Sport

“Luftë” mes FIFA-s dhe UEFA-s, diskutime të mëdha për Kampionatin Botëror

Published

on

FIFA ka hedhur idenë e një Kampionati Botëror të organizuar çdo dy vite, por ndonëse nuk ka ende një projekt zyrtar, kreu i UEFA-s, Aleksander Ceferin nuk ngurroi të shfaqë menjëherë pozicionimin e tij kundër këtij propozimi që për momentin është vetëm në nivel mediatik.

Sipas kreut të qeverisë europiane të futbollit, magjia e këtij kompeticioni do të humbte, nëse do të organizohej çdo dy vite dhe për më tepër, një turne një mujor çdo verë do të ishte masakrues edhe për futbollistët.

“Për momentin nuk kam asnjë letër zyrtare në lidhje me këtë projekt dhe kam dëgjuar gjithçka nga mediat, megjithatë kjo nuk më pengon të shfaq që tani mendimin tim kundër. Magjia e këtij kompeticioni është pikërisht se organizohet një herë në katër vite dhe njerëzit e presin me padurim ashtu si Lojërat Olimpike. Një turne një mujor me frekuencë të tillë do të ishte masakrues edhe për futbollistët. Mesa di unë,edhe në Amerikën e Jugut nuk e duan diçka të tillë, ndaj ne jemi gati të heqim dorë nga një kompeticion i tillë”, deklaroi kreu i UEFA-s.

Sport

Real Madridi mbyll merkaton me mbi 200 milionë euro investime

Published

on

By

Afati kalimtar veror është mbyllur në pesë ligat kryesore evropiane, ndërsa Real Madridi nuk ishte protagonist në orët e fundit të merkatos. Klubi madrilen i kishte përfunduar lëvizjet e tij shumë më herët, duke bërë pjesën më të madhe të punës që në muajt e parë të verës.

Tashmë është koha për bilancet e para dhe për të analizuar se si kanë dalë skuadrat kryesore pas një vere me shumë lëvizje. Në fokus është Real Madridi, i cili këtë verë ishte mjaft aktiv në merkato.

Pas zgjedhjeve presidenciale, të fituara sërish nga Florentino Pérez, një prej zhvillimeve më të bujshme ishte rikthimi i José Mourinhos në klub. Më pas, drejtuesit madrilenë konkretizuan edhe disa përforcime të tjera, kryesisht mes fundit të qershorit dhe fillimit të korrikut.

Rreth 225 milionë euro të investuara

Në total, Real Madridi ka shpenzuar rreth 225 milionë euro gjatë këtij afati kalimtar.

Pjesën më të madhe të këtij investimi e përbën transferimi i Yan Diomandes, për të cilin klubi pagoi 125 milionë euro fikse. Ai u bë blerja më e shtrenjtë e Real Madridit gjatë kësaj vere dhe një prej transferimeve më të bujshme të merkatos.

Në Madrid u transferuan gjithashtu Marc Cucurella, Carlos Espi dhe Denzel Dumfries, për të cilët klubi pagoi shuma të konsiderueshme. Ndërkohë, Ibrahima Konaté dhe Bernardo Silva iu bashkuan skuadrës si lojtarë të lirë.

Në anën tjetër, Real Madridi arkëtoi mbi 55 milionë euro nga shitjet e futbollistëve. Ndër largimet më të rëndësishme ishin Gonzalo García dhe César Palacios, të cilët u transferuan te Fulham.

Megjithatë, aktiviteti i “Los Blancos” në merkato u ul ndjeshëm me kalimin e javëve. Klubi arriti të përforcojë pothuajse të gjitha repartet e skuadrës, ndërsa pozita e portierit nuk u konsiderua si një repart që kishte nevojë për ndërhyrje.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm ishte rinovimi i kontratës me Vinícius Júniors, duke siguruar të ardhmen e një prej futbollistëve kryesorë të skuadrës.

Mesfusha, pika e vetme e diskutimit

Pavarësisht investimeve të mëdha, një prej mangësive të këtij afati kalimtar mund të konsiderohet mosafrimi i një tjetër mesfushori qendror.

Real Madridi kishte synuar ta përforconte këtë repart, por Rodri zgjodhi transferimin te Barcelona, duke bërë që madrilenët të mos realizonin një tjetër goditje të madhe në mesfushë.

Tani përgjegjësia kalon te José Mourinho. Trajneri portugez do të duhet të nxjerrë maksimumin nga një skuadër e rindërtuar dhe me investime të konsiderueshme, me synimin për ta rikthyer Real Madridin në majën e futbollit evropian.

Pas një vere me mbi 200 milionë euro të investuara, pritshmëritë në Madrid janë të mëdha dhe rezultatet në fushë do të jenë matësi i vërtetë i suksesit të kësaj merkatoje.

D.L

Continue Reading

Sport

Kianoush Rostami fiton edhe medaljen e dytë të argjendtë për Kosovën

Published

on

By

Peshëngritësi Kianoush Rostami ka fituar edhe një medalje tjetër për Kosovën në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

Rostami ka triumfuar me medalje të argjendtë në stilin e shtytjes, në kategorinë deri në 95 kilogramë. Kjo është medalja e dytë e argjendtë për të në këtë garë, pasi më herët siguroi të njëjtin sukses edhe në stilin e shkëputjes.

Në stilin e shtytjes, peshëngritësi që garon për Kosovën e nisi garën me 196 kilogramë. Në tentimin e dytë, ai ngriti me sukses 203 kilogramë, ndërsa dështoi në provën e tretë me 211 kilogramë.

Medalja e artë i takoi egjiptianit Karim Abokahla, i cili arriti të ngrejë 204 kilogramë.

Rostami, i cili është nga Irani, por përfaqëson Kosovën në arenën ndërkombëtare, largohet kështu nga gara me dy medalje të argjendta, duke kontribuar në rritjen e bilancit të Kosovës në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

D.L

Continue Reading

Sport

Kosova fiton medaljen e tetë në “Taranto 2026”, Rostami merr të argjendtën

Published

on

By

Kosova ka fituar edhe medaljen e tetë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”. Peshëngritësi Kianoush Rostami ka siguruar medaljen e argjendtë në stilin e shkëputjes, në kategorinë deri në 95 kilogramë.

Rostami pati vetëm një provë të suksesshme në garë. Në tentimin e dytë, peshëngritësi ngriti 166 kilogramë, rezultat që i mjaftoi për të fituar medaljen e argjendtë.

Medalja e artë i takoi algjerianit Faris Touairi, i cili ngriti 169 kilogramë.

Rostami, i cili është me prejardhje nga Irani, por garon nën flamurin e Kosovës, ka një karrierë të jashtëzakonshme në peshëngritje dhe tashmë i ka sjellë Kosovës një tjetër medalje në “Taranto 2026”.

Megjithatë, gara e tij nuk ka përfunduar. Rostami do të ketë mundësi të luftojë për një tjetër medalje edhe në stilin e shtytjes.

Me medaljen e Rostamit, Kosova shkon në tetë medalje të fituara në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

D.L

Continue Reading

Sport

Fortesa Orana fiton dy lufta, por mbetet pa medalje në “Taranto 2026”

Published

on

By

Fortesa Orana ka shënuar dy fitore në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, por ka mbetur pa medalje pas një eliminimi në gjysmëfinale.

Karateistja kosovare garoi të mërkurën në kategorinë mbi 68 kilogramë. Ajo e nisi garën me fitore 4:3 ndaj algjerianes Chaima Oudira, ndërsa në luftën e dytë triumfoi 4:2 ndaj sllovenes Zala Maria Zibret, duke siguruar kualifikimin në gjysmëfinale.

Në gjysmëfinale, Orana u përball me portugezen Ana Rita Ferreira De Oliveira. Lufta ishte e fortë, por portugezja arriti të krijojë epërsi 3:0.

Më pas ndodhi një situatë që ndryshoi rrjedhën e përballjes. Pas një aksioni, Orana u ankua se ishte lënduar në sy nga kundërshtarja. Reagimi i saj u vlerësua si i tepruar nga gjyqtarët, të cilët e diskualifikuan nga gara.

Me këtë vendim, Orana humbi edhe të drejtën për të luftuar në garën për medaljen e bronztë, duke e mbyllur kështu pa medalje pjesëmarrjen në “Taranto 2026”.

Orana ishte karateistja e fundit kosovare që garoi në këto Lojëra Mesdhetare. Të mërkurën në tatami dolën edhe Benjamin Shabani dhe Jakup Ajdari.

Shabani garoi në kategorinë mbi 84 kilogramë dhe pësoi humbje 5:0 në luftën e parë nga egjiptiani Tarek Mahmoud. Ai kishte mundësinë për të vazhduar përmes repesazhit, por për shkak të një lëndimi të pësuar në luftën e parë, nuk ishte në gjendje të paraqitej.

Në kategorinë deri në 84 kilogramë, Jakup Ajdari u mposht në luftën e parë dhe më pas edhe në repesazh.

Kosova e mbyll kështu garimin në karate në “Taranto 2026” me një medalje të artë, të fituar të martën nga Islam Selmani. Në total, Kosova garoi me nëntë karateistë, ndërsa Orana ishte ajo që iu afrua më së shumti një medaljeje pas triumfit në dy luftat e para dhe kualifikimit në gjysmëfinale.

Ndërkohë, paraqitje të mira patën edhe dy karateistë kosovarë që garojnë për Shqipërinë.

Blodin Pakashtica shënoi dy fitore në kategorinë mbi 84 kilogramë dhe u kualifikua në gjysmëfinale. Megjithatë, ai pësoi humbje në gjysmëfinale dhe në luftën për medaljen e bronztë, duke e përfunduar garën në vendin e pestë.

Edhe Melos Gashi arriti deri në gjysmëfinale në kategorinë deri në 84 kilogramë, pas dy fitoreve. Ai humbi në gjysmëfinale dhe më pas edhe në luftën për bronz, duke u renditur po ashtu i pesti.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara