(Lajm në zhvillim)
Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri ka konfirmuar se tre nga katër viktimat që humbën jetën në aksidentin tragjik në një kantier ndërtimi në Vjenë janë shtetas të Kosovës.
Ngjarja e rëndë ndodhi në distriktin Alsergrund, ku gjatë punimeve një pjesë e konstruksionit u shemb, duke lënë punëtorët të bllokuar nën rrënoja.
Sipas të dhënave zyrtare, viktimat që humbën jetën janë Pajtim Bajrami (1990), Asllan Musliu (1977) dhe Istref Zekaj.
Përmes një komunikate zyrtare, përfaqësia diplomatike u shpreh se po ndjek me vëmendje situatën në terren.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri shpreh dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave, si dhe për të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe po ndjekim nga afër çdo zhvillim lidhur me rastin”, thuhet në njoftimin e tyre.
Krahas konfirmimit të identitetit të personave që humbën jetën, institucioni ka bërë të ditur se është vënë në dispozicion të familjarëve për të kaluar këtë periudhë të vështirë.
“Jemi të angazhuara për të ofruar të gjithë mbështetjen e nevojshme për familjarët e viktimave me qëllim të ofrimit të mbështetjes së nevojshme dhe koordinimit të mëtejmë për të gjitha procedurat përkatëse”, njofton ambasada, duke shtuar se do të vazhdojnë të mbajnë opinionin publik të informuar për çdo zhvillim të ri.
Vjenë: Tre shqiptarë humbin jetën gjatë punimeve ndërtimore
Katër persona dyshohet se kanë humbur jetën dhe një tjetër është lënduar rëndë si pasojë e një aksidenti të rëndë në një kantier ndërtimi në Vienna.
Tre nga katër viktimat janë nga Kosova.
Sipas raportimeve të mediave austriake, ngjarja ka ndodhur të martën pasdite në lagjen Alsergrund, rreth orës 14:30, kur një pjesë e skelave bashkë me kallëpet e betonit janë shembur gjatë punimeve.
Siç raporton Der Standard, fillimisht ishte raportuar për një person të plagosur rëndë, ndërsa më vonë u konfirmua se katër persona kishin humbur jetën nga ky aksident.
Sipas shërbimeve emergjente, një punëtor 45-vjeçar ka pësuar lëndime të rënda në kokë dhe shtyllën kurrizore, si dhe fraktura në duar.
Zëdhënësi i zjarrfikësve, Martin Hofbauer, ka deklaruar se e gjithë konstruksioni është shembur, duke zënë poshtë pesë persona që ndodheshin mbi të në momentin e aksidentit.
Sipas Hofbauer, në këtë aksident u shemb e gjithë konstruksioni bashkë me pesë personat që ndodheshin mbi të.
Operacioni i shpëtimit është zhvilluar në kushte të vështira, pasi ekipet emergjente dhe punëtorët e tjerë janë detyruar në disa raste të largojnë materialet edhe me duar për të arritur te të lënduarit.
Aksidenti ndodhi gjatë punimeve të betonimit në kuadër të një projekti për ndërtimin e një kati shtesë në një objekt banimi, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar shkaqet e ngjarjes.