Lajmet

Liverpooli numëron pasojat e humbjes së statusit në UNESCO

Published

on

Komiteti ka votuar për ta hequr qytetin në veriperëndim të Anglisë nga statusi i tij për shkak të shqetësimeve rreth rizhvillimit, veçmas në bregun e tij.

Liverpooli ka përjetuar një moment të rrallë palavdie të mërkurën me rastin e heqjes së tij nga lista e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, pasi e kishte fituar 17 vjet më parë, për shkak të shqetësimeve mbi zhvillimet në qytet, më së shumti në bregdetin e tij të famshëm.

Vendimi është bërë në Fuzhou të Kinës, pas një votimi të fshehtë nga komiteti i UNESCO-s, duke mbështetur rekomandimin e bërë në qershor për ta zhveshur Liverpoolin nga statusi i tij i mbrojtur, një lëvizje kjo që do të jetë goditje për prestigjin e qytetit që po orvatet ta rivitalizojë veten në vitet e fundit. Richard Kemp, kryetar i partisë më të madhe opozitare në Këshillin e qytetit, e ka përshkruar humbjen e statusit si “ditë e turpit për Liverpoolin”.

Një raport i publikuar në qershor nga komiteti shprehte “keqardhje të thellë” dhe theksonte se zhvillimet në qytet dhe në bregdetin e tij kanë “përftuar një përkeqësim serioz dhe humbje të pakthyeshme të atributeve”, si dhe “humbje të ndjeshme të autenticitetit dhe integritetit të tij”.

Liverpooli e fitoi statusin e tij në trashëgiminë botërore më 2004, në përnjohje të historisë së tij tregtare e detare, të reflektuar në një arkitekturë madhështore. Si një prej qendrave më të mëdha të tregtisë botërore në shekujt 18-të dhe 19-të, Liverpooli krijoi mirëqenien e tij kryesisht prej tregtisë transatlantike me skllevër.

Lista e trashëgimisë është e krijuar për të përnjohur dhe ruajtur monumentet, ndërtesat dhe vendet e tjera, ku shtetet anëtare, në mënyrën më të madhe të mundshme, janë të obliguara t’i ruajnë.

Vetëm dy vende të tjera kanë humbur statusin e tyre të trashëgimisë: strehimorja arabe e Oryxit në Oman, më 2007, pasi një numër oriksësh (një antilopë e madhe – v.j.) nisën të pakësoheshin në mënyrë të thiktë dhe Qeveria e kufizoi madhësinë e strehës për 90 për qind; si dhe “Dresden Elbe Valley” në Gjermani, dy vjet më vonë, për shkak të ndërtimit të një ure që kalonte përmes saj.

Në rastin e Liverpoolit, shqetësimi është fokusuar pjesërisht në planin rigjenerues, në vlerë prej 7 miliardë dollarësh, për bregun historik. Projekti përfshin apartamente luksoze dhe ndërtesa të larta, duke ngritur shqetësime se ato mund të rrezikojnë vijën qiellore dhe arkitekturën e tij, duke bërë që qyteti të vendosej në listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik më 2012.

Në një deklaratë, bashkiakja e Liverpoolit, Jonne Anderson, ka thënë se ajo është “fort e zhgënjyer dhe e shqetësuar” nga vendimi i së mërkurës.

“Vendi ynë i trashëgimisë botërore nuk ka qenë kurrë në një gjendje më të mirë duke përfituar me qindra miliona funta investime gjatë dhjetëra ndërtesave të listuara dhe domenit publik”, ka thënë ajo. “Ne do të punojmë me Qeverinë për të shqyrtuar mundësinë nëse mund të apelojmë, por çfarëdo që ndodh Liverpooli do të jetë gjithmonë një qytet i trashëgimisë botërore”.

Kim Johnson, ligjvënëse kombëtare, distrikti i së cilës përfshin edhe bregdetin në fjalë, ka thënë në Twitter se vendimi ishte thellësisht zhgënjyes, por Liverpooli do të “vazhdojë të rritet e të zhvillohet si qytet që sjell rigjenerim për të gjithë”.

Ajo ka shtuar: “Vetëm shpresojmë që ne do të respektojmë bregdetin tonë mjaftueshëm sa për të mbështetur dizajnin e mirë që plotëson vijën tonë qiellore me famë botërore”.

Një zëdhënës i Qeverisë britanike ka shprehur gjithashtu zhgënjim, duke shtuar se Qeveria ende beson se Liverpooli e meriton statusin e Trashëgimisë së Mbrojtur “duke marrë parasysh rolin e ndjeshëm që limanet historike dhe pjesa tjetër e qytetit ka luajtur gjatë historisë”.

Liverpooli përftoi mirëqenie të lartë si një pikë tregtare gjatë shekujve 18-të e 19-të, përfshirë edhe atë si porti mbizotërues britanik në tregtinë transatlantike të skllevërve. Qyteti kontrollonte 40 për qind të tregtisë së skllevërve në fund të shekullit të 18-të.

“Liverpooli shpesh është quajtur si ‘kryeqytet botëror i skllavërisë’, për shkak se ishte qyteti-port më i madh në Evropë në tregtinë me skllevër në shekullin e 18-të derisa ndodhi ndalimi ligjor i kësaj tregtie më 1807”, ka thënë Sarah Moody, historiane në Universitetin e Bristolit. International Slavery Museum u hap më 2007 në Royal Albert Dock në zemër të vendit të trashëgimisë së mbrojtur.

Qyteti thotë që 40 për qind e gjithë tregtisë botërore kalonte nëpërmjet portit të tij në fillim të shekullit të 19-të dhe i ruajti pasurinë dhe statusin e tij gjer në fillim të shekullit pasues./koha

Vendi

Pjesëmarrja në zgjedhjet lokale në Kosovë deri në orën 15:00 arrin në 25.30 për qind

Published

on

Zgjedhjet lokale që po mbahen sot në gjithë territorin e Kosovës po zhvillohen me një pjesëmarrje mesatare prej 25.30% deri në orën 15:00, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Sipas raportimeve zyrtare, nga gjithsej 2,025,105 qytetarë të regjistruar në listën e votuesve, deri në këtë orë kanë votuar 512,331 qytetarë. Deri tani janë përpunuar 94.32% të vendvotimeve, respektivisht 2,425 nga 2,571 gjithsej.

Komunat me pjesëmarrjen më të lartë janë:

  • Mamushë me 54.60%,
  • Zveçan me 49.69%,
  • Zubin Potok me 49.61%,
  • Ranillug me 48.38%,
  • Novobërdë me 44.04%.

Komunat me pjesëmarrjen më të ulët deri në orën 15:00 janë:

  • Rahovec me 18.05%,
  • Skënderaj me 18.95%,
  • Prizren me 19.17%,
  • Dragash me 19.64%,
  • Gjakovë me 20.75%.

Në kryeqytet, Prishtina ka regjistruar një pjesëmarrje prej 29.52%, ndërsa në qytetet e mëdha si Ferizaj (23.18%), Pejë (22.37%), Gjakovë (20.75%) dhe Prizren (19.17%), pjesëmarrja mbetet nën mesataren kombëtare.

KQZ thekson se këto të dhëna përfshijnë vetëm votimet në vendvotimet e rregullta, duke mos përfshirë votimet me kusht, votimin e personave me nevoja të veçanta dhe votimin me postë.

Continue Reading

Vendi

Deri në orën 13:00 votuan 16.53 për qind e qytetarëve

Published

on

Deri në këto momente në Kosovë kanë votuar 334 mijë 677 qytetarë, më saktë 16.53 për qind prej 2,025,105 sa është numri total i votuesve në të gjithë Kosovën.

Sipas Komisioni Qendror Zgjedhor, në qytetet ku ka pasur më shumë fluks të qytetarëve që kanë dal për të votuar prin kryeqyteti me 40,190 votues deri në këto orë.

Me Prizrenin, të dytin me 20,799 votues deri më tani.

Poashtu, fluks i madh i votuesve është edhe në Ferizaj, atje ku deri më tani kanë votuar 19,235.

Në Gjilan deri më tash kanë votuar 17,128, në Pejë 17,830 votues, në Podujevë 14,625 votues, Mitrovicë e Jugut 14,379 votues, dhe Fushë Kosovë 9,254 votues.

Në Zveçan nga 6,872 votues, deri në këtë orë kanë votuar 2,623 prej tyre. Në Zubin Potok kanë votuar 2,406 nga gjithsej 6,486.

Continue Reading

Lajmet

Përfundon seanca fillestare për caktimin e paraburgimit ndaj Fatmir Shehollit

Published

on

By

Përfundon seanca fillestare për caktimin e paraburgimit ndaj Fatmir Shehollit

Sot u mbajt seanca fillestare në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj Fatmir Shehollit, ku pritet të caktohet masa e paraburgimit.

Sheholli u arrestua më 9 tetor 2025 nga Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në dhe prokurorinë nën dyshimet se ishte i përfshirë në spiunazh.

Gjykata Themelore në Prishtinë do të lëshojë vendimin.

Sheholli është arrestuar në rajonin e Prishtinës nga hetuesit policorë të Drejtorisë për hetimin e krimit të organizuar dhe krimeve të rënda në Policinë e Kosovës. Ai fillimisht u ndalua për 48 orë dhe autoritetet kryen bastisje në vendbanimin e tij “me qëllim të sigurimit të provave të tjera materiale”.

Për arrestimin e Shehollit shkroi të enjten ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

“Pres trajtim institucional me seriozitet të lartë të këtij rasti, i cili përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Fatmir Sheholli, zyrtarisht përfaqësues i shoqërisë civile nga Instituti për Avancimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, është përfolur në media për lidhje me Serbinë. Në vitet ’90, gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit, ai ka punuar në Sigurimin Shtetëror të Serbisë (UDB)./D.B/KP

Continue Reading

Lajmet

Pas konstituimit të Kuvendit, pritet formimi i Qeverisë së re

Published

on

By

Pas tetë muajsh bllokadë institucionale, Kuvendi i Kosovës u konstituua më 10 tetor, duke i hapur rrugë fazës së radhës, formimit të Qeverisë së re.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pritet të mandatojë koalicionin fitues të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me Lëvizjen Guxo dhe Alternativën, për krijimin e kabinetit qeveritar. Sipas Kushtetutës, kandidati për kryeministër ka 15 ditë kohë për të paraqitur përbërjen e Qeverisë dhe për të kërkuar miratimin në Kuvend.

Megjithatë, Vetëvendosje, me 48 ulëse në Kuvendin prej 120 deputetësh, nuk e ka shumicën e nevojshme për të qeverisur pa partner koalicioni. Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu tha se partia është e hapur për bashkëpunim me subjektet e tjera, përveç Listës Serbe.

Nëse brenda afateve ligjore nuk arrihet të formohet Qeveria, Presidentja Osmani ka detyrimin të ftojë partitë për konsultime. Në rast se dështon edhe përpjekja e dytë, vendi shkon në zgjedhje të reja brenda 40 ditësh.

Konstituimi i Kuvendit ndodh vetëm dy ditë para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit./D.B/UBTNews

Continue Reading

Të kërkuara