Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi ka thënë se Ambasada në Kosovë ka kontaktuar me autoritetet dhe ka ndërmarrë veprime në drejtim të mbrojtjes së qytetarit malazias, i arrestuar më 28 qershor në Gazimestan.
Në Gazimestan, që gjendet rreth 15 kilometra larg Prishtinës rreth 1,000 serbë nga Kosova, Serbia dhe vende të tjera të rajonit, u mblodhën për të shënuar Vidovdanin.
Më herët, Policia e Kosovës njoftoi se gjatë festimit të Vidovdanit në Gazimestan, një person, shtetas i Malit të Zi, u ndalua nën dyshimin se kishte kryer krimin e shkaktimit të përçarjes dhe intolerancës dhe se të njëjtit, pas intervistimit, i është caktuar masa e ndalimit policorë për 48 orë.
“Të gjitha veprimet që lidhen me personin në fjalë do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me prokurorin”, thuhet në njoftimin e policisë.
Fronti Demokratik, partia pro-serbe që udhëheq me Qeverinë në Mal të Zi i kërkoi Qeverisë malazeze të kërkojë lirimin e menjëhershëm të Risto Jovanoviqit.
Shënimi i Vidovdanit filloi të hënën në mëngjes me një liturgji në Manastirin e Graçanicës, të cilin e udhëhoqi patriarku serb, Porfirije.
Pas kësaj, u mbajt edhe një shërbim përkujtimor në Gazimestan, për të kujtuar viktimat e betejës në Kosovë.
Kjo është hera e parë që patriarku Porfirije udhëhoqi shërbimin përkujtimor në Gazimestan, që kur ai u zgjodh në postin e kreut të Kishës Ortodokse Serbe.
Gjatë kësaj shërbese, ai iu drejtua shkurtimisht të pranishmëve, ku bëri thirrje për bashkim dhe përsëriti qëndrimin se “shenjtërit serbë” në Kosovë, duhet të mbrohen.
Ai të njëjtat qëndrime i shprehu edhe pas liturgjisë së mbajtur në Graçanicë, ku theksoi se diversiteti është një dhuratë dhe se nuk duhet të shkaktojë konflikte.
Patriarku serb shtoi se “ne i shohim shqiptarët si vëllezërit tanë” dhe tha se ai është i sigurt se “ne jo vetëm që mund ta kuptojmë njëri-tjetrin, por mund të jetojmë së bashku, të rritemi dhe të ndërtojmë”.
Të pranishmit në Gazimestan, gjatë ditës, kënduan këngë patriotike kurse Policia e Kosovës, që po zbaton një plan të veçantë operativ për festimin e Vidovdanit, arrestoi një person, por, nuk dha detaje lidhur me arrestimin.
Ndërkaq, Shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, dhe udhëheqësit e Listës Serbe, që është partia më e madhe politike e serbëve të Kosovës dhe që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, po ashtu morën pjesë në liturgjinë në Manastirin e Graçanicës.
Megjithatë, sikurse edhe në vitet e mëparshme, ata nuk shkuan në Gazimestan.
Çdo vit në Gazimestan, Kisha Ortodokse Serbe, si dhe serbët nga Kosova dhe rajoni, më 28 qershor, festojnë Vidovdanin, për të kujtuar vuajtjet e serbëve në betejën në Kosovë më 1389, kundër ushtrisë turke.
Ishte pikërisht 28 qershori i vitit 1989, kur në Gazimestan, ish-presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, mbajti një fjalim para dhjetëra-mijëra serbëve, ku deklaroi se nuk përjashton “beteja të armatosura”.
Ky fjalim i Millosheviqit u pa si një paralajmërim për luftërat që pasuan në vitet e 90-ta në ish-Jugosllavi.
Bashkimi Evropian pritet t’i ofrojë Ukrainës 6.1 miliardë euro ndihmë shtesë për blerjen e pajisjeve ushtarake, përfshirë sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore “Patriot”.
Financimi është pjesë e paketës së huasë prej 90 miliardë eurosh të BE-së për Ukrainën, e cila përfshin 28.3 miliardë euro për ndihmë ushtarake dhe 16.7 miliardë euro për mbështetje buxhetore.
Për të mundësuar blerjen e sistemeve “Patriot”, të prodhuara në Shtetet e Bashkuara, BE-ja do të heqë kërkesën që pajisjet të jenë të prodhuara brenda Evropës. Përjashtimi do të vlejë edhe për disa dronë që përdorin komponentë kinezë.
Shuma prej 6.1 miliardë eurosh përbën këstin e fundit të fondit prej 28.3 miliardë eurosh të dedikuar për mbrojtjen. Deri më tani, Ukrainës i janë transferuar 8.35 miliardë euro për këtë qëllim.
Komisioneri Evropian për Mbrojtjen, Andrius Kubilius, tha se avantazhi ushtarak i Ukrainës varet nga sigurimi i shpejtë i pajisjeve kritike në sasitë dhe afatet e nevojshme.
Sipas tij, përshpejtimi i dërgesave përmes përdorimit të rezervave ekzistuese, rishikimit të prioriteteve të porosive dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese është thelbësor.
Ndihma e re vjen në kohën kur Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës, ndërsa aleatët po përpiqen të rrisin furnizimet me sisteme të mbrojtjes ajrore përpara dimrit./A.K/
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka deklaruar se një nga veprimet e para të Kuvendit do të jetë jetësimi i nismës së Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) për kriminalizimin e shkeljes së Kushtetutës.
Pas ndërprerjes së seancës konstituive, Bajrami ka shkruar në Facebook se “është urgjencë kombëtare të shpëtohet ky shtet”.
“Puna e parë në Kuvend do të jetë jetësimi i nismës së IKD-së për kriminalizimin e shkeljes së Kushtetutës, në mënyrë që ata që e shkelin Kushtetutën, njësoj si armiqtë e këtij shteti, të përfundojnë në burg, të japin llogari dhe të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre”, ka shkruar ajo.
Bajrami ka kritikuar edhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të cilin e ka quajtur “mashtrues” dhe e ka akuzuar se po synon ta rrënojë shtetin.
“Ky vend nuk është ndërtuar që një mashtrues, i cili erdhi në pushtet me premtimin e bashkimit kombëtar, ta rrënojë shtetin për të cilin njerëzit kanë dhënë jetën, kanë dhënë gjymtyrët dhe mbajnë ende plagët në trup!”, ka deklaruar Bajrami./A.K/
Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë sot në orën 14:00 seancën konstituive, ndërsa në rend dite është pika për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.
Vazhdimi i seancës ishte ndërprerë të premten, pasi deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës lëshuan sallën, pas dështimit të zgjedhjes së Vlora Çitakut për nënkryetare.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje abstenuan gjatë votimit për Çitakun, duke bërë që ajo të mos i merrte votat e nevojshme.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i bëri thirrje PDK-së që të paraqiste një propozim tjetër, por partia nuk e bëri një gjë të tillë.
Pas ndërprerjes së seancës, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se deputetët e kësaj partie nuk do të marrin pjesë në seancat e Kuvendit dhe paralajmëroi se çështjen do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
Sot pritet të shihet nëse do të ketë një marrëveshje për përmbylljen e procesit të konstituimit të Kuvendit./A.K/
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka dështuar të përmbyllet edhe në vazhdimin e sotëm, pasi procesi mbeti te zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Në votimin e veçantë për nënkryetarët, Ardian Gola nga Lëvizja Vetëvendosje u zgjodh në këtë pozitë me 101 vota.
Ndërkaq, kandidatja e PDK-së, Vlora Çitaku, nuk arriti të marrë votat e nevojshme për nënkryetare. Deputetët e LVV-së abstenuan gjatë votimit për kandidaturën e saj.
Pas këtij votimi, deputetët e PDK-së lëshuan sallën e Kuvendit, ndërsa kryetarja Albulena Haxhiu ndërpreu punimet e seancës.
Haxhiu tha se për vazhdimin e radhës së seancës deputetët do të njoftohen me kohë. Me këtë, Kuvendi ende nuk ka arritur ta përmbyllë procesin e konstituimit.
Seanca e sotme vjen në kuadër të përpjekjeve për përmbylljen e seancës konstituive dhe funksionalizimin e plotë të Kuvendit të Kosovës./A.K/