Klubi i fëmijërisë së futbollistëve portugezë Diogo Jota dhe Andre Silva ua ka dedikuar uniformën e tyre për këtë sezon vëllezërve që vdiqën në një aksident me makinë më 3 korrik në Spanjë.
Skuadra e kategorisë së katërt, Gondomar SC, ka stampuar në fanellat e saj fotografi të sulmuesit të Liverpoolit dhe Portugalisë, Jota, dhe vëllait të tij Silva, i cili luajti për ekipin portugez Panafiel.
Në pjesën e sipërme të pjesës së pasme të fanellave janë shkruar emrat e dy lojtarëve nën një simbol të pafundësisë.
“Më shumë se një fanellë, një homazh i përjetshëm”, tha Gondomar SC, që luan në Kampionatin e Portugalisë, në një postim në rrjetet sociale. “Sepse futbolli është më shumë se fitore dhe gola, është trashëgimi, është familje, është dashuri për tokën tonë. Sa herë që atletët tanë veshin këtë fanellë, është sikur të dalin në fushë me të.”
Liverpool njoftoi muajin e kaluar se lojtarët e tyre do të mbajnë emblemën “Forever 20” në fanellat dhe xhaketat e tyre këtë sezon të Premier League.
Pas konsultimit me familjen e Jotës, fanella e tij me numër 20 do të tërhiqet nga përdorimi në të gjitha nivelet e klubit nga “Anfield”, duke përfshirë ekipet e femrave dhe ato të akademisë.
Jota dhe Silva u rritën në Gondomar, një qytet në periferi të Portos.