Lajmet

Masa për mbrojtjen e konsumatorëve

Të hiqet TVSH-ja dhe akciza ose të vendoset tavani i çmimeve.

Published

on

Ulja e akcizës për karburantet, heqja e TVSH-së për ushqimet bazë, kufizimi i çmimit të derivateve të naftës për një periudhë të caktuar, janë disa nga masat e ndërmarra nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor si përgjigje ndaj ngritjes së çmimeve si pasojë e krizës së shkaktuar nga lufta në Ukrainë.Në Kosovë, në anën tjetër, reagimi i shtetit është “më i butë“.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekonomistë thonë se Qeveria e Kosovës duhet të vendosë masa për t’i mbrojtur qytetarët nga rritja e çmimeve të produkteve ushqimore dhe karburanteve në tregun vendor. Njëherësh, sipas tyre, Qeveria duhet të rrisë angazhimin për monitorimin e tregut.

Sikurse në vende tjera, edhe në Kosovë çmimet po pësojnë ndryshime të vazhdueshme, si pasojë e krizës botërore për shkak të konfliktit në Ukrainë dhe ndalimit të eksporteve të produkteve bazike nga disa shtete të rajonit.

Për rritjen e çmimeve dhe situatën e krijuar në treg, sidomos javën e kaluar, Kuvendi i Kosovës, më 15 mars do të mbajë seancë të jashtëzakonshme. Seanca është thirrur nga partitë opozitare.

Javën e kaluar në Kosovë ka pasur rritje të çmimit të derivateve të naftës, vajit, miellit, produkteve të qumështit dhe shërbimeve, biletave të autobusit dhe taksive.

Të hiqet TVSH-ja dhe akciza ose të vendoset tavani i çmimeve

Lumnije Ajdini nga Aleanca Kosovare e Biznesit thotë se rritja e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve është pashmangshme në tregun e Kosovës, për shkak të varësisë nga importi.

Zbritja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) dhe akcizës në produktet elementare, sipas saj, janë disa nga mundësitë që mund të përdoren në këtë rast.

TVSH-ja është një tatim që i ngarkohet konsumatorit në mallra dhe shërbime.

Ligji për TVSH-në përcakton dy norma të tatimit: normën standarde 18 për qind, si dhe normën e reduktuar 8 për qind.

“Në mënyrë që qytetari të përballojë situatën e pakontrolluar të çmimeve, Qeveria duhet për një periudhë të shkurtë kohore, të heqë TVSH-në për produktet e drithërave, vajin e produktet e qumështit. Ose edhe të subvencionet industria prodhuese për produktet bazike”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Por, kundër heqjes së akcizës dhe TVSH-së në produktet elementare, shprehet Albulenë Kastrati, profesoreshë e Ekonomisë në Kolegjin privat AAB. Ajo thotë se këto masa mund të kenë efekte eventuale në buxhetin e shtetit.

Për të mbajtur nën kontroll çmimet e mallrave dhe shërbimeve, ajo konsideron se duhet të vendoset tavani i çmimeve, por në raste të caktuara të subvencionohen produktet. Këto politika përdoren për një kohë të shkurtër.

Tavani i çmimeve nënkupton që çmimi i ngarkuar në treg të mos e tejkalojë një vlerë të caktuar.

“Duhet të merret parasysh, që në momentin që i thuhet një shitësi privat, për shembull, çmimi i naftës nuk mund të jetë mbi 1.49 centë, ndërkohë ai furnizohet me 1.50 euro, kjo mund të sjellë efekte tjera negative në treg. Kjo mund të sjellë edhe mungesë të produkteve, rënie të cilësisë ose mund të krijojnë edhe tregje ilegale. Zakonisht, nëse Qeveria vendos çmime tavan, është mirë që të subvencionohet pjesa tjetër e produkteve bazike”, thotë ajo.

Për të ruajtur mundësinë nga çrregullimet në treg, Qeveria e Kosovës ka vendosur marzhë tregtare (çmim maksimal) vetëm për derivatet e naftës. Sipas këtij vendimi, marzha më e lartë tregtare duhet të jetë deri në 4 për qind të çmimit të shitjes, ndërkaq te shitësit me pakicë marzha më e lartë deri në 6 për qind.

Ndërsa, më 9 mars, Qeveria ka marrë vendim që fermerëve dhe bujqve t’iu subvencionohet nafta në vlerë prej rreth 5 milionë euro. Subvencionimi do të bëhet në vlerën prej rreth 0.36 centë për litër naftë, të përllogaritur me hektarë të poseduar të tokës së punuar.

Faktorë tjetër i rëndësishëm në këtë situatë, sipas Albulenë Kastratit dhe Lumnije Ajdinit, është kontrollimi i tregut nga Inspektorati i Tregut dhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.

Çdo biznes apo tregtar që keqpërdor situatën për përfitime personale, thonë ato, duhet të ndëshkohet.

Që nga 9 qershori i vitit të kaluar, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është jofunksional për shkak se kryetarit, nënkryetarit dhe tre anëtarëve të këtij komisioni u ka skaduar mandati pesëvjeçar.

Qeveria, më 9 mars, i ka propozuar Kuvendit të Kosovës përbërjen e re të këtij komisioni.

Albulena Kastrati thotë se funksionimi i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës është nevojë urgjence. Ndërsa, aksionet me inspektorë duhen të jenë standard i jetës së përgjithshme dhe “jo aktivizim vetëm në kohë krizash”.

Ministra e Ndërmarrësisë, Industrisë dhe Tregtisë nuk ka dhënë ndonjë përgjigje për Radion Evropa e Lirë, se a janë duke u shqyrtuar mundësitë për vendosjen e masave të çmimet, ashtu siç kanë bërë vendet e rajonit. Ministrja Rozeta Hajdari, nuk e mohoi se në të ardhmen mund të shqyrtohet kjo çështje.

Sa i përket mundësisë së reduktimit të akcizës – që është një taksë që zbatohet mbi produktet e akcizës, si ato energjetike, duhani apo alkooli – dhe TVSH-së, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës, Rozeta Hajdari, javën e kaluar nuk e mohoi se në të ardhmen mund të shqyrtohet kjo çështje.

Masat në shtetet e rajonit

Disa nga shtetet e rajonit tashmë kanë vendosur masa të ndryshme për çmime si pasojë e krizës globale.

Më 12 mars, Qeveria e Shqipërisë, me akt normativ ka marrë vendim që të monitorojë çmimin e shitjes së nënprodukteve të naftës për konsumatorët. Në bazë të këtij akti, nga 12 deri në 15 mars çmimi i naftës dhe benzinës do të kushtojë 217 (1.79 euro) lekë, ndërsa çmimi i gazit 93 lekë (0.76 euro).

Kurse të dielën, më 13 mars, Qeveria ka prezantuar “Paketën Sociale”. Në bazë të kësaj, Qeveria ka ndarë nga tre mijë lekë (24 euro) në muaj, për pensionet për tre muaj. Ka hequr taksën mbi pagën deri në 400 mijë lekë (325 euro). Kjo taksë ishte 13 për qind, si dhe fermerët do të blejnë naftë të pashoqëruar nga taksat.

Masa për përballje me krizën ekonomike ka miratuar edhe Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Më 12 mars, është miratuar Ligji për uljen e akcizës për karburantet që merr shteti nga shitja e tyre, si dhe Ligjin për uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për karburantet, nga 18 në 10 për qind. TVSH-ja është hequr për ushqimet bazë.

Maqedonia e Veriut për dhjetë ditë ka ndaluar eksportin e mallrave të caktuara ushqimore. Vendimi përfshin eksportin e grurit, elbit, misrit, miellit, farave të lulediellit, si dhe vajrave.

Vendim të ngjashëm ka marrë edhe Qeveria e Serbisë. Ky shtet ka pezulluar eksportin e grurit, miellit, misrit dhe vajit, nga 10 marsi.

Ndërkaq, për ruajtjen e standardit të jetësor të popullatës, Qeveria serbe ka kufizuar çmimin e derivateve të naftës,deri më 11 prill. Deri në këtë kohë, një litër naftë do të kushtojë 1.50 euro.

Serbia do të mbajë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare më 3 prill.RFE

Continue Reading

lajme

UBT shënon 25-vjetorin, Hajrizi: Kemi dhënë kontribut në transformimin e arsimit dhe inovacionit në Kosovë

Published

on

By

Në një intervistë në emisionin “Five” në RTV Dukagjini, Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, ka thënë se 25-vjetori i këtij institucioni përfaqëson jo vetëm një përvjetor jubilar, por edhe një moment reflektimi për të arriturat dhe synimet e ardhshme në arsim, shkencë, inovacion dhe teknologji.

Hajrizi ka deklaruar se gjatë këtij çerek shekulli, UBT-ja është angazhuar në ndërtimin e një sistemi arsimor me qasje inovative, duke synuar të ndikojë në zhvillimin e vendit në fusha të ndryshme.

“Është një vit që jo vetëm duhet të reflektojmë, por është një angazhim prej çerek shekulli, ku vitet më të mira të jetës kanë qenë angazhim për të ndërtuar një sistem të arsimit dhe një qasje inovative në arsim. Ka qenë një rezultat i mirë, por edhe një moment reflektimi se çfarë kemi arritur dhe çfarë duam të arrijmë”, është shprehur Hajrizi.

Ai ka theksuar se gjatë këtyre 25 vjetëve ka pasur zhvillim në fusha të ndryshme, përfshirë arsimin, shkencën, inovacionin, teknologjinë dhe zhvillimin e biznesit, duke vlerësuar se UBT-ja ka pasur ndikim në këtë proces transformues.

Në kuadër të shënimit të 25-vjetorit, UBT-ja ka planifikuar disa aktivitete që do të zhvillohen gjatë javës së ardhshme, me fokus të veçantë në fushën akademike dhe shkencore.

Sipas Hajrizit, gjatë kësaj jave në Kosovë do të organizohen tri ngjarje ndërkombëtare, njëra pas tjetrës, të cilat synojnë të sjellin në vend komunitetin akademik dhe profesionistë nga fusha të ndryshme.

Ngjarja e parë do të mbahet të mërkurën dhe do t’i kushtohet Konferencës Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive. Hajrizi ka bërë të ditur se kjo konferencë organizohet për herë të dytë dhe do të mbledhë përfaqësues të komunitetit vendor dhe ndërkombëtar në UBT.

“Kemi mbërritur në fund të vitit ku do të shënojmë edhe përmbylljen e 25-vjetori dhe mbi këtë kemi menduar t’i organizojmë disa evente të cilat ndërlidhen edhe në shenjë të 25-vjetorit. Këtë vit i kemi mbledh disa ngjarje, javen e ardhshme kemi disa aktivitete që lidhen me pjesën akademike shkencore dhe i kemi tri ngjarje të nivelit botëror që i organizmojnë në Kosovë në të njëjtën kohë njëra pas tjetrës që e plotësojnë gjithë javën. Konferenca e parë që e organizojmë të mërkurën ka të bëjë me Konferencën Ndërkombëtare Botërore për Mjekësinë Sportive, është hera e dytë që organizohet por është një konferencë që sjell gjithë komunitetin edhe ndërkombëtar edhe vendor në UBT në Kosovë”, u shpreh Hajrizi.

Përmes këtyre aktiviteteve, UBT-ja synon të shënojë përmbylljen e 25-vjetorit, duke vënë në pah të arriturat e deritanishme dhe duke hapur diskutime për zhvillimet e ardhshme në arsim, shkencë dhe inovacion.

Continue Reading

lajme

UBT hap AI Business Hub, duke kompletuar ekosistemin për zhvillimin e kompetencave dhe mbështetjen e bizneseve

Published

on

By

UBT ka hapur zyrtarisht AI Business Hub, një hapësirë të re që synon të forcojë kompetencat në fushën e inteligjencës artificiale dhe të ofrojë mbështetje për bizneset në Kosovë dhe më gjerë.

AI Business Hub është rezultat i projektit TBEAI (Transforming Business Education with AI in Western Balkans), një projekt i financuar nga Komisioni Evropian përmes programit Erasmus+, i cili synon transformimin e edukimit të biznesit përmes integrimit të inteligjencës artificiale në Ballkanin Perëndimor.

Me hapjen e këtij Hub-i, UBT plotëson edhe më tej ekosistemin e tij të inovacionit, duke krijuar mundësi konkrete për zhvillimin e kompetencave digjitale, avancimin e njohurive në inteligjencën artificiale dhe mbështetjen e sektorit të biznesit në përballjen me sfidat e transformimit digjital.

AI Business Hub synon të shërbejë si urë lidhëse ndërmjet akademisë, teknologjisë dhe biznesit, duke krijuar hapësirë për bashkëpunim, zhvillim të aftësive profesionale dhe zbatimin e zgjidhjeve të inteligjencës artificiale në praktikat e përditshme të bizneseve. Përmes kësaj nisme, studentët, profesionistët dhe ndërmarrjet do të kenë mundësi të përfitojnë nga një qasje më e orientuar drejt nevojave të tregut, duke nxitur inovacionin, rritjen e produktivitetit dhe përgatitjen për ekonominë digjitale.

Hapja e AI Business Hub dëshmon përkushtimin e UBT-së për të ndërtuar një ekosistem që jo vetëm zhvillon kompetencat e së ardhmes, por edhe përkrah bizneset në Kosovë dhe më gjerë, duke i ndihmuar ato të shfrytëzojnë potencialin e inteligjencës artificiale për zhvillim dhe konkurrueshmëri.

UBT vazhdon të investojë në inovacion, dije dhe teknologji, duke e shndërruar inteligjencën artificiale në një mundësi konkrete për zhvillimin e arsimit, sipërmarrjes dhe ekonomisë.

Continue Reading

Lajmet

Rama fajëson “duart e huaja” për trazirat në Shqipëri

Published

on

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri thirrje për qetësi të premten, dhe fajësoi “duart e huaja” për trazirat e dhunshme disaditore, ndërsa protestuesit u mblodhën sërish në kryeqytet dhe në qytete të tjera.

Që nga e marta, Tirana është përfshirë nga protesta të dhunshme, ku mijëra protestues kanë kërkuar dorëheqjen e Ramës për shkak të kushteve të këqija në universitete dhe tarifave të larta të studimit.

Protestat janë përhapur edhe në disa qytete të tjera, ndërsa studentët iu bashkuan bojkotit të universiteteve, duke shënuar një përshkallëzim të ndjeshëm pas muajsh protestash kundër qeverisë në vend.

Përleshjet gjatë natës mes policisë dhe grupeve të protestuesve, shumica e të cilëve të maskuar, vazhduan deri në orët e para të së premtes.

Hyrja e Ministrisë së Financave u përfshi nga flakët, ndërsa xhamat e një kompleksi universitar u thyen.

Sipas një deklarate të Policisë, 160 protestues u ndaluan të enjten në mbrëmje për kryerjen e akteve të dhunshme.

Protestuesit grumbulluan dhe dogjën kontejnerë mbeturinash për të bllokuar rrugët, si dhe hodhën gurë drejt Policisë, e cila u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe topa uji për t’i shpërndarë.

Një gazetar i AFP-së pa, gjithashtu, grupe të maskuara duke thyer vitrina dhe duke plaçkitur dyqane. Të njëjtat incidente u raportuan edhe në pjesë të tjera të qytetit.

Të premten në mëngjes, qindra protestues marshuan drejt Ministrisë së Arsimit, e cila mbetet një nga pikat kryesore të protestave.

Përleshjet kanë lënë pas ndërtesa qeveritare me dëme të mëdha, vitrina të thyera dyqanesh dhe dhjetëra persona të arrestuar.

Përshkallëzimi i protestave këtë javë vjen pas muajsh të tërë demonstratash kundër qeverisë, të cilat fillimisht u nxitën nga një projekt i diskutueshëm për zhvillimin e një resorti, i lidhur me familjen e presidentit amerikan, Donald Trump.

Në një deklaratë të premten, Rama këmbënguli se protestat nuk kanë të bëjnë “fare me hallet, me problemet, me aspiratat legjitime të gjithkujt që dëshiron një jetë më të mirë”.

“E gjithë kjo është po ajo dorë, po ajo dorë që e ka kapur për fyti opozitën shqiptare, dhe që e ka djegur dhe shkatërruar jo një herë Shqipërinë, dhe që është gati ta djegë e ta shkatërrojë përsëri, për të mos e lënë të bëjë përpara”, tha ai.

Ai akuzoi “duar të huaja”, pa i identifikuar ato, se po nxisin trazirat dhe synojnë të pengojnë përpjekjet e vendit të tij për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

“Këto janë duar të huaja që nuk e duan Shqipërinë të qetë”, tha ai në një video të publikuar në faqen e tij në Facebook.

Që nga e marta, dhjetëra persona, kryesisht zyrtarë policorë, janë plagosur në përleshje, sipas autoriteteve.

Burimi: AFP / REL

Continue Reading

Rajoni

127 të arrestuar pas protestave në Shqipëri, hetohen thirrjet për akte terroriste

Published

on

Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike në Shqipëri, Dhimitraq Ziu, ka njoftuar se 127 persona janë arrestuar dhe 244 të tjerë janë proceduar penalisht në Tiranë, në lidhje me protestat e dhunshme të ditëve të fundit.

Sipas tij, janë lënduar 120 punonjës policie në disa qytete të vendit.

Ziu bëri të ditur gjithashtu se strukturat e Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit po hetojnë kanale dhe grupe në rrjetet sociale, ku janë shpërndarë mesazhe me thirrje për akte ekstreme e terroriste dhe kërcënime ndaj punonjësve të Policisë.

“Deri në këto momente në Tiranë, janë arrestuar 127 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 244 shtetas, për ushtrim të dhunës ndaj punonjësve të Policisë, dëmtim të institucioneve shtetërore, shkatërrim të pronës publike dhe private, si dhe të bankomateve, kamerave, automjeteve dhe rrethimeve metalike”, ka thënë ai.

Ziu ka treguar edhe për rastet në qytetet e tjera. Në Durrës, ka thënë se janë arrestuar 23 shtetas dhe janë proceduar penalisht 12 të tjerë, në Korçë janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 23 shtetas, në Vlorë janë proceduar në gjendje të lirë 20 shtetas, në Shkodër janë proceduar në gjendje të lirë 9 shtetas.

Gjatë protestës në Shkodër Ziu ka deklaruar se është plagosur rëndë një oficer i Policisë së Rendit, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë, për ndihmë mjekësore. Ai theksoi se autori i plagosjes është identifikuar, por për shkak të moshës nuk është arrestuar.

Kurse, në Elbasan janë proceduar në gjendje të lirë 6 shtetas dhe në Kukës janë proceduar në gjendje të lirë 10 shtetas, shtoi ai.

“Ndërkohë, nga dhuna e ushtruar mbi punonjësit e Policisë, në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër dhe Kukës, janë dëmtuar deri tani 120 punonjës policie”.

Sa i përket rasteve të dyshuara për akte ekstreme, Ziu ka theksuar po bashkëpunojnë me agjencitë partnere ndërkombëtare për zbulimin e adresave IP, identifikimin e administratorëve të këtyre kanaleve dhe të çdo përdoruesi që bën thirrje për dhunë dhe akte terroriste.

“Përveç ngjarjeve në terren, strukturat e specializuara të Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit kanë marrë në shqyrtim të menjëhershëm hapësirën virtuale, ku gjatë monitorimeve intensive, janë identifikuar disa kanale dhe grupe komunikimi, nëpërmjet të cilave janë shpërndarë mesazhe me përmbajtje të drejtpërdrejtë kriminale, ndër to, thirrje për kryerje të akteve ekstreme dhe terroriste, si dhe kërcënime direkte kundër jetës së punonjësve të Policisë së Shtetit”, potencoi ai.

Ziu u ka bërë thirrje protestuesve të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm.

“E drejta për protestë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën dhe shkatërrimin”.

Ndërkohë Ziu ka theksuar se po udhëzojnë punonjësit e policisë që “pavarësisht situatave ku përballen me sulme të rrezikshme, apo gjatë ndërhyrjeve për të mbrojtur institucionet, të tregojnë vetëpërmbajtje dhe propocionalitet”.

Gjatë katër ditëve është raportuar për ushtrim dhune nga policët drejt qytetarëve./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara