Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi ka thënë se Ambasada në Kosovë ka kontaktuar me autoritetet dhe ka ndërmarrë veprime në drejtim të mbrojtjes së qytetarit malazias, i arrestuar më 28 qershor në Gazimestan.
Në Gazimestan, që gjendet rreth 15 kilometra larg Prishtinës rreth 1,000 serbë nga Kosova, Serbia dhe vende të tjera të rajonit, u mblodhën për të shënuar Vidovdanin.
Më herët, Policia e Kosovës njoftoi se gjatë festimit të Vidovdanit në Gazimestan, një person, shtetas i Malit të Zi, u ndalua nën dyshimin se kishte kryer krimin e shkaktimit të përçarjes dhe intolerancës dhe se të njëjtit, pas intervistimit, i është caktuar masa e ndalimit policorë për 48 orë.
“Të gjitha veprimet që lidhen me personin në fjalë do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me prokurorin”, thuhet në njoftimin e policisë.
Fronti Demokratik, partia pro-serbe që udhëheq me Qeverinë në Mal të Zi i kërkoi Qeverisë malazeze të kërkojë lirimin e menjëhershëm të Risto Jovanoviqit.
Shënimi i Vidovdanit filloi të hënën në mëngjes me një liturgji në Manastirin e Graçanicës, të cilin e udhëhoqi patriarku serb, Porfirije.
Pas kësaj, u mbajt edhe një shërbim përkujtimor në Gazimestan, për të kujtuar viktimat e betejës në Kosovë.
Kjo është hera e parë që patriarku Porfirije udhëhoqi shërbimin përkujtimor në Gazimestan, që kur ai u zgjodh në postin e kreut të Kishës Ortodokse Serbe.
Gjatë kësaj shërbese, ai iu drejtua shkurtimisht të pranishmëve, ku bëri thirrje për bashkim dhe përsëriti qëndrimin se “shenjtërit serbë” në Kosovë, duhet të mbrohen.
Ai të njëjtat qëndrime i shprehu edhe pas liturgjisë së mbajtur në Graçanicë, ku theksoi se diversiteti është një dhuratë dhe se nuk duhet të shkaktojë konflikte.
Patriarku serb shtoi se “ne i shohim shqiptarët si vëllezërit tanë” dhe tha se ai është i sigurt se “ne jo vetëm që mund ta kuptojmë njëri-tjetrin, por mund të jetojmë së bashku, të rritemi dhe të ndërtojmë”.
Të pranishmit në Gazimestan, gjatë ditës, kënduan këngë patriotike kurse Policia e Kosovës, që po zbaton një plan të veçantë operativ për festimin e Vidovdanit, arrestoi një person, por, nuk dha detaje lidhur me arrestimin.
Ndërkaq, Shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, dhe udhëheqësit e Listës Serbe, që është partia më e madhe politike e serbëve të Kosovës dhe që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, po ashtu morën pjesë në liturgjinë në Manastirin e Graçanicës.
Megjithatë, sikurse edhe në vitet e mëparshme, ata nuk shkuan në Gazimestan.
Çdo vit në Gazimestan, Kisha Ortodokse Serbe, si dhe serbët nga Kosova dhe rajoni, më 28 qershor, festojnë Vidovdanin, për të kujtuar vuajtjet e serbëve në betejën në Kosovë më 1389, kundër ushtrisë turke.
Ishte pikërisht 28 qershori i vitit 1989, kur në Gazimestan, ish-presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, mbajti një fjalim para dhjetëra-mijëra serbëve, ku deklaroi se nuk përjashton “beteja të armatosura”.
Ky fjalim i Millosheviqit u pa si një paralajmërim për luftërat që pasuan në vitet e 90-ta në ish-Jugosllavi.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se dy persona kanë mbetur të vrarë dhe një tjetër është plagosur nga të shtënat me armë zjarri në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit.
Sipas policisë, një burrë rreth 30-vjeçar është gjetur i vrarë brenda një veture, ndërsa një grua e së njëjtës moshë është dërguar pa shenja jete në Spitalin e Gjilanit. Dyshohet se edhe ajo është qëlluar me armë zjarri nga i njëjti person.
Një person tjetër ka mbetur i plagosur dhe, pas marrjes së ndihmës së parë në Spitalin e Gjilanit, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtejshëm.
Sipas informatave të policisë, i dyshuari dhe viktimat dyshohet se kanë pasur lidhje familjare.
I dyshuari është vetëdorëzuar në polici, ndërsa gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri që dyshohet se është përdorur në rast.
Ngjarja është raportuar rreth orës 14:25 të së premtes. Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po vazhdon hetimet për të sqaruar rrethanat dhe motivin e kësaj ngjarjeje, i cili ende nuk dihet.
Në kuadër të qëndrimit në Korenë e Jugut, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka takuar studenten e UBT-së, Era Deva, e cila po përfundon studimet master në Menaxhimin e Sportit në Seul.
Gjatë takimit, Rektori Hajrizi u interesua për ecurinë e studimeve të saj, përvojën akademike dhe jetën studentore në Korenë e Jugut, duke vlerësuar rëndësinë e përvojave ndërkombëtare në avancimin akademik dhe zhvillimin profesional të studentëve.
Takimi ishte një mundësi për të diskutuar mbi përvojën e Erës në një mjedis të avancuar akademik dhe mundësitë që studimet jashtë vendit ofrojnë për zgjerimin e njohurive, zhvillimin e kompetencave profesionale dhe krijimin e perspektivave të reja për karrierën e saj.
UBT i kushton rëndësi të veçantë ndërkombëtarizimit të arsimit dhe krijimit të mundësive që studentët të përfitojnë nga përvojat akademike ndërkombëtare, të shkëmbejnë njohuri dhe të zhvillohen në fusha të ndryshme profesionale. Përmes këtyre mundësive, UBT synon të mbështesë studentët në rrugëtimin e tyre akademik dhe profesional, duke nxitur mobilitetin ndërkombëtar dhe lidhjen me përvojat dhe praktikat bashkëkohore në nivel global.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, gjatë qëndrimit në Seul të Koresë së Jugut, në kuadër të panairit ndërkombëtar Smart Life Week 2026, ka zhvilluar takime dhe bashkëbisedime me pjesëmarrës dhe përfaqësues të institucioneve e organizatave të ndryshme, me të cilët ka shkëmbyer ide dhe perspektiva mbi zhvillimin e qyteteve inteligjente, robotikën, inovacionin dhe mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen.
Gjatë këtyre takimeve dhe shkëmbimeve, rektori Hajrizi ka ndarë vizionin dhe përvojën e UBT-së në zhvillimin e qyteteve inteligjente, duke vënë në pah modelin UBT 5S – Small Scale Smart Self-Sustained System, të zhvilluar prej tij dhe të zbatuar fizikisht përmes UBT Smart City.
Modeli UBT 5S përfaqëson një qasje konkrete ndaj zhvillimit të sistemeve inteligjente dhe të qëndrueshme, ku teknologjia, inovacioni, edukimi dhe kërkimi shkencor ndërthuren për të krijuar zgjidhje të aplikueshme në jetën e përditshme. Përmes UBT Smart City, ky vizion merr formë fizike, duke ofruar një mjedis real ku konceptet e qytetit inteligjent zbatohen në praktikë dhe shërbejnë si bazë për zhvillimin e modeleve të reja të jetesës.
UBT Smart City paraqet një model inovativ që synon të tregojë se si teknologjia dhe zgjidhjet inteligjente mund të integrohen në një ekosistem të përbashkët, me fokus në mirëqenien e njeriut, përdorimin efikas të burimeve, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e shërbimeve moderne. Në këtë kuptim, modeli UBT 5S po konceptohet si një model i ri i jetesës për të ardhmen, ku qyteti nuk shihet vetëm si hapësirë fizike, por si një sistem i integruar që lidh njeriun, dijen, teknologjinë dhe mjedisin.
Gjatë panairit, rektori Hajrizi është ftuar nga bashkëbisedues të ndryshëm për vizita dhe prezantime të modelit të zhvilluar prej tij. Deri më tani, ky model është prezantuar në më shumë se 100 ngjarje të ndryshme akademike dhe profesionale në mbarë botën.
Përveç shkëmbimit të përvojave dhe ideve, takimet e zhvilluara gjatë panairit kanë shërbyer edhe si mundësi për diskutime formale mbi perspektivat e bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimin e ekspertizës dhe identifikimin e fushave me interes të përbashkët. Këto kontakte krijojnë bazë për shqyrtimin e mundësive të bashkëpunimit në të ardhmen, veçanërisht në fushat e teknologjisë, inovacionit, kërkimit shkencor dhe zhvillimit të qyteteve inteligjente.
Për UBT-në, modeli UBT 5S dhe zbatimi i tij fizik në UBT Smart City dëshmojnë orientimin e institucionit drejt inovacionit të aplikuar, duke e lidhur vizionin akademik me zgjidhje konkrete dhe duke krijuar mundësi për bashkëpunime të reja që mund të kontribuojnë në zhvillimin e qyteteve dhe modeleve të jetesës së së ardhmes.