Lajmet

Lidershipi në epokën e Inteligjencës Artificiale: Nis punimet Konferenca Ndërkombëtare në UBT

Published

on

Në kuadër të aktiviteteve të “Global UBT Fest 2026”, sot më 3 korrik 2026 ka nisur punimet Konferenca Ndërkombëtare e Lidershipit. Këtë vit, konferenca i kushtohet tërësisht temës mjaft aktuale “Qeverisja e Inovacionit: Lidershipi në Epokën e Inteligjencës Artificiale”, duke trajtuar nevojën që zhvillimet e hovshme teknologjike të udhëhiqen me vizion, përgjegjësi dhe integritet. Ngjarja po zhvillohet në Kampusin Inovativ të UBT-së në Lipjan nga ora 09:00 deri në 15:00.

Konferenca ka bërë bashkë emra të njohur të institucioneve shtetërore, industrisë dhe botës akademike. Në panelet e diskutimit marrin pjesë Rektori i UBT-së Prof. Dr. Edmond Hajrizi dhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Dr. Ahmet Ismaili.

Pjesë e diskutimeve profesionale janë edhe ligjërues e dekanë të fushave të ndryshme si Faton Limani e Gerta Uruçi-Limani nga Universiteti i Harvardit, Prof. Agron Hamiti (Drejtor i Departamentit të TI-së në ATK), Prof. Dr. Blerton Abazi, Prof. Florin Aliu, Ma. Meli Limani (Universiteti i Ontariot Perëndimor), Prof. Dr. Muhamet Gërvalla, Prof. Asoc. Dr. Besnik Qehaja dhe Elinda Krasniqi.

Synimi kryesor i këtij takimi është sjellja e ideve të reja dhe rekomandimeve konkrete për mënyrën se si duhet të qeveriset inovacioni, duke forcuar urat e bashkëpunimit ndërmjet universitetit, institucioneve dhe industrisë në vend.

Gjatë fjalës së tij në konferencë, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, vuri në dukje evolucionin e vazhdueshëm të lidershipit dhe nevojën për qasje të reja përgjatë revolucioneve të ndryshme teknologjike.

“Lidershipi ka evoluar gjithë kohën shumë dhe gjithë kohën ka pasur kërkesa për një lidership më ndryshe, me një qasje më ndryshe në revolucione të ndryshme, prej asaj që të qenit më produktiv e duke kaluar te komponentët e tjerë që shpjegohen edhe nga ekspertët e ndryshëm. Unë mendoj që na duhet një lidership i fuqizuar, i cili mbështetet edhe në transformimet e fundit teknologjike”, u shpreh Hajrizi.

Në këtë kuadër, rektori Hajrizi ka shpjeguar rëndësinë e përshtatjes së udhëheqjes me dinamikat e reja.

Sipas tij, kërkesat e kohës kërkojnë kalimin drejt metodave më produktive dhe integrimin e komponentëve të avancuar që po diktohen nga zhvillimet globale. Ai nënvizoi se përballë këtyre sfidave, shoqërisë dhe industrisë i nevojitet një model i ri i lidershipit, i cili duhet të jetë i fuqizuar dhe i bazuar plotësisht mbi transformimet e fundit teknologjike për të garantuar progres dhe efikasitet.

Pjesë e kësaj konference ishte edhe ligjëruesi i UBT-së nga Universiteti i Harvardit, Profesori Faton Limani, i cili u ndal te pesha historike e inovacioneve aktuale.

“Përgjatë historisë, shoqëritë janë transformuar nga zbulime të rëndësishme që kanë ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Shtypshkronja, energjia elektrike, interneti, teknologjia celulare – secili prej këtyre inovacioneve rimodeloi ekonomitë, institucionet dhe ndërveprimin njerëzor. Sot, ne qëndrojmë në fillim të një transformimi tjetër. Inteligjenca artificiale nuk është më një mundësi e së ardhmes. Ajo tashmë po merr vendime që ndikojnë në jetën tonë të përditshme. Ajo rekomandon atë që lexojmë, ndikon në vendimet financiare, ndihmon mjekët në diagnostikimin e sëmundjeve, mbështet institucionet publike në alokimin e burimeve dhe po transformon edukimin, transportin e prodhimin”, shprehet Limani.

Profesor Limani shpjegoi se ashtu si zbulimet e mëdha të së kaluarës si shtypshkronja, rryma dhe interneti që ndryshuan strukturat ekonomike e sociale, sot njerëzimi po përballet me një epokë të re transformimi të udhëhequr nga Inteligjenca Artificiale. Ai tërhoqi vëmendjen se kjo teknologji ka pushuar së qeni një projekt i largët i së ardhmes, pasi ndikimi i saj është i pranishëm në jetën e përditshme, duke filluar nga sugjerimet e thjeshta të leximit e deri te vendimmarrja në financa, mjekësi, arsim, transport dhe në politikat e institucioneve publike.

Në këtë konferencë, një kontribut të rëndësishëm dha edhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Dr. Ahmet Ismaili, i cili vuri theksin te rëndësia e këtij diskutimi dhe sfidat që kjo teknologji sjell për institucionet rregullatore.

“Në këtë vazhdën e kompleksitetit dhe të panjohurave, edhe inteligjenca artificiale sigurisht është një faktor i rëndësishëm. Kështu që ndërlidhja mes këtyre dy temave është e qëlluar dhe është në kohë. Për bankat qendrore, inteligjenca artificiale nuk është vetëm një zhvillim teknologjik, ajo është gjithashtu një sfidë e qeverisjes, sfidë e besimit dhe sfidë e lidershipit”, tha Ismaili.

Më tej, duke u ndalur te roli dhe përgjegjësia e udhëheqësve përballë këtij hapi teknologjik, Guvernatori Ismaili shtoi se “Në këtë mjedis, lidershipi nuk matet vetëm me aftësinë për ta përfaqësuar inovacionin, por edhe me aftësinë për ta qeverisur atë me përgjegjësi, për të menaxhuar rreziqet në mënyrë efektive dhe për të siguruar që progresi teknologjik të jetë në dobi të shoqërisë në tërësi”.

Përmes këtyre deklaratave, kreu i BQK-së shpjegoi se bashkimi i temës së lidershipit me atë të inteligjencës artificiale është një hap tejet aktual, duke sjellë si shembull edhe takimet e fundit të nivelit më të lartë të bankave qendrore botërore.

Ai sqaroi se për institucionet publike e financiare, ky tranzicion nuk sjell vetëm thjeshtësim procesesh, por ngre pikëpyetje të mëdha mbi menaxhimin e rreziqeve dhe ruajtjen e besimit të publikut. Guvernatori nënvizoi se suksesi i udhëheqësve të sotëm varet drejtpërdrejt nga aftësia e tyre për të vendosur rregulla e për ta orientuar inovacionin në shërbim të plotë të mirëqenies së shoqërisë dhe stabilitetit ekonomik. /E.A/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Ndalohet një person në Prishtinë për keqpërdorim detyre, ryshfet dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se pas hetimeve disamujore në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndaluar për 48 orë personin me inicialet N.A., i dyshuar për disa vepra të rënda penale.

Arrestimi është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit. Sipas të dhënave fillestare të hetimit, i ndaluari dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka zbuluar informacione zyrtare për prona të caktuara te persona të paautorizuar në këmbim të ryshfetit, me qëllim tjetërsimin e tyre.

Nga organet e ndjekjes bëjnë të ditur se pronat e përfshira në këtë skemë dyshohet se kapin vlera mjaft të mëdha financiare.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, dhe do të vazhdojë ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit”, thuhet në komunikaten e Prokuroris Speciale

Continue Reading

Lajmet

Tensione dhe përplasje me policinë në protestën e studentëve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë

Published

on

By

Studentë, gjimnazistë dhe qytetarë të shumtë janë mbledhur këtë të martë para ambienteve të Ministrisë së Arsimit në Tiranë, në një protestë të njoftuar prej ditësh për të ngritur zërin kundër problematikave që prekin arsimin dhe të rinjtë.

Protesta e nisur rreth orës 14:00 ka përshkallëzuar me shpejtësi në tensione. Protestuesit kanë gjuajtur godinën e ministrisë me vezë, bojë të kuqe, gurë, sende të forta dhe kapsolla. Gjatë përplasjeve, disa prej tyre kanë shkulur kangjellat mbrojtëse të rrugës dhe kanë tentuar të hyjnë me forcë në ambientet e brendshme të institucionit.

Për të shpërndarë turmën, forcat e policisë kanë ndërhyrë me ujë dhe gaz lotësjellës, ndërsa gjatë përplasjeve fizike disa nga protestuesit janë shoqëruar në komisariat. Në terren janë angazhuar dhjetëra efektivë shtesë për të marrë nën kontroll situatën.

Tubimi i organizuar përmes rrjeteve sociale vjen me kërkesën për plotësimin e gjashtë pikave që lidhen me ngritjen e cilësisë në arsim dhe përmirësimin e kushteve për studentët. Përveç kërkesave arsimore, protestuesit kanë bërë thirrje politike duke kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, si dhe të kryeministrit Edi Rama.

Continue Reading

Lajmet

Prof. Dr. Bekim Marmullaku takohet me profesorin nga Universiteti i Norvegjisë Juglindore, Glenn Agung Hole, për mundësitë e bashkëpunimit akademik

Published

on

By

Udhëheqësi i Departamentit për Bashkëpunim në UBT, Prof. Dr. Bekim Marmullaku, priti në takim profesorin Glenn Agung Hole nga Universiteti i Norvegjisë Juglindore (University of South-Eastern Norway – USN), me të cilin diskutoi mundësitë e zhvillimit të bashkëpunimit akademik dhe kërkimor ndërmjet dy institucioneve.

Gjatë takimit u diskutua për potencialin e bashkëpunimit në fushat e sipërmarrësisë, ekonomisë institucionale, zhvillimit rajonal dhe sigurisë kombëtare, me theks të veçantë në rolin e universiteteve në zhvillimin ekonomik, inovacionin dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

Continue Reading

Lajmet

Inspektorati i Tregut mbyll një biznes në Zubin Potok dhe shqipton gjobë 6,000 euro

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka ndërmarrë masa ndaj disa subjekteve ekonomike gjatë inspektimeve të fundit në Komunën e Zubin Potokut, me qëllim garantimin e zbatimit të ligjit dhe sigurisë në treg.

Gjatë këtij aksioni, inspektorët kanë mbyllur një biznes që ushtronte veprimtarinë pa u regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, si dhe kanë sekuestruar produkte që nuk kishin deklaracion të prejardhjes. Po ashtu, ndaj një subjekti tjetër ekonomik është shqiptuar gjobë prej 6,000 eurosh pasi u ka shërbyer pije alkoolike personave të mitur.

Nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut kanë bërë të ditur se këto masa janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe respektimin e legjislacionit në fuqi.

“IQMT u bën thirrje të gjitha subjekteve ekonomike që të sigurojnë regjistrimin e rregullt të veprimtarisë së tyre në ARBK, të tregtojnë vetëm produkte me dokumentacionin përkatës dhe të respektojnë të gjitha dispozitat ligjore që rregullojnë ushtrimin e veprimtarisë ekonomike. IQMT do të vazhdojë me inspektime dhe mbikëqyrje të rregullta në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me qëllim të identifikimit dhe trajtimit të çdo shkeljeje që cenon të drejtat e konsumatorëve dhe sigurinë e tregut”, thuhet në njoftimin e ministrisë. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara