Lajmet

​Maqedonia e Veriut kremton 34-vjetorin e pavarësisë

Published

on

Republika e Maqedonisë së Veriut sot shënon 34-vjetorin e pavarësisë së saj nga ish-Federata jugosllave, përmes një referendumi popullor.

Ky referendum atëkohë u bojkotua nga shqiptarët në Maqedoni, të cilët kërkuan statusin e autonomisë dhe nuk ishin të kënaqur me pozitën e arritur në Kushtetutën e re të këtij vendi.

Sipas vlerësimeve shtetërore të asaj kohe, mbi 95 për qind të qytetarëve që dolën në referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991, iu përgjigjën pozitivisht pyetjes së referendumit “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në fuqi në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”.

Referendumit i parapriu Deklarata për Pavarësi, të cilën Parlamenti i parë i Maqedonisë shumëpartiake e miratoi më 25 janar të vitit 1991. Formalisht, vullneti i popullit për shtet të pavarur ishte konstatuar me Deklaratën për pranimin e rezultateve të referendumit më 18 shtator të vitit 1991 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Hap i ardhshëm me rëndësi në përforcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991.

Hije në ngjarjet me të cilat u vendosën themelet e Maqedonisë së pavarur, hodhi bojkotimi i referendumit nga ana e një pjese të bashkësisë etnike shqiptare dhe mospërkrahja e Kushtetutës së re nga deputetët shqiptarë.

Dhjetë vite më vonë Kushtetuta u plotësua pas konfliktit të vitit 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Shtetësinë e Maqedonisë e para e njohu Republika e Bullgarisë, pas çfarë pasuan njohjet nga Turqia, Sllovenia, Kroacia, Rusia, Bosnjë e Hercegovina.

Shteti u pavarësua monetarisht me vendosjen e denarit më 26 prill 1992, e më pas fitoi edhe Armatën e vet, e cila ditëlindjen e feston më 18 gusht.

Subjektiviteti ndërkombëtar-juridik i shtetit definitivisht u konfirmua më 8 prill të vitit 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Maqedonia u pranua si anëtare e 181-të në Organizatën botërore. Megjithatë për shkak të kundërshtimeve dhe presioneve të Greqisë, prë shkak të emrit, anëtarësimi në KB u bë nën referencën e përkohshme Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.

Marrëveshja për zgjidhjen e kontestit me Greqinë ishte arritur më 17 qershor 2018, sipas së cilës vendi emërtohej si Maqedonia Veriore.

Maqedonia Veriore deri tani ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 170 shtete në botë, ndërsa me emrin kushtetues është pranuar nga 135 shtete në mesin e të cilave edhe nga tre anëtaret në Këshillin e Sigurisë: Kina, Federata Ruse dhe SHBA-ja.

Gjatë viteve të kaluara të pavarësisë Maqedonia Veriore kaloi në një sërë problemesh dhe vështirësish, derisa u bë anëtarja e tridhjetë e Aleancës Veri-Atlantike. /S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

FSK merr pjesë në ushtrimin shumëkombësh “Saber Junction 26” në Gjermani

Published

on

Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i përfaqësuar nga një kompani këmbësorie e Regjimentit të Tretë të Forcave Tokësore, ka marrë pjesë në ushtrimin shumëkombësh “Saber Junction 26”, të zhvilluar në Qendrën e Gatishmërisë Shumëkombëshe në Hohenfels të Gjermanisë.

Sipas FSK-së, kompania kosovare është integruar në Brigadën Ajrore 173 të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, përkatësisht në Batalionin 3-504 “Blue Devils”.

Pas fazës së planifikimit, koordinimit dhe trajnimit, pjesëtarët e FSK-së janë angazhuar në operacione të ndryshme në terren, përfshirë operacione sigurie në mbështetje të zbarkimit ajror, patrulla luftarake dhe operacione mbrojtëse.

Sipas njoftimit, pjesëmarrja në këtë ushtrim ka mundësuar zhvillimin e mëtejshëm të aftësive të komandimit dhe kontrollit, planifikimit dhe ekzekutimit të operacioneve, si dhe rritjen e ndërveprueshmërisë me Ushtrinë Amerikane dhe forcat e vendeve partnere.

Integrimi i kompanisë së FSK-së në një formacion shumëkombësh ka shërbyer edhe për testimin e aftësive të saj në një mjedis kompleks dhe dinamik trajnues, krahas njësive partnere.

Gjatë “Observation Day”, aktivitetet e kontingjentit të FSK-së janë përcjellë nga Komandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Mehmet Lladrovci, dhe rreshter majori i KFT-së, Naim Smakolli.

Pjesëmarrja në ushtrime të tilla, sipas FSK-së, kontribuon në rritjen e gatishmërisë operacionale, profesionalizmit dhe kapaciteteve për të vepruar krah për krah me ushtritë partnere në operacione shumëkombëshe./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gjashtë motoçikleta sekuestrohen në Pejë për kundërvajtje në trafik

Published

on

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot, më 10 shtator, në Pejë janë sekuestruar gjashtë motoçikleta për kundërvajtje në komunikacion.

Sekuestrimi është kryer nga Njësia e Trafikut për Qytet e Stacionit Policor në Pejë, në kuadër të planit operativ “Siguria në shkolla”, i cili do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Sipas Policisë, motoçikletat janë sekuestruar për kundërvajtje të ndryshme, përfshirë drejtimin pa patentë shoferi, pa regjistrim dhe pa helmetë.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka bërë të ditur se aktivitetet në terren do të vazhdojnë me qëllim të parandalimit të aksidenteve në komunikacion.

Policia ka paralajmëruar “zero tolerancë” ndaj të gjithë kundërvajtësve në trafik./A.K/

Continue Reading

Lajmet

UBT vazhdon të forcojë bashkëpunimet ndërkombëtare dhe lidhjet institucionale me partnerë evropianë

Published

on

By

UBT vazhdon të forcojë bashkëpunimet ndërkombëtare dhe lidhjet institucionale me partnerë evropianë. Në kuadër të këtyre përpjekjeve, Zëvendësdekani i Departamentit të Turizmit në UBT, Prof. Alban Fejza, zhvilloi një takim në Ambasadën e Italisë në Kosovë, së bashku me Prof. Raffaella Ritucci dhe Lirdion Blakaj.

Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e konkretizimit të bashkëpunimeve të ndërsjella me UNITO – University of Turin dhe UNITA – Universitas Montium, aleanca universitare evropiane e koordinuar nga UNITO.

Diskutimi u fokusua në mundësi konkrete për bashkëpunim akademik, mobilitet, ndërkombëtarizim dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta, me synim që interesat e përbashkëta të shndërrohen në hapa konkretë.

Ky takim përbën një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të lidhjeve akademike dhe institucionale ndërmjet UBT-së, partnerëve italianë dhe hapësirës evropiane të arsimit të lartë.

Continue Reading

Lajmet

Tenderi afro 400 mijë eurosh për kamionë në Ekoregjion, aktakuzë ndaj tre personave

Published

on

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, B.Sh., A.G. dhe R.Z., si dhe ndaj subjektit juridik SH.P.K. “D.C & E”, për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, më 7 qershor 2023 dhe gjatë periudhës 18 shtator 2023 deri më 16 nëntor 2023, në Prizren, B.Sh., në cilësinë e kryeshefit të KRM “Eko Regjioni”, në bashkëkryerje me zyrtarin e kësaj kompanie, A.G., kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe për subjektin juridik SH.P.K. “D.C & E”.

A.G. dhe B.Sh. akuzohen se, në kundërshtim me legjislacionin për prokurimin publik, kanë krijuar mundësi që tenderin “Furnizimi me kamiona kompaktor dhe autobusë për nevojat e KRM ‘Ekoregjioni’”, në vlerë prej 385 mijë e 500 eurosh, ta përfitojë SH.P.K. “D.C & E”.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime buxhetit të KRM “Ekoregjioni” i është shkaktuar dëm në shumën prej 233 mijë e 685.37 eurosh.

Ndërkaq, R.Z. akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik”. Sipas aktakuzës, ai u ka paguar B.Sh. dhe A.G. shpenzimet e një udhëtimi jashtë territorit të Kosovës, me qëllim të koordinimit të veprimeve inkriminuese dhe ndikimit në dhënien e tenderit.

Prokuroria pretendon se R.Z. paraprakisht kishte arritur marrëveshje të kundërligjshme me të pandehurit, përmes së cilës ishin përshtatur specifikat teknike të tenderit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara