Lajmet
Mbi 21 mijë aksidente, 88 prej tyre me fatalitet gjatë vitit 2023
Njohësit e kësaj fushe theksojnë se shkak i këtij numri të madh të aksidenteve është dhe do të mbetet infrastruktura rrugore.
Published
2 years agoon
By
Betim GashiViti 2023 sa i përket aksidenteve në komunikacion në nivel vendi është mbyllur si një vit i jashtëzakonshëm, pasi që numri i aksidenteve ka shkuar mbi 21 mijë, prej tyre 88 me fatalitet. Njohësit e kësaj fushe theksojnë se shkak i këtij numri të madh të aksidenteve është dhe do të mbetet infrastruktura rrugore, për çka thonë se deri më tash nuk është mare asnjë masë parandaluese në pikat e zeza në komunikacion. Ndërsa nga institucionet përgjegjëse për këtë situatë thonë se në vitin 2023 nuk janë përmbyllur shumë projekte, porse në vitet në vijim do të investohet dhe do të ketë përmirësime.
Sipas raportit të policisë, derisa në vitin 2022 ishin 11 mijë 755 aksidente më dëme, gjatë muajit janar-nëntor të vitit 2023 numri ka arritur në13 mijë e 294, si dhe persona të lënduar mbi 15 mijë.
Këtë situatë alarmante e cilëson edhe eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj i cili tha se viti 2023 ka qenë vit i shëmtuar. Dedaj tha se faktori kryesor i rritjes së numrit të aksidenteve është mungesa e investimeve në komunikacion, ai tha se institucionet duhet të kenë strategji për zvogëlimin e aksidenteve, por se as atë nuk e kanë.
“Për fatin tonë të keq viti 2023 ka qenë një vit i shëmtuar sa i përket aksidenteve të komunikacionit për shkak se parametrat dhe analizat e aksidenteve na japin që ka pas rritje të aksidenteve në çdo formë, nga numri nga lëndimet , pastaj deri të fatalitet dëmet materiale etj. Absolutisht nuk është marrë asnjë masë dhe asnjë projekt i sigurt me shuma të mëdha për me ndikuar në sigurinë e komunikacionit rrugorë. Po ashtu institucionet tona nuk kanë strategjinë sa i përket zvogëlimit të numrit të aksidenteve, nuk e kanë institucionet përkatëse të cilat duhet të merren me hulumtimin e aksidenteve, nuk kanë agjensionet për siguri rrugore. Pra këto janë gjërat fillestarë që i thash edhe që nuk i kanë dhe do të kemi çdo vit vetëm rritje të numrit të aksidenteve. Pikat kyçe janë, faktori njeri, që në qoftë se zbërthen faktori njeri sa të metat i ka, faktori rrugë i cili me elementet e tyre është jashtëzakonisht i ulët, pastaj faktori automjet i cili që në përgjithësi me elementet e tyre sikur frenimi dhe ndriçimi kanë një nivel të ulët të zhvillimit, edhe dy faktorë na paraqiten sikur faktori komunikacioni në rrugë drejtpërdrejt me menaxhimin e komunikacionit dhe me faktorin incident të cilat po shihen pasojat e këtyre aksidenteve”, tha Dedaj.
Të njëjtin mendim sa i përket aksidenteve rrugore dhe investimeve në infrastrukturë e ka edhe njohësi i kësaj fushe, Bekim Ahmeti. Derisa përmend mungesën e kamerave, mungesën e radarëve, mungesën e transportit publik, ai shprehet se gjendja është e njëjtë, nuk ka asnjë ndryshim për investime në komunikacion. Ahmeti thotë se për parandalimin e aksidenteve duhet të vetëdijesohen qytetarët dhe institucionet të gjejnë zgjidhje për ta.
“Është njësoj sepse nuk kemi, kamera, nuk kemi radar, as transport publik më të mirë se sa vitin e kaluar jemi njësoj aty ku kemi qenë. Nuk e di, vetëdija e qytetarëve si po e shoh nuk ka ndryshuar sepse por një statistikë që e kemi dhënë para disa ditëve nuk ishte një diference prej vitit në vit. P.sh prej shkaktarëve të mundshëm të cilët kanë pësuar aksidente qytetarët. Po mendoj që të vetëdijesohen institucionet tona, lokale apo ato qendrore që të kemi një tramvaj në Prishtinën, dhe pastaj të vazhdojmë në qytetet tjera aty ku kanë nevojë, të vazhdohet me unazën e qytetit e cila ka ngecur nga viti 2009 dhe të kemi një transport publik brenda qytetit më të mirë dhe qytetarët te kenë nevojë më pak të marrin automjetin e udhëtareve”, tha Ahmeti.
Sa i përket investimeve në infrastrukturë, komunikacion dhe pikave të zeza të aksidenteve, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu thotët se 2023-ta ka qenë vit i vështirë, por sipas tij, janë përmbyllur projekte të rëndësishme rrugore. Aliu përmendi investimet në rrugën e Gjakovës, Podujevës dhe autostradën e Gjilanit.
“Viti 2022 ka qenë rritje e punës e cila themi në fund e ka arrit me nxjerr disi të suksesshëm vitin 2022, por viti 2023 ka qenë vit i dinamikave dhe në 2024 presim me i vazhduar këto projekte më tutje. 2023 ka qenë fillim i përmbylljes të gjitha punëve në vend qoftë në infrastrukturë, ndërtimin, mirëmbajtjen, sinjalistikën i kemi filluar projektet e rëndësishme të kyçjeve , një pjesë është dashtë të mbyllen dhe të rifillohen sikur rasti i Mitrovicës jemi marrë me zgjidhjen e problemeve në rrugën e Gjakovës, ajo për Podujevë është në proces mjaftë të mbarë dhe do të realizohet brenda afatit. Kemi arrit me përfunduar dizajnin e kyçjes së autostradës nga Gjilani deri në Dheun e bardh e cila fillon në 2024”, tha Aliu.
Po ashtu, Aliu shtoi se për vitin 2024 vendosja e kamerave në komunikacion do të jetë një ndër investimet më me ndikim në komunikacion. Ai u shpreh së është i kënaqur me investimet të cilat janë përfunduar dhe ato që janë në nisje sa i përket komunikacionit në vend.
“Sa i përket aksidenteve, një projekt tjetër të cilën jemi duke zhvilluar është projekti ITS-së i cili ka me ndikuar shumë, projekti i sinjalistikës që ka filluar në këtë vit dhe është gjithandej në rrugët e Kosovës duke ekzekutuar projektet e sinjalistikës dhe infrastrukturës do të merren të gjitha masat. Përmbyllje do të jetë sistemi inteligjent që do të vendosen kamerat gjithandej në rrugët, në veçanti në autostrada i cili do të jetë i kombinuar edhe me aspektin e taksës rrugore. Jemi në fazë të dizajnimit, e kemi përmbyll edhe strategjinë, jemi duke punuar në terma të referencës që të punojmë sa më shpejt. Viti 2025 do të jetë viti i përmbylljes së ITS-së, po shpresoj, jemi duke punuar që me qenë 2025-ta përmbyllje e ITS-së”, tha Aliu.
lajme
Bëhu lider në sektorin e energjisë: Studime me standarde ndërkombëtare në UBT
Published
25 minutes agoon
March 19, 2026By
UBTNews
Programi Bachelor në Inxhinieri të Energjisë në UBT është hartuar si një rrugëtim profesional për të gjithë ata që synojnë një karrierë të sigurt dhe me ndikim në industrinë e të ardhmes.
Ky drejtim fokusohet në përgatitjen e ekspertëve të rinj që do të merren me prodhimin, shpërndarjen dhe përdorimin efikas të energjisë, duke kombinuar metodat tradicionale me ato moderne dhe miqësore me mjedisin.
Nevoja për inxhinierë të rinj në Kosovë është mjaft e lartë, sidomos kur merret parasysh se në institucionet tona si KEK-u, mosha mesatare e punonjësve është rreth 60 vjeç. Kjo tregon se tregu i punës ka një kërkesë të madhe për kuadro të reja që zotërojnë njohuri kreative dhe teknike për të zgjidhur sfidat e sotme të sistemit energjetik.
Gjatë tri viteve të studimit, studentët fitojnë njohuri të plota që nga bazat e fizikës dhe matematikës e deri te teknologjitë më të avancuara si energjia solare, ajo e erës dhe sistemet e ruajtjes së energjisë përmes baterive.
Ky program është i harmonizuar plotësisht me Strategjinë e Energjisë së Kosovës 2022-2031, e cila parasheh investime të mëdha në burime të rinovueshme dhe në rrjete inteligjente të njohura si “Smart Grid”. Kjo u mundëson të diplomuarve që të jenë të gatshëm për t’u përfshirë në projekte të rëndësishme, qofshin ato shtetërore apo private, duke menaxhuar sisteme komplekse dhe duke kontribuar drejtpërdrejt në mbrojtjen e mjedisit.
Si një risi e rëndësishme për këtë vit, të gjithë studentët që bëhen pjesë e këtij programi do të kenë mundësi të përfitojnë një bursë prej 20% për të tri vitet e studimeve.
Ky është një lehtësim i konsiderueshëm që u mundëson studentëve të përkushtohen maksimalisht në ngritjen e tyre profesionale. Në përfundim të studimeve, ata do të jenë të aftë të projektojnë sisteme energjetike, të analizojnë faktorët ekonomikë dhe të udhëheqin ekipe multidisiplinare.
Ky program në UBT mbetet një pikë referimi për krijimin e liderëve të nesërm në njërin prej sektorëve më strategjikë të vendit dhe rajonit.
Lajmet
Këto janë vendimet që u morën sot në mbledhjen e Qeverisë
Published
31 minutes agoon
March 19, 2026By
UBTNews
Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e pestë të rregullt, me ç’rast ka miratuar një varg vendimesh që ndërlidhen me reforma administrative, shëndetësi, infrastrukturë dhe integrime evropiane. Ndër vendimet kryesore ishte bartja e Zyrës për çështjet e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së nga Zyra e Kryeministrit në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.
Në kuadër të agjendës evropiane, ekzekutivi ka themeluar Sistemin për Zbatimin e Mbështetjes së Bashkimit Evropian përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor. Për këtë proces, Jeton Zulfaj është emëruar Koordinator Kombëtar, me qëllim koordinimin ndërinstitucional për zbatimin e reformave të kërkuara nga BE-ja.
Në sektorin e shëndetësisë, kabineti qeveritar ka miratuar kërkesën për pagesën e specializantëve me vetëfinancim. Për këtë qëllim janë ndarë mbi 550 mijë euro, nga të cilat përfitojnë 55 specializantë brenda vendit dhe 37 të tjerë nga Lugina e Preshevës, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Sa i përket infrastrukturës dhe pronave, janë miratuar disa vendime për shpronësime për interes publik. Këto vendime i hapin rrugë zgjerimit të rrugës nacionale Prishtinë–Podujevë (M25), ndërtimit të një Zone Industriale të Mbrojtjes në pronat e ish-KBI Erenikut, si dhe realizimit të projektit për linjën ajrore 110kV në Zatriq. Po ashtu, Qeveria ka dhënë në shfrytëzim ngastra kadastrale për nevojat e ndërtimit të një Terminali Publik për Doganën e Kosovës.
Gjatë kësaj mbledhjeje u ndanë edhe 138 mijë euro për mbështetjen e orkestrës së fëmijëve dhe të rinjve “Amadeus” për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare në Spanjë dhe Çeki. Ndërkaq, për Fondin e Ekselencës, në bashkëpunim me trupat e OKB-së, janë alokuar 400 mijë euro. Ndër vendimet e tjera, vlen të theksohet zgjatja e mandatit të Komisionit për Verifikimin e Diplomave të Universitetit të Mitrovicës së Veriut edhe për tre muaj.
lajme
Qeveria dënon provokimet ushtarake të Serbisë pranë kufirit me Kosovën
Published
1 hour agoon
March 19, 2026By
UBTNews
Kryeministri i Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë lidhur me demonstrimin ushtarake të Serbisë në komunën e Bujanovcit, fare pranë brezit kufitar me Republikën e Kosovës.
Sipas kreut të qeverisë, fluturimet e helikopterëve H145M dhe lëvizjet e Brigadës 63 të parashutistëve mbi zonat e banuara me shqiptarë përbëjnë një shfaqje të rrezikshme të agresionit dhe trysni të hapur mbi banorët që po përballen me spastrim etnik administrativ.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri u shpreh se kjo shfaqje e forcës ushtarake mbi shtëpi, shkolla dhe qendra mjekësore është një provokim i hapur ndaj shtetit të Kosovës.
Kurti bëri një lidhje të drejtpërdrejtë mes kësaj njësie ushtarake dhe ngjarjeve tragjike në veri të vendit, duke deklaruar: “Kjo shfaqje bëhet edhe më alarmuese kur kujtojmë se e njëjta njësi ka trajnuar dhe mbështetur grupin e kriminelit Milan Radojçiq, të cilët realizuan sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.”
Sipas analizës së prezantuar në mbledhje, këto lëvizje ushtarake po përdoren si mjet shantazhi nga regjimi në Beograd për të mbajtur rajonin në tension të vazhdueshëm.
Kryeministri theksoi se blerja e armatimit rus e kinez dhe retorika e Presidentit Vuçiq për gjoja sulme nga fqinjtë, konfirmojnë synimet destabilizuese të Serbisë në një kohë kur siguria globale është tejet e brishtë.
“Beogradi po shfrytëzon këtë moment për të sfiduar gatishmërinë e institucioneve dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, sipas interesave të aleatëve të saj, Rusisë dhe Iranit”, u shpreh Kurti.
Pavarësisht këtyre provokimeve, kreu i ekzekutivit vlerësoi se këto veprime vijnë nga dëshpërimi i Serbisë, pasi ajo nuk ka më struktura ilegale brenda Kosovës për të shkaktuar destabilizim të brendshëm.
Gjithashtu, ai dërgoi një mesazh për shqiptarët në Luginë, duke u bërë thirrje që të mos bien pre e politikave nxitëse.
“Institucionet e Kosovës mbeten vigjilente dhe të gatshme për t’u përballur me çdo kërcënim,” siguroi ai, duke kërkuar njëkohësisht nga komuniteti ndërkombëtar që të ndëshkojë këtë qasje të Serbisë që kërcënon drejtpërdrejt paqen rajonale.
Lajmet
Shqipëria renditet e 9-ta në botë për sigurinë kibernetike sipas NCSI 2026
Published
2 hours agoon
March 19, 2026By
UBT News
Shqipëria është renditur në vendin e 9-të në botë për sigurinë kibernetike sipas indeksit ndërkombëtar NCSI 2026 (National Cyber Security Index).
Raportin e ka ndarë kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, duke theksuar se vlerësimi i Shqipërisë pasqyron progresin e vendit në forcimin e strukturave përgjegjëse për sigurinë kibernetike, zhvillimin e politikave dhe strategjive kombëtare, si dhe përmirësimin e mekanizmave të koordinimit dhe reagimit ndaj kërcënimeve në hapësirën digjitale.
“Shqipëria renditet e 9-ta në botë për sigurinë kibernetike sipas NCSI 2026. Sipas raportit, vendi ynë vlerësohet për përparimin në strukturat, politikat dhe mekanizmat që garantojnë sigurinë në hapësirën digjitale,” shkruan Rama.
Evropa dhe Japonia në lëvizje për të ndalur shtrenjtimin e rrymës dhe naftës
Bëhu lider në sektorin e energjisë: Studime me standarde ndërkombëtare në UBT
Këto janë vendimet që u morën sot në mbledhjen e Qeverisë
Qeveria dënon provokimet ushtarake të Serbisë pranë kufirit me Kosovën
Goditen objektet e gazit në Katar dhe Iran, fluturojnë çmimet në Evropë dhe Britani
Shqipëria renditet e 9-ta në botë për sigurinë kibernetike sipas NCSI 2026
Dënohen me 75 vjet burgim të akuzuarit për 400 kilogramët e kokainës
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 19 mars, në vitet nëntëdhjetë
REL:Stërvitjet e ushtrisë serbe afër Kosovës: Kurti i quan agresore, KFOR-i thotë se s’përbëjnë rrezik
Të kërkuara
-
Lajmet3 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus (Q1)
-
Lajmet nga UBT3 months agoZgjerimi urban i Prishtinës analizohet shkencërisht në një temë masteri nga studentja e UBT-së, Eglantina Buja
-
Lajmet1 month agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet2 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
