Lajmet
Maqedonci: 12 Qershori, ndër datat më të rëndësishme në historinë tonë
Published
4 months agoon
By
UBTNewsMinistrin e Mbrojtjes i Kosovës flet në Podcastin e Media Grupit të UBT
Maqedonci: 12 Qershori, ndër datat më të rëndësishme në historinë tonë
12 Qershori, dita kur Kosova mori frymë lirisht. Një popull që dikur kërkonte ndihmë për të mbijetuar, sot ka ndërtuar institucionet e veta, ka ndërtuar shtetin e vet dhe, mbi të gjitha, ka ndërtuar një forcë që qëndron në mbrojtje të lirisë. Nga rruga e sakrificës drejt uniformës së FSK-së, nga lufta për ekzistencë te kontributi për paqe dhe siguri.
Sot, në këtë episod të veçantë, do të flasim për rrugëtimin e Kosovës pas çlirimit dhe për datën e rëndësishme të 12 Qershorit.
Ejup Maqedonci, ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës ka ndarë me ne emocionet e Ditës së Çlirimit.
UBT News: Ministër, mirë se erdhët.
Maqedonci: Mirë se ju gjej dhe faleminderit për ftesën.
UBT News: Çfarë përfaqëson për ju personalisht 12 Qershori, si ish-pjesëtar i UÇK-së, si qytetar dhe tani si Ministër i Mbrojtjes?
Maqedonci: Jo vetëm për mua, por besoj për të gjithë popullin e Kosovës dhe brezat e kaluar, përfaqëson atë përmbylljen e një ëndrre. Nuk ka qenë vetëm ëndërr e atyre që e përjetuan 12 Qershorin, çlirimin e Kosovës, por edhe e atyre që, fatkeqësisht, për shkak të rrethanave të ndryshme, nuk kanë arritur ta shijojnë ditën e çlirimit të vendit tonë, pas një periudhe të gjatë gjenocidi, dhune, maltretimesh edhe kufizimesh që kemi pasur si popull dhe si qytetarë, nga pushtuesi serb.
Pra, janë 100 vite deri në vitin 1999, kur u çlirua Kosova më 12 Qershor, kur populli ynë me të vërtetë ka përjetuar vetëm dhunë, ka përjetuar vetëm diskriminim dhe asnjëherë mundësi për të jetuar as të barabartë, e lëre më të lirë.
Prandaj, vlerësoj që 12 Qershori është ndër datat më të rëndësishme në historinë tonë, jo vetëm në historinë e Kosovës, por në historinë tonë kombëtare, sepse prej 1912, kur nuk u lejua që Kosova të jetë pjesë e asaj Shqipërie e cila shpalli pavarësinë, sepse pavarësia e Shqipërisë është shpallur për të gjitha trojet shqiptare, ne kemi jetuar nën dhunë të jashtëzakonshme dhe nën tentativën gjithmonë të okupatorit serb për të zhdukur popullin shqiptar të Kosovës.
Prandaj, të gjithë duhet ta vlerësojmë këtë datë.
Por, ajo datë normalisht nuk ka ardhur vetvetiu. Ka ardhur si rezultat i një sakrifice shumëvjeçare të brezave të tërë, duke filluar nga grupet ilegale, protestat, kryengritjet gjatë gjithë kohës që kemi pasur në Kosovë, e në fund edhe lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
UÇK ka hyrë në Prishtinë më 10 qershor, për ta mbrojtur popullatën
UBT News: Ministër, ku keni qenë në atë ditë kur u kuptua që është nënshkruar marrëveshja për përfundimin e luftës dhe çfarë keni pasur në mendje në atë moment?
Maqedonci: Në fakt, dy ditë para 12 Qershorit, më saktësisht më 10 Qershor, një pjesë e njësive të UÇK-së të Zonës Operative të Llapit patën marrë detyrë që të futen në Prishtinë, në mënyrë që të parandalohej ndonjë masakër e mundshme që trupat serbe mund të bënin para tërheqjes nga Prishtina, por gjithashtu edhe për të parandaluar plaçkitjen dhe dëmtimet e pronave të shqiptarëve të Kosovës.
Sepse ne ishim të vetëdijshëm dhe të informuar që ata në largim e sipër do të tentonin të bënin edhe masakra të tjera kundër popullatës civile, por edhe të plaçkisnin dhe të dëmtonin shtëpitë. Prandaj, kemi marrë urdhër në atë kohë nga komanda e Zonës Operative të Llapit, pra një pjesë e njësive, mes tyre kam pasur fatin të jem edhe unë, që të futemi në Prishtinë më 10 Qershor, dy ditë para ardhjes së trupave të NATO-s, dy ditë para çlirimit të Kosovës në tërësi. Kemi ngritur flamujt në dy pozicione të rëndësishme në Prishtinë, në Kodrën e Trimave, në shkollën fillore “Zenel Hajdini” dhe në rrugën e Bledit, në një kodër atje që është e mbushur me shtëpi, si shenjë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës është në Prishtinë. Ishim në uniforma dhe kishim vendosur pozicionet tona në mënyrë që të mos lejohej ndonjë masakër. Kanë qenë emocione të veçanta, sepse po takonim njerëz që ishin fshehur me muaj të tërë nëpër shtëpi në Prishtinë, nga frika se mund të vriteshin nga forcat serbe. Kur na panë ata kishin emocione, edhe ne kishim emocione që më në fund në Prishtinën tonë, në Kosovën tonë, po vinin ditë më të mira.
UBT News: A mund të flasim pak për rrugëtimin tuaj në UÇK, TMK dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës?
Maqedonci: Po, unë kam pasur fatin të njoh njerëz, sepse kyçja në UÇK nuk ka qenë e lehtë. Ka pasur shumë sfida, ndër sfida ka qenë që të duhej të njihje dikë, të të besonte dikush, të kishe lidhje për të qenë pjesë e UÇK-së. Jo gjithkush ka pasur rastin të bëhet pjesë e UÇK-së në fillet e saj. Unë kam pasur fatin që kontaktet e para me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës t’i vendos gjatë vitit 1996, pastaj jam angazhuar edhe në organizata të tjera që kanë pasur ndërlidhje me UÇK-në dhe me Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Kam qëndruar në Zvicër nga viti 1996 deri në vitin 1998 dhe më 18 mars 1998 jam kthyer si vullnetar nga Zvicra për t’iu bashkangjitur Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Aso kohe sapo kisha mbushur 20 vjeç.
Ëndrra ime e parë ishte vetëm të kaloja kufirin, të prekja tokën e Kosovës, dhe çfarëdo që të ndodhte më pas nuk kishte rëndësi. Më pas kjo ëndërr u shty përpara duke besuar se do ta çlirojmë vendin. Ushtrimet ushtarake i kemi kryer në Shqipëri, pjesën teorike e kam marrë nga Agim Ramadani, tashmë Hero i Kombit, kurse pjesën praktike nga Adem Shehu, oficer i Shqipërisë. Për herë të parë kam marrë armën në dorë në Shqipëri dhe kemi pasur trajnim intensiv dyjavor. Ishte periudhë e fillimit, menjëherë pas sulmit në Prekaz. Kishte konspiracion dhe ruheshim të mos njiheshim. Jemi paraqitur si grup sportistësh në Tiranë. Më pas kemi shkuar në veri të Shqipërisë, në fshatrat e Kukësit, prej nga kemi hyrë në Kosovë. Rruga ka qenë shumë e vështirë, ishte mars 1998, mot i ftohtë dhe Malet e Pashtrikut të mbuluara me borë. Kemi ecur rreth 12 orë duke humbur rrugën dhe pastaj kemi hyrë në territorin e Kosovës. Kemi lëvizur në shumë zona, deri në Prishtinë, duke filluar nga Doberdolani i Suharekës, Kishnareka e Drenicës dhe Qyqavica. Pastaj secili ka marrë detyrat e veta.
UBT News: Ministër, keni shërbyer në gjithë rrugëtimin e Ushtrisë së Kosovës. A është ajo aty ku e keni ëndërruar?
Maqedonci: Besoj që duhet ende punë për ta bërë një forcë e cila do të jetë e aftë të përballojë çdo kërcënim. Por, është përmbushje e ëndrrës sime dhe e shumë luftëtarëve të UÇK-së dhe dëshmorëve që sot nuk janë gjallë. Sot kemi një ushtri të trajnuar sipas standardeve të NATO-s, me oficerë dhe nënoficerë të edukuar në shkolla të NATO-s.
Kemi investuar në armatim, rreth 460 milionë euro në 4 vitet e fundit, dhe po investojmë edhe në infrastrukturë. Kjo tregon vullnetin e Qeverisë dhe të çdo pjesëtari të FSK-së për të arritur objektivat. Ushtria jonë është amanet i brezave dhe ne po e përmbushim këtë amanet. Kur përgatitesh për luftë, në fakt përgatitesh për ta shmangur luftën, sepse forca e dekurajon kundërshtarin.
UBT News: Pas gjithë këtij rrugëtimi ushtarak tani jeni Ministër i Mbrojtjes. Si qëndron Kosova sot në aspektin e sigurisë?
Maqedonci: Vlerësoj që vitet e fundit, me shtrirjen e sovranitetit në veri dhe në gjithë territorin, Kosova është më e qetë se më herët. Në vitin 2023 kemi pasur grupe të armatosura të mbështetura nga Serbia, por ato janë neutralizuar dhe dëbuar. Situata është më stabile. Po ashtu po zhvillojmë industrinë e mbrojtjes. Për herë të parë Kosova do të prodhojë municione “Made in Kosova” këtë vit, në dhjetor, nga një fabrikë shtetërore e Ministrisë së Mbrojtjes.
UBT News: A mund të flasim për ndonjë sfidë? Cilat janë sfidat më të mëdha të sigurisë me të cilat është duke u përballur Kosova ose mund të përballet në një të ardhme të afërt?
Maqedonci: Normalisht që, duke qenë pjesë e familjes së kombeve anekënd globit, ne gjithashtu i ekspozohemi edhe rreziqeve, edhe kërcënimeve që vijnë prej aspektit global. Jemi dëshmitarë që vitet e fundit ka ndryshim në ambientin global të sigurisë. Pra, kemi dy vatra lufte aktualisht që janë të nivelit global, që është lufta mes Rusisë dhe Ukrainës dhe lufta në Lindjen e Mesme.
Normalisht që këto luftëra, pavarësisht që na duken larg gjeografikisht, ato e afektojnë edhe sigurinë e vendit tonë, sepse kemi të bëjmë edhe me dy apo më shumë grupime shtetesh, të cilat kanë interesat e veta, siç janë Rusia, Kina dhe disa vende të tjera, duke përfshirë edhe Serbinë që e kemi fqinj, që promovojnë politika hegjemoniste. Pastaj kemi vende demokratike dhe vende të tjera.
Duke qenë që i kemi dy vatra lufte, vendi ynë është i përfshirë në këto dy vatra lufte. Ne po e mbështesim Ukrainën përmes trajnimit, përmes pakove mbështetëse ushtarake, por gjithashtu së fundmi e keni informacionin, sigurisht që jemi duke u përgatitur për të zbarkuar në Gaza për të mbështetur paqen në Lindjen e Mesme.
Mirëpo, te aspekti i sigurisë dhe kërcënimit direkt për Kosovën, kërcënimi i vetëm i madh konvencional, mund të themi, mbetet Serbia. Jo vetëm për shkak të militarizimit të saj, jo vetëm për shkak të politikës së saj militariste dhe blerëse të armatimeve, dhe vendosjes së ushtrisë afër kufirit tonë, por për shkak të politikës që vazhdon ta promovojë. Sepse, fundja, ushtria është një mjet i politikës. Kur ke një politikë hegjemoniste, siç e ka Serbia, paraqet rrezik për të tjerët.
Pra, gjithmonë ushtria është zbatuese e politikave shtetërore dhe rreziku e kërcënimi për Kosovën qëndron pikërisht në faktin që Serbia nuk e ka ndryshuar politikën hegjemoniste në raport jo vetëm me Kosovën, por edhe me të tjerët në Ballkan. Pra, promovon politikë dominuese, synon të dominojë rajonin, kurse vendet e tjera normalisht që bashkëpunojnë dhe synojnë ta mbrojnë vetveten.
Në këtë rast, Serbia është dhe mbetet kërcënuesi për shkak të politikës hegjemoniste, por edhe për shkak të armatosjes së saj me sisteme nga Kina dhe Rusia, që janë me të vërtetë sisteme të rrezikshme për sigurinë dhe që tregojnë qartë orientimin e Serbisë në raport me politikat ndërkombëtare. Sepse të gjitha vendet e rajonit janë të orientuara drejt integrimeve euroatlantike, kurse Serbia mbetet dhe vazhdon të bashkëpunojë me Rusinë dhe vendet autoritare që promovojnë politika hegjemoniste.
UBT News: Sa janë të përgatitura institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës për të gjitha këto sfida dhe zhvillime globale që i përmendët?
Maqedonci: Ne po investojmë, po përgatitim, po zhvillojmë kapacitetet e institucioneve tona të sigurisë, jo vetëm të Ushtrisë së Kosovës. Sot kemi një Agjenci Kosovare të Inteligjencës shumë profesionale, që është dëshmuar vitet e fundit, sidomos gjatë vitit të fundit.
Kemi qenë dëshmitarë të goditjes së rrjetit të spiunazhit serb në Kosovë, sepse spiunazhi është një element kyç i luftës hibride që një shtet mund ta aplikojë ndaj një shteti tjetër dhe që normalisht ka synim destabilizimin dhe përlyerjen e historisë. Mund të themi që kanë dashur ta bëjnë me UÇK-në këta spiunë, por edhe me akte të tjera të sabotazhit.
Kemi një polici që është duke u profesionalizuar çdo ditë e më shumë, e cila ka dëshmuar që është shumë profesionale, shumë kredibile, edhe në rastet kur kanë tentuar ta destabilizojnë Kosovën grupet e ndryshme terroriste, siç ishte sulmi në Banjskë, por edhe sulmi në Ibër-Lepenc.
Po ashtu kemi një ushtri që po e ndërtojmë me standarde të NATO-s, po e fuqizojmë me armatime të NATO-s dhe po e përgatisim për të qenë e gatshme për ta mbrojtur territorin e Kosovës.
Pra, kemi bërë shumë hapa. Nëse e krahasojmë atë periudhë kur e nisëm këtë intervistë, të Ditës së Çlirimit, dhe ku jemi sot, ne jemi krejt ndryshe. Kemi një ushtri që është shembull për gjithë rajonin dhe që është një ndër ushtritë që vlerësohet nga të gjitha vendet e NATO-s si ushtri shumë profesionale, si në kapacitetet njerëzore, ashtu edhe me sistemet e armatimeve.
Në zyrë i mbaj tri uniforma…
UBT News: Ne dhe gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, FSK-në e lidhim me krenari kombëtare. Sa përgjegjësi shtesë ju sjell ky fakt për institucionin?
Maqedonci: Kjo është me të vërtetë një përgjegjësi jashtëzakonisht e lartë. Edhe unë, si ministër i Mbrojtjes, duke qenë pjesë e uniformave tona, pra pjesë e madhe e atyre që kanë rrugëtuar nga UÇK-ja deri te FSK-ja, ndjej ndoshta përgjegjësi shumë më të lartë se çdo njeri tjetër që mund të ketë një pozitë të tillë dhe që nuk ka pasur fatin të jetë pjesë e ushtrive më herët.
Unë në zyrën time mbaj të varura në kornizë tri uniforma: uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Këto uniforma i kam pasur të veshura ditën e fundit, para se të bëhej transformimi i njërës në tjetrën.
Me këtë jo vetëm që i rikujtoj vetes se ku kam qenë dhe çfarë përgjegjësie kam në raport me Kosovën, por ua tregoj edhe ushtarëve, gjithashtu edhe atyre që vijnë në zyrë, se ky është rrugëtimi i ushtrisë sonë: nga një ushtri guerile, me shumë pak armatime e municione, por me shumë zemër dhe motiv, në një ushtri që po bëhet profesioniste, me më shumë armë, edukim dhe profesionalizëm.
UBT News: Në fakt, Kosova dikur priste ndihmë nga aleatët e vet, ndërkaq sot FSK kontribuon në mbështetje ndërkombëtare në kuadër të ruajtjes së paqes. E dimë që FSK-ja, siç e përmendët edhe më parë, do të kontribuojë në misionin ndërkombëtar në Gaza. Çfarë do të thotë ky hap për Kosovën?
Maqedonci: Për Kosovën vlerësoj që është një hap i jashtëzakonshëm për shumë arsye. Së pari, te fakti që ne po bëhemi nga një importues i sigurisë në eksportues të sigurisë. Një vend që ka pasur nevojë për siguri, që t’i afrohet nga të tjerët, po bëhemi një vend prej të cilit kërkohen ushtarë për të kontribuar për paqe dhe stabilitet.
Kjo tregon besim, së pari te partnerët tanë. Tregon që ne kemi arritur një stad zhvillimi dhe profesionalizmi. Tregon që qeveria dhe institucionet tona po respektohen nga aleatët tanë, por përveç që po respektohen, po trajtohen edhe si të barabartë në raport me kontributin.
Misioni në Gaza ka një veçanti, sepse është misioni i parë ku Kosova, Republika jonë dhe ushtria jonë marrin pjesë në kuadër të një operacioni të mandatuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Dihet që Kosova nuk është pjesë e OKB-së. Përmes këtij operacioni ne po marrim pjesë në një mision që pikërisht është mandatuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, pa qenë ende pjesë e OKB-së.
Përveç këtij aspekti politik dhe diplomatik, të paraqitjes dhe prezantimit të vendit tonë, këtë mision e shohim edhe si mundësi për të kontribuar për popullin e Gazës, për të kontribuar për paqe dhe siguri, për të ofruar mundësi humanitare për qytetarët atje dhe për të kontribuar normalisht për vendosjen e paqes afatgjatë.
Kjo është dëshmi që ne jemi duke ndërtuar institucione dhe shoqëri që po dalin përtej kufijve tanë në aspektin e kontributit. Për këtë jemi falënderues ndaj aleatëve tanë, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kanë kontribuar dhe janë mbështetësit kryesorë të fuqizimit dhe profesionalizimit të ushtrisë sonë.
UBT News: A mund të shpalosim më shumë detaje rreth këtij misioni, rreth këtij angazhimi tepër të rëndësishëm për Kosovën? Sa ushtarë do të dërgojë Kosova në misionin ndërkombëtar në Gaza?
Maqedonci: Po, aktualisht ne jemi në fazën e përgatitjeve të kontingjentit që do ta dërgojmë në Gaza. Kemi një numër të caktuar prej 22 pjesëtarëve, që do të jetë grupi i parë që do të dërgohet.
Në këtë grup, këta pjesëtarë janë të specializuar për shumë fusha. Do të dominojë fusha e deminimit, pra çminimit dhe largimit të mjeteve të pashpërthyera. Kemi edhe oficerë të operacioneve speciale që do të jenë pjesë e shtabit qendror të forcës ndërkombëtare stabilizuese. Do të kemi ekip mjekësor dhe oficerë planifikues që do të qëndrojnë në shtab.
Pra, është një kontingjent ushtarak i kombinuar, i përbërë nga 22 ushtarë, të cilët do të vendosen në Gaza si pjesë e këtij misioni jashtëzakonisht të rëndësishëm.
UBT News: Sa është e rëndësishme për Kosovën që realisht të shihet si kontribuuese e sigurisë globale dhe jo vetëm si përfituese e saj?
Maqedonci: Rëndësia e kësaj është për faktin që ne do të përcjellim dhe po përcjellim mesazh te vendet mosnjohëse se njohja e Kosovës nënkupton edhe njohjen e kontributit të saj për paqe dhe siguri.
Duke qenë pjesë e këtyre misioneve, na mundësohet që ta prezantojmë vendin tonë. Po marr një shembull: në vitin 2021 kemi pasur një ekip bashkë me Gardën Kombëtare të Iova-s, i cili ka qenë i vendosur në Kuvajt për një operacion paqeruajtës në atë periudhë.
Flamuri ynë ka valuar atje për pothuajse një vit bashkë me flamujt e vendeve të tjera, pavarësisht që ka pasur shumë vende që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Pra, ne po promovojmë vendin tonë, po promovojmë vlerat e qytetarëve tanë, po e zhbëjmë dhe po e godasim propagandën e Serbisë që ne jemi faktor destabilizues dhe po dëshmojmë që Kosova, përveç që është faktor stabilizues në rajon, është faktor stabilizues dhe ofrues i sigurisë edhe jashtë rajonit të Ballkanit Perëndimor.
UBT News: Pra, kjo e forcon pozitën e Kosovës ndërkombëtarisht?
Macedonci: Po, patjetër.
UBT News: Një mesazh që do t’ua jepnit familjeve të dëshmorëve në këtë datë të rëndësishme, në këtë 12 Qershor?
Maqedonci: Nderi dhe respekti do të jenë të përhershme për të gjithë ata dëshmorë që dhanë jetën e tyre për lirinë e Kosovës. Ne jemi të përkushtuar dhe të vendosur që atë amanet ta përkthejmë në punë në baza ditore për ndërtimin e shoqërisë dhe për fuqizimin e saj.
Pra, do të fuqizojmë një ushtri që në të ardhmen të mos kemi nevojë për dëshmorë që do të japin jetën për liri.
UBT NEWS: Në gjeneratat e reja, gjatë mësimit të historisë për luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e dimë që shumë pjesëtarë të kësaj ushtrie janë vrarë duke sjellë edhe armatim. Këtë vit, siç e përmendët edhe më parë, në bashkëpunim me aleatët, Kosova do të fillojë edhe prodhimin e armatimit. Çfarë do të thotë kjo për ushtrinë dhe vendin tonë?
Maqedonci: Unë vlerësoj që me fillimin e zhvillimit të industrisë së mbrojtjes, pra prodhimit të armatimeve, ne po i japim një tjetër rëndësi strategjike Kosovës në raportet ndërkombëtare dhe në aspektin ushtarak.
Po fillojmë të prodhojmë municione dhe armë që do të përdoren nga ushtria, policia dhe institucionet tona të sigurisë, pa pasur nevojë t’i blejmë ato nga jashtë.
Po ashtu, po i japim mundësi Kosovës që të kalojë në një dimension tjetër të zhvillimit të saj, duke u bërë edhe eksportuese e armëve dhe municioneve.
E thashë, në dhjetor do të fillohet me prodhimin e municioneve, por ka edhe shumë projekte për të cilat jemi duke diskutuar dhe do t’i shohim të jetësuara në vitet në vazhdim, projekte që me të vërtetë e vendosin Kosovën në një dimension krejt tjetër të zhvillimit të saj.
UBT News: Ndodhemi në ambientet e një institucioni të arsimit, i cili pret mijëra e mijëra studentë kosovarë që ndjekin ëndrrat e tyre. Çfarë do të donit që gjeneratat e reja të kuptojnë sot për lirinë?
Maqedonci: Liria normalisht që është e shenjtë. Liria është diçka që nuk duhet të humbet me asnjë çmim. Për lirinë secili prej nesh e ka obligim të punojë, të mësojë, të përgatitet dhe, nëse është nevoja, edhe të sakrifikojë, sepse çdo gjë tjetër nuk ka rëndësi nëse nuk je i lirë.
UBT News: Ku e shihni Ushtrinë e Kosovës pas 10 vitesh?
Maqedonci: Vlerësoj që Ushtria e Kosovës pas 10 vitesh do të vazhdojë të zhvillohet, të fuqizohet dhe të modernizohet. Kosova do të jetë pjesë e NATO-s, ndërsa Ushtria e Kosovës do të jetë pjesë e operacioneve dhe misioneve të NATO-s nëpër botë.
Vlerësoj që 12 Qershori është ndër datat më të rëndësishme në historinë tonë, jo vetëm në historinë e Kosovës, por në historinë tonë kombëtare, sepse prej 1912, kur nuk u lejua që Kosova të jetë pjesë e asaj Shqipërie e cila shpalli pavarësinë, sepse pavarësia e Shqipërisë është shpallur për të gjitha trojet shqiptare, ne kemi jetuar nën dhunë të jashtëzakonshme dhe nën tentativën gjithmonë të okupatorit serb për të zhdukur popullin shqiptar të Kosovës: Ejup Maqedonci
You may like
Lajmet
REL: Gjykata Speciale hap një tjetër përplasje me aleatët
Published
41 minutes agoon
October 16, 2026
Aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale hapën një tjetër front mosmarrëveshjesh mes politikës kosovare dhe aleatëve perëndimorë.
Këtë herë, përplasjet nuk kufizohen te Qeveria e Albin Kurtit.
Partia Demokratike e Kosovës, e cila për vite e kritikoi kryeministrin për tensionet me partnerët ndërkombëtarë, tani kundërshton publikisht qëndrimet e diplomatëve perëndimorë dhe vlerësimin e Bashkimit Evropian se ndryshimet ligjore bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.
Analistët dallojnë në vlerësimet nëse politika kosovare po bëhet më e gatshme t’i kundërshtojë qëndrimet e aleatëve perëndimorë.
Daniel Serwer, nga Universiteti Johns Hopkins në Uashington, sheh një prirje të tillë, të cilën e lidh me përpjekjet në rritje për të afirmuar sovranitetin e Kosovës.
“Po, mendoj se kjo po bëhet politikisht më e pranueshme, e nxitur nga një interesim gjithnjë e më i madh për të pohuar sovranitetin”, thotë Serwer për Radion Evropa e Lirë.
Ai i sheh mosmarrëveshjet për Gjykatën Speciale në një kontekst më të gjerë, ku përfshin edhe përplasjet e mëhershme të Qeverisë Kurti me aleatët lidhur me veriun e Kosovës.
“Sipas mendimit tim, PDK-ja ka arsye të mira për ta sfiduar Gjykatën Speciale. Nuk është e habitshme që po e bën këtë – së bashku me Vetëvendosjen”, thotë ai.
Por, Lulzim Peci, drejtor i Institutit për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), nuk i sheh kundërshtimet publike të përfaqësuesve të PDK-së si dëshmi të ndryshimit të orientimit të politikës së jashtme të Kosovës.
Sipas tij, përgjegjësinë për këtë politikë e ka Qeveria, ndërsa deklaratat e një partie opozitare nuk përbëjnë qëndrim zyrtar të shtetit.
“Derisa Qeveria nuk merr hapa konkretë për zbatimin e ligjit, situata do të mbetet në pikën e përplasjes verbale. Në momentin kur Qeveria ndërmerr veprime për zbatimin e ligjit, ky do të jetë një hap drejt përplasjes”, thotë Peci për Radion Evropa e Lirë.
Çfarë i nxiti mosmarrëveshjet e reja?
Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara në Hagë – të njohura si Gjykata Speciale – shpallën fajtorë për krime lufte Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, duke i dënuar me burgim nga 13 deri në 25 vjet.
Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.
Shtetet e Bashkuara kërkuan respektimin e tij dhe shmangien e retorikës nxitëse, ndërsa Bashkimi Evropian bëri thirrje për respektimin e pavarësisë së gjykatës.
Kryeministri Kurti e cilësoi aktgjykimin si “padrejtësi të papranueshme”, por reagimet më të drejtpërdrejta ndaj diplomatëve perëndimorë erdhën nga PDK-ja, e cila ishte në pushtet kur u krijuan kushtet për themelimin e gjykatës në vitin 2015.
Kryetari i saj, Bedri Hamza, u kërkoi ambasadorëve të vendeve aleate të kontribuojnë në, siç tha ai, pasqyrimin e drejtë të situatës.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, shkoi më tej, duke kritikuar direkt ambasadorin britanik, Jonathan Hargreaves, pasi ai theksoi se dënimet në Hagë lidhen me përgjegjësinë penale individuale.
“Mos na qitni hi syve”, shkroi Çitaku në rrjetet sociale, duke pretenduar se UÇK-ja ishte cilësuar si ndërmarrje e përbashkët kriminale dhe se aktgjykimi nuk mund të reduktohej në përgjegjësinë e katër individëve.
Trupi gjykues konstatoi pjesëmarrjen e katër të akuzuarve në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, por theksoi se procesi nuk kishte të bënte me legjitimitetin e UÇK-së apo synimin e saj për pavarësinë e Kosovës.
Përplasjet u thelluan pas 6 tetorit, kur Kuvendi miratoi ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të iniciuara nga PDK-ja.
Ndryshimet parashohin, ndër të tjera, kufizimin e juridiksionit të gjykatës, dënim maksimal prej 15 vjetësh burgim dhe mundësinë e vuajtjes së dënimeve në Kosovë.
Bashkimi Evropian deklaroi se ligji bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe kërkoi respektimin e mandatit dhe pavarësisë së gjykatës, si dhe garantimin e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre.
Por, deputeti i PDK-së dhe iniciuesi i ndryshimeve, Përparim Gruda, e kundërshtoi këtë vlerësim.
“Jemi të bindur që ky ligj nuk e shkel asnjë obligim që Kosova e ka marrë dhe jemi ballëhapur para bashkësisë ndërkombëtare”, deklaroi ai më 7 tetor.
Çitaku tha se “është normale” që me aleatët të ketë mospajtime.
“Është shumë e rëndësishme të diskutojmë”, tha ajo.
Nga përplasjet për veriun te Gjykata Speciale
Mospajtimet me aleatët perëndimorë, që luajtën rol vendimtar në çlirimin e Kosovës dhe mbështetën shtetndërtimin e saj, nuk janë të reja për Qeverinë Kurti.
Në vitet e fundit, ato u përqendruan kryesisht te veprimet e institucioneve të Kosovës në veriun me shumicë serbe – përfshirë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale në vitin 2023 dhe mbylljen e institucioneve të mbështetura nga Serbia.
Qeveria i arsyetoi këto veprime me ushtrimin e sovranitetit dhe shtrirjen e sundimit të ligjit, ndërsa partnerët perëndimorë kritikuan mungesën e koordinimit dhe rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve.
Vetë Kurti këmbëngulte se marrëdhëniet me aleatë nuk nënkuptojnë pajtim për çdo çështje.
Por, mosmarrëveshjet shkuan përtej shkëmbimit të deklaratave, duke sjellë edhe pasoja diplomatike.
Në vitin 2023, Bashkimi Evropian vendosi masa ndaj Kosovës, duke pezulluar vizitat e nivelit të lartë dhe pjesë të bashkëpunimit financiar.
Vitin e kaluar, SHBA-ja pezulloi nisjen e Dialogut Strategjik me Kosovën.
PDK-ja ishte ndër partitë që kritikuan zëshëm Qeverinë Kurti për, siç thuhej, dëmtimin e marrëdhënieve me aleatët.
Mes kundërshtimit dhe ruajtjes së raporteve me aleatët
Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, zëvendëskryetar i parë i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, thotë se reagimet e fundit të partisë së tij duhet të mirëkuptohen.
Ai kujton se partnerët perëndimorë kishin mbështetur themelimin e Dhomave të Specializuara më 2015 dhe, sipas tij, duhet të tregojnë mirëkuptim edhe për ndryshimet e tanishme në ligj.
“Nëse atëherë është mbështetur dhe përkrahur, do të duhej edhe tash të ketë përkrahje dhe mbështetje”, thotë Reçica për Radion Evropa e Lirë.
Megjithatë, ai thekson rëndësinë e ruajtjes së komunikimit të kujdesshëm dhe institucional me partnerët ndërkombëtarë.
“Ne, si çdoherë, rreth situatave që kanë qenë po aq të komplikuara, mbase edhe më të komplikuara, e kemi ruajtur gjakftohtësinë dhe komunikimin. Do të duhej të rikthehemi pikërisht tek ajo formë dhe mënyrë e komunikimit”, thotë ai.
Lutfi Haziri, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se përplasjet e viteve të fundit tani po marrin një dimension tjetër, me përfshirjen e PDK-së.
“Dhomat e Specializuara e kanë nxjerrë në sipërfaqe këtë raport edhe me PDK-në. Pak a shumë është zgjerim i këtyre raporteve të kushtëzuara”, thotë Haziri për Radion Evropa e Lirë.
Ai paralajmëron se vazhdimi i përplasjeve mund të nxisë kërkesa të tjera politike, deri te zhbërja e Dhomave të Specializuara.
Sipas tij, Kosova duhet të shmangë përplasjet verbale dhe të rikthejë mirëbesimin me aleatët, ndërsa edhe BE-ja t’i trajtojë shqetësimet për funksionimin e gjykatës.
Për deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, përplasjet e tanishme janë pasojë e vendimeve të vitit 2015, kur partia e saj kishte kundërshtuar themelimin e Dhomave të Specializuara.
“Atëherë ne e kemi përballuar presionin. Edhe tash e përballojmë. Tash, le ta bëjë luftën PDK-ja. Le t’i bëjnë ballë presionit institucionet shtetërore”, thotë Kadrijaj.
A mund të ketë pasoja për Kosovën?
Të mërkurën, më 15 tetor, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ia përcolli presidentes Justina Shiroka Pula për dekretim ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Presidentja ka tetë ditë kohë për të vepruar.
Por, mbetet e paqartë se si do të ndikojnë ndryshimet ligjore në funksionimin e gjykatës dhe në marrëdhëniet e Kosovës me partnerët perëndimorë.
Për Pecin, rreziku kryesor nuk qëndron te deklaratat e politikanëve, por te mundësia që mosmarrëveshjet të shndërrohen në përplasje institucionale.
Dhomat e Specializuara funksionojnë brenda sistemit juridik të Kosovës, ndërsa mandati dhe pavarësia e tyre mbështeten edhe në dispozitat kushtetuese dhe në detyrimet ndërkombëtare të vendit.
Sipas Pecit, nëse institucionet e Kosovës ndërmarrin hapa për zbatimin e dispozitave që kufizojnë kompetencat e gjykatës, mosmarrëveshjet me Bashkimin Evropian mund të thellohen.
Një tjetër pikë e mundshme përplasjeje, sipas tij, është kërkesa eventuale që personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara t’i vuajnë dënimet në Kosovë.
Një ditë më herët, më 14 tetor, Qeveria themeloi edhe një grup punues për hartimin dhe koordinimin e një strategjie shtetërore për procedurat e apelit në Hagë, me synim bashkërendimin e mbështetjes juridike, institucionale dhe diplomatike.
Megjithatë, krijimi i këtij grupi nuk nënkupton vetvetiu zbatimin e ndryshimeve ligjore që kundërshtohen nga BE-ja.
Qeveria nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me mosmarrëveshjet me partnerët perëndimorë.
Peci vlerëson se një moment tjetër vendimtar për zhvillimin e këtyre raporteve mund të jetë rezultati i apelit për katër ish-drejtuesit e UÇK-së.
“Nëse aktvendimi do të jetë lirues, kjo çështje mbyllet me kaq. Por, nëse nuk është lirues, atëherë do të fillojë përplasja edhe më e madhe”, thotë ai.
Serwer, në anë tjetër, thekson rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve të Kosovës me BE-në dhe NATO-n, veçanërisht për pozitën e saj ndërkombëtare dhe sigurinë.
“Kosova duhet të sigurojë që marrëdhëniet e saj me BE-në dhe NATO-n të mbeten të forta. Kjo është e vështirë kur Prishtina këmbëngul në pohimin e sovranitetit të saj, por konsultimet dhe koordinimi mund të shmangin shumë nga kurthet dhe problemet e mundshme”, thotë ai.
Për momentin, BE-ja nuk ka të paralajmëruar ndonjë masë konkrete ndaj Kosovës për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Megjithatë, kundërshtimet e saj u shoqëruan me paralajmërime për rëndësinë e respektimit të sundimit të ligjit në procesin e integrimit evropian.
“Mesazhi im është shumë i thjeshtë. Zgjerimi evropian po ecën përpara. Nëse vendet kandidate bëjnë hapa prapa, ato nuk janë në rrugën e duhur dhe nuk do të mund të bëhen anëtare të BE-së”, tha komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, më 12 tetor.
Burimi: Bekim Bislimi, gazetar i Radios Evropa e Lirë në Prishtinë.
Lajmet
Rama për protestat: Motra dhe vëllezër, durim! Durim, se edhe kjo do të kalojë
Published
2 hours agoon
October 16, 2026
Kryeministri shqiptar, Edi Rama përmes një video i ka bërë thirrje qytetarëve për durim dhe qëndresë përballë protestave të shoqëruara me akte dhune, duke kundërshtuar çdo ide për të bërë lëshime në këmbim të qetësisë.
“Motra dhe vëllezër, durim! Durim, se edhe kjo do të kalojë! Durim, se pasi kjo të kalojë do të dalim, siç kemi dalë nga sprovat e tjera, më të fortë dhe më të vetëdijshëm për sfidën e përbashkët që kemi përpara”, tha Rama.
Kryeministri theksoi që përparimi i Shqipërisë dhe i Tiranës është rezultat i punës këmbëngulëse dhe jo i rastësisë.
“Mos harroni se e kemi sjellë Shqipërinë deri këtu, e kemi sjellë Tiranën deri këtu, dhe këtë nuk e ka sjellë as koha, nuk e kanë sjellë as rrethanat apo rastësia. Këtë e ka sjellë një punë këmbëngulëse për të ecur përpara. Dhe kush thotë ‘le të përkulemi përballë dhunës për pak qetësi’, gabon. Gabon, sepse të përkulesh përballë dhunës për pak qetësi, do të thotë ta humbësh qetësinë dhe ta humbësh rrugën për një kohë të gjatë. Ka qenë Shqipëria e përkulur përballë dhunës për pak qetësi dhe e dimë të gjithë se nuk ka arritur asgjë”, ka thënë Rama.
Burimi: Kosovapress
Lajmet
Miratimi i Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave, BE: Kosova një hap para drejt anëtarësimit në SEPA
Published
2 hours agoon
October 16, 2026
Bashkimi Evropian në Kosovë ka reaguar pas miratimit të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave në lexim të dytë nga Kuvendi i Kosovës.
Në njoftimin e BE-së thuhet se me këtë Kosova shënon një hap para drejt anëtarësimit në SEPA.
“Me miratimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave në lexim të dytë nga Kuvendi dje, Kosova ka bërë një hap tjetër drejt anëtarësimit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe integrimit gradual në Tregun e Përbashkët të BE-së”, tha Ambasadori i BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel.
“Ky është një lajm i mirë! Pasi Kosova të anëtarësohet në SEPA, pagesat dhe transferet e parave drejt dhe nga vendet e zonës SEPA do të bëhen më të lehta, më të shpejta dhe më të lira, duke u kursyer bizneseve dhe qytetarëve kohë dhe para”.
Burimi: Ekonomia Online
Një person ka sulmuar nënën e tij në Lipjan.
Sipas Policisë së Kosovës, “është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar-me probleme psikike, pasi që kishte sulmuar fizikisht nënën e tij”.
Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
REL: Gjykata Speciale hap një tjetër përplasje me aleatët
Rama për protestat: Motra dhe vëllezër, durim! Durim, se edhe kjo do të kalojë
Zelensky vs Trump në qendër të vëmendjes, BE-ja pritet të rreshtohet pas Ukrainës
Miratimi i Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave, BE: Kosova një hap para drejt anëtarësimit në SEPA
Sulmon nënën – arrestohet
Narkotikë në oborrin e QKUK
Një person i zhdukur në Fushë Kosovë
Zyrtarët policorë kanosen në Viti e në Gjakovë
Gjenden 84 fishekë te një person në Aeroportin e Prishtinës
Të kërkuara
-
Lajmet2 months agoInfantino kërkon falje për gabimet, por ruan mbështetjen e drejtuesve të FIFA-s
-
Sport2 months agoUellsi tërheq mbështetjen për Infantinon, kërkon ndryshim në krye të FIFA-s
-
Aktualitet2 months agoRusia sulmon Ukrainën me raketa balistike dhe dronë: Të paktën 14 të vrarë në Kjiv
-
Lajmet2 months ago“Spider-Man: Brand New Day” thyen rekorde, i afrohet miliardit në vetëm pak ditë
