Lajmet

Lufthansa do të punësojë 10.000 punonjës të rinj në 2025

Published

on

Lufthansa ka njoftuar një plan ambicioz për të shtuar 10.000 punonjës të rinj në vitin 2025, duke kërkuar staf të ndryshëm për sektorët e fluturimeve dhe operacioneve tokësore. Ky njoftim vjen edhe pas një viti të vështirë për kompaninë, i shoqëruar nga konflikte të rëndësishme brenda grupit gjatë vitit 2024. Kompania ka theksuar se ka nevojë për 2.000 stjuardesa, 1.400 punonjës për operacionet tokësore dhe rreth 1.300 ekspertë teknikë. Po ashtu, Lufthansa është duke kërkuar 1.200 punonjës të administratës dhe 800 pilotë të rinj.

Rreth gjysma e këtyre punësimeve janë planifikuar të realizohen në Gjermani, por filialet e tjera si Eurowings dhe Austrian Airlines gjithashtu do të angazhojnë qindra punonjës të rinj. Megjithatë, punësimet e vitit 2025 në Lufthansa Airlines do të jenë më të pakta se ato të vitit të kaluar, për shkak të një programi që ka për qëllim uljen e kostove të kompanisë.

NjoftimI vjen pas një periudhe të vështirë për sektorin e udhëtimeve në Gjermani, që ka përjetuar një rritje të shpenzimeve të udhëtimit nga konsumatorët, pavarësisht situatës ekonomike të pasigurt. Lufthansa ka qenë në qendër të vëmendjes jo vetëm për planet e saj për punësim, por edhe për një mundësi të re ekspansioni, pasi po përfundon blerjen e linjës ajrore shtetërore italiane Ita, që do të forcojë pozitat e saj në tregun e Evropës Jugore. Kjo blerje është aktualisht nën shqyrtim nga Komisioni Evropian, i cili ka vendosur disa kushte për të siguruar konkurrencë të drejtë në treg./UBTNews/

 

Lajmet

OKB: Ruajtja e armëpushimit në Gaza është jetike për të ofruar ndihma dhe për të shpëtuar jetë

Published

on

Mbajtja e armëpushimit në Gaza është thelbësore për ofrimin e ndihmës humanitare që shpëton jetë në territor kanë thënë Kombet e Bashkuara, duke përsëritur një thirrje për hapjen e të gjitha kalimeve kufitare.

“Ruajtja e armëpushimit është jetike; në të vërtetë është e vetmja mënyrë që mund të shpëtojmë jetë. E dimë që është një armëpushim i brishtë; gjëja më e rëndësishme është që të zgjasë”, tha Abeer Etefa, zëdhënëse e Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së për Lindjen e Mesme.

Etefa tha se që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, 530 kamionë të WFP-së kishin kaluar në Gaza, duke sjellë më shumë se 6,700 ton ushqim, të cilat ajo tha se ishin të mjaftueshme për gati gjysmë milioni njerëz për dy javë.

Ajo shtoi se WFP nuk kishte parë plaçkitje të konvojeve të saj që nga armëpushimi dhe se tani ka 26 pika shpërndarjeje ushqimesh të hapura në Gaza nga pesë të premten, por ende shumë më pak se 145 që shpreson të ketë në të gjithë territorin.

“Njerëzit po shfaqen në numër të madh” në pikat e shpërndarjes, tha Etefa.

Ajo tha se vetëm kalimet kufitare Kerem Shalom dhe Kissufim ishin të hapura, por bëri thirrje që të hapet çdo pikë hyrjeje në territorin palestinez, veçanërisht ato në veri, ku situata e ushqimit është jashtëzakonisht e rëndë.

“Nuk kemi një tregues se kur do të hapen ato pika kufitare”, tha ajo, duke shtuar: “Nuk kemi arritur në pikën ku Gaza është e përmbytur me ushqim”, përfundoi ajo./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Parashikimi i motit

Published

on

Sot në Kosovë do të mbaj mot kryesisht i vranët dhe me reshje lokale shiu.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se temperaturat minimale pritet të sillen nga 8 deri 10 gradë Celcius, kurse ato maksimale nga 13 deri 16 gradë Celcius.

Era do të fryjë kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1–7 m/s./S.K/UBTNews/

 

Continue Reading

Lajmet

Rama nga Londra: Kosova s’duhet të merret me Serbinë, por të përmbushë detyrimet ndaj BE-së

Published

on

By

Në Londër po zhvillohet një tryezë me temën “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian”, ku ndër folësit kryesorë është edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

I pyetur për pozicionin e Kosovës në rajon dhe për ecurinë e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, Rama u shpreh se Prishtina duhet të fokusohet tek përmbushja e detyrimeve që burojnë nga dialogu me Serbinë dhe jo tek vetë raportet dypalëshe.

Që të jetë e suksesshme Kosova duhet të harrojë Serbinë, fjalë për fjalë dhe duhet të realizojë të gjitha pikat që kanë të bëjnë me dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, pavarësisht nga Serbia, pra ata t’ia lënë topin në fushë Serbisë dhe të ecin para drejt Europës duke lënë Europën të merret me Serbinë dhe mos ta lënë çështjen e Serbisë të shndërrohet në çështje fajësimi midis të dyjave. Megjithatë, është mendimi im ky, unë respektoj atë që vendosin udhëheqësit e zgjedhur të Kosovës për vendin e tyre”, tha ai./EO

Continue Reading

Lajmet

Supremja: Pranohet ankesa e kandidatit të pavarur për kryetar të Kllokotit, rrëzohet vendimi i PZAP-së

Published

on

By

Kolegji i Gjykatës Supreme e ka pranuar si të bazuar ankesën e kandidatit të pavarur për kryetar të Komunës së Kllokotit, Arber Emini, dhe ka prishur vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të datës 15.10.2025.

Sipas Supremes, çështja është kthyer në rivendosje në PZAP.

Bazuar në shkresat e lëndës, Arber Emini me datë 13.10.2025, është ankuar në PZAP, me pretendimin se “me datë 12.10.2025 në Zgjedhjet Lokale në Kllokot, Serbia ka ndërhyrë në sistemin zgjedhor në Komunën e Kllokotit, duke fabrikuar dëshmi mjekësore serbe të strukturave paralele për t’u shfrytëzuar votuesit me asistencë të përdorin këtë vërtetim mjekësor”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se Gjykata Supreme e Kosovës vlerëson se PZAP, gabimisht ka vendosur kur e ka hedhur poshtë ankesën e ankuesit, për faktin se nga pretendimet që dalin nga ankesa, i njëjti është ankuar për procesin dhe parregullsitë gjatë ditës së votimit dhe jo kundër rezultateve preliminare të tabuluara nga KQZ, ashtu siç ka pretenduar PZAP në vendimin e saj.

Andaj, në rivendosje, PZAP, udhëzohet që t’i evitojë shkeljet e theksuara në Aktvendimin e Gjykatës Supreme, AA.nr.93/2025, dhe të vendos në mënyrë meritore lidhur me ankesën e kandidatit të pavarur për kryetar të Komunës së Kllokotit, Arber Emini”, thuhet në njoftim.

Zgjedhjet e rregullta komunale janë mbajtur më 12 tetor./KP

Continue Reading

Të kërkuara