OpenAI ka kërkuar nga Meta të dorëzojë dokumente që lidhen me çdo marrëveshje apo bashkërendim të mundshëm me Elon Musk dhe kompaninë e tij xAI për të investuar apo blerë OpenAI. Kjo kërkesë është bërë publike në një dosje gjyqësore të depozituar të enjten, si pjesë e padisë që Musk ka ngritur ndaj OpenAI.

Sipas përfaqësuesve ligjorë të OpenAI, ata i kanë dërguar Meta-s një thirrje zyrtare (subpoena) në qershor, ku kërkojnë dokumente që mund të provojnë përfshirjen e Meta-s në ofertën e papritur të Musk prej 97 miliardë dollarësh për të blerë OpenAI në shkurt. Ende nuk është e qartë nëse këto dokumente ekzistojnë. Oferta e Musk u refuzua nga OpenAI.
Avokatët e OpenAI pretendojnë se Musk ka komunikuar me CEO-n e Meta-s, Mark Zuckerberg, lidhur me ofertën e xAI, përfshirë edhe diskutime mbi financimin ose investime të mundshme.
Meta ka kundërshtuar kërkesën fillestare të OpenAI në korrik, por tani OpenAI po kërkon një vendim gjykate për të detyruar Meta-n të dorëzojë informacionin. Gjithashtu, OpenAI ka kërkuar çdo dokument apo komunikim nga Meta që lidhet me ristrukturimin apo rikonceptimin financiar të OpenAI – çështja kryesore në padinë e Musk.
Zëdhënësi i Meta-s, Andy Stone, i ka treguar mediave se as Meta dhe as Zuckerberg nuk kanë nënshkruar ndonjë dokument zyrtar për blerjen e OpenAI. As Meta, as përfaqësuesit ligjorë të Musk, nuk kanë pranuar të komentojnë më tej.

Ndërkohë, Meta ka intensifikuar përpjekjet në fushën e inteligjencës artificiale. Në vitin 2023, drejtues të lartë të kompanisë synonin të zhvillonin një model që të kalonte GPT-4 të OpenAI, por deri në fillim të vitit 2025, modelet e saj kishin mbetur prapa standardit të industrisë. Në muajt e fundit, Zuckerberg ka rritur presionin, duke rekrutuar disa prej studiuesve kryesorë të OpenAI, përfshirë edhe një nga bashkëkrijuesit e ChatGPT, Shengjia Zhao, i cili tani drejton një njësi të re kërkimi brenda Meta-s.
OpenAI pretendon se diskutimet mes Musk dhe Zuckerberg tregojnë ndikimin dhe kërcënimin që paraqet pozicioni aktual i OpenAI në treg.
Padia e Musk kundër OpenAI lidhet me ristrukturimin e kompanisë në një organizatë me përfitim publik – një lëvizje që OpenAI e sheh si të nevojshme për të siguruar investime dhe potencialisht për t’u bërë publike. Musk, si bashkëthemelues dhe investitor i hershëm, e kundërshton këtë ndryshim duke pretenduar se bie ndesh me misionin origjinal të kompanisë.
Meta ka kërkuar nga gjykata të refuzojë kërkesën e OpenAI, duke argumentuar se çdo informacion i rëndësishëm mund të merret nga vetë Musk dhe xAI, dhe se diskutimet e brendshme të Meta-s nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me çështjen ligjore.