Në kuadër të aktiviteteve të Akademisë Verore të Gjuhës Angleze, Fakulteti i Gjuhës Angleze në UBT organizoi një seri ligjëratash të veçanta me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Misionit të KFOR-it dhe ekspertëve amerikanë nga fusha të ndryshme profesionale, duke u ofruar studentëve një mundësi unike për të mësuar nga përvoja ndërkombëtare.
Programi përfshiu tema të rëndësishme dhe aktuale, si: shërbimet emergjente në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Policia dhe Shërbimi Emergjent Mjekësor – EMS), inxhinieria civile, siguria kibernetike, historia e sistemit bankar amerikan, aspektet ligjore në sektorin civil dhe ushtarak në SHBA, si dhe roli i çështjeve fetare në ushtrinë amerikane. Aktiviteti u përmbyll me një sesion interaktiv pyetje-përgjigje, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë drejtpërdrejt me ligjëruesit.
Ligjëratat u mbajtën nga ekspertët: LTC Daniel Brown, SSG Christopher Nagel, LT Luke Squire, LT Noah Cohen, MAJ Song Hong, SSG Thomas Barr, CPT Mary Samarkos dhe SGT Marie Pattison, nën mbikëqyrjen e Prof. Assoc. Alma Lama dhe organizimin e Prof. Ass. Donjetë Latifaj dhe Prof. Rina Sefiu.
Pjesëmarrësit e Lingua Summer Academy shfaqën interesim të madh për temat e trajtuara, duke zhvilluar diskutime mbi sfidat bashkëkohore në siguri, drejtësi, teknologji dhe shërbime publike. Këto ligjërata kontribuan në zgjerimin e njohurive të tyre dhe në forcimin e bashkëpunimit akademik ndërkombëtar.
Përmes organizimit të aktiviteteve të tilla, UBT vazhdon të krijojë ura bashkëpunimi me partnerë ndërkombëtarë dhe të ofrojë mundësi të vlefshme për zhvillimin akademik dhe profesional të studentëve, duke e bërë Lingua Summer Academy një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave ndërkombëtare.


