Lajmet

Mbetjet e Uraganit Kirk shkaktojnë shkatërrime në Evropën Perëndimore: Një i vdekur në Francë

Published

on

Mbetjet e uraganit Kirk kanë lënë pas një shkatërrim të madh në Evropën Perëndimore, duke shkaktuar ndërprerje masive të energjisë elektrike. Pasi kaloi Spanjën dhe Portugalinë, stuhia goditi jugun e Francës, ku përmbytjet dhe erërat e forta shkaktuan humbjen e një jete dhe paralizuan infrastrukturën lokale.

Në qytetin port të Sète, në jug të Francës, tre varka u përmbysën nga stuhia, duke marrë jetën e një marinari amator dhe duke lënë një tjetër në gjendje kritike. Autoritetet vendase raportuan se 64,000 persona në këtë rajon mbetën pa energji elektrike, ndërsa disa rrugë u bllokuan nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura.

Pas këtij incidenti tragjik, qeveria franceze vendosi një alarm për të gjitha departamentet, me përjashtim të Seine-et-Marne, pranë Parisit, ku është aktivizuar një alarm i kuq për përmbytjet.

Një çift përpiqet të strehohet nën një ombrellë në urën Pont des Arts pasi mbetjet e uraganit Kirk shkaktojnë reshje të mëdha shiu mbi qendrën e Parisit, më 9 tetor 2024.

Pas një takimi emergjent në Paris, Ministrja e Energjisë dhe Tranzicionit Ekologjik, Agnes Pannier-Runacher, theksoi se qeveria ishte e mobilizuar plotësisht për të përballuar situatën. Ajo gjithashtu paralajmëroi se këto fenomene do të jenë gjithnjë e më të shpeshta për shkak të ndryshimeve klimatike: “Ne po jetojmë në një kohë kur ndryshimi i klimës po ndihet në mënyra të qarta në jetën tonë të përditshme.”

Parashikuesit e motit paralajmëruan se pjesë të vendit, përfshirë edhe Parisin, do të përballeshin me reshje të barabarta me ato të një muaji brenda një dite të vetme. Në total, 29 departamente në Francë janë në gatishmëri për shkak të reshjeve dhe erërave të fuqishme, përcjellë UBTNews.

Në departamentin më të goditur të Pyrenees-Atlantiques, 35,000 familje mbetën pa energji elektrike, ndërsa shumë zona në jugperëndim dhe në qendër të vendit gjithashtu raportuan ndërprerje të rrymës. Shërbimi kombëtar i energjisë, Enedis, po punon për të rikthyer energjinë sa më shpejt të jetë e mundur.

Ndërkohë, në Portugali, uragani shkaktoi mbi 1,300 incidente, shumica e tyre pemë të shkulura në veri të vendit. Qyteti i Portos, i goditur më rëndë, raportoi shkuljen e 400 pemëve, dëmtimin e makinave dhe ndërprerjen e shërbimeve hekurudhore. Rreth 300,000 familje mbetën pa energji elektrike për disa orë, sipas furnizuesit vendas.

Në Spanjë, erërat e forta deri në 140 km/h goditën veriun dhe veriperëndimin e vendit, me rajonin e Asturias në alarm portokalli. Galicia, po ashtu e prekur nga stuhia, raportoi rrëshqitje dheu dhe pemë të rëna që bllokuan rrugë dhe zona të ndryshme urbane.

Me parashikimin e mëtejshëm të kushteve të këqija të motit dhe rritjen e reshjeve, autoritetet e të gjitha vendeve të prekura janë në gatishmëri të plotë për të përballuar pasojat e mëtejshme të stuhisë Kirk.

Lajmet

​KQZ nuk certifikon kandidatët e Listës Serbe

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar sot kandidatët për deputetë të subjekteve politike që marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, me përjashtim të Listës Serbe, e cila nuk mori miratimin e komisionit.

Kundër certifikimit të kandidatëve të Listës Serbe votuan anëtarët e KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi. Sipas tyre, kjo parti është e përkrahur nga Beogradi zyrtar dhe nuk duhet të certifikohet për pjesëmarrje në zgjedhje.

Pas votimit, rezultati ishte tre vota për, dy kundër dhe gjashtë abstenime. Me këtë balancë votash, kryesuesi i KQZ-së njoftoi se certifikimi i listës së kandidatëve të Listës Serbe refuzohet.

Lista Serbe kishte dorëzuar gjithsej 33 kandidatë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 28 dhjetor.

Continue Reading

Lajmet

Specialja liron me kusht Isni Kilajn

Published

on

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovёs kanë njoftuar se është liruar me kusht Isni Kilaj.

Njoftimi thekson se Kilaj mbetet i akuzuar në gjykimin aktual dhe për lirimin e tij janë caktuar disa kushte që synojnë të zvogëlojnë rrezikun e ndikimit të tij ndaj dëshmitarëve në ҫështjen gjyqësore kundër të tij  dhe po ashtu përcaktohet se në rast se Kilaj do të shkelë cilindo prej kushteve të lirimit të tij, do të lëshohet një fletarrestim për arrestimin e tij të menjëhershëm.

Në vendimin e tij të 3 dhjetorit, 2025, Gjykatësi konstatoi se rrethanat kishin ndryshuar që prej rishikimit të paraburgimit të  Kilajt në tetor 2025 dhe se mbajtja e tij në paraburgim nuk ishte më as e arsyeshme, as proporcionale.

Megjithëse Gjykatësi konstatoi se ekzistonte njëfarë rreziku që në qoftë se lirohet, Kilaj mund të pengojë ecurinë e procesit ose të kryejë vepra penale të tjera, ai arriti në përfundimin se në rrethanat konkrete e drejta themelore e Kilajt për liri peshon më shumë se këto rreziqe tjera gjyqësore në Dhomat e Specializuara, bëhet e ditur në njoftim.

Në njoftim thuhet po ashtu se ndër faktorë të tjerë, Gjykatësi mori parasysh se koha që Kilaj ka kaluar në paraburgim në këtë moment tejkalon dënimin minimal sipas ligjit me të cilin ai do të përballej në qoftë se do të shpallej fajtor për veprat penale për të cilat është akuzuar.

Kilaj mbetet i akuzuar në gjykimin aktual dhe për lirimin e tij janë caktuar disa kushte që synojnë të zvogëlojnë rrezikun e ndikimit të tij ndaj dëshmitarëve në ҫështjen gjyqësore kundër të tij ose në ҫështje të Në vendim përcaktohet se në qoftë se z. Kilaj do të shkelë cilindo prej kushteve të lirimit të tij, do të lëshohet një fletarrestim për arrestimin e tij të menjëhershëm./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Vdes në moshën 74-vjeçare boksieri Nazif Gashi

Published

on

Presidentja Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjen e boksierit, Nazif Gashi i cili ndërroi jetë në moshën 74-vjeçare.

Ajo ka thënë se kujtimi për Gashin do të mbetet i paharruar dhe inspirues për brezat që vijnë.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Nazif Gashit, njërit prej emrave më të shquar në historinë e sportit të Kosovës dhe pjesëtar i gjeneratës së artë të boksit prishtinas.Si boksier i klubit “Prishtina”, u bë simbol i guximit, disiplinës dhe përkushtimit. Fitoret dhe paraqitjet e tij na bënë krenar dhe e shndërruan Prishtinën në njërin prej klubeve më të suksesshme të kohës. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmve, Federatës së Boksit të Kosovës dhe gjithë komunitetit sportiv”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të presidentes.

Gashi ishte pjesë e gjeneratës së artë të Prishtinës që për shumë vite, dominoi në shtetin e dikurshëm federativ.

Për vdekjen e Gashit kanë njoftuar familjarë të tij./S.K/EO/

 

Continue Reading

Lajmet

Kupa e Kosovës: Shorti prodhon dy super derbi

Published

on

Dy ndeshjet kryesore të 1/8-ës së finales në Kupën e Kosovës në futboll janë Prishtina- Ballkani dhe Drita- Llapi.

Të katër këto skuadra e kanë fituar së paku një herë trofeun e këtij kompeticioni.

Ndërsa Gjilani do të luajë kundër Lirisë, Feronikeli 74’ do ta ketë përballë Dinamon, teksa Drenica sfidon Ferizajn.

Dukagjini ballafaqohet me Prishtinën e Re, Vushtrria ndeshet me Vëllaznimin dhe Trepça 89 pret Malishevën.

Shorti është hedhur sot në Federatën e Futbollit të Kosovës./S.K/EO/

 

Continue Reading

Të kërkuara