Lajmet

Macron humb shumicën në Parlamentin francez

Macron u ka bërë thirrje votuesve që t’ia sigurojnë një shumicë solide.

Published

on

Më pak se dy muaj pas sigurimit të mandatit të dytë si president, Emmanual Macron ka humbur kontrollin e Parlamentit të Francës, pas rritjes së përkrahjes për aleancën e majtë dhe atë të së djathtës ekstreme.

Macron u ka bërë thirrje votuesve që t’ia sigurojnë një shumicë solide.

Mirëpo koalicioni i tij i qendrës ka humbur dhjetëra ulëse në zgjedhjet që kanë shpërfaqur ndasi të konsiderueshme në politikën franceze.

Kryeministrja franceze, Elisabeth Borne, ka thënë se situata është e pashembullt.

Sipas saj, Franca moderne nuk ka pasur kurrë një përbërje të tillë parlamentare.

“Kjo situatë përbën rrezik për shtetin tonë, duke marrë parasysh rreziqet me të cilat jemi duke u përballur si në aspektin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar”, ka thënë ajo.

“Ne do të punojmë prej nesër për të krijuar një shumicë funksionale”, ka deklaruar ajo, ndonëse dy grupet tjera më të mëdha në parlament nuk duken të interesuara për të bashkëpunuar.

Kush sa fitoi?

Sipas Ministrisë së Brendshme, kampi qendror i Macronit ka fituar 245 ulëse, në krahasim me 289 që i janë dashur për të krijuar një shumicë absolute.

Pas sigurimit të mandatit të dytë si president, në prill të këtij viti, ai ka shpresuar për përkrahje më të madhe parlamentare.

Në vendin e dytë është renditur blloku Nupes, i krahut të majtë, i cili ka fituar 131 ulëse.

Ky bllok drejtohet nga Jean-Luc Melenchon.

Partia e ekstremit të djathtë, Marshi Kombëtar, nën udhëheqësi të Marine Le pen, ka fituar 89 ulëse, duke shënuar fitore më madhe sesa është parashikuar nëpër sondazhe.

Partia konservatore e Republikanëve, ka fituar 61 ulëse, mirëpo mund të rezultojë si parti shumë e rëndësishme, pasi platforma e saj është goxha e ngjashme me atë të Macronit.

Ministri i Ekonomisë, Bruno Le Maire, ka thënë se është i bindur që Franca nuk është e paqeverisshme, mirëpo që do të ketë nevojë për shumë imagjinatë.

Lideri i së majtës ekstreme, Jean-Luc Mélenchon ka qenë i kënaqur për suksesin e tij, pas bashkimit të partive të komunistëve dhe të gjelbërve në një aleancë të quajtur Nupes. Ai u ka thënë mbështetësve se partia presidenciale ka pësuar humbje të madhe dhe secila mundësi tani është në duart e tyre.

Edhe Marine Le Pen është dukur e lumtur pas sigurimit të 89 ulëse nga tetë sa ka pasur deri më tani.

Sipas analistëve, pesë vjetët e mandatit të dytë të Macronit do të jenë përplot me negociata me kompromise parlamentare.

Në prill të këtij viti situata ka qenë krejtësisht ndryshe, kur Macron ka mposhtur bindshëm Le Penin dhe ka fituar mandatin e dytë si president,

Më shumë se gjysma e votuesve kanë abstenuar në zgjedhjet ku ka marrë pjesë 46.23 për qind e popullsisë.

Cilat reforma janë në rrezik?

Macron është zotuar se do të luftojë krizën e rritjes së çmimeve të jetesës, mirëpo rivalët e tij kanë krejt ide tjera për këtë çështje.

Propozimet e tij përfshijnë edhe reformat në përfitime, në ulje të taksave dhe në rritje të moshës së pensionimit nga 62 në 65 vjet.

Reforma e tij për moshën e pensionimit do të jetë vështirë e realizueshme, ndonëse në këtë pikë do të mund të ketë mbështetjen e republikanëve.

Ai më pas ka bërë edhe propozime për neutralitet në karbon dhe punësim të plotë.

Së fundi ai ka përmendur edhe një “metodë të re” të qeverisjes, me përfshirje më të madhe të shoqërisë civile, duke përmendur një fondacion të krijuar nga banorët lokalë, ashtu që Franca të bëhet më demokratike./REL

Vendi

Tre të arrestuar dhe një person në kërkim për dhunë në familje

Published

on

By

Në Policin e Kosovës gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar katër raste të dhunës në familje.

Rastete e raportuara vijn nga Drenasi, Graçnica, Kamenica dhe Peja.

Në Drenas, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj një gruaje. Pas intervistimit të të dyja palëve, prokurori ka vendosur që rasti të vijojë në procedurë të rregullt.

Në Graçanicë, policia ka intervistuar dy gra të cilat dyshohen se kanë ushtruar dhunë ndaj një burri. Edhe ky rast, me vendim të prokurorisë, po trajtohet në procedurë të rregullt.

Një burrë është arrestuar në Kamenicë nën dyshimin për dhunë në familje. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar menjëherë në mbajtje.

Në Pejë është raportuar për një sulm fizik dhe kanosje ndaj një gruaje, e cila ka refuzuar ndihmën mjekësore. I dyshuari aktualisht ndodhet në kërkim policor derisa prokuroria është njoftuar për detajet e rastit.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohen tre persona për armëmbajtje pa leje

Published

on

By

Në raportin e fundit njëditor të Policisë së Kosovës janë raportuar disa raste të armëmbajtjes pa leje që kanë çuar në arrestimin e tre personave në qytete të ndryshme.

Rasti i parë është regjistruar në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ku pas mesnatës është arrestuar një burrë pasi gjatë kontrollit i është gjetur dhe konfiskuar një mjet i mprehtë-thikë, ndërsa po ashtu në Lipjan, gjatë mesditës, policia ka ndaluar një person tjetër në veturën e të cilit u gjet dhe u sekuestrua një pistoletë me një fishek.

Për të dyja këto raste, prokurori ka vendosur që të dyshuarit të lirohen në procedurë të rregullt pas intervistimit.

Ndërkohë, në rrugën “Enver Zymberi” në Prishtinë, policia ka arrestuar një të dyshuar pasi i janë gjetur 15 fishekë të armës me gas, me ç’rast është ushtruar kontroll edhe në shtëpinë e tij, ndonëse aty nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

Continue Reading

Vendi

Shuhet ëndrra e Kosovës për Botëror, Turqia fiton minimalisht

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës ka pësuar humbje me rezultat 0-1 ndaj Turqisë duke i dhënë fund shpresave për kualifikim në Kampionatin Botëror.

Golin e vetëm të ndeshjes e realizoi Kerem Aktürkoğlu në minutën e 53-të, një gol që rezultoi vendimtar për fatin e takimit.

Kosova pati përpjekje gjatë gjithë ndeshjes për të barazuar rezultatin, por pa arritur të konkretizojë rastet e krijuara. Në minutat shtesë, loja u tensionua edhe më shumë, ku pati kartonë të verdhë dhe ndërhyrje të shumta nga të dyja skuadrat.

Kjo humbje zyrtarizon eliminimin e Kosovës nga gara për një vend në Botëror, duke shuar kështu një tjetër ëndërr për përfaqësuesen.

Continue Reading

Lajmet

Policia e Kosovës shpall masat e shtuara të sigurisë dhe bllokimet e rrugëve për finalen Kosovë-Turqi

Published

on

By

Sot, më 31 mars 2026, Prishtina është qendra e vëmendjes sportive botërore, pasi Stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë nikoqir i ndeshjes finale të play-off-it për Kampionatin Botëror “FIFA World Cup 2026” ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Dueli, i cili fillon në orën 20:45, konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e futbollit kosovar, çka ka shtyrë Policinë e Kosovës të ndërmarrë një plan gjithëpërfshirës për rendin dhe sigurinë publike.

Për të garantuar mbarëvajtjen e kësaj feste sportive, Policia ka njoftuar se do të ketë prani të shtuar të zyrtarëve në stadium, në të gjithë qytetin dhe në tri “Fan Zona” të krijuara enkas për tifozët.

Si pasojë e fluksit të madh dhe lëvizjes së delegacioneve zyrtare, do të ketë bllokime të përkohshme dhe kufizime të qarkullimit në rrugët kryesore të kryeqytetit.

Segmentet më të prekura përfshijnë rrugët “Tring Ismajli”, “Agim Ramadani”, “Eqrem Çabej”, zonën te semaforët kryesorë, Bulevardin “Bill Clinton”, rrethin te Stacioni i Autobusëve, si dhe rrugët “Hekurudhat” e “Tirana” që çojnë drejt stadiumit.

Gjithashtu, kufizime do të ketë në perimetrin rreth stadiumit, përfshirë rrugën “Luan Haradinaj” deri te Ministria e Drejtësisë dhe rrugën “Fehmi Agani”.

Pas përfundimit të ndeshjes, vëmendja do të përqendrohet në rrugët që dërgojnë drejt aeroportit, duke përfshirë lagjen “Arbëria” dhe rrugën “Ahmet Krasniqi”. Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve në terren, të shfrytëzojnë rrugë alternative sa më shumë që të jetë e mundur dhe të kontribuojnë në ruajtjen e qetësisë, duke e cilësuar sigurinë si një përgjegjësi të përbashkët për këtë ngjarje madhore.

Continue Reading

Të kërkuara