Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka akuzuar partitë opozitare për bojkot dhe sabotim të themelimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.Sipas tij, “destruktiviteti opozitar” po bëhet për shkak të xhelozisë dhe lakmisë ndaj Vetëvendosjes dhe mospranimit të rezultateve të zgjedhjeve.
Duke prezantuar kompromiset e bëra në këta muaj të krizës politike, Kurti deklaroi se “opozitarët as nuk po shtyhen dhe as nuk po ngrihen”.
“Subjekti ynë politik sot ka një numër deputetësh që janë më shumë sesa i dyti dhe i treti marrë së bashku. Si subjekt bindshëm fitues, kemi marrë përgjegjësitë tona që të prijmë në themelimin e institucioneve tona, si të Kuvendit ashtu edhe të Qeverisë. Por destruktiviteti opozitar ndaj themelimit të institucioneve të Kosovës, që në bindjen time ka xhelozinë dhe lakminë ndaj Lëvizjes sonë, në fakt është mospranim i rezultatit zgjedhor të 9 shkurtit. Këtu ka një kundërthënie të madhe opozitare – ata për më shumë se katër vjet kanë folur zi e terr për qeverisjen tonë të mirë dhe demokratike dhe tani nuk po duan të konstituojnë Kuvendin, në mënyrë që eventualisht të ndryshojnë këtë qeveri që i prijmë”, tha Kurti.
Kanë kaluar pothuajse gjashtë muaj nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ndërkohë që Kosova ende nuk ka themeluar institucionet e reja.
Kurti ka dërguar dy herë ftesë për bashkëpunim dhe bashkëqeverisje ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, por kjo e fundit ka refuzuar. Ndërkaq, negociatat me Nismën, e cila ka tre deputetë në Kuvend, nuk kanë sjellë dakordim për bashkëpunim në nivel të legjislativit, pasi kërkesa e partisë së Fatmir Limajt ka qenë posti i kryetarit të Kuvendit.
Që nga 27 korriku është vendosur një masë e përkohshme nga Gjykata Kushtetuese si pasojë e dështimit për konstituimin e legjislaturës së nëntë deri më 26 korrik – një afat i vendosur nga aktgjykimi i parë i kësaj gjykate. Masa e përkohshme vlen deri më datën 8 gusht.