Lajmet
LVV propozon komision hetimor parlamentar për energjinë, gati 40 nënshkrimet
Mazhoranca do të përfshijë zgjerimin e hetimeve për sektorin e energjisë që nga shpallja e pavarësisë deri tani.
Published
4 years agoon
By
UBT newsGrupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje pritet të procedojë sot në Kuvend 40 nënshkrime për formimin e komisionit hetimor për sektorin e energjisë.
Ndryshe nga kërkesa opozitare, mazhoranca do të përfshijë zgjerimin e hetimeve për sektorin e energjisë që nga shpallja e pavarësisë deri në qeverinë aktuale.
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha për KP se në kërkesën për formimin e komisionit hetimor parlamentar për sektorin e energjisë do të përfshijnë edhe pikat që janë të propozuara nga opozita.
“Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje e mbështetë formimin e komisionit hetimor parlamentar për sektorin e energjisë, me spektër të zgjeruar kohor të hetimeve. […] Jemi të interesuar në funksionimin e mirëfilltë të demokracisë dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave që e karakterizojnë sektorin e energjisë. Do të prezantojmë propozimin tonë për zgjerim të spektrit të hetimit parlamentar duke përfshirë edhe pikat që i ka propozuar tashmë opozita. Me dyzet nënshkrime të grupit parlamentar do të dorëzojmë këtë kërkesë që të mundësojmë formimin e komisionit hetimor parlamentar. […] Ne jemi të interesuar në zbardhjen e të gjitha fakteve që lidhen me vendimmarrjen me sektorin e energjisë që nga shpallja e pavarësisë deri në qeverinë aktuale dhe një propozim të tillë do të dorëzojmë (sot) në Kuvendin e Kosovës”, tha ajo.
Një ditë para seancës plenare, ku është në rend dite kërkesa e opozitës për formimin e komisionit hetimor parlamentar, shefja e deputetëve të LVV-së thotë se në formën aktuale partitë opozitare e kanë të pamundur formimin e komisionit hetimor.
“Është vërejtur që opozita në kompozicionin aktual dhe mënyrën si janë dorëzuar nënshkrimet dyzet nënshkrimet e të gjitha grupeve parlamentare, përfshirë edhe Listën Serbe të bashkangjitur me tri partitë opozitare do të kenë të pamundur themelimin e komisionit hetimor parlamentar, pasi nuk ka grup parlamentar nga i cili mund të zgjidhet kryesuesi apo kryesuesi derisa partitë në pozitë e kanë të ndaluar me ligj të jenë në krye të komisioneve hetimore parlamentare. […] Në formën e tillë tashmë është marrë interpretimi edhe nga administrata e Kuvendit. Në dy legjislatura të ndryshme ka ndodhur një situatë e ngjashme edhe në kohën kur kryetar Kuvendi ishte Kadri Veseli dhe në kohën kur kryetare e Kuvendit ishte Vjosa Osmani-Sadriu dhe s’ka pasur mundësi të formimit të komisioneve hetimore parlamentare në momentin kur deputetët nga grupet parlamentare të opozitës janë të përfshirë në kërkesë”, shton Kusari-Lila.
Ajo i konsideron për keqardhje edhe pretendimet e opozitës, veçmas të PDK-së për ndërlidhjen siç e quan ajo fiktive të situatës aktuale të energjisë në Kosovë me raportimet për skandalin financiar të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK po kërkojnë me ngulm formimin e komisionit hetimor parlamentar për energjinë. Pavarësisht sigurimit të dyzet nënshkrimeve, mazhoranca nuk po e përkrah për shkak, siç po konsiderojnë mos respektimit të rregullores së Kuvendit.
Për shkak të kësaj kërkese, opozita ka një javë që po bojkoton votimet në komisione parlamentare, madje një gjë të tillë e ka paralajmëruar edhe në seanca plenare.
Të enjten është seanca e rregullt plenare, ku në rend të ditës është edhe kërkesa e opozitës për formimin e komisionit hetimor parlamentar për krizën energjetike gjatë vitit 2021 dhe punësimet në KEK.
Rajoni
Arrestohet në Zvicrë, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për mashtrim
Published
29 minutes agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Një person i kërkuar nga autoritetet e rendit në Kosovë është ekstraduar gjatë ditës së sotme nga Zvicra drejt Kosovës, pas një operacioni të suksesshëm të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me autoritetet zvicerane.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate zyrtare nga Policia e Kosovës, ku specifikohet se i ekstraduari është shtetasi me inicialet B.Z., i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes letërrreshtimit të lëshuar nga Interpoli.
I dyshuari ishte arrestuar kohë më parë nga autoritetet zvicerane, pasi institucionet e drejtësisë në Kosovë kishin lëshuar urdhërarrest ndaj tij nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”.
Sipas Policisë, B.Z. i ishte shmangur drejtësisë për një kohë të gjatë, por koordinimi i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor me njësitet relevante dhe institucionet zvicerane bëri të mundur lokalizimin dhe sjelljen e tij para organeve të rendit në vendlindje.
Ekstradimi i realizuar këtë të mërkurë, më 1 prill 2026, u mbështet plotësisht në ligjet në fuqi dhe në marrëdhëniet e ngushta diplomatike e policore mes Republikës së Kosovës dhe Zvicrës.
Policia e Kosovës ka deklaruar se ky aksion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar krimin dhe për të parandaluar aktivitetet ilegale, duke theksuar se shkëmbimi i informacioneve me organizatat ndërkombëtare do të intensifikohet për të gjurmuar dhe kapur çdo person apo grup kriminal që tenton t’i shpëtojë përgjegjësisë penale, pavarësisht nëse veprojnë brenda apo jashtë kufijve të vendit.
Lajmet
ZRRE: Do të korrigjohet çdo gabim në faturat e rrymës
Published
35 minutes agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), përmes një njoftimi për media, bën të ditur se është angazhuar maksimalisht në monitorimin e situatës lidhur me shqetësimet e konsumatorëve për devijimin e mundshëm të orëve tarifore.
ZRRE po grumbullon në vazhdimësi informata për të garantuar një matje të drejtë dhe të saktë, duke siguruar që faturimi të reflektojë vetëm konsumin real të energjisë elektrike.
Në këtë kuadër, ZRRE ka bërë të qartë se çdo rast i raportuar do të trajtohet me prioritet.
“ZRRE siguron konsumatorët se të gjitha rastet e raportuara për mos-përputhje të kohës tarifore do të analizohen dhe shqyrtohen me kujdes. Në rast se konstatohet se ekzistojnë gabime në funksionimin e njehsorit elektrik, do të ndërmerren masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin dhe rregullat në fuqi”, thuhet në njoftim.
Ky angazhim vjen si një garanci shtesë se asnjë gabim teknik nuk do të rëndojë mbi xhepat e qytetarëve, veçanërisht pasi kompanitë si KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara dhe nuk mund të përfitojnë nga këto parregullsi.
Për të mbyllur çdo hapësirë dyshimi, rregullatori rikonfirmon se mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe garantimin e një sistemi të drejtë dhe transparent dhe të besueshëm në sektorin e energjisë.
Vendi
27 vjet nga masakra në Lybeniq, Kurti: Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën
Published
1 hour agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Në 27-vjetorin e njërës prej krimeve më makabre të forcave serbe në Kosovë, Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe te varrezat e të vrarëve në fshatin Lybeniq të Pejës.
Ky përvjetor kujton mëngjesin e përgjakshëm të 1 prillit të vitit 1999, kur njësitë famëkeqe serbe “Çakejt” dhe “Mbrojtja Territoriale” rrethuan fshatin dhe shkatërruan jetët e dhjetëra familjeve.
Sipas dëshmive, forcat serbe kishin nxjerrë banorët me dhunë nga shtëpitë e tyre, duke i mbledhur në qendër të fshatit, pranë xhamisë. Pasi ndanë gratë, fëmijët dhe të moshuarit për t’i dëbuar me forcë drejt Shqipërisë, ata ekzekutuan me breshëri armësh automatike 59 burra të pafajshëm nga familjet e shumta të këtij fshati.
Kryeministri Kurti theksoi se, edhe pse kjo masakër u dokumentua që në vitin 1999 nga organizatat ndërkombëtare si Human Rights Watch, drejtësia po mungon.
Ai akuzoi drejtpërdrejt shtetin serb për zvarritje dhe mjegullim të proceseve gjyqësore, duke e quajtur Serbinë një “shtet gjenocidal” që refuzon të ballafaqohet me të kaluarën.
Në fund të mesazhit të tij, Kurti nënvizoi se Serbia vazhdon të mbetet një tokë e varrezave masive dhe një strehë e sigurt për kriminelët e luftës, duke kërkuar llogaridhënie për krimet që lanë plagë të hapura në Lybeniq dhe mbarë Kosovën.
Lajmet
MINT nis verifikimin e njehsorëve të rrymës pas dyshimeve për matje të gabuara
Published
2 hours agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Komisioni i posaçëm i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka nisur punën në terren për verifikimin e njehsorëve elektrikë, pas ankesave të shumta të konsumatorëve për çrregullime të kohës dhe matje të pasaktë të energjisë.
Drejtoresha e Agjencisë së Metrologjisë, Sebahate Bushrani, ka bërë të ditur se njehsorët e dyshimtë do të tërhiqen për verifikim dhe do të zëvendësohen me të tjerë deri në lëshimin e raportit zyrtar. Sipas saj, aktualisht janë rreth 70 ankesa, ndërsa raporti përfundimtar do t’u dërgohet Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe palëve të përfshira, raporton Koha.net.
Ky aksion vjen pas denoncimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila përmes një hulumtimi në Prishtinë dhe Ferizaj ka pretenduar se rreth 800 njehsorë llogarisin energjinë me tarifë të shtrenjtë për shkak të mosperputhjes së orës.
Ndonëse KEDS-i i ka mohuar këto pretendime, raportimet e mëhershme kanë treguar se qytetarët në Fushë-Kosovë janë përballur me probleme të ngjashme, ku orët në njehsorë figuronin jashtë kohës reale. Verifikimi mbetet një proces i ndjeshëm, veçanërisht pas kritikave të vitit 2023 se ky proces kryhej në laboratorët e KEDS-it, veprim ky që konsiderohej shkelje e Ligjit për Metrologji.
Saktësia e njehsorëve është jetike për xhepin e qytetarëve, pasi dallimi mes tarifave është i lartë. Gjatë dimrit, tarifa e lartë (9.05 centë deri në 15.43 centë për kW) aplikohet nga ora 07:00 deri në 22:00, ndërsa tarifa e ulët (3.88 centë deri në 7.28 centë për kW) vlen gjatë natës. Çdo mospërputhje e orës bën që konsumatorët të faturohen me çmime maksimale edhe kur ata tentojnë të kursejnë duke përdorur pajisjet shtëpiake gjatë orëve të vona. /Koha.net/
Arrestohet në Zvicrë, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për mashtrim
ZRRE: Do të korrigjohet çdo gabim në faturat e rrymës
27 vjet nga masakra në Lybeniq, Kurti: Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën
MINT nis verifikimin e njehsorëve të rrymës pas dyshimeve për matje të gabuara
Gallapeni: Nuk ia dolëm, por kjo nuk na ndalë
Dua Lipa i bashkohet filmit “Peaked”, zgjeron karrierën në Hollywood
Starmer kërkon lidhje më të ngushta me BE-në pas përplasjeve me Trump për luftën në Iran
“The Athletic” vlerëson guximin e Kosovës: “Nuk u mposhtën nga shiu, as nga presioni”
17 vite nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO
Të kërkuara
-
Vendi1 month agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Aktualitet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Lajmet3 months agoNumërohen 31.58% e votave me kusht
-
Lajmet nga UBT3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
