Lajmet

Maqedonci: Me Programin Kombëtar për Mbrojtjen Gjithëpërfshirëse, çdo qytetar mund të jetë pjesë e mbrojtjes së vendit

Published

on

Qeveria e Kosovës ka miratuar të mërkurën Programin Kombëtar për Mbrojtjen Gjithëpërfshirëse.

Në një konferncë për media, pas mbledhjes së Qeverisë, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se ky program synon të ndërtojë qëndrueshmëri kombëtare për reagimin dhe rimëkëmbjen e popullsisë në raste të fatkeqësive natyrore a sulmeve të armatosura.

Ai ka theksuar se programi është hartuar në bazë të sistemeve të ngjashme që aplikohen në vende të ndryshme të NATO-s.

Maqedonci ka shtuar se ky sistem do t’jua mundësojë edhe qytetarëve të luajnë rolin tyre në sistemin tonë të mbrojtjes dhe sigurisë.

“Sot në ditën e përkujtimit të viktimat të sulmit terrorist të 11 shtatorit në ShBA-së, e kemi miratuar Programin Kombëtar për Mbrojtjen Gjithëpërfshirëse. Bazament për programin janë strategjia e sigurisë së Kosovës 2022-2027, mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial nga kërcënimet e jashtme dhe të brendshme ndaj vendit si dhe ruajtja e qytetarit në rast të fatkeqësive natyrore. Këto janë interesa jetike të Kosovës. Në mbrojtje gjithëpërfshirëse do t’i jepet mundësi çdo qytetari që të jetë pjesë e sistemit tonë mbrojtjes. Programi do të bazohet në 7 shtylla. Implementimi do të kërkojë qasje gjithëpërfshirëse në institucionet e sigurisë dhe shoqërisë civile. Është dokument bazë që mundëson siguri dhe mbrojte në gjithë territorin e Kosovë”, ka thënë Maqedonci.

Lajmet

Sveçla pret në takim shefin e ri të EULEX-it, e falënderon për ndihmën në gërmimet në Zubin-Potok

Published

on

By

Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, ka mirëpritur sot në një takim njoftues shefin e ri të misionit EULEX në Kosovë, Antero Lopes, të cilin e ka uruar për marrjen e detyrës së re.

Përmes një njoftimi zyrtar, bëhet e ditur se gjatë takimit është diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh mes institucioneve të Kosovës, EULEX-it dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë. Me këtë rast, ministri Sveçla ka shprehur mirënjohje të veçantë për mbështetjen teknike dhe profesionale që ky mision ka dhënë gjatë gërmimeve të fundit në varrezat masive në Zubin-Potok.

“Ministri Sveçla falënderoi EULEX-in për kontributin e vazhdueshëm dhe bashkëpunimin me institucionet e Republikës së Kosovës. Gjithashtu, Ministri Sveçla shprehu mirënjohje edhe për mbështetjen e dhënë gjatë gërmimeve të zhvilluara në varrezat masive në Zubin-Potok,” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ky takim vjen vetëm një ditë pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bëri me dije se mbetjet mortore të gjetura në tri lokacione në Zubin-Potok dyshohet se u përkasin së paku 23 personave, numër ky që përkon me të ashtuquajturin “grupi i intelektualëve”. Procesi i identifikimit të mbetjeve mortore tashmë ka nisur dhe sipas autoriteteve pritet të zgjasë disa muaj. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosova e varur nga mishi brazilian, ndërsa BE-ja vendos kufizime

Published

on

By

Mbi 50 milionë euro mish gjedhi dhe pule nga Brazili ka importuar Kosova vetëm në shtatë muajt e parë të këtij viti.

Brazili është furnizuesi më i madh i Kosovës me këto produkte, por nga 3 shtatori një pjesë e eksporteve të tij me origjinë shtazore do të përballet me kufizime në Bashkimin Evropian.

Arsyeja lidhet me rregullat e BE-së për përdorimin e antimikrobikëve te kafshët që përfundojnë në zinxhirin ushqimor.

Shqipëria ka njoftuar se do të zbatojë masa të ngjashme nga e njëjta datë.

Kosova, deri më tani, nuk ka njoftuar për ndonjë masë, ndonëse një pjesë e konsiderueshme e mishit që importon, vjen pikërisht nga ky shtet i Amerikës Jugore.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, nga janari deri në korrik të vitit 2026, vlera e mishit të gjedhit dhe të pulës të importuar nga Brazili ka kaluar 50 milionë euro.

Për krahasim, importet e këtyre dy llojeve të mishit nga të gjitha shtetet e tjera së bashku kanë arritur në mbi 65 milionë euro gjatë së njëjtës periudhë.

Në këto shifra nuk përfshihen kafshët e gjalla që importohen për therje dhe as produktet e përpunuara të mishit të gjedhit dhe të pulës.

 

Pse BE-ja po vendos kufizime?

Sipas rregullave të Bashkimit Evropian, kafshët e gjalla dhe produktet me origjinë shtazore që importohen nga vendet e treta nuk duhet të vijnë nga kafshë të trajtuara me produkte antimikrobiale për nxitjen e rritjes ose rritjen e prodhimit.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha për Radion Evropa e Lirë se, nga 3 shtatori 2026, të gjitha kafshët dhe produktet me origjinë shtazore për konsum njerëzor që eksportohen drejt BE-së, duhet t’i përmbushin këto kërkesa.

“Brazili u përjashtua nga lista e vendeve të autorizuara, sepse nuk kishte vendosur masat e nevojshme për t’i dhënë BE-së garanci se rregullat për përdorimin e antimikrobikëve janë respektuar gjatë gjithë ciklit jetësor të kafshëve”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian.

Antimikrobikët janë substanca që përdoren për të luftuar mikroorganizmat që shkaktojnë sëmundje.

Në këtë grup bëjnë pjesë edhe antibiotikët.

Mish pule i importuar nga Brazili shihet në një dyqan në Prishtinë, Kosovë, 24 gusht 2026.

Profesori i sigurisë ushqimore në Universitetin e Prishtinës, Sali Salihu, thotë se përdorimi i pakontrolluar i antibiotikëve në blegtori mund të favorizojë krijimin e baktereve rezistente, të cilat mund të kalojnë te njerëzit edhe përmes zinxhirit ushqimor.

“Kur bakteret bëhen rezistente ndaj antibiotikëve, trajtimi i infeksioneve te njerëzit bëhet shumë më i vështirë dhe sëmundja mund të zgjasë më shumë”, thotë Salihu për Radion Evropa e Lirë.

Për këtë arsye, ai vlerëson se edhe Kosova duhet t’i shqyrtojë masat e ndërmarra nga Bashkimi Evropian, sidomos për shkak të varësisë së madhe nga importet braziliane.

“Kosova duhet t’i harmonizojë edhe ligjet, edhe vendimet me BE-në”, thotë ai.

 

A duhet Kosova ta ndjekë BE-në?

Kosova nuk është anëtare e Bashkimit Evropian dhe, ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, nuk e ka statusin e vendit kandidat, ndonëse ka aplikuar për anëtarësim në dhjetor të vitit 2022.

Komisioni Evropian sqaron se masa për importet zbatohet për shtetet anëtare të BE-së.

“Në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE, vendet kandidate do të duhet të harmonizojnë plotësisht legjislacionin e tyre me kërkesat e BE-së deri në momentin e anëtarësimit”, thuhet në përgjigjen e Komisionit.

Ministria e Bujqësisë e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse po shqyrton masa të ngjashme ndaj importeve nga Brazili.

Çfarë do të ndodhte nëse kufizohen importet?

Çdo kufizim eventual ndaj mishit brazilian do të prekte një treg që tashmë varet në masë të madhe nga importet.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, prodhimi vendor i mishit mbulon vetëm 34.2 për qind të nevojave për konsum, ndërsa konsumi vjetor i mishit është rreth 35.7 kilogramë për banor.

Mishi i importuar nga Brazili gjendet në markete dhe mishtore, por, sipas Salihut, përdoret veçanërisht në sektorin e gastronomisë, ndër të tjera për shkak të çmimit më të ulët.

 

A mund të jetë kjo një mundësi për prodhimin vendor?

Salihu thotë se mungesa e mishit të importuar nga Brazili mund të shfrytëzohet si mundësi për të rritur prodhimin vendor.

Sipas tij, për këtë nevojitet rritja e fondit blegtoral dhe mbështetja më e madhe e fermerëve.

“Fermerët duhet të investojnë në këtë sektor. Është në interesin e tyre që ky sektor të bëhet i rëndësishëm, sepse kërkesa në treg po rritet. Por, pastaj, edhe shteti duhet ta rrisë fondin blegtoral”, thotë Salihu.

Kosova i mbështet fermerët përmes subvencioneve dhe granteve investuese.

Sipas Raportit të Gjelbër, në vitin 2024, buxheti për Programin e Pagesave Direkte ishte mbi 66 milionë euro.

Në kuadër të skemave për blegtorinë, për lopët qumështore janë ndarë 90 euro për një në vit, për therjen e raportuar të gjedheve 50 euro për një dhe për viçat 25 euro për një.

Megjithatë, fondi blegtoral nuk ka shënuar rritje të qëndrueshme.

Në vitin 2025, Kosova kishte 241.423 gjedhe – rreth 20 mijë më pak se në vitin 2020.

Për Salihun, pikërisht këtu duhet kërkuar një pjesë e zgjidhjes për varësinë nga importet.

“Çdo fermer që do të shtojë numrin e viçave, qoftë për mish apo për qumësht, mund të ketë interes ekonomik. Kushtet janë, vetëm nevojitet interesimi dhe efektet do të jenë zinxhirore: fiton fermeri, ekonomia, por edhe qytetarët ushqehen me mish cilësor dhe të sigurt”, përfundon Salihu. /REL/

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

DioGuardi, Cloyes DioGuardi dhe Steven Powles vizitojnë Bibliotekën Kombëtare të Kosovës

Published

on

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Dr. Blerina Rogova Gaxha, ka pritur në takim ish-kongresmenin amerikan dhe themeluesin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane (AACL), Joseph J. DioGuardi, këshilltaren për çështjet e Ballkanit në këtë organizatë, Shirley Cloyes DioGuardi, si dhe juristin britanik Steven Powles KC, specialist i së drejtës penale ndërkombëtare, krimeve të luftës dhe të drejtave të njeriut.

Sipas Bibliotekës Kombëtare, takimi ishte një mundësi për të shprehur mirënjohje për kontributin shumëvjeçar të tyre në mbështetje të Kosovës dhe të drejtës së popullit të saj për liri, demokraci dhe pavarësi.

Joseph dhe Shirley DioGuardi, që nga themelimi i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane në vitin 1989, kanë luajtur rol në sensibilizimin e institucioneve amerikane dhe opinionit publik për çështjen e shqiptarëve të Kosovës.

Ndërkaq, Steven Powles KC kishte punuar në Kosovë në vitin 1999 me International Crisis Group, në kuadër të angazhimeve për hetimin e krimeve të luftës të kryera gjatë konfliktit.

Përmes angazhimit të tyre me Kongresin e Shteteve të Bashkuara, institucione të ndryshme dhe figura politike, ata kanë kontribuar në forcimin e vëmendjes ndërkombëtare ndaj çështjes së Kosovës.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës e ka vlerësuar takimin si një moment kujtese, nderimi dhe mirënjohjeje për personalitetet që, sipas saj, i kanë qëndruar pranë Kosovës në rrugëtimin drejt lirisë dhe pavarësisë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Rriten rastet me fruth në Kosovë: IKShPK bën thirrje urgjente për vaksinimin e fëmijëve

Published

on

By

Në Kosovë është shënuar një rritje e ndjeshme e rasteve me fruth, ku nga data 16 prill deri më 24 gusht 2026 janë regjistruar gjithsej 147 persona të prekur. Sipas të dhënave të fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKShPK), vetëm gjatë javës së fundit janë konfirmuar 10 raste të reja, ndërsa numri i përgjithshëm i të prekurve është dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Sipas shpërndarjes gjeografike, vatra më e madhe e infeksionit mbetet komuna e Prishtinës me 49 raste, e pasuar nga Fushë-Kosova me 35 raste dhe Ferizaj me 13 raste. Të prekura janë edhe komunat e Obiliqit (9 raste), Lipjanit (8), Kaçanikut (7), si dhe Vushtrria e Shtimja nga katër raste. Raste të izoluara janë raportuar gjithashtu në Skenderaj, Drenas, Gjilan, Gjakovë, Shtërpce, Deçan, Graçanicë, Mitrovicë, Podujevë, Suharekë dhe Viti.

Për përballimin e kësaj situate, ekipet e vaksinimit kanë intensifikuar punën në terren gjatë tri javëve të fundit, me fokus në komunat më të prekura. Si rezultat i këtij aksioni, janë vaksinuar me doza MMR gjithsej 504 fëmijë që kishin vonesa në marrjen e vaksinës sipas kalendarit të rregullt.

IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes ndaj simptomave të para si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë apo konjuktivit, dhe të paraqiten menjëherë në institucionet shëndetësore.

Për shkak të shkallës së lartë të infektueshmërisë dhe rrezikut nga komplikimet e rënda, autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje prindërve dhe kujdestarëve të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre. IKShPK rikujton se vaksinimi pranë Qendrave të Mjekësisë Familjare mbetet mënyra më e sigurt dhe më efektive për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara