Kulturë

Lista e fituesve në Festivalin e Filmit në Kanë

Për ndryshim, festivali pati një sërë aktorësh dhe kineastësh të famshëm që shpërndanë nderimet kryesore të vitit 2023.

Published

on

Thrilleri francez i Justine Triet, “Anatomy of a Fall”, ka fituar Palmën e Artë 2023 për filmin më të mirë të Festivalit të 76-të Ndërkombëtar të Filmit në Kanë.

Jane Fonda duke prezantuar nderin më të madh të këtij viti, vuri në dukje se kur ajo mori pjesë për herë të parë në festivalin e Kanës, në vitet 1970, “Nuk kishte femra regjisore që konkurronin në atë kohë dhe as që na shkonte mendja se kishte diçka që nuk shkonte me këtë. Ne kemi bërë një rrugë të gjatë”.

Ceremonia e mbylljes, e cila shënoi fundin e Festivalit të Filmit në Kanë 2023, u transmetua drejtpërdrejt në rrjetin francez France 2 dhe u transmetua në mbarë botën në kanalin ndërkombëtar Brut. Çmimet u pasuan nga shfaqja e premierës botërore të Disney/Pixar’s Elemental nga regjisori Peter Sohn.

Në një ndryshim këtë vit, festivali pati një sërë aktorësh dhe kineastësh të famshëm që shpërndanë nderimet kryesore të vitit 2023. Orlando Bloom ndau çmimin e jurisë. Song Kang-ho prezantoi çmimin për aktoren më të mirë. Aktorja më e mirë e Kanës 2022, Zar Amir Ebrahimi, prezantoi çmimin për aktorin më të mirë.

Drejtori kreativ i Pixar Studios, Pete Docter prezantoi çmimin për regjisorin më të mirë. Fituesi i Palmës së Artë të vitit 1994, Tarantino dhe Corman dhanë së bashku çmimin e Grand Prix me Jane Fonda që mbylli mbrëmjen me prezantimin e Palmës së Artë. Më poshtë vijon një listë e plotë e fituesve:

Justine Triet – ‘Palma e Artë’ për filmin “Anatomy of a Fall”

Jonathan Glazer – Çmimin kryesor për filmin “The Zone of Interest”

Tran Anh Hung – Regjisori më i mirë për “La Passion de Dodin Bouffant” (The Pot-au-Feu)

Aki Kaurismaki – Çmimin e Jurisë për “Kuolleet Lehdet” (Fallen Leaves)

Yuji Sakamoto – Skenaristi më i mirë për “Kaibutsu” (Monster)

Merve Dizdar – Aktorja më e mirë për Kuru Otlar Ustune (About Dry Grasses)

Koji Yakusho – Aktori më i mirë për “Perfect Days”./lapsi.al/

Lajmet

Anne Carson fiton Çmimin Nobel për Letërsi 2026

Published

on

Poetja kanadeze Anne Carson është laureuar me Çmimin Nobel për Letërsi për vitin 2026.

Akademia Suedeze e ka nderuar 76-vjeçaren për “veprën e saj të guximshme dhe novatore, e cila, në një dialog lozonjar me traditën klasike, ka krijuar forma të reja për letërsinë bashkëkohore”.

Sekretarja e përhershme e Akademisë Suedeze, Ingrid Carlberg, tha se ia kishte komunikuar lajmin Carsonit përmes telefonit, pak para njoftimit zyrtar.

“Ajo u kap në befasi, por ishte shumë e lumtur”, tha Carlberg, duke shtuar se Carson i kishte treguar se në atë moment ndodhej në Islandë.

Anne Carson lindi në vitin 1950 në Toronto të Kanadasë. Ajo është poete, eseiste, përkthyese dhe ish-profesoreshë universitare, ndërsa gjatë karrierës së saj ka ndërthurur poezinë, prozën, përkthimin dhe studimet klasike.

Krijimtaria e saj është e njohur për kapërcimin e kufijve mes zhanreve dhe për ndërthurjen e letërsisë bashkëkohore me traditën klasike. Suksesi i saj i madh erdhi në vitin 1998 me veprën “Autobiography of Red”.

Carson ka botuar më shumë se 20 libra me poezi, ese dhe përkthime. Në vitin 2001, ajo u bë gruaja e parë që fitoi çmimin “T.S. Eliot” për veprën “The Beauty of the Husband”.

Vitin e kaluar, Çmimi Nobel për Letërsi iu dha shkrimtarit hungarez László Krasznahorkai, për veprën e tij që, sipas jurisë, mbron fuqinë e artit përballë “tmerrit apokaliptik”.

Njoftimi për Çmimin Nobel për Letërsi vjen pas shpalljes së çmimeve në mjekësi, fizikë dhe kimi, ndërsa këtë javë pritet të shpallet edhe Çmimi Nobel për Paqen./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Mitrovica mirëpret Samitin Ndërkombëtar të Rinisë për Paqe 2026

Published

on

Mitrovica ka mirëpritur “Balkan International Youth Summit for Peace 2026” (BIYSP), një samit ndërkombëtar që mblodhi të rinj nga vende të ndryshme të botës për të diskutuar mbi paqen, dialogun dhe bashkëpunimin.

Samiti u zhvillua nga 1 deri më 4 tetor, nën temën “Youth as Peace Practitioners: From Dialogue to Action”, ndërsa u mbështet financiarisht nga Ministria e Sportit dhe Rinisë.

Gjatë ditës së dytë, në emër të Ministrisë, fjalë përshëndetëse mbajti këshilltari i lartë i ministrit Blerim Gashani, Drilon Brahimi.

Ndërkaq, Vedat Jashari, udhëheqës i Divizionit për Zhvillimin e Politikave për Rininë, mori pjesë në sesionin “Spotlight: Histori nga terreni”, ku prezantoi përvojën e Kosovës në zhvillimin e politikave dhe programeve për të rinjtë.

Përmes diskutimeve, paneleve dhe shkëmbimit të përvojave, samiti synoi të fuqizojë rolin e të rinjve në ndërtimin e paqes dhe kohezionit shoqëror.

Ministria e Sportit dhe Rinisë ka theksuar se do të vazhdojë të mbështesë iniciativa që fuqizojnë të rinjtë dhe nxisin bashkëpunimin ndërkombëtar./A.K/

Continue Reading

Lajmet

FOTOIST 2026 rikthehet në Prishtinë me 36 ngjarje dhe 12 ekspozita fotografike

Published

on

Festivali Ndërkombëtar i Fotografisë FOTOIST rikthehet në Prishtinë për edicionin e katërt, duke sjellë një program me 36 ngjarje kulturore dhe 12 ekspozita fotografike ndërkombëtare.

Festivali po zhvillohet nga 29 shtatori deri më 16 tetor 2026 dhe përfshin ekspozita, ligjërata, debate, shfaqje filmash, promovime librash fotografikë, takime me artistë, portfolio reviews, si dhe aktivitete edukative e profesionale.

Hapja solemne e FOTOIST 2026 do të mbahet më 9 tetor, në orën 18:00, në Sheshin e Hotel Grandit, ku do të prezantohet ekspozita “Në Sytë e Tjetrit” e fotografit Korab Basha.

Pas ceremonisë, artistët, fotografët dhe publiku do të zhvillojnë një tur të përbashkët nëpër ekspozitat e festivalit, nga hapësirat e ish-Hotel Grandit deri te Barabar Centre. Autorët do të prezantojnë konceptin dhe procesin krijues të punëve të tyre.

Programi i festivalit ka nisur edhe para hapjes solemne. Më 29 shtator, në Galerinë Qahili, u hap ekspozita “Koha e Thyer” e Osman Demirit, ndërsa më 6 tetor u hap “Drita e Heshtjes” e Blerta Syla Suroit. Në Galerinë e Fakultetit të Arteve në Prishtinë prezantohet gjithashtu ekspozita “Kuti(a) e Kujtesës / The Memory Box” e Burim Myftiut.

Programi ekspozues do të përmbyllet më 13 tetor, në orën 19:00, në Paper Gallery, me hapjen e ekspozitës “Ujëgrame Cimatike” të Liona Vorfit.

Përmes 36 ngjarjeve kulturore, FOTOIST 2026 synon ta trajtojë fotografinë jo vetëm si medium artistik, por edhe si dokument, kujtesë, dëshmi dhe mjet komunikimi shoqëror.

Aktivitetet do të zhvillohen në galeri, institucione kulturore, hapësira universitare dhe ndërtesa me rëndësi historike në Prishtinë, duke e shndërruar qytetin në një hapësirë të ekspozimit dhe dialogut kulturor.

Në edicionin e katërt, festivali vazhdon bashkëpunimin me artistë, fotografë dhe institucione nga Kosova, rajoni, Evropa dhe më gjerë, me synimin për ta forcuar rolin e Prishtinës në skenën e fotografisë bashkëkohore në Evropën Juglindore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ermonela Jaho në Prishtinë, sonte mbahet edicioni i nëntë i “Ta Zbardhi Ftyrën”

Published

on

Sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho do të jetë figura qendrore e edicionit të nëntë të mbrëmjes artistike “Ta Zbardhi Ftyrën”, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë KultPlus.

Mbrëmja do të mbahet sonte, më 6 tetor, nga ora 20:00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë. Jaho do të shoqërohet nga pianistja e njohur Lule Elezi. <Link url=”https://kultplus.com/ardiane-pajaziti-edicioni-i-nente-i-ta-zbardhi-ftyren-me-sopranon-e-famshme-ermonela-jaho/” title=”Burimi: KultPlus”/>

Programi do të zhvillohet në dy pjesë. Fillimisht, Jaho do të bashkëbisedojë me publikun për rrugëtimin e saj artistik, sfidat dhe sukseset në skenën ndërkombëtare të operës, ndërsa pjesa e dytë do t’i kushtohet performancës së saj.

Në këtë mbrëmje do të prezantohet edhe talentja e re Anna Krasniqi, e cila do të performojë nën përcjelljen e pianistes Lule Elezi.

Drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, ka thënë se përgatitjet për aktivitetin janë drejt përfundimit dhe se pjesëmarrja e sopranos Jaho përbën një moment të veçantë për këtë edicion.

Gjatë nëntë viteve, në kuadër të “Ta Zbardhi Ftyrën” janë prezantuar artistë të njohur, përfshirë Sislej Xhafën, Imer Kutllovcin, Flaka Gorancin, Erza Muqollin, Gjon’s Tears, Gëzim Myshketën, Elbenita Kajtazin, Enon Pecin dhe Blenard Azizajn.

Mbrëmja organizohet nga KultPlus dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, Ministria e Punëve të Jashtme, Universiteti i Prishtinës, PriBank dhe Radio Televizioni i Kosovës. Aktiviteti do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara