Sport

Mbappe për Messin: Ai nuk mori respektin që meritoi në Francë

Messi kishte një fund paksa të hidhur te PSG, pas disa problemeve mes klubit dhe tij.

Published

on

Superylli argjentinas, Lionel Messi i dha fund karrierës së tij te Paris Saint-Germain, duke u larguar si lojtar i lirë për ta nisur një aventurë të re në Amerikë me Inter Miamin.

Messi kishte një fund paksa të hidhur te PSG, pas disa problemeve mes klubit dhe tij, e më pas u përfshin edhe tifozët, të cilët brohorisnin dhe kërkonin largimin e tij nga klubi.

Pavarësisht kësaj, Messi u largua si kampion nga Franca. Tanimë ish-shoku i skuadrës, Kylian Mbappe ka folur për largimin e argjentinasit, duke thënë se ai nuk mori respektin që e meritoi në Francë.

“Ai është njëri nga lojtarët më të mirë në histori të futbollit. Nuk është kurrë lajm i mirë kur largohet dikush si Messi”, tha Mbappe.

“Unë nuk mund ta kuptoj pse shumë njerëz u gëzuan kur ai u largua. Ai nuk mori respektin që e meritoi në Francë”, shtoi më tej Mbappe.

Lajmet

Kosova rrezikon humbje përtej sportit nëse s’i organizon Lojërat Mesdhetare

Published

on

By

Shkurtimisht

  • Kosova rrezikon të humbë të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030, për shkak të mospajtimeve institucionale, ndër të tjera.
  • Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare do ta shqyrtojë situatën në Kosovë në mbledhjen e 19 dhjetorit.
  • Sipas ekspertëve, humbja e së drejtës së organizimit do të dëmtonte imazhin ndërkombëtar të Kosovës, do ta privonte ekonominë nga mundësitë për përfitime dhe do të rrezikonte investimet e planifikuara në infrastrukturë.

Vonesat në përgatitje, mospajtimet mes institucioneve përgjegjëse për organizimin dhe detyrimet e papërmbushura financiare po vënë në pikëpyetje mbajtjen e Lojërave Mesdhetare në Kosovë më 2030.

Lojërat Mesdhetare janë një ngjarje me shumë sporte, që zhvillohet çdo katër vjet dhe cilësohet si një ndër më të rëndësishmet pas Lojërave Olimpike.

Kosova nuk ka qenë asnjëherë mikpritëse e ndonjë ngjarjeje të përmasave të këtyre lojërave.

Prandaj, humbja e së drejtës për t’i organizuar ato mund të ketë pasoja që shkojnë përtej fushës sportive.

 

Pse po vihen në pikëpyetje lojërat?

Përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare po pengohen nga një sërë çështjesh që ende presin zgjidhje.

Në plan të parë janë detyrimet financiare ndaj Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), por edhe mungesa e pajtimit për planin organizativ.

Situata është bërë më urgjente për shkak të dy garancive të papaguara financiare për vitin 2026, në vlerë prej rreth dy milionë eurosh.

Për këtë arsye, ICMG-ja ka refuzuar së fundmi një takim me Kosovën.

Për më tepër, organizata ka paralajmëruar se Komiteti i saj Ekzekutiv do t’i shqyrtojë “papërgjegjësitë” e Kosovës në një takim më 19 dhjetor.

Mosrealizimi i këtyre pagesave lidhet me mospajtimet ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal.

Për organizimin e këtyre lojërave janë përgjegjëse tri institucione: Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Sportit; Komuna e Prishtinës, si komuna mikpritëse; dhe Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK).

Kryeministri Albin Kurti, duke folur në Kuvendin e Kosovës më 19 nëntor, pranoi se mungesa e bashkëpunimit mes Qeverisë së tij dhe Komunës së Prishtinës, që udhëhiqet nga Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë, po e vë në rrezik zhvillimin e këtyre lojërave për herë të parë në Kosovë.

“Bashkëpunimi, komunikimi ynë me Komitetin Olimpik të Kosovës ka qenë tejet i mirë. Por, kjo nuk mund të thuhet edhe me Komunën e Prishtinës, prandaj edhe ndodhemi në këtë situatë të nxehtë”, tha Kurti.

Kurti e akuzoi Ramën se nuk po pajtohet me përmbajtjen e masterplanit, i cili përcakton infrastrukturën e nevojshme dhe vendet ku do të zhvillohen garat në 24 sporte.

Ky dokument duhet të miratohet nga Komiteti Organizativ i Lojërave Mesdhetare dhe t’i dërgohet më pas ICMG-së.

“Unë vazhdoj të jem optimist, por natyrisht jam optimist i përmbajtur, për shkak se kush bën mirë, nuk e ka kollaj të shtyhet me dikë që e bën të kundërtën”, tha Kurti.

Mospajtimet mes tyre, ndër të tjera, kanë të bëjnë edhe me qytetet ku duhet të zhvillohen garat e ndryshme.

Rama iu përgjigj Kurtit po të njëjtën ditë, duke thënë se Qeveria e tij është përgjegjëse për gjendjen rreth organizimit të këtyre lojërave.

“Pagesa s’është kryer. Emrat e delegacionit s’janë dërguar. Nuk jeni përgjigjur në email-e. Kush është dashur t’i bëjë këto? Qeveria”, shkroi Rama në Facebook, më 19 nëntor.

Radio Evropa e Lirë pyeti edhe Komitetin Olimpik të Kosovës se sa real është rreziku që vendi të humbë të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare dhe çfarë duhet të bëjnë institucionet për ta shmangur një skenar të tillë, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

 

Çfarë humb Kosova nëse nuk i organizon lojërat?

Mbetet e paqartë nëse Kosova do t’ia dalë t’i adresojë shqetësimet e ICMG-së para mbledhjes së 19 dhjetorit dhe ta ruajë të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare.

ICMG-ja paralajmëroi në tetor se, gjatë mbledhjes së 19 dhjetorit, mund të vendoset për thirrjen e një Asambleje të Jashtëzakonshme të Përgjithshme, në të cilën do të përcaktohej e ardhmja e Lojërave Mesdhetare 2030.

Bekim Salihu, analist politikash në Institutin GAP në Prishtinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se pasojat nuk do të ishin vetëm sportive, por edhe ekonomike, institucionale dhe diplomatike.

 

“Humbja e organizimit të lojërave do të dëmtonte besueshmërinë e Kosovës, sidomos nëse do të lidhej me mospërmbushjen e zotimeve”, thekson Salihu.

Po ashtu, do të humbej edhe një mundësi e rëndësishme për promovimin ndërkombëtar të vendit, sipas tij.

Kur Kosova e fitoi të drejtën për organizimin e këtyre lojërave në vitin 2023, Kurti i kishte cilësuar ato si ngjarjen më të madhe sportive në historinë e vendit, përmes së cilës, besonte se do të promovohej Kosova në rrafshin ndërkombëtar.

Christian Krekel, profesor në Shkollën Ekonomike të Londrës (LSE), thotë për Radion Evropa e Lirë se humbja e së drejtës për organizimin e lojërave nuk do t’i ndihmonte aspak imazhit të Kosovës jashtë vendit.

“Nëse s’e bëni atë që keni marrë përsipër ta bëni, atëherë natyrisht se do të dërgoni mesazh të keq”, thotë Krekel.

Një shembull i pasojave që mund të sjellë dështimi i organizimit të një ngjarjeje të madhe sportive është ai i shtetit australian të Viktorias, i cili në vitin 2023 hoqi dorë nga mbajtja e Lojërave të Komonuelthit 2026, për shkak të rritjes së kostove.

Një raport i Auditorit të Përgjithshëm të Viktorias konstatoi se kostot e organizimit ishin nënvlerësuar që në fillim.

Në rritjen e tyre ndikuan nevojat për investime infrastrukturore, shpërndarja e garave në disa qytete, zgjerimi i programit sportiv, inflacioni dhe koha e kufizuar për përgatitje.

Edhe pse lojërat nuk u zhvilluan në Viktoria, përgatitjet dhe tërheqja nga organizimi i kushtuan këtij shteti të paktën 589 milionë dollarë australianë.

Një raport i Senatit australian evidentoi se ky vendim ngriti shqetësime edhe për reputacionin e Viktorias dhe të Australisë si destinacione për organizimin e ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare.

 

Ekonomia

Salihu thotë se, nëse Lojërat Mesdhetare nuk do të zhvilloheshin në Kosovë më 2030, turizmi, hoteleria, gastronomia, transporti dhe sektorë të tjerë të shërbimeve do të humbnin mundësinë për të përfituar nga shpenzimet e vizitorëve dhe pjesëmarrësve.

Megjithatë, ai nënvizon se, pa një vlerësim të besueshëm, nuk mund të përcaktohet se sa do të ishin këto humbje.

Në Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 pritet të marrin pjesë delegacione nga 26 shtete të Evropës, Afrikës dhe Azisë.

Garat parashihet të zhvillohen në të paktën dhjetë qytete të Kosovës, ndërsa në to pritet të marrin pjesë rreth 5.000 sportistë.

Përveç sportistëve dhe delegacioneve, në Kosovë do të vinin edhe tifozë, familjarë të garuesve, gazetarë dhe zyrtarë sportivë.

Kjo do të krijonte kërkesë për akomodim, ushqim, transport dhe shërbime të tjera në disa prej qyteteve ku do të zhvilloheshin garat.

Përmasat e një ngjarjeje të tillë janë dëshmuar edhe në edicionet e mëparshme.

Në Lojërat Mesdhetare të këtij viti, të mbajtura në Taranto të Italisë, u shitën 172.500 bileta, ndërsa ngjarja tërhoqi mbi 8.000 vizitorë, sipas të dhënave të organizatorëve.

Edhe edicioni i vitit 2022, në Oran të Algjerisë, ngjalli interesim të madh.

Ceremonitë e hapjes dhe të mbylljes së lojërave u ndoqën nga rreth 40.000 spektatorë secila, ndërsa shumë prej garave sportive u zhvilluan para tribunave të mbushura.

Në Kosovë ka, gjithashtu, dëshmi për interesimin e madh të publikut për ngjarjet sportive.

Vendi, i cili ka një nga popullsitë më të reja në Evropë, ka shënuar vazhdimisht kërkesë të lartë për bileta në ndeshjet e përfaqësueseve të tij kombëtare.

Në disa raste, interesimi për ndeshjet e Kombëtares së Kosovës në futboll ka tejkaluar kapacitetin e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me bileta që janë shitur brenda një kohe të shkurtër.

Interesim të ngjashëm mund të ketë edhe për garat e Lojërave Mesdhetare, veçanërisht për sportet në të cilat Kosova ka shënuar suksese ndërkombëtare.

Xhudoja, si sporti që i ka sjellë Kosovës më së shumti medalje, mund të jetë ndër disiplinat që do të tërhiqnin më shumë spektatorë.

 

Infrastruktura

Qeveria e Kosovës ka paraparë një buxhet prej 250 milionë eurosh për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme sportive për Lojërat Mesdhetare.

Kosova e fitoi të drejtën për organizimin e këtyre lojërave në vitin 2023, megjithëse në atë kohë i mungonte një pjesë e madhe e infrastrukturës së nevojshme sportive.

Tre vjet më vonë, përgatitjet infrastrukturore vazhdojnë të jenë prapa planit.

Nëse Kosova humb të drejtën për organizimin e lojërave, rrezikohen edhe investimet e planifikuara.

Projektet që ende nuk kanë nisur, mund të rishikohen ose të anulohen, ndërsa ndërprerja e projekteve që janë në realizim, mund të sjellë edhe kosto kontraktuale.

“Rreziku ekziston nëse humbet financimi ose urgjenca politike për përfundimin e tyre. Secili projekt duhet të vlerësohet sipas kostos së mbetur, dobisë publike dhe planit të mirëmbajtjes”, nënvizon Salihu.

Ndër projektet ku punimet vazhdojnë, është rindërtimi i stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë të Jugut.

Stadiumi, i paraparë për përdorim olimpik dhe multifunksional, pritet të ketë rreth 18.000 ulëse. Megjithatë, ende nuk dihet se kur do të përfundojnë punimet.

Një tjetër projekt në realizim është pishina e mbyllur olimpike në Podujevë, e cila po ndërtohet për garat e notit gjatë Lojërave Mesdhetare.

Përgatitjet për Fshatin Mesdhetar, ndërkaq, janë përqendruar në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

Projekti përfshin konviktet, palestrën “1 Tetori”, mensën e studentëve, qendrën e shërbimeve shëndetësore dhe ndërtesat e tjera përcjellëse, si dhe sallat e edukatës fizike të 12 shkollave të kryeqytetit.

Për këtë projekt është miratuar një kredi prej 42 milionë eurosh nga Agjencia Franceze për Zhvillim.

Sipas Ministrisë së Sportit, punimet parashihet të nisin në fillim të vitit 2027.

Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, ku planifikohet të zhvillohen garat në ambiente të mbyllura, është një tjetër objekt që kërkon investime.

Në kohën e raportimit, Kosova vazhdon bisedimet me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për sigurimin e kredisë për rindërtimin e tij.

Por, ndër projektet kryesore që ende nuk kanë hyrë në fazën e ndërtimit, është Stadiumi Kombëtar.

Sipas Ministrisë së Sportit, lokacioni i tij ende nuk është përcaktuar.

Si mundësi për ndërtimin e tij janë përmendur Zona Industriale në Drenas dhe Bërnica.

Stadiumi parashihet të ketë së paku 25.000 ulëse dhe të shërbejë për ceremonitë zyrtare të hapjes dhe mbylljes së Lojërave Mesdhetare.

Sipas planifikimit, Kosova ka kohë deri në vitin 2029 për t’i përfunduar përgatitjet organizative dhe infrastrukturore për Lojërat Mesdhetare, të cilat parashihet të mbahen nga 24 korriku deri më 4 gusht 2030. /REL/

Continue Reading

Lajmet

Liga e Kampionëve rikthehet sonte me nëntë ndeshje, vëmendja te Arsenal – Dortmund dhe rikthimi i De Bruyne në “Etihad”

Published

on

By

Liga e Kampionëve rikthehet këtë të martë me nëntë ndeshje në kuadër të fazës së ligës, ku spikasin disa përballje mes skuadrave të njohura evropiane.

Vëmendja kryesore pritet të jetë te dueli mes Arsenalit dhe Borussia Dortmundit, dy skuadra që kanë treguar formë të mirë në këtë edicion. Po ashtu, me interes të veçantë pritet edhe përballja Manchester City – Napoli, ku Kevin De Bruyne rikthehet në “Etihad Stadium” si kundërshtar i ish-klubit të tij, pas dhjetë sezonesh të kaluara në Angli.

Në Madrid, Real Madridi synon të vazhdojë serinë e fitoreve ndaj PSV Eindhovenit për të ruajtur bilancin perfekt pas katër ndeshjeve të para. Ndërkohë, Como, pas fitores 9-1 ndaj Lensit, luan ndaj AEK Athinës në kërkim të vazhdimësisë së rezultateve pozitive.

Në Stamboll, Galatasaray pret Aston Villan, ndërsa Feyenoord dhe Porto përballen në një duel të rëndësishëm për pikë në tabelë. Në dy takimet e tjera të mbrëmjes, Leipzig e pret Lensin, kurse Slovan Bratislava luan ndaj Real Betisit në kërkim të pikëve të para në këtë fazë të garës.

Programi i mbrëmjes hapet në orën 18:45 me ndeshjen Bodo/Glimt – LASK, ndërsa shtatë përballjet e tjera fillojnë nga ora 21:00. /E.A/

Continue Reading

Sport

La Liga konfirmon sulmin kibernetik, ekspozohen të dhënat personale të përdoruesve

Published

on

By

La Liga ka qenë cak i një sulmi kibernetik, gjatë të cilit janë ekspozuar të dhëna personale nga një prej platformave të saj digjitale. Lajmi është konfirmuar të hënën nga organizata e futbollit spanjoll.

Sipas njoftimit zyrtar, sulmi ka ndodhur në periudhën 14–16 nëntor, ndërsa përmasat e plota të rrjedhjes së të dhënave ende nuk janë përcaktuar.

Nga incidenti janë prekur të dhënat personale të përdoruesve të një platforme të dedikuar për tifozët, si dhe informacione që lidhen me klubet.

Megjithatë, La Liga ende nuk ka bërë të ditur numrin e personave apo klubeve të prekura, si dhe llojin e saktë të të dhënave që kanë përfunduar në duart e personave të paautorizuar.

Rasti është raportuar edhe nga agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters, ndërsa La Liga po vazhdon vlerësimin e incidentit për të përcaktuar shkallën e dëmit dhe pasojat e mundshme të sulmit.

D.L

Continue Reading

Sport

Albina Rrahmani publikon listën e Kosovës U19 për ndeshjet kualifikuese të Evropianit

Published

on

By

Përzgjedhësja e Kosovës U19 në futbollin e femrave, Albina Rrahmani, ka publikuar listën me 20 futbolliste të ftuara për ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Evropian U19.

“Dardanet” e reja do ta nisin këtë cikël kualifikues më 27 nëntor, kur do të përballen me Poloninë.

Ndeshjen e dytë Kosova do ta zhvillojë më 30 nëntor ndaj Greqisë, ndërsa tri ditë më vonë, më 3 dhjetor, do të përballet me Sllovakinë.

Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në Sllovaki dhe do të nisin nga ora 11:00.

Vajzat e Kosovës synojnë të paraqiten sa më mirë në këto tri përballje, me objektiv arritjen e rezultateve pozitive në garën për një vend në Kampionatin Evropian U19.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara