Botë

Liderët botërorë mirëpresin armëpushimin në Liban

Published

on

Liderët botërorë kanë mirëpritur marrëveshjen e armëpushimit të arritur midis Izraelit dhe grupit militant libanez Hezbollah, që hyri në fuqi të mërkurën në mëngjes.

Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

Në vijim ua sjellim disa nga reagimet kryesore nga mbarë bota.

Shtetet e Bashkuara dhe Franca

Armëpushimi midis Izraelit dhe Libanit do ta mbrojë Izraelin nga kërcënimi i grupit militant të mbështetur nga Irani, Hezbollah, dhe do të krijojë kushtet për një “qetësi të qëndrueshme”, thanë presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, para hyrjes në fuqi të armëpushimit.

Shpallja e sotme do të ndalojë luftimet në Liban dhe do ta sigurojë Izraelin nga kërcënimi i Hezbollahut dhe organizatave të tjera terroriste që operojnë nga Libani”, thanë liderët në një deklaratë të përbashkët.

Shtetet e Bashkuara dhe Franca do të punojnë “për të siguruar që kjo marrëveshje të zbatohet plotësisht” dhe do të udhëheqin përpjekjet ndërkombëtare për “ndërtimin e kapaciteteve” të ushtrisë libaneze, shtuan ata.

Biden e mirëpriti marrëveshjen si “lajm të mirë” dhe tha gjithashtu se SHBA-ja do të udhëheqë një përpjekje të re për të siguruar një armëpushim midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas në Gazë, të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.

Macron tha se armëpushimi në Liban duhet të “hapë rrugën” për një fund të luftës në Gazë.

Izraeli

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, falënderoi presidentin amerikan për “angazhimin e tij në sigurimin e marrëveshjes së armëpushimit”.

Ai i tha Bidenit në një telefonatë se vlerësonte “mirëkuptimin e liderit amerikan se Izraeli do të ruajë lirinë e tij të veprimit në zbatimin e marrëveshjes”, sipas zyrës së Netanyahut.

Para miratimit të marrëveshjes nga Izraeli, Netanyahu tha se “gjatësia e armëpushimit varet nga ajo që ndodh në Liban” dhe se armëpushimi do t’i lejojë Izraelit të “intensifikojë” presionin ndaj Hamasit dhe të fokusohet në “kërcënimin iranian”.

Libani

Kryeministri libanez, Najib Mikati, tha se armëpushimi ishte një “hap themelor” drejt rivendosjes së stabilitetit në rajon.

Duke falënderuar Francën dhe SHBA-në për përfshirjen e tyre, Mikati gjithashtu përsëriti angazhimin e qeverisë së tij për “forcimin e pranisë së ushtrisë në jug”.

Irani

Irani, një mbështetës i Hezbollahut dhe Hamasit, mirëpriti përfundimin e “agresionit” të Izraelit në Liban, pas hyrjes në fuqi të armëpushimit.

“Duke mirëpritur lajmin” për përfundimin e “agresionit të Izraelit ndaj Libanit”, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baghaei, theksoi “mbështetjen e palëkundur të Iranit për qeverinë, popullin dhe rezistencën libaneze”.

Kina

Kina tha se po “ndjek me vëmendje situatën aktuale në Liban dhe Izrael”.

Ne mbështesim të gjitha përpjekjet që kontribuojnë në uljen e tensioneve dhe arritjen e paqes dhe mirëpresim marrëveshjen e arritur nga palët përkatëse për një armëpushim”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Mao Ning.

Gjermania

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, e mirëpriti marrëveshjen, duke e cilësuar atë si “një rreze shprese për të gjithë rajonin”.

Njerëzit në të dy anët e kufirit duan të jetojnë në siguri të vërtetë dhe të qëndrueshme”, tha Baerbock, duke e quajtur marrëveshjen “një sukses për diplomacinë”.

Mbretëria e Bashkuar

Kryeministri britanik Keir Starmer përgëzoi armëpushimin “e shumëpritur” që do të “ofrojë një masë lehtësimi për popullsinë civile” të Izraelit dhe Libanit.

Duke bërë thirrje që armëpushimi të shndërrohet në një zgjidhje të qëndrueshme politike në Liban, Starmer premtoi të jetë “në ballë të përpjekjeve për të thyer ciklin e vazhdueshëm të dhunës në kërkim të një paqeje të qëndrueshme dhe afatgjatë në Lindjen e Mesme”.

Bashkimi Evropian

Shefja e BE-së, Ursula von der Leyen, e përshëndeti “lajmin shumë inkurajues” të armëpushimit, duke thënë se do të rrisë “sigurinë dhe stabilitetin e brendshëm” të Libanit.

Shpallja ishte lajm i mirë “para së gjithash për popullin libanez dhe izraelit të prekur nga luftimet”, tha Von der Leyen.

Libani do të ketë një mundësi për të rritur sigurinë dhe stabilitetin e brendshëm falë ndikimit të reduktuar të Hezbollahut”, shtoi ajo.

Kombet e Bashkuara

Një zyrtar i lartë i OKB-së mirëpriti marrëveshjen e armëpushimit, por paralajmëroi se “kërkohet ende punë e konsiderueshme” për zbatimin e marrëveshjes.

Asgjë më pak se përkushtimi i plotë dhe i paepur i të dyja palëve nuk mjafton”, tha koordinatorja e posaçme e OKB-së për Libanin, Jeanine Hennis-Plasschaert.

Turqia

Turqia mirëpriti arritjen e armëpushimit, por Ministria e saj e Jashtme bëri thirrje që komuniteti ndërkombëtar të ushtrojë presion ndaj Izraelit për zbatimin e plotë të marrëveshjes.

Është thelbësore që komuniteti ndërkombëtar të ushtrojë presion mbi Izraelin për të respektuar plotësisht armëpushimin dhe për të ofruar dëmshpërblime për dëmet e shkaktuara në Liban”, tha ministria në një deklaratë, duke shtuar se Turqia është e gatshme të mbështesë përpjekjet për paqe në Liban.

Ajo tha se një armëpushim duhet të shpallet gjithashtu në Gazë sa më shpejt të jetë e mundur për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon.

Aktualitet

Rrëzohet një avion luftarak amerikan mbi Iran, nisin kërkimet për pilotët

Published

on

By

Një avion luftarak i Shteteve të Bashkuara është rrëzuar mbi territorin e Iranit, kanë bërë të ditur tre burime amerikane, duke konfirmuar kështu raportimet e mediave shtetërore iraniane.

Forcat amerikane kanë nisur operacionet e kërkim-shpëtimit, sipas të njëjtave burime. Përpjekjet e mundshme për shpëtim duket se janë kapur në disa video të postuara në rrjetet sociale, të cilat janë konfirmuar nga CNN.

Agjencia shtetërore “Tasnim” njoftoi se kërkimet për ekuipazhin e zhdukur deri më tani kanë qenë “të pasukseshme”. Ndërkohë, në “Fars News”, një spiker njoftoi se po ofrohet një shpërblim për këdo që arrin të kapë “pilotin ose pilotët armiq”.

Për momentin, mbetet ende e paqartë se në cilën pjesë të Iranit është rrëzuar avioni luftarak./ CNN/

Continue Reading

Aktualitet

Ukraina shpreh gatishmëri t’i mbështesë përpjekjet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit

Published

on

By

Presidenti ukrainas,  Volodymyr Zelensky, deklaroi se Ukraina mund të kontribuojë në mbrojtjen e rrugëve detare nëse ftohet, duke përmendur përvojën e fituar nga mbajtja e hapur e korridoreve të transportit në Detin e Zi nën sulme të vazhdueshme ruse, raporton AP.

“Nëse ftohemi, do të ndihmojmë”, tha Zelensky, pa dhënë detaje të mëtejshme.

“Ngushtica duhet të zhbllokohet”.

Oferta e Kievit vjen në një kohë kur ai po thellon bashkëpunimin me vendet e Gjirit si Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe duke u orientuar drejt një roli afatgjatë si partner sigurie.

Ekipet ukrainase janë tashmë të dislokuara në rajon për të këshilluar mbi mbrojtjen ajrore, mbrojtjen e infrastrukturës dhe sigurinë detare.

Continue Reading

Aktualitet

Kriza e re në NATO: Trump paralajmëron tërheqjen pas tensioneve për Iranin

Published

on

By

Aleanca e NATO-s i ka mbijetuar viteve të fundit sfidave ekzistenciale – që nga lufta në Ukrainë e deri te presionet dhe fyerjet e shumta nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili ka vënë në dyshim misionin e saj kryesor dhe ka kërcënuar me marrjen e Grenlandës.

Por është lufta SHBA-Izrael me Iranin, mijëra milje larg Evropës, ajo që pothuajse e ka shkatërruar bllokun 76-vjeçar dhe kërcënon ta lërë atë në gjendjen më të dobët që nga krijimi, thonë analistët dhe diplomatët.

Trump, i tërbuar që vendet evropiane kanë refuzuar të dërgojnë flotat e tyre detare për të hapur Ngushticën e Hormuzit për tregtinë globale pas fillimit të luftës ajrore më 28 shkurt, ka deklaruar se po shqyrton tërheqjen nga aleanca.

“A nuk do ta bënit edhe ju po të ishit në vendin tim?” pyeti Trump në një intervistë për Reuters të mërkurën.

Në një fjalim të mërkurën mbrëma, Trump kritikoi aleatët e SHBA-së, por u ndal para dënimit të hapur të NATO-s, siç mendonin shumë ekspertë se mund të bënte.

Por, të kombinuara me thumbime të tjera drejtuar evropianëve javët e fundit, komentet e Trumpit kanë nxitur një shqetësim të paparë se SHBA-ja nuk do t’u dalë në ndihmë aleatëve evropianë nëse ata sulmohen, pavarësisht nëse Uashingtoni largohet zyrtarisht apo jo.

Rezultati, thonë analistët dhe diplomatët, është se aleanca e krijuar gjatë Luftës së Ftohtë, që ka shërbyer prej kohësh si struktura bazë e sigurisë evropiane, po shpërbëhet dhe marrëveshja e mbrojtjes reciproke në bërthamën e saj nuk merret më si e mirëqenë.

“Kjo është gjendja më e keqe ku ka qenë (NATO) që nga themelimi i saj,” tha Max Bergmann, një ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit, i cili tani drejton Programin për Evropën, Rusinë dhe Eurazinë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington. “Është vërtet e vështirë të mendosh diçka që i afrohet kësaj.”

Ky realitet po bëhet i qartë për evropianët, të cilët janë mbështetur te NATO si një mburojë kundër një Rusie gjithnjë e më agresive.

Së fundmi, në shkurt, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e kishte hedhur poshtë idenë e mbrojtjes së Evropës pa SHBA-në si një “mendim budalla”. Tani, shumë zyrtarë dhe diplomatë e konsiderojnë këtë si pritshmërinë kryesore.

“NATO mbetet e nevojshme, por ne duhet të jemi të aftë të mendojmë për NATO-n pa amerikanët,” tha Gjenerali Francois Lecointre, i cili shërbeu si shef i forcave të armatosura të Francës nga viti 2017 deri në 2021. “Nëse duhet të vazhdojë të quhet ende NATO – Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut – kjo është një pyetje e vlefshme.”

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, tha: “Presidenti Trump e ka bërë të qartë zhgënjimin e tij me NATO-n dhe aleatët e tjerë, dhe siç theksoi Presidenti, ‘Shtetet e Bashkuara do të mbajnë mend’.”

Një përfaqësues i NATO-s nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment./ Reuters/

Continue Reading

Aktualitet

Macron kritikon Trump-in: E pamundur të hapet ngushtica e Hormuzit me forcë

Published

on

By

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i është drejtuar Donald Trump-in, me tone jo shumë miqësore duke thënë se ai po minonte NATO-n duke krijuar “dyshime të përditshme mbi angazhimin e tij” ndaj aleancës.

Presidenti i SHBA-së, në intervista për media të ndryshme dje, bëri komente nënçmuese për NATO-n, duke e quajtur atë një “tigër prej letre” dhe duke kërcënuar se do të tërhiqte SHBA-në prej saj. Trump ka qenë veçanërisht kritik ndaj aleancës për refuzimin e saj për t’u përfillur kërkesave të tij për të siguruar ngushticën e Hormuzit me forcë, duke provokuar zemërimin e liderëve evropianë.

Macron paralajmëroi se komentet e Trump-it që vënë në dyshim angazhimin e SHBA-së ndaj aleancës “dëmtojnë themelet e saj”, ndërsa u bëri thirrje liderëve “të jenë seriozë”.

“Besoj se organizatat dhe aleancat si NATO përcaktohen nga ajo që mbetet e pathënë – domethënë, besimi që i mbështet ato, dhe kjo ka qenë shpesh rasti, rastësisht, me çështjet ushtarake dhe strategjike,” tha ai gjatë një vizite shtetërore në Seul të Koresë së Jugut.

“Nëse hidhni dyshime mbi angazhimin tuaj çdo ditë, ju dëmtoni themelet e saj.”

Ai vazhdoi: “Duhet të jemi seriozë, dhe nëse doni të jeni seriozë, nuk mund të deklaroni, duke thënë të kundërtën e asaj që keni thënë një ditë më parë.

Macron tha se ishte “jorealiste” rihapja e ngushticës së Hormuzit me forcë, duke u thënë gazetarëve se kjo do t’i ekspozonte flotat detare ndaj sulmeve iraniane. Ai tha se sigurimi i ngushticës mund të bëhej vetëm “në koordinim me Iranin” pas një armëpushimi. /The Guardian/

Continue Reading

Të kërkuara