Kreu i një sindikate mjekësh në Japoni paralajmëroi të martën se mbajtja e Lojërave Olimpike në Tokio këtë verë, me mijëra njerëz nga e gjithë bota, mund të çojë deri te një situatë e shfaqjes së një lloji “olimpik” të koronavirusit.
Japonia është zotuar se Lojërat Olimpike do të mbahen duke i respektuar masat antiCOVID pas një shtyerje prej një viti, por shteti është në “luftë” me valën e katërt të infeksioneve. Qeveria japoneze po e shqyrton mundësinë për të zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme në pjesën më të madhe të vendit. Në anën tjetër zyrtarët japonezë, organizatorët e Olimpiadës dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar janë të bindur se Lojërat do të vazhdojnë, megjithëse nën masa të rrepta për parandalimin e virusit.
Spektatorët nga vendet e huaja janë ndaluar, ndërsa për ata vendas pritet të merret një vendim në muajin tjetër.
Edhe me këto masa, shqetësimet janë ende të mëdha për fluksin e atletëve dhe zyrtarëve në Japoni. Vetëm 6 përqind e popullsisë kanë marrë së paku një dozë të vaksinës antiCOVID, ndërkaq të vaksinuar plotësisht janë mbi 2 përqind e popullsisë.
Me njerëz nga më shumë se 200 kombe që do të marrin pjesë në Olimpiadë, Lojërat Olimpike që pritet të fillojnë brenda tetë javësh, përkatësisht më 23 korrik, përbëjnë një rrezik, tha Naoto Ueyama, kreu i Unionit të Mjekëve të Japonisë.
“Të gjitha llojet e ndryshme mutante të virusit të cilat ekzistojnë në vende të ndryshme do të përqendrohen dhe do të mblidhen këtu në Tokio. Ne nuk mund të mohojmë mundësinë e një lloji të ri të virusit që potencialisht mund të shfaqet”, tha ai në një konferencë shtypi.
Por Kenji Shibuya, drejtor i Institutit të Shëndetit të Popullsisë në King’s College, i cili kohët e fundit ka ndihmuar fushatën e vaksinimit në Japoni, minimizoi rreziqet specifike në Olimpiadë.
“Mutacioni ndodh kur virusi qëndron në njerëz të imunizuar ose pjesërisht të imunizuar për një periudhë të gjatë kohore. Pra, situata aktuale në Japoni është më e rrezikshme sesa që do të jetë gjatë Lojërave të Tokios, për mendimin tim”, u shpreh Shibuya.
Pritet vendimi për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme
Fillimisht ishte vendosur që gjendja e jashtëzakonshme të hiqej më 31 maj. Por kryeministri Yoshihide Suga do të takohet të premten me ekspertë për të diskutuar rreth mundësisë së zgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme në Tokio, Osaka, Hiogo, dhe Kioto dhe në pesë prefektura tjera.
Anulimi i Lojërave Olimpike 2020
Vitin e kaluar pandemia COVID-19 ndikoi edhe në Lojërat Olimpike. Për shtyerjen e kësaj gare pati njoftuar kryeministri i atëhershëm japonez, Shinzo Abe. Ai kishte thënë se pas një telefonate me kreun e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, kanë arritur marrëveshjen që Lojërat të anuloheshin për shkak të shqetësimeve rreth virusit.
Edhe këtë vit ekziston kërkesa për anulimin apo shtyerjen e Olimpiadës. Kundër kësaj gare është bërë një peticion, i cili mblodhi 400 mijë nënshkrime. Ky peticion iu dërgua shefave të Komitetit Olimpik dhe Paraolimpik, si dhe guvernatores së Tokios, Yuriko Koike./UBTNews
(Melisa Llausha dhe Margarita Llausha, studente të vitit të parë në Media dhe Komunikim)
Në kuadër të Grupit 1, vëmendja kryesore është te dueli mes Italisë dhe Francës, që zhvillohet në orën 20:45 në stadiumin “San Siro”. Ndërkohë, Belgjika përballet me Turqinë nga ora 18:00.
Franca kryeson grupin me 10 pikë, tri më shumë se Italia, ndërsa Belgjika renditet e treta me gjashtë pikë. Turqia mban pozitën e fundit pa pikë të grumbulluara.
Francezët mund ta sigurojnë vendin e parë në grup dhe kualifikimin në çerekfinale me një fitore ndaj Italisë. Megjithatë, Franca do të kualifikohej edhe në rast barazimi, ose nëse Belgjika nuk arrin ta mposhtë Turqinë. Edhe Italia ka ende mundësi për të avancuar, por për këtë i nevojitet fitorja ndaj Francës dhe humbja e Belgjikës.
Interesante pritet të jetë edhe gara në Grupin 3, ku Anglia pret Kroacinë në “Wembley”. Në përballjen e parë mes tyre, anglezët kishin triumfuar me rezultat të thellë 7:0.
Anglia renditet e dyta me nëntë pikë, gjashtë më shumë se Kroacia, që zë pozitën e tretë. Në krye të grupit është Spanja me 12 pikë, e cila në këtë xhiro luan në udhëtim ndaj Çekisë, skuadër që ende nuk ka arritur të marrë pikë.
Të dyja ndeshjet e Grupit 3 zhvillohen nga ora 20:45.
Spanja tashmë e ka siguruar kualifikimin në çerekfinale, ndërsa Anglisë i mjafton të shmangë humbjen ndaj Kroacisë për të siguruar gjithashtu një vend në mesin e tetë skuadrave më të mira të garës.
Pas humbjes në ndeshjen e kaluar në kuadër të FIBA Europe Cup, Trepça synon të rikthehet te rezultatet pozitive, këtë herë në një përballje të vështirë në transfertë ndaj Promitheas Patras.
Skuadra mitrovicase udhëton drejt Patrës së Greqisë me synimin për të reaguar në parket dhe për të kërkuar fitoren e radhës në garat evropiane.
Tashmë mbetet të shihet nëse Trepça do të arrijë të përmbysë situatën dhe të rikthehet me rezultat pozitiv nga Greqia!
Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll e ka nisur me humbje raundin e dytë kualifikues për Kampionatin Evropian Euro 2027, pasi u mposht nga Belgjika me rezultat 2:0.
Në ndeshjen e zhvilluar në Skoci, pjesa e parë përfundoi pa gola, mirëpo belgët zgjidhën sfidën me dy goditje të shpejta me të filluar pjesa e dytë. Naim Amengai realizoi për 1:0 në minutën e 47-të, ndërsa Jessie Da Silva dyfishoi epërsinë dy minuta më vonë.
Sfida e radhës për futbollistët e rinj të Kosovës në kuadër të Grupit A2 do të jetë të shtunën kundër nikoqires së turneut, Skocisë.
Në anën tjetër, edhe Përfaqësuesja U17 e Kosovës ka pësuar humbje në sfidën ndaj Bjellorusisë, ndërsa ndeshjen e ardhshme do ta zhvillojë më 17 nëntor përballë Kazakistanit. Tri ekipet e para të secilit grup do të sigurojnë kalimin në raundin e tretë, me shortin që pritet të tërhiqet më 10 dhjetor. /E.A/