Lajmet

Maqedonci: 12 Qershori, ndër datat më të rëndësishme në historinë tonë

Published

on

Ministrin e Mbrojtjes i Kosovës flet në Podcastin e Media Grupit të UBT

 Maqedonci: 12 Qershori, ndër datat më të rëndësishme në historinë tonë

 12 Qershori, dita kur Kosova mori frymë lirisht. Një popull që dikur kërkonte ndihmë për të mbijetuar, sot ka ndërtuar institucionet e veta, ka ndërtuar shtetin e vet dhe, mbi të gjitha, ka ndërtuar një forcë që qëndron në mbrojtje të lirisë. Nga rruga e sakrificës drejt uniformës së FSK-së, nga lufta për ekzistencë te kontributi për paqe dhe siguri.

Sot, në këtë episod të veçantë, do të flasim për rrugëtimin e Kosovës pas çlirimit dhe për datën e rëndësishme të 12 Qershorit.

Ejup Maqedonci, ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës ka ndarë me ne emocionet e Ditës së Çlirimit.

UBT News: Ministër, mirë se erdhët.

Maqedonci: Mirë se ju gjej dhe faleminderit për ftesën.

UBT News: Çfarë përfaqëson për ju personalisht 12 Qershori, si ish-pjesëtar i UÇK-së, si qytetar dhe tani si Ministër i Mbrojtjes?

Maqedonci: Jo vetëm për mua, por besoj për të gjithë popullin e Kosovës dhe brezat e kaluar, përfaqëson atë përmbylljen e një ëndrre. Nuk ka qenë vetëm ëndërr e atyre që e përjetuan 12 Qershorin, çlirimin e Kosovës, por edhe e atyre që, fatkeqësisht, për shkak të rrethanave të ndryshme, nuk kanë arritur ta shijojnë ditën e çlirimit të vendit tonë, pas një periudhe të gjatë gjenocidi, dhune, maltretimesh edhe kufizimesh që kemi pasur si popull dhe si qytetarë, nga pushtuesi serb.

Pra, janë 100 vite deri në vitin 1999, kur u çlirua Kosova më 12 Qershor, kur populli ynë me të vërtetë ka përjetuar vetëm dhunë, ka përjetuar vetëm diskriminim dhe asnjëherë mundësi për të jetuar as të barabartë, e lëre më të lirë.

Prandaj, vlerësoj që 12 Qershori është ndër datat më të rëndësishme në historinë tonë, jo vetëm në historinë e Kosovës, por në historinë tonë kombëtare, sepse prej 1912, kur nuk u lejua që Kosova të jetë pjesë e asaj Shqipërie e cila shpalli pavarësinë, sepse pavarësia e Shqipërisë është shpallur për të gjitha trojet shqiptare, ne kemi jetuar nën dhunë të jashtëzakonshme dhe nën tentativën gjithmonë të okupatorit serb për të zhdukur popullin shqiptar të Kosovës.

Prandaj, të gjithë duhet ta vlerësojmë këtë datë.

Por, ajo datë normalisht nuk ka ardhur vetvetiu. Ka ardhur si rezultat i një sakrifice shumëvjeçare të brezave të tërë, duke filluar nga grupet ilegale, protestat, kryengritjet gjatë gjithë kohës që kemi pasur në Kosovë, e në fund edhe lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

UÇK ka hyrë në Prishtinë më 10 qershor, për ta mbrojtur popullatën

UBT News: Ministër, ku keni qenë në atë ditë kur u kuptua që është nënshkruar marrëveshja për përfundimin e luftës dhe çfarë keni pasur në mendje në atë moment?

Maqedonci: Në fakt, dy ditë para 12 Qershorit, më saktësisht më 10 Qershor, një pjesë e njësive të UÇK-së të Zonës Operative të Llapit patën marrë detyrë që të futen në Prishtinë, në mënyrë që të parandalohej ndonjë masakër e mundshme që trupat serbe mund të bënin para tërheqjes nga Prishtina, por gjithashtu edhe për të parandaluar plaçkitjen dhe dëmtimet e pronave të shqiptarëve të Kosovës.

Sepse ne ishim të vetëdijshëm dhe të informuar që ata në largim e sipër do të tentonin të bënin edhe masakra të tjera kundër popullatës civile, por edhe të plaçkisnin dhe të dëmtonin shtëpitë. Prandaj, kemi marrë urdhër në atë kohë nga komanda e Zonës Operative të Llapit, pra një pjesë e njësive, mes tyre kam pasur fatin të jem edhe unë, që të futemi në Prishtinë më 10 Qershor, dy ditë para ardhjes së trupave të NATO-s, dy ditë para çlirimit të Kosovës në tërësi. Kemi ngritur flamujt në dy pozicione të rëndësishme në Prishtinë, në Kodrën e Trimave, në shkollën fillore “Zenel Hajdini” dhe në rrugën e Bledit, në një kodër atje që është e mbushur me shtëpi, si shenjë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës është në Prishtinë. Ishim në uniforma dhe kishim vendosur pozicionet tona në mënyrë që të mos lejohej ndonjë masakër. Kanë qenë emocione të veçanta, sepse po takonim njerëz që ishin fshehur me muaj të tërë nëpër shtëpi në Prishtinë, nga frika se mund të vriteshin nga forcat serbe. Kur na panë ata kishin emocione, edhe ne kishim emocione që më në fund në Prishtinën tonë, në Kosovën tonë, po vinin ditë më të mira.

UBT News: A mund të flasim pak për rrugëtimin tuaj në UÇK, TMK dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës?

Maqedonci: Po, unë kam pasur fatin të njoh njerëz, sepse kyçja në UÇK nuk ka qenë e lehtë. Ka pasur shumë sfida, ndër sfida ka qenë që të duhej të njihje dikë, të të besonte dikush, të kishe lidhje për të qenë pjesë e UÇK-së. Jo gjithkush ka pasur rastin të bëhet pjesë e UÇK-së në fillet e saj. Unë kam pasur fatin që kontaktet e para me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës t’i vendos gjatë vitit 1996, pastaj jam angazhuar edhe në organizata të tjera që kanë pasur ndërlidhje me UÇK-në dhe me Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Kam qëndruar në Zvicër nga viti 1996 deri në vitin 1998 dhe më 18 mars 1998 jam kthyer si vullnetar nga Zvicra për t’iu bashkangjitur Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Aso kohe sapo kisha mbushur 20 vjeç.

Ëndrra ime e parë ishte vetëm të kaloja kufirin, të prekja tokën e Kosovës, dhe çfarëdo që të ndodhte më pas nuk kishte rëndësi. Më pas kjo ëndërr u shty përpara duke besuar se do ta çlirojmë vendin. Ushtrimet ushtarake i kemi kryer në Shqipëri, pjesën teorike e kam marrë nga Agim Ramadani, tashmë Hero i Kombit, kurse pjesën praktike nga Adem Shehu, oficer i Shqipërisë. Për herë të parë kam marrë armën në dorë në Shqipëri dhe kemi pasur trajnim intensiv dyjavor. Ishte periudhë e fillimit, menjëherë pas sulmit në Prekaz. Kishte konspiracion dhe ruheshim të mos njiheshim. Jemi paraqitur si grup sportistësh në Tiranë. Më pas kemi shkuar në veri të Shqipërisë, në fshatrat e Kukësit, prej nga kemi hyrë në Kosovë. Rruga ka qenë shumë e vështirë, ishte mars 1998, mot i ftohtë dhe Malet e Pashtrikut të mbuluara me borë. Kemi ecur rreth 12 orë duke humbur rrugën dhe pastaj kemi hyrë në territorin e Kosovës. Kemi lëvizur në shumë zona, deri në Prishtinë, duke filluar nga Doberdolani i Suharekës, Kishnareka e Drenicës dhe Qyqavica. Pastaj secili ka marrë detyrat e veta.

UBT News: Ministër, keni shërbyer në gjithë rrugëtimin e Ushtrisë së Kosovës. A është ajo aty ku e keni ëndërruar?

Maqedonci: Besoj që duhet ende punë për ta bërë një forcë e cila do të jetë e aftë të përballojë çdo kërcënim. Por, është përmbushje e ëndrrës sime dhe e shumë luftëtarëve të UÇK-së dhe dëshmorëve që sot nuk janë gjallë. Sot kemi një ushtri të trajnuar sipas standardeve të NATO-s, me oficerë dhe nënoficerë të edukuar në shkolla të NATO-s.

Kemi investuar në armatim, rreth 460 milionë euro në 4 vitet e fundit, dhe po investojmë edhe në infrastrukturë. Kjo tregon vullnetin e Qeverisë dhe të çdo pjesëtari të FSK-së për të arritur objektivat. Ushtria jonë është amanet i brezave dhe ne po e përmbushim këtë amanet. Kur përgatitesh për luftë, në fakt përgatitesh për ta shmangur luftën, sepse forca e dekurajon kundërshtarin.

UBT News: Pas gjithë këtij rrugëtimi ushtarak tani jeni Ministër i Mbrojtjes. Si qëndron Kosova sot në aspektin e sigurisë?

Maqedonci: Vlerësoj që vitet e fundit, me shtrirjen e sovranitetit në veri dhe në gjithë territorin, Kosova është më e qetë se më herët. Në vitin 2023 kemi pasur grupe të armatosura të mbështetura nga Serbia, por ato janë neutralizuar dhe dëbuar. Situata është më stabile. Po ashtu po zhvillojmë industrinë e mbrojtjes. Për herë të parë Kosova do të prodhojë municione “Made in Kosova” këtë vit, në dhjetor, nga një fabrikë shtetërore e Ministrisë së Mbrojtjes.

UBT News: A mund të flasim për ndonjë sfidë? Cilat janë sfidat më të mëdha të sigurisë me të cilat është duke u përballur Kosova ose mund të përballet në një të ardhme të afërt?

Maqedonci: Normalisht që, duke qenë pjesë e familjes së kombeve anekënd globit, ne gjithashtu i ekspozohemi edhe rreziqeve, edhe kërcënimeve që vijnë prej aspektit global. Jemi dëshmitarë që vitet e fundit ka ndryshim në ambientin global të sigurisë. Pra, kemi dy vatra lufte aktualisht që janë të nivelit global, që është lufta mes Rusisë dhe Ukrainës dhe lufta në Lindjen e Mesme.

Normalisht që këto luftëra, pavarësisht që na duken larg gjeografikisht, ato e afektojnë edhe sigurinë e vendit tonë, sepse kemi të bëjmë edhe me dy apo më shumë grupime shtetesh, të cilat kanë interesat e veta, siç janë Rusia, Kina dhe disa vende të tjera, duke përfshirë edhe Serbinë që e kemi fqinj, që promovojnë politika hegjemoniste. Pastaj kemi vende demokratike dhe vende të tjera.

Duke qenë që i kemi dy vatra lufte, vendi ynë është i përfshirë në këto dy vatra lufte. Ne po e mbështesim Ukrainën përmes trajnimit, përmes pakove mbështetëse ushtarake, por gjithashtu së fundmi e keni informacionin, sigurisht që jemi duke u përgatitur për të zbarkuar në Gaza për të mbështetur paqen në Lindjen e Mesme.

Mirëpo, te aspekti i sigurisë dhe kërcënimit direkt për Kosovën, kërcënimi i vetëm i madh konvencional, mund të themi, mbetet Serbia. Jo vetëm për shkak të militarizimit të saj, jo vetëm për shkak të politikës së saj militariste dhe blerëse të armatimeve, dhe vendosjes së ushtrisë afër kufirit tonë, por për shkak të politikës që vazhdon ta promovojë. Sepse, fundja, ushtria është një mjet i politikës. Kur ke një politikë hegjemoniste, siç e ka Serbia, paraqet rrezik për të tjerët.

Pra, gjithmonë ushtria është zbatuese e politikave shtetërore dhe rreziku e kërcënimi për Kosovën qëndron pikërisht në faktin që Serbia nuk e ka ndryshuar politikën hegjemoniste në raport jo vetëm me Kosovën, por edhe me të tjerët në Ballkan. Pra, promovon politikë dominuese, synon të dominojë rajonin, kurse vendet e tjera normalisht që bashkëpunojnë dhe synojnë ta mbrojnë vetveten.

Në këtë rast, Serbia është dhe mbetet kërcënuesi për shkak të politikës hegjemoniste, por edhe për shkak të armatosjes së saj me sisteme nga Kina dhe Rusia, që janë me të vërtetë sisteme të rrezikshme për sigurinë dhe që tregojnë qartë orientimin e Serbisë në raport me politikat ndërkombëtare. Sepse të gjitha vendet e rajonit janë të orientuara drejt integrimeve euroatlantike, kurse Serbia mbetet dhe vazhdon të bashkëpunojë me Rusinë dhe vendet autoritare që promovojnë politika hegjemoniste.

UBT News: Sa janë të përgatitura institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës për të gjitha këto sfida dhe zhvillime globale që i përmendët?

Maqedonci: Ne po investojmë, po përgatitim, po zhvillojmë kapacitetet e institucioneve tona të sigurisë, jo vetëm të Ushtrisë së Kosovës. Sot kemi një Agjenci Kosovare të Inteligjencës shumë profesionale, që është dëshmuar vitet e fundit, sidomos gjatë vitit të fundit.

Kemi qenë dëshmitarë të goditjes së rrjetit të spiunazhit serb në Kosovë, sepse spiunazhi është një element kyç i luftës hibride që një shtet mund ta aplikojë ndaj një shteti tjetër dhe që normalisht ka synim destabilizimin dhe përlyerjen e historisë. Mund të themi që kanë dashur ta bëjnë me UÇK-në këta spiunë, por edhe me akte të tjera të sabotazhit.

Kemi një polici që është duke u profesionalizuar çdo ditë e më shumë, e cila ka dëshmuar që është shumë profesionale, shumë kredibile, edhe në rastet kur kanë tentuar ta destabilizojnë Kosovën grupet e ndryshme terroriste, siç ishte sulmi në Banjskë, por edhe sulmi në Ibër-Lepenc.

Po ashtu kemi një ushtri që po e ndërtojmë me standarde të NATO-s, po e fuqizojmë me armatime të NATO-s dhe po e përgatisim për të qenë e gatshme për ta mbrojtur territorin e Kosovës.

Pra, kemi bërë shumë hapa. Nëse e krahasojmë atë periudhë kur e nisëm këtë intervistë, të Ditës së Çlirimit, dhe ku jemi sot, ne jemi krejt ndryshe. Kemi një ushtri që është shembull për gjithë rajonin dhe që është një ndër ushtritë që vlerësohet nga të gjitha vendet e NATO-s si ushtri shumë profesionale, si në kapacitetet njerëzore, ashtu edhe me sistemet e armatimeve.

 

Në zyrë i mbaj tri uniforma…

UBT News: Ne dhe gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, FSK-në e lidhim me krenari kombëtare. Sa përgjegjësi shtesë ju sjell ky fakt për institucionin?

Maqedonci: Kjo është me të vërtetë një përgjegjësi jashtëzakonisht e lartë. Edhe unë, si ministër i Mbrojtjes, duke qenë pjesë e uniformave tona, pra pjesë e madhe e atyre që kanë rrugëtuar nga UÇK-ja deri te FSK-ja, ndjej ndoshta përgjegjësi shumë më të lartë se çdo njeri tjetër që mund të ketë një pozitë të tillë dhe që nuk ka pasur fatin të jetë pjesë e ushtrive më herët.

Unë në zyrën time mbaj të varura në kornizë tri uniforma: uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Këto uniforma i kam pasur të veshura ditën e fundit, para se të bëhej transformimi i njërës në tjetrën.

Me këtë jo vetëm që i rikujtoj vetes se ku kam qenë dhe çfarë përgjegjësie kam në raport me Kosovën, por ua tregoj edhe ushtarëve, gjithashtu edhe atyre që vijnë në zyrë, se ky është rrugëtimi i ushtrisë sonë: nga një ushtri guerile, me shumë pak armatime e municione, por me shumë zemër dhe motiv, në një ushtri që po bëhet profesioniste, me më shumë armë, edukim dhe profesionalizëm.

UBT News: Në fakt, Kosova dikur priste ndihmë nga aleatët e vet, ndërkaq sot FSK kontribuon në mbështetje ndërkombëtare në kuadër të ruajtjes së paqes. E dimë që FSK-ja, siç e përmendët edhe më parë, do të kontribuojë në misionin ndërkombëtar në Gaza. Çfarë do të thotë ky hap për Kosovën?

Maqedonci: Për Kosovën vlerësoj që është një hap i jashtëzakonshëm për shumë arsye. Së pari, te fakti që ne po bëhemi nga një importues i sigurisë në eksportues të sigurisë. Një vend që ka pasur nevojë për siguri, që t’i afrohet nga të tjerët, po bëhemi një vend prej të cilit kërkohen ushtarë për të kontribuar për paqe dhe stabilitet.

Kjo tregon besim, së pari te partnerët tanë. Tregon që ne kemi arritur një stad zhvillimi dhe profesionalizmi. Tregon që qeveria dhe institucionet tona po respektohen nga aleatët tanë, por përveç që po respektohen, po trajtohen edhe si të barabartë në raport me kontributin.

Misioni në Gaza ka një veçanti, sepse është misioni i parë ku Kosova, Republika jonë dhe ushtria jonë marrin pjesë në kuadër të një operacioni të mandatuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Dihet që Kosova nuk është pjesë e OKB-së. Përmes këtij operacioni ne po marrim pjesë në një mision që pikërisht është mandatuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, pa qenë ende pjesë e OKB-së.

Përveç këtij aspekti politik dhe diplomatik, të paraqitjes dhe prezantimit të vendit tonë, këtë mision e shohim edhe si mundësi për të kontribuar për popullin e Gazës, për të kontribuar për paqe dhe siguri, për të ofruar mundësi humanitare për qytetarët atje dhe për të kontribuar normalisht për vendosjen e paqes afatgjatë.

Kjo është dëshmi që ne jemi duke ndërtuar institucione dhe shoqëri që po dalin përtej kufijve tanë në aspektin e kontributit. Për këtë jemi falënderues ndaj aleatëve tanë, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kanë kontribuar dhe janë mbështetësit kryesorë të fuqizimit dhe profesionalizimit të ushtrisë sonë.

UBT News: A mund të shpalosim më shumë detaje rreth këtij misioni, rreth këtij angazhimi tepër të rëndësishëm për Kosovën? Sa ushtarë do të dërgojë Kosova në misionin ndërkombëtar në Gaza?

Maqedonci: Po, aktualisht ne jemi në fazën e përgatitjeve të kontingjentit që do ta dërgojmë në Gaza. Kemi një numër të caktuar prej 22 pjesëtarëve, që do të jetë grupi i parë që do të dërgohet.

Në këtë grup, këta pjesëtarë janë të specializuar për shumë fusha. Do të dominojë fusha e deminimit, pra çminimit dhe largimit të mjeteve të pashpërthyera. Kemi edhe oficerë të operacioneve speciale që do të jenë pjesë e shtabit qendror të forcës ndërkombëtare stabilizuese. Do të kemi ekip mjekësor dhe oficerë planifikues që do të qëndrojnë në shtab.

Pra, është një kontingjent ushtarak i kombinuar, i përbërë nga 22 ushtarë, të cilët do të vendosen në Gaza si pjesë e këtij misioni jashtëzakonisht të rëndësishëm.

UBT News: Sa është e rëndësishme për Kosovën që realisht të shihet si kontribuuese e sigurisë globale dhe jo vetëm si përfituese e saj?

Maqedonci: Rëndësia e kësaj është për faktin që ne do të përcjellim dhe po përcjellim mesazh te vendet mosnjohëse se njohja e Kosovës nënkupton edhe njohjen e kontributit të saj për paqe dhe siguri.

Duke qenë pjesë e këtyre misioneve, na mundësohet që ta prezantojmë vendin tonë. Po marr një shembull: në vitin 2021 kemi pasur një ekip bashkë me Gardën Kombëtare të Iova-s, i cili ka qenë i vendosur në Kuvajt për një operacion paqeruajtës në atë periudhë.

Flamuri ynë ka valuar atje për pothuajse një vit bashkë me flamujt e vendeve të tjera, pavarësisht që ka pasur shumë vende që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Pra, ne po promovojmë vendin tonë, po promovojmë vlerat e qytetarëve tanë, po e zhbëjmë dhe po e godasim propagandën e Serbisë që ne jemi faktor destabilizues dhe po dëshmojmë që Kosova, përveç që është faktor stabilizues në rajon, është faktor stabilizues dhe ofrues i sigurisë edhe jashtë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

UBT News: Pra, kjo e forcon pozitën e Kosovës ndërkombëtarisht?

Macedonci: Po, patjetër.

UBT News: Një mesazh që do t’ua jepnit familjeve të dëshmorëve në këtë datë të rëndësishme, në këtë 12 Qershor?

Maqedonci: Nderi dhe respekti do të jenë të përhershme për të gjithë ata dëshmorë që dhanë jetën e tyre për lirinë e Kosovës. Ne jemi të përkushtuar dhe të vendosur që atë amanet ta përkthejmë në punë në baza ditore për ndërtimin e shoqërisë dhe për fuqizimin e saj.

Pra, do të fuqizojmë një ushtri që në të ardhmen të mos kemi nevojë për dëshmorë që do të japin jetën për liri.

UBT NEWS: Në gjeneratat e reja, gjatë mësimit të historisë për luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e dimë që shumë pjesëtarë të kësaj ushtrie janë vrarë duke sjellë edhe armatim. Këtë vit, siç e përmendët edhe më parë, në bashkëpunim me aleatët, Kosova do të fillojë edhe prodhimin e armatimit. Çfarë do të thotë kjo për ushtrinë dhe vendin tonë?

Maqedonci: Unë vlerësoj që me fillimin e zhvillimit të industrisë së mbrojtjes, pra prodhimit të armatimeve, ne po i japim një tjetër rëndësi strategjike Kosovës në raportet ndërkombëtare dhe në aspektin ushtarak.

Po fillojmë të prodhojmë municione dhe armë që do të përdoren nga ushtria, policia dhe institucionet tona të sigurisë, pa pasur nevojë t’i blejmë ato nga jashtë.

Po ashtu, po i japim mundësi Kosovës që të kalojë në një dimension tjetër të zhvillimit të saj, duke u bërë edhe eksportuese e armëve dhe municioneve.

E thashë, në dhjetor do të fillohet me prodhimin e municioneve, por ka edhe shumë projekte për të cilat jemi duke diskutuar dhe do t’i shohim të jetësuara në vitet në vazhdim, projekte që me të vërtetë e vendosin Kosovën në një dimension krejt tjetër të zhvillimit të saj.

UBT News: Ndodhemi në ambientet e një institucioni të arsimit, i cili pret mijëra e mijëra studentë kosovarë që ndjekin ëndrrat e tyre. Çfarë do të donit që gjeneratat e reja të kuptojnë sot për lirinë?

Maqedonci: Liria normalisht që është e shenjtë. Liria është diçka që nuk duhet të humbet me asnjë çmim. Për lirinë secili prej nesh e ka obligim të punojë, të mësojë, të përgatitet dhe, nëse është nevoja, edhe të sakrifikojë, sepse çdo gjë tjetër nuk ka rëndësi nëse nuk je i lirë.

UBT News: Ku e shihni Ushtrinë e Kosovës pas 10 vitesh?

Maqedonci: Vlerësoj që Ushtria e Kosovës pas 10 vitesh do të vazhdojë të zhvillohet, të fuqizohet dhe të modernizohet. Kosova do të jetë pjesë e NATO-s, ndërsa Ushtria e Kosovës do të jetë pjesë e operacioneve dhe misioneve të NATO-s nëpër botë.

 

Vlerësoj që 12 Qershori është ndër datat më të rëndësishme në historinë tonë, jo vetëm në historinë e Kosovës, por në historinë tonë kombëtare, sepse prej 1912, kur nuk u lejua që Kosova të jetë pjesë e asaj Shqipërie e cila shpalli pavarësinë, sepse pavarësia e Shqipërisë është shpallur për të gjitha trojet shqiptare, ne kemi jetuar nën dhunë të jashtëzakonshme dhe nën tentativën gjithmonë të okupatorit serb për të zhdukur popullin shqiptar të Kosovës: Ejup Maqedonci

Continue Reading

Vendi

Stërvitje e përbashkët në Prevallë: FSK-ja dhe Ushtria e Shqipërisë forcojnë kapacitetet për kërkim-shpëtim malor

Published

on

By

Efektivët e Bazës së Mbështetjes dhe Emergjencave Civile (BMEC) të Shqipërisë dhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë realizuar një stërvitje të përbashkët në fushën e Kërkim-Shpëtimit Malor.

Njoftimi është bërë i ditur nga Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, i cili bëri të ditur se stërvitja është zhvilluar në Prevallë të Prizrenit.

Sipas ministrit Nufi, ky aktivitet shërbeu për shkëmbimin e përvojave, testimin e pajisjeve të reja dhe praktikimin e teknikave të avancuara të kërkim-shpëtimit, përfshirë evakuimin e personave të dëmtuar në terrene të vështira malore.

“Një aktivitet që forcon bashkëpunimin në shërbim të jetës, si dhe kontribuon në forcimin e kapaciteteve profesionale, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe konsolidimin e bashkëpunimit ndërmjet dy strukturave”, ka shkruar Nufi në rrjetin social Facebook. /E.A/

 

 

Continue Reading

lajme

Arrestohet një person në Suedi dhe i konfiskohet pasuria pas hetimit nga Prokuroria Speciale e Kosovës

Published

on

By

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se si rezultat i një bashkëpunimi ndërmjet Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe autoriteteve suedeze në luftimin e trafikimit të narkotikëve dhe shpëlarjes së parave, është arrestuar një person në Suedi.

Si rezultat i veprimeve hetimore të ndërmarra nga Kosova, është prangosur personi me inicialet A.G., ndërsa atij i janë konfiskuar pasuritë e fituara përmes veprimtarive kriminale.

Sipas njoftimit zyrtar, ky rast përbën precedentin e parë ku autoritetet suedeze kanë arritur të sekuestrojnë pasuri jashtë juridiksionit të tyre territorial.

Tutje bëhet e ditur se Zyra për Rikthimin e Aseteve, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, në koordinim me autoritetet e Suedisë do të ndërmarrë hapat e mëtejmë për ekzekutimin përfundimtar të vendimit për konfiskimin e pasurive edhe në Kosovë.

Ky rast dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në identifikimin dhe konfiskimin e pasurive të përfituara nga aktivitete illegale. Në njoftimin e prokurorisë nuk janë dhënë detaje shtesë për lidhjen e saktë të personit të arrestuar me shtetin e Kosovës. /E.A/

 

Continue Reading

Kujtesë

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 6 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

6 nëntor 1992

Shqiptarët trajtohen si “skllevër”

Revista franceze “Le monde diplomatique” pardje botoi një analizë të gjerë të procesev historike dhe aktuale në hapësirën e ishJugosllavisë. Një vëmendje të veçantë në këtë analizë autorja Ketrin Lutard ia kushton Kosovës dhe çështjes shqiptare. Ndër të tjera autorja thekson:  Qysh prej kohësh gjendja vlerësohet si shkatërruese dhe udhëheqësi i komunitetit shqiptar Ibrahim Rugova, pohon se bashkatdhetarët e tij janë trajtuar “si skllevër”. Represioni vazhdon të rritet. Kështu, sipas gazetës zyrtare të 25 korrikut 1992, Parlamenti serb i Beogradit vendosi të pezullojë drejtorët shqiptarë të uzinave Planinka, Rilindja, Ringos Ciglana, Buduqnost, Sutjeska, Energoinvest, Sharr dhe Proleter, të gjitha të vendosura në Kosovë, dhe për t’i zëvendësuar me serbë apo malazezë.

 

6 nëntor 1993

Spastrimet etnike serbe – në tekstet shkollore franceze e gjermane

Prej këtij viti shkollor në Francë dhe në Gjermani, janë paraqitur tekstet shkollore dhe materialet didaktike ku gjoja “në mënyrë tendencioze dhe të shtrembëruar janë paraqitur disa pjesë nga historia serbe, Serbisë e Jugosllavisë,” shkruan “Politika” e sotme.

Përse janë zemëruar aq shumë në të ashtuquajturën ministri federale të arsimit dhe të kulturës ndaj këtyre teksteve dhe përse ambasadës së tyre në Paris iu urdhërua të kërkojë procedurë gjyqësore për ndalimin e librit të historisë për klasën e katërt të gjimnazit? Për çka është fjala në të vërtetë?

Në librin e historisë në kaptinën “Kthimi i nacionalizmit”, siç thotë gazeta, shkruan: “Qëllimi ishte që të krijohet Serbia e madhe nëpërmjet ‘spastrimit etnik’ të territoreve ku gjenden serbët. Me terror dëbohet popullsia tjetër”.

Në kaptinën ku shpjegohen terminet nga libri, për spastrimin etnik shkruan se kjo “është teori të cilën e kanë krijuar anëtarët e Akademisë së shkencave në Beograd dhe nënkupton homogjenizimin etnik të territoreve të ish-Jugosllavisë, të cilat janë të banuar me serbë, të cilat duhet me anë të terrorit mbi popullsinë tjetër të realizojnë aneksimin definitiv të atyre territoreve nga ana e Serbisë”.

Përmbajtje të ngjashme, sipas gazetës, gjenden edhe në materialin didaktiko-informativ, që gjendet në programin shkollor në Gjermani.

 

6 nëntor 1995

U përkujtua ngjarja tragjike e Bit Pazarit

Me rastin e ngjarjeve të 6 e 7 nëntorit të vitit 1992, kur në Bit Pazar të Shkupit humbën jetën tragjikisht Sylejman Memishi, Safet Sejfullahu, Shemsedin Ibrahimi dhe Viktorija Geshovska, në lokalet e bashkësisë okale, që mban emrin e kësaj date tragjike “6 Nëntori” në Shkup u mbajt një tubim përkujtimor për këtë ngjarje të hidhur në jetën pluraliste të Maqedonisë.

Në këtë tubim morën pjesë anëtarët e familjeve të viktimave, qytetarë dhe personalitete të jetës politike dhe publike, në mesin e të cilëve edhe deputeti i kësaj njësie zgjedhore Mevlan Tahiri.

Lidhur me këtë rast tragjik u nënvizua se edhe pas tri vjetësh nuk u zbuluan vrasësit e viktimave të pafajshme, të cilat padyshim u vranë nga policia maqedonase në pragun e shtëpive të tyre.

Pasi Komisioni parlamentar, i themeluar për hulumtimin e këtij rasti, nuk dha përgjegje për autorët e krimit në Bit Pazar, në këtë mbledhje u theksua se familjet e të vrarëve duhet të ngrisin aktpadi kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë.

 

6 nëntor 1996

Bill Klinton u rizgjodh president i SHBA-ve

Në zgjedhjet e djeshme presidenciale në SHBA, presidenti i tanishëm amerikan Bill Klinton u rizgjodh në këtë post edhe për një mandat katërvjeçar.

Ambasada amerikane në Beograd na përcolli njoftimin e agjencisë gazetare amerikane UPI ku thuhej se Klintoni triumfoi mbi rivalin e tij kryesor Bob Dol. Sipas këtij njoftimi Klinton fitoi me 50 kundrejt 42 për qind të votave, sa fitoi kundërshtari i tij republikan, ndërsa kandidati tjetër Ros Perot fitoi fare pak vota.

Pas Frenklin Ruzveltit, Bill Klinton është presidenti i dytë amerikan nga radhët e demokratëve që triumfoi për të dytën herë në postin e presidentit të SHBA-ve.

 

6 nëntor 1997

Dhuna e përditshme në Kosovë

Obiliq: – Dje, policia serbe, me pretekst të dorëzimit të armëve ishte në familjen e Ferat Mjekiqit (65) në Graboc të Epërm.

Njoftohet se Ferati është urdhëruar që të paraqitet në stacionin e policisë në Obiliq, së bashku me djalin e tij Nasuf Mjekiqin, kryetar i Aktivit të LDK-së në Graboc të Epërm.

Ferat Mjekiqi para gjashtë muajve ka dorëzuar një armë dhe për këtë ai ka edhe vërtetimin për armën e dorëzuar.

Po ashtu mbrëmë rreth orës 17:00, dy policë serbë ndërhynë në një mbledhje të një Aktivi të LDK-së në Obiliq. Bëhet e ditur se policët serbë kanë legjitimuar të pranishmit. Disa aktivistëve u janë marrë edhe shënimet personale.

Istog: – Më 31 tetor, dy inspektorë të sigurimit serb të stacionit të policisë në Pejë, bastisën familjen e Ali S. Mahajt në Dubovë të Vogël. Njoftohet se inspektorët serbë kërkuan djalin e tij Naim Mahajn (24), të cilit ia lanë thirrjen që të paraqitet në polici. Gjatë bastisjes, inspektorët serbë thyen e demoluan shumë orendi.

Sot, rreth orës 8:00 të mëngjesit, një grup huliganësh serbë i përbërë prej rreth 15 vetash, sulmuan pa kurrfarë shkaku Arben Boletinin, nxënës i gjimnazit “Haxhi Zeka” në Istog. Gjatë kohës sa Arbeni është keqtrajtuar, huliganët serbë e kanë kërcënuar atë se “kurrë nuk do të mësoni në shkollën shqipe, ndërsa atë kërkojeni në Shqipëri!”.

 

6 nëntor 1998

Suharekë: Të shtëna midis Samadraxhës e Opterushës – flitet edhe për të vrarë e të plagosur

Gjendja në komunën e Suharekës edhe më tej vazhdon të jetë shumë e tensionuar, njofton KI i Degës së LDK-së në Suharekë.

Sot rreth orës 12:00, në mes të fshatrave Samadraxhë e Opterushë janë dëgjuar të shtëna armësh, ndërsa dëshmitarët okularë kanë theksuar se ka të vrarë e të plagosur.

Ndërkaq dje, policia serbe është vendosur në lagjen Luboci në Grejçec. Policët serbë ia hoqën kulmin një shtëpie të këtij fshati dhe materialin e dërguan në një vend tjetër. Të njëjtit policë rreth orës 17:00 kanë shtënë me armë në drejtim të Grejçecit.

Bëhet e ditur se forcat e policisë serbe edhe më tej po qëndrojnë në fshatrat Duhël, Grejçec, Mohlan e Reshtan, ndërsa forcat e ushtrisë serbe edhe më tej janë të stacionuara në Qafë të Duhlës dhe në malet e Biraçit mbi Suharekë.

 

Continue Reading

Lajmet

Katër raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

Published

on

By

Policia e Kosovës në raportin njëditor ka njoftuar për disa raste të dhunës në familje të regjistruara në rajonet e Kamenicës, Klinës, Pejës dhe Vushtrrisë.

Në Kamenicë, një grua ka njoftuar policinë se është sulmuar nga një grua tjetër. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa e dyshuara është intervistuar dhe me konsultim të prokurorit rasti vazhdon të hetohet.

Në Klinë, është arrestuar një burrë pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Pejë, një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje është sulmuar nga një burrë. Palët janë intervistuar nga hetuesit dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

Përplasje fizike është regjistruar edhe në Vushtrri, ku një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje është sulmuar nga një burrë. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari ndodhet në arrati. Ekipet relevante policore po vazhdojnë hetimet për kapjen e tij.  /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara