Ushtrimet e rregullta ndihmojnë në përmirësimin e shëndetit fizik dhe mendor. Studimet tregojnë se stërvitja e vazhdueshme përmirëson nivelet e kolesterolit, insulinës, gjendjen shpirtërore, cilësinë e gjumit dhe menaxhimin e peshës.
Si ushtrimet në mëngjes ashtu edhe anë mbrëmje kanë përfitime. Ajo në mbrëmje zvogëlon rrezikun e vdekjes së parakohshme e ndihmon në kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak, ndërsa stërvitja në mëngjes përmirëson shëndetin e zemrës.
Provat sugjerojnë se koha e ushtrimeve nuk ka rëndësi, për sa kohë që stërviteni në mënyrë të rregullt. Koha më e mirë për stërvitje varet nga preferencat, qëllimet dhe orari juaj.
Përfitimet e ushtrimeve në mëngjes
Një studim zbuloi se njerëzit që stërviteshin midis 7:00 dhe 9:00 të mëngjesit kishin indeks më të ulët të masës trupore sesa ata që ushtronin pasdite ose në mbrëmje. Ata që stërviten para mesditës humbin më shumë peshë sesa ata që ushtrohen pas orës 15:00.
Një tjetër studim zbuloi se personat që ushtroheshin në 7:00 flinin më herët, zgjoheshin më pak gjatë natës e kishin gjumë më të thellë krahasuar me ata që ushtronin pasdite. Po ashtu, u vërejt se ushtrimet në mëngjes ndihmojnë në uljen e presionit të gjakut me rreth 10%, një efekt që zgjat gjatë gjithë ditës.
Disavantazhet
Për disa njerëz, zgjimi herët për të ushtruar mund të jetë i vështirë. Rreziku i lëndimeve mund të jetë më i lartë në mëngjes, nëse filloni me ushtrime intensive pa bërë një nxehmje të duhur. Në mëngjes, temperatura e trupit është më e ulët, ndaj muskujt dhe nyjet mund të jenë më të ngurtë.
Për të shmangur lëndimet, bëni ushtrime të lehta nxehjeje, si rrotullime të krahëve, ngritje të gjunjëve ose vrap të lehtë. Këto ndihmojnë në qarkullimin e gjakut dhe përmirësojnë fleksibilitetin. Nëse ndiheni të lodhur në mëngjes, mund të konsumoni vakt të lehtë para stërvitjes për të pasur më shumë energji.
Përfitimet e ushtrimeve në mesditë
Stërvitja në mesditë është ideale për ata që duan të përmirësojnë performancën atletike, pasi temperatura e trupit arrin kulmin. Studimet tregojnë se forca e qëndrueshmëria janë më të larta midis 15:00 dhe 18:00. Për më tepër, koha optimale për shëndetin e zemrës është midis orës 11:00 dhe 17:00.
Disavantazhet
Një nga sfidat më të mëdha të ushtrimeve në mesditë është menaxhimi i kohës. Nëse punoni gjatë ditës, mund të jetë e vështirë të gjeni kohë për stërvitje të plotë. Edhe nëse ushtroni gjatë pushimit të drekës, mund të duhet të shkurtosh kohën e stërvitjes për t’u përgatitur për punën pas saj.
Mund të jetë më e vështirë të mbani rutinë të qëndrueshme pasdite, pasi angazhimet e përditshme, si takimet apo aktivitetet familjare, prishin planin tuaj.
Përfitimet e ushtrimeve në mbrëmje
Personat e moshës mesatare me mbipeshë që ushtronin në mbrëmje kishin 28% më pak gjasa të vdisnin nga ndonjë shkak, krahasuar me ata që stërviteshin në mëngjes ose pasdite. Ushtrimet në mbrëmje janë më të dobishme për kontrollin e sheqerit në gjak, veçanërisht për njerëzit me rezistencë ndaj insulinës.
Stërvitja pas një vakti ndihmon në uljen e niveleve të glukozës. Një studim tjetër tregoi se stërvitja në mbrëmje mund të përmirësojë kontrollin e sheqerit në gjak tek njerëzit me diabet. Ushtrimet në mbrëmje ndihmojnë në reduktimin e stresit dhe të shërbejnë si një mënyrë për t’u çlodhur pas një dite të lodhshme.
Një studim tregoi se aktiviteti fizik i moderuar deri në intensiv, deri tre orë para gjumit, nuk ndikon negativisht në cilësinë e tij. Përkundrazi, mund të ndihmojë në zgjatjen e kohës së gjumit dhe në lehtësimin e procesit të të fjeturit.
Disavantazhet
Për disa njerëz, ushtrimet në mbrëmje mund të jenë stimulues e të ndikojnë në vështirësinë për të fjetur. Gjithashtu, mund të reduktojnë kohën e gjumit nëse ushtrimi zgjat deri vonë në mbrëmje. Nëse ndjeni se stërvitja në mbrëmje ju ndikon në gjumë, provoni të ushtroni më herët gjatë ditës.
Cila është koha më e mirë për t’u ushtruar?
Përcaktimi i kohës ideale për stërvitje varet nga disa faktorë, si:
Orari juaj ditor – Zgjidhni një kohë kur keni më shumë mundësi të jeni të rregullt.
Cilësia e gjumit – Nëse keni vështirësi të flini pas ushtrimeve të mbrëmjes, provoni në mëngjes ose pasdite.
Temperatura e jashtme – Nëse ushtroni jashtë, merrni parasysh motin. Në verë, mund të jetë më mirë të ushtroni herët ose vonë në mbrëmje.
Niveli i energjisë – Nëse ndiheni të lodhur në mëngjes, një stërvitje pasdite ose në mbrëmje mund të jetë më e përshtatshme për ju.