike, të parandalojnë aksidentet rrugore dhe të sigurojnë respektimin e plotë të rregullave të qarkullimit.

“Policia e Kosovës vlerëson lart bashkëpunimin me Policinë e Shtetit Shqiptar dhe mbetet e përkushtuar në zhvillimin e iniciativave të përbashkëta që kontribuojnë në sigurinë e qytetarëve të të dy vendeve”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës.

Në fund të deklaratës, institucionet e rendit u kanë bërë thirrje të gjithë shoferëve dhe pjesëmarrësve në trafik që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimit, t’u përmbahen shenjave të komunikacionit dhe të kontribuojnë në krijimin e një ambienti sa më të sigurt në rrugë.

Continue Reading

Vendi

Skema me naftën Kosovë-Shqipëri: Bastisen dhjetëra biznese, 9 të arrestuar

Published

on

By

Dhjetëra biznese të shitjes dhe disa importues të naftës janë vënë në shënjestër të një operacioni të gjerë bastisjesh, i cili ka filluar sot në mëngjes në disa zona të ndryshme të Kosovës.

Aksioni i koordinuar nga Prokuroria e Kosovës është duke u zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Hetimeve në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), Doganën dhe njësi të ndryshme të Policisë së Kosovës.

Sipas burimeve të para të Ekonomia online nga prokuroria, deri më tani janë vënë në pranga nëntë persona të dyshuar si pjesë e këtij rrjeti.

Gjatë kontrolleve të ushtruara nëpër lokacione të ndryshme, hetuesit kanë arritur të sekuestrojnë një shumë të konsiderueshme të parave të gatshme, armë, kompjuterë, dokumente të ndryshme dhe fatura që dyshohet se janë fiktive, të cilat lidhen drejtpërdrejt me këtë veprimtari të paligjshme.

Dyshimet fillestare të organeve të rendit zbulojnë një skemë të mirëorganizuar të mashtrimit dhe shmangies tatimore. Nafta importohej fillimisht nga kompanitë kosovare dhe kalonte transit përmes territorit të Shqipërisë.

Duke shfrytëzuar dallimet e taksës së akcizës dhe tatimeve mbi karburantet mes dy vendeve, një pjesë e naftës dyshohet se shkarkohej ilegalisht në Shqipëri për t’u shitur më pas në tregun e zi.

Përmes kësaj metode, të dyshuarit i kanë shmangur detyrimet fiskale, duke i shkaktuar një dëm të madh buxhetit të shtetit, ndërsa operacioni i bastisjeve po vazhdon ende në terren.

/Ekonomia online/ /E.A/

Continue Reading

Vendi

Gjykata shqipton dëbim, ndalim hyrjeje në Kosovë dhe gjoba për të ndaluarit në Gazimestan

Published

on

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar masën e dëbimit dhe ndalimin e hyrjes në Kosovë për tre vjet, si dhe gjoba për personat e ndaluar në Gazimestan gjatë shënimit të Vidovdanit, më 28 qershor, të cilët akuzoheshin për “shkaktim të trazirave dhe cenim të rendit dhe qetësisë publike”.

Masa e dëbimit dhe ndalimi i hyrjes në Kosovë vlejnë për shtetasit e huaj që nuk posedojnë dokumente të Kosovës.

Policia e Kosovës kishte ndaluar 37 persona, por para gjykatës u proceduan 36 prej tyre. Ata janë kryesisht nga Serbia dhe vendet e rajonit dhe të ndaluarve u ishin konfiskuar dokumentet personale deri në shpalljen e aktgjykimit.

Gjyqtarja e çështjes, Naime Krasniqi, tha se dokumentet nuk do t’u kthehen të 36 personave derisa ta paguajnë gjobën prej 700 eurosh.

Ajo e arsyetoi vendimin e gjykatës për t’i shpallur fajtorë me faktin se të akuzuarit kishin brohoritur “Kosova është Serbi” dhe duke ngritur tre gishtat lart, gjë që, sipas Krasniqit, konsiderohet mesazh nacionalist.

Ajo theksoi se Policia e Kosovës, para fillimit të shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, afër Prishtinës, i kishte paralajmëruar të pranishmit se ishte e ndaluar shfaqja e çdo simboli që nxit “urrejtje ndëretnike, fetare ose politike”.

Serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit mblidhen tradicionalisht çdo 28 qershor në Gazimestan për të shënuar Vidovdanin, që është edhe festë fetare, në përkujtim të betejës kundër Perandorisë Osmane më 1389.

Ndërkohë, në opinion janë shfaqur pretendime se personat e ndaluar gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan janë keqtrajtuar “psikologjikisht dhe fizikisht” nga zyrtarët policorë të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime, ndërsa nga Inspektorati Policor i Kosovës kanë bërë të ditur se do t’i hetojnë këto pretendime, ato sipas detyrës zyrtare, megjithëse thanë se nuk kanë pranuar asnjë ankesë lidhur me ngjarjet në Gazimestan.

Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe ka dënuar ndalimet gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, duke e vlerësuar këtë si një “akt të turpshëm dhe të padenjë represioni”.

Gazimestani në Kosovë njihet gjithashtu për fjalimin që udhëheqësi i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, mbajti atje në vitin 1989.

Ky fjalim shpesh përmendet si hyrje në konfliktet e armatosura që pasuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë./REL/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dekania e Fakultetit të Shkencave Politike në UBT, Hajdi Xhixha, publikon punim shkencor në revistën e indeksuar në Web of Science

Published

on

By

Dekania e Fakultetit të Shkencave Politike në UBT, Hajdi Xhixha, ka publikuar punimin shkencor me titull “The Use of Force Against Civil Aircraft Intrusions: Legal Challenges and Christian Ethical Perspectives in Grey Zone Conflicts”, në revistën Kosciol i Prawo, e indeksuar në Web of Science, në bashkautorësi me studiuesin Redion Luli.

Punimi trajton sfidat juridike, të sigurisë dhe aspektet etike që lidhen me përdorimin e forcës ndaj avionëve civilë në rastet e ndërhyrjeve dhe kërcënimeve në kuadër të konflikteve hibride, terrorizmit global dhe aktiviteteve ilegale.

Në këtë studim, autorët analizojnë rritjen e kërcënimeve nga keqpërdorimi i aviacionit civil, duke shqyrtuar njëkohësisht dilemat morale dhe fetare që lidhen me mbrojtjen e sigurisë kombëtare përballë rrezikimit të jetës së civilëve të pafajshëm.

Punimi ofron një qasje ndërdisiplinore mbi konfliktet e “grey zone”, duke kombinuar perspektivën juridike ndërkombëtare me dimensionin etik dhe humanitar, çka e bën këtë studim një kontribut të rëndësishëm në debatet bashkëkohore mbi sigurinë dhe të drejtën ndërkombëtare.

Continue Reading

Të kërkuara