Edhe një dekadë pasi Serbia ka ekstraduar në Gjykatën e Hagës ish-komandantin e serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, fytyra e tij vazhdon të jetë e pranishme në Beograd – në muret e ndërtesave, në suvenire, por edhe në lëkurën e disave.
Në vitin 2017, Haga e ka dënuar Mlladiqin – në shkallë të parë – me burgim të përjetshëm, pasi është shpallur fajtor për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve të luftës.
Vendimi përfundimtar për të pritet të martën.
Pas 15 vjetësh në arrati, Mlladiq është arrestuar nga policia serbe më 26 maj të vitit 2011 dhe menjëherë është dorëzuar në Tribunalin e Hagës.
Gjyqi kundër tij ka filluar në vitin 2012 dhe ka zgjatur gjithsej 530 ditë.
Edhe pse është larguar fizikisht nga Serbia, ai duket se është ende i pranishëm atje – së paku sipas asaj që mund të shihet në rrugët dhe ndërtesat e Beogradit.
Mlladiq është dënuar për gjenocid ndaj boshnjakëve në Srebrenicë, në verën e vitit 1995, kur forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem, për përndjekje të myslimanëve dhe kroatëve nga Bosnja, për terrorizim të civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës dhe marrje peng të pjesëtarëve të misionit të huaj, UNPROFOR, gjatë luftës në Bosnje.
Autoritetet në Serbi vazhdojnë të refuzojnë të pranojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, pavarësisht vendimit të një gjykate ndërkombëtare që e ka konfirmuar atë.
Ky lloj i retorikës reflektohet edhe në shumë vende publike në kryeqytetin serb.
Grafite me emrin e Ratko Mlladiqit në lagjen Borça të Beogradit.
Aktivistët e organizatave joqeveritare në Serbi vazhdimisht kujtojnë krimet e kryera nën komandën e Mlladiqit. Por, ndarjet në shoqërinë e Serbisë rreth kësaj teme janë ende të mëdha.
Shpërndarja në internet e kësaj pamjeje në lagjen Beogradi i Ri ka pasur pasojat e veta.
Pas postimit të kësaj fotografie në rrjetet sociale, me komentin: “Ndërhyrja në hapësirë”, korrespondenti i televizionit federal të Bosnjës, Dejan Kozhull, ka marrë kërcënime të shumta, në muajin maj të këtij viti.
Në disa prej tyre ai është kërcënuar me vdekje dhe është përshkruar si “tradhtar”.
“Është një ushtri robotësh që i shfrytëzojnë mundësitë e tilla për të demonstruar se sa të aftë jemi”, ka thënë Kozhull për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
Grafite për Mlladiqin mund të shihen edhe në qytete të tjera të Serbisë.
Nga të gjitha krimet e kryera gjatë luftimeve në ish-Jugosllavi, gjykatat ndërkombëtare e kanë karakterizuar vetëm krimin në Srebrenicë si gjenocid. Gjenocidi është konfirmuar me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, në shkurt të vitit 2007.
Mirëpo, miti për Mlladiqin si një hero serb është i pranishëm në shoqërinë serbe aq shumë, saqë ai lëviz nga muret në lëkurën e mbështetësve të tij.
Aleksandar Konçek nga Beogradi, i cili është autori i këtij tatuazhi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se klientët e tij shkojnë tek ai disa herë në muaj, me dëshirën për të bërë tatuazh me Mlladiqin.
“Ne e dimë që jemi një rajon që i kushtojmë shumë vëmendje nacionalizmit, patriotizmit dhe prandaj ata kërkojnë shumë motive të tilla”, ka thënë ai.
Llapi ka shënuar një fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Malishevës me rezultat 3-2, në ndeshjen e vlefshme për javën e 15-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.
Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina arriti të përmbyste disavantazhin e pjesës së parë në stadiumin “Liman Gegaj”, duke regjistruar kështu fitoren e tretë radhazi në kampionat.
Pjesa e parë u dominua nga vendasit, të cilët kaluan të parët në epërsi në minutën e 23-të me golin e Xhemal Ibishit. Megjithatë, reagimi i mysafirëve ishte i menjëhershëm, pasi Fiton Ademi barazoi shifrat në 1-1 pas vetëm dy minutash lojë.
Malisheva arriti të rikthente epërsinë në minutën e 40-të përmes Kreshnik Ukës, duke shkuar në pushim me rezultatin 2-1.
Në pjesën e dytë, Llapi rriti ritmin e lojës dhe krijoi më shumë raste, duke arritur ta kthejë rezultatin në favorin e tij. Fillimisht, Fiton Ademi shënoi golin e tij të dytë personal në minutën e 61-të për 2-2, ndërsa goli i fitores erdhi në minutën e 82-të nga Pjero Skaric, i cili vulosi rezultatin përfundimtar 3-2.
Pas kësaj fitoreje, Llapi ngjitet në pozitën e tetë në tabelë me 14 pikë të grumbulluara, ndërsa Malisheva mbetet në vendin e dytë me 30 pikë. Në xhiron e radhës, Llapi e pret në shtëpi Drenicën, kurse Malisheva luan në udhëtim ndaj Ballkanit. /E.A/
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i japë Kosovës statusin e vendit kandidat dhe të nisë procesin e negociatave për anëtarësim, duke paralajmëruar se zvarritja e mëtejshme rrezikon ta dëmtojë besimin e qytetarëve në perspektivën evropiane.
Gjatë fjalimit të tij në Samitin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të mbajtur të enjten në Tiranë, Kurti kujtoi se Kosova mbetet i vetmi vend në rajon që ende nuk e gëzon këtë status, ndonëse muajin e ardhshëm mbushen katër vjet nga dorëzimi i aplikimit për anëtarësim. Ai kërkoi nga Këshilli i Bashkimit Evropian që t’i japë mandat Komisionit Evropian për përgatitjen e opinionit mbi aplikimin e Kosovës.
“Një proces i bazuar në merita duhet të na japë mundësinë të vlerësohemi; përndryshe, një histori e përparimit demokratik rrezikon të shndërrohet në një tregim paralajmërues. Statusi i kandidatit dhe hapja e negociatave të anëtarësimit – një hap që Kosova e ka fituar me meritë”, deklaroi Kurti.
Ai vlerësoi se mbështetja e qytetarëve të Kosovës për integrimin evropian është ndër më të lartat në rajon, çka e bën urgjent avancimin në këtë proces. Duke u ndalur te treguesit ekonomikë dhe demokratikë, kryeministri përmendi rritjen ekonomike prej 4.7 për qind në gjysmën e parë të këtij viti, shtimin e investimeve private, si dhe uljen e shkallës së papunësisë nga 26 në 11 për qind.
Sa i përket zbatimit të Planit të Rritjes, Kurti tha se pas një periudhe ngadalësimi që i kushtoi vendit humbjen e miliona eurove për shkak të zgjedhjeve të përsëritura, Kosova ka rifituar stabilitetin institucional dhe ka përshpejtuar reformat. Ai veçoi gjithashtu hapat drejt integrimit gradual, si lehtësimi i procedurave kufitare, aplikimi në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe lansimi i portofolit digjital.
Në kuadër të bashkëpunimit rajonal, kreu i ekzekutivit kritikoi bllokadat e Serbisë ndaj integrimit ekonomik, përfshirë mosnjohjen e diplomave dhe pengesat në zbatimin e marrëveshjeve të CEFTA-s. Ai kërkoi nga BE-ja që mbështetja financiare të ndahet mbi bazën e rezultateve dhe zbatimit të marrëveshjeve.
Në përmbyllje, Kurti paralajmëroi për rreziqet e luftës hibride ruse në Evropë, duke theksuar se integrimi ekonomik është tashmë një çështje e drejtpërdrejtë sigurie dhe se Kosova është e gatshme të kontribuojë në përpjekjet evropiane për sigurinë, energjinë dhe ndërlidhjen rajonale./E.A/
Pronarët e Manchester Cityt duhet të detyrohen ta shesin klubin si ndëshkim për shkeljen e rregullave financiare, vlerësojnë figurat kryesore të disa klubeve të Ligës Premier, raporton transmetuesi publik britanik BBC.
Drejtues të klubeve nga tri kategoritë e para të futbollit anglez kanë deklaruar se një masë e tillë do të ishte e duhura, pasi Manchester City u shpall fajtor për shkelje të rregulloreve financiare të Ligës Premier në periudhën 2009–2018, si dhe për mosbashkëpunim me hetimin.
Paneli i pavarur ende nuk ka marrë vendimin përfundimtar për sanksionet, të cilat mund të përfshijnë gjoba financiare, zbritje pikësh, heqjen e titujve të fituar më parë, apo edhe përjashtimin nga liga. Nga ana tjetër, klubi anglez i ka mohuar akuzat dhe e ka apeluar vendimin.
Një nga drejtuesit, duke folur në kushte anonimiteti për BBC, u shpreh se bën pjesë në një grup klubesh që besojnë se çdo dënim tjetër do të ishte i pakuptimtë nëse pronarët aktualë nuk detyrohen të largohen. Sipas tij, një ndëshkim më i lehtë do të ngrinte pikëpyetje mbi arsyen se pse klubet financojnë Autoritetin e Pavarur Rregullator të Futbollit (IFR).
Një drejtues tjetër theksoi se këto shkelje kanë dëmtuar rëndë besueshmërinë e Ligës Premier dhe se klubet e tjera nuk do të mund ta kalojnë këtë skandal nëse pronarëve aktualë u lejohet të mbeten në krye të Cityt.
Manchester City u shpall fajtor për rritje artificiale të të ardhurave dhe fshehje të humbjeve në vlerë prej mbi një miliard eurosh përmes kontratave fiktive tregtare. Klubi është në pronësi të kompanisë private të investimeve Abu Dhabi United Group, e udhëhequr nga Sheikh Mansour, Zëvendëspresident dhe Zëvendëskryeministër i Emirateve të Bashkuara Arabe. /E.A/
Klubi spanjoll Real Madrid ka konfirmuar zyrtarisht rinovimin e kontratës me sulmuesin maroken Brahim Diaz, duke e mbajtur atë në “Santiago Bernabéu” deri në verën e vitit 2031.
Me kontratën e mëparshme që i skadonte verën e ardhshme, 27-vjeçari ka vendosur të vazhdojë të ardhmen e tij afatgjatë te klubi madrilen, pjesë e të cilit është që nga viti 2019.
“Real Madrid CF dhe Brahim Diaz kanë rënë dakord të zgjasin kontratën e lojtarit tonë, i cili tani është i lidhur me klubin deri më 30 qershor 2031”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.
Me këtë hap, Diaz ndjek rrugën e bashkëlojtarëve të tij, Arda Güler dhe Aurélien Tchouaméni, të cilët po ashtu kanë nënshkruar marrëveshje të reja me klubin gjatë javëve të fundit.
Ndonëse e ardhmja e tij ishte e pasigurt gjatë verës së kaluar, trajneri José Mourinho bllokoi largimin e tij nga skuadra. Këtë sezon, sulmuesi maroken ka regjistruar katër asistime në 10 paraqitje, duke e nisur ndeshjen si titullar vetëm një herë.
Kujtojmë se Brahim Diaz shkëlqeu në Kupën e Kombeve të Afrikës (AFCON 2025), ku u shpall golashënuesi më i mirë i turneut me pesë gola të shënuar, duke e ndihmuar përfaqësuesen e Marokut të renditej në vendin e dytë. /E.A/