Lajmet

LVV vazhdon kritikat ndaj Borrell: Qasja e tij ndaj Kosovës është e padrejtë

Sipas VV, Lajçak dhe Borrell po dëshirojnë ta dërgojnë dialogun në temat që leverdisin Vuçiqin.

Published

on

Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon kritikat ndaj ndërmjetësve të dialogut, në prag të takimit të mundshëm Kurti-Vuçiq në Bruksel. Sipas partisë në pushtet, qasja e përfaqësuesit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe ndërmjetësit të dialogut, Miroslav Lajçak është e padrejtë ndaj Kosovës.

Deputetja e mazhorancës, njëherësh kryetare e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, thotë se Borrell dhe Lajçak po dëshirojnë ta dërgojnë dialogun në temat që i leverdisin presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Prandaj, sipas saj, ky i fundit përmes strukturave kriminale po krijon tension në veri në mënyrë që të nxjerr diçka prej këtyre situatave.

“Jam shumë e zhgënjyer dhe dëshpëruar prej qasjes që kreu i politikës së jashtme të BE-së ka treguar karshi krejt këtij procesi. Për mua vlerat e BE-së janë shumë më shumë përtej kësaj që ne kemi parë kohët e fundit, në veçanti me qasjen e pabarabartë që është treguar në raport me Kosovën dhe Serbinë… Tendenca e Vuçiqit ka qenë për të kthyer dialogun në drejtimin që ai ka dashur dhe për të kthyer në diskutim temat që atij i kanë konvenuar. Pak a shumë kjo ka qenë edhe ideja se si janë përpjekur edhe vet Brukseli të dërgojnë dialogun, por nuk ia kanë dal, në këtë moment që nuk ia kanë dal e kemi situatën që është krijuar në veri, pikërisht për shkak se edhe vet Vuçiq e kuptoi se dialogu i doli prej kontrollit dhe që nuk po mundet t’i arrijë kompromiset që po i dëshiron me kryeministrin Kurti. Andaj i është dashur të krijojë situata të tilla në mënyrë që të arrijë të nxjerr diçka prej këtyre situatave, por e ka të vështirë pasi ne nuk jemi duke bërë asgjë me atë që na lejon Kushtetuta dhe rendi juridik”, thotë ajo.

Sipas deputetes Kryeziu-Hysenit, ftesa për takim të nivelit të lartë në Bruksel është e vonshme.

Megjithatë, ajo shton se Qeveria e Kosovës është e angazhuar në maksimum për deeskalimin e situatës në veri, por thekson se kjo do të varet edhe nga pala tjetër.

“Një takim i tillë është kërkuar nga kryeministri Kurti pak javë më parë dhe nuk është pranuar me arsyetimin se nuk na duhet se fillimisht duhet të de-eskalohet situata. Ndërkohë, ndonjëherë më e eskaluar nuk ka qenë situata, pra palët është dashur të takohen më herët që mos të vinte situata deri këtu ku jemi sot. Ftesa për këtë takim është e vonshme, pasi është dashur të pritet të kidnapohen tre zyrtarët policorë për të shkuar në Bruksel për të vazhduar dialogun ose për të gjetur një kompromis. Si mund të gjesh kompromis me një president që të kërkon të lirosh kriminelët, ndërkohë ti je në anën tjetër që kërkon të lirosh tre policë të pafajshëm të cilët i arrestove në territor të huaj duke kryer detyrën e vet zyrtare… Qeveria jonë me qasjen e saj që ka treguar deri tani do të arrijë të ndërtojë një situatë ndryshe prej asaj që kemi pa së fundmi. Por mos të harrojmë se kjo nuk varet vetëm prej Republikës së Kosovës, pasi është shumë e rëndësishme që të paktën faktori ndërkombëtar mos të drejtoj presionin kah Kosova dhe mos të fsheh apo mbulojë atë që Serbia po bënë në këtë rast”, thekson Kryeziu-Hyseni.

Duke folur për masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian po aplikon ndaj Kosovës për shkak të situatës në veri, ajo thotë se të njëjtat janë të padrejta.

“Këto mund të jenë masa që mund të vendosen në raport me Kosovën, por unë mendoj se BE-ja duhet të jetë i kujdesshëm në kuptimin se çfarë mase i vendos Kosovës dhe për çfarë. Ti mund t’i vendosësh masa një shteti për rritje të krimit të organizuar, kriminalitetit, autokracisë, mungesës së reformave, lirisë së shprehjes, e këto elemente me radhë, në të cilat Republika e Kosovës ka shënuar progres. Si mund t’i vendosesh sanksione apo masa një shteti që përgjatë kësaj periudhe dyvjeçare ka treguar progres të jashtëzakonshëm?”, deklaron ajo.

Në anën tjetër, deputetja thotë se tre policët e rrëmbyer nga forcat serbe duhet të lirohen pa asnjë kusht.

“Ata po akuzohen për armëmbajtje pa leje dhe po mbahen në njërën prej qendrave të paraburgimit në Serbi. Fillimisht janë akuzuar për terrorizëm, mandej ka rënë poshtë. Kemi pa që ka shumë të meta në vet aktakuzën që është ngritur ndaj këtyre tre zyrtarëve policorë. Ka mjaftueshëm arsye për të kuptuar se cila ka qenë tendenca e Serbisë për ( t’i rrëmbyer) këta persona. Këtu ka vetëm një arsye, (pasi janë rrëmbyer) që të krijohet kjo situatë që është krijuar sot, të eksalohet më shumë tensionet në veri”, thotë ajo.

Sipas kryetares së Komisionit për Punë të Jashtme, situata në veri po dëshmon se Serbia asnjëherë s’ka qenë e gatshme për të shkuar drejt normalizimit të raporteve, aq më pak drejt njohjes reciproke.

BE po pret që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq të pranojnë ftesën për takim në Bruksel, pa vendosur asnjë kusht. Kurti ka deklaruar gjatë së martës së është i gatshëm të shkojë në Bruksel, ndërsa Vuçiq ka thënë se nuk dëshiron të flasë me Kurtin.

Lajmet

KESCO apelon për kursim të energjisë elektrike, paralajmëron rritje të konsumit

Published

on

By

Kompania për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) u ka bërë thirrje konsumatorëve që të shfrytëzojnë me kujdes energjinë elektrike gjatë muajve të dimrit, pas rritjes së ndjeshme të konsumit.

Sipas të dhënave të publikuara nga KESCO, gjatë periudhës 1 shtator – 31 tetor, konsumi i energjisë elektrike është rritur për 4.1 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ndërkohë, ditët e para të nëntorit kanë shënuar një rritje edhe më të madhe, me afro 25 për qind më shumë konsum krahasuar me muajin paraprak.

KESCO thekson se kursimi i energjisë nuk nënkupton heqjen dorë nga ngrohja apo rehatia në shtëpi, por shmangien e shpenzimeve të panevojshme dhe përdorimin më racional të pajisjeve elektrike.

“Mbajtja e temperaturave të arsyeshme në ambientet e banimit, ngrohja e hapësirave që përdorim, shfrytëzimi efikas i pajisjeve elektrike dhe fikja e tyre kur nuk nevojiten janë veprime të thjeshta që mund të sjellin ndryshim”, thuhet në komunikatën e KESCO-s.

Sipas kompanisë, përdorimi i kujdesshëm i energjisë ndihmon në uljen e shpenzimeve familjare, zvogëlimin e ngarkesës në rrjet gjatë periudhave të konsumit të lartë dhe shfrytëzimin më efikas të burimeve energjetike.

Në fund, KESCO u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që gjatë këtij dimri të tregojnë kujdes në përdorimin e energjisë elektrike, duke shmangur shpenzimet e panevojshme.

D.L

Continue Reading

Lajmet

United Hospital, standard i ri në shërbimet shëndetësore në Kosovë – teknologji e avancuar dhe trajtim modern i sëmundjeve vaskulare

Published

on

By

United Hospital, tashmë një nga spitalet private më të mëdha në Kosovë, po fuqizon vazhdimisht ofertën e shërbimeve shëndetësore përmes teknologjisë së avancuar, pajisjeve moderne diagnostikuese dhe trajtimit bashkëkohor në fusha të ndryshme të mjekësisë.

Një ndër fushat ku ky institucion shëndetësor ofron zgjidhje të specializuara është edhe mjekësia vaskulare, e cila merret me diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të enëve të gjakut, nga koka deri te këmbët.

Përmes ekspertizës profesionale të Dr. Halil, pacientët informohen për mundësitë moderne të trajtimit të problemeve vaskulare, duke përfshirë metodat kirurgjike të hapura, intervenimet minimale invazive dhe procedurat endovaskulare.

Në United Hospital trajtohen një sërë patologjish vaskulare, ndër të cilat:

Stenoza e arteries karotide, me rëndësi të veçantë në parandalimin e goditjes në tru.

Aneurizmat e aortës, torakale dhe abdominale.

Ngushtimet e arterieve të veshkave, pelvikut dhe gjymtyrëve të poshtme.

Sëmundjet e venave dhe variçet, përmes metodave moderne të trajtimit, përfshirë përdorimin e ngjitësit biologjik, një alternativë ndaj operacionit klasik për pacientët e përshtatshëm.

Përparësia e këtyre metodave qëndron në mundësinë e trajtimit më pak invaziv, reduktimin e shqetësimeve pas procedurës dhe rikthimin më të shpejtë në aktivitetet e përditshme, varësisht nga gjendja shëndetësore dhe metoda e aplikuar.

Me investimet në teknologji, zgjerimin e shërbimeve dhe angazhimin e profesionistëve shëndetësorë, United Hospital synon të ofrojë standarde bashkëkohore të kujdesit mjekësor, duke krijuar më shumë mundësi për pacientët që kërkojnë diagnostikim dhe trajtim të specializuar brenda Kosovës.

United Hospital – kujdes shëndetësor, teknologji dhe profesionalizëm në shërbim të shëndetit tuaj!

046 60 70 70

M2, Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë – Kosovë

Për informacione dhe konsultime, kontaktoni United Hospital. Përshtatshmëria për secilën procedurë përcaktohet pas vlerësimit nga mjeku specialist.
gazeta speciale./rajonipress/

Continue Reading

Lajmet

Lëvizjet me çmimet e derivateve: Kusari-Lila paralajmëron rikthimin e çmimit tavan nëse nafta nuk pocheapërohet në Kosovë

Published

on

By

Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka paralajmëruar se Qeveria do të rikthejë çmimin tavan për naftën nëse rënia e çmimeve të derivateve në tregun botëror nuk reflektohet në tregun kosovar brenda pak ditëve.

Duke iu përgjigjur pyetjes parlamentare të deputetes së AAK-së, Albana Bytyqi, e cila ngriti shqetësimin për ndikimin e shtrenjtimit të naftës në çmimet e produkteve të tjera, ministrja Kusari-Lila sqaroi se dy ditët e fundit ka filluar një rënie e çmimeve në tregun ndërkombëtar.

“Arsyeja e çmimit 1.90 ose 1.89, që është sot, e evidentuar, ka të bëjë me rritjen e çmimit në tregun botëror. Megjithatë, pozitive në këto dy ditët e fundit është një fillim i rënies dhe që nga nesër, nëse nuk ka rënie apo reflektim në çmimin në tregun në Kosovë, atëherë ne e rikthejmë çmimin tavan, i cili tashmë kemi edhe bazën ligjore për ta bërë atë”, deklaroi Kusari-Lila.

Ministrja shpjegoi se vendimi për heqjen e çmimit tavan ishte marrë më 8 shtator pas përfundimit të afatit 180-ditor, ndërsa institucionet kanë vazhduar monitorimin e marzhës tregtare në baza ditore.

“Çka kemi bërë? Kemi shqyrtuar gjendjen e inspektimeve, por gjithashtu edhe kemi pasur skadim të afatit bazuar në këtë udhëzim administrativ… Megjithatë, pas heqjes së këtij vendimi, që nga data 8 shtator deri më sot, më 5 nëntor, në baza ditore kemi bërë dhe bëjmë, vazhdojmë të bëjmë monitorimin e çmimit dhe përcaktimin e marzhës sipas çmimeve të tregut… Të dhënat zyrtare të importit tregojnë se marzha që nga heqja e çmimit tavan nuk e ka kaluar 12 centin, i cili është i përcaktuar me udhëzimin administrativ. Ka qenë 11.5 cent”, shtoi ajo.

Ajo po ashtu nënvizoi se Kosova mbetet mjaft e ekspozuar ndaj luhatjeve globale për shkak të shkallës së lartë të importit, por siguroi se ekzekutivi nuk do të qëndrojë pasiv.

“Kosova, siç e dini, nuk është e izoluar dhe nuk ka qenë e izoluar nga këto zhvillime. Në të kundërt, është shumë e ekspozuar për shkak të nivelit të madh të importit. Megjithatë, qeveria nuk ka qëndruar dhe nuk do të qëndrojë pasive përballë këtij çrregullimi të tregut. Ne ndërhyjmë aty ku i kemi kushtet ligjore”, përfundoi Kusari-Lila, duke cituar udhëzimet administrative përkatëse që lehtësojnë ndërhyrjen e shtetit. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Cassis nga Prishtina vlerëson lart diasporën: Rreth 500 mijë kosovarë jetojnë në Zvicër, lidhja jonë është e jashtëzakonshme

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme i Zvicrës, Ignazio Cassis, ka deklaruar se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës janë të shkëlqyera dhe të bazuara në një histori të gjatë e të fuqishme bashkëpunimi.

Pas takimit me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, Cassis theksoi se kjo është vizita e tij e parë zyrtare në Prishtinë si pjesëtar i Qeverisë zvicerane, ndonëse takimet mes diplomacive të të dyja vendeve kanë qenë të vazhdueshme.

“Zvicra dhe Kosova kanë një histori të gjatë të marrëdhënieve intensive dhe të shkëlqyera. Ne ishim ndër vendet e para që e njohëm pavarësinë e Kosovës, që në orët e para, dhe lidhjet tona janë bërë kaq të forta sepse kemi qenë të hapur për t’i hapur kufijtë për shumë njerëz nga Kosova, të cilët kanë ardhur në Zvicër për të punuar e jetuar”, u shpreh Cassis.Diplomati zviceran vuri theksin te roli i jashtëzakonshëm i diasporës kosovare në Zvicër, duke saktësuar numrin e qytetarëve me prejardhje nga Kosova që jetojnë atje.

“Bëhet fjalë për rreth 500 mijë njerëz, gra, burra dhe fëmijë, që jetojnë në Zvicër dhe që kanë ose pasaportë kosovare, ose vijnë nga kjo trevë. Kjo përbën pothuajse 10 për qind të të gjithë popullsisë sonë, gjë që natyrshëm krijon një lidhje njerëzore jashtëzakonisht të fortë. Përveç kësaj, ata janë edhe heronj të futbollit në vendin tonë”, shtoi ai.

Cassis po ashtu kujtoi vizitën shtetërore të ish-presidentes Vjosa Osmani në Zvicër në mars të vitit të kaluar, duke e cilësuar atë si një moment me rëndësi të veçantë për thellimin e partneritetit dypalësh. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara