Kulturë

Libra: Dhjetë historitë që formësuan letërsinë e vitit 2024

Published

on

Në një vit të mbushur me krijimtari dhe imagjinatë të pafundme, letërsia ka sjellë disa prej romaneve më të jashtëzakonshme që kanë kapërcyer kufijtë e trillimit dhe realitetit. Nga satirat e fuqishme që analizojnë gjendjen e kombit, te trillerët verorë të mbushur me origjinalitet dhe tension, 2024 ka qenë një vit i artë për lexuesit e pasionuar. BBC Culture ka përzgjedhur disa prej veprave më të mira të këtij viti, duke nxjerrë në pah romanet që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në botën e letërsisë.

 

“Caledonian Road” nga Andrew O’Hagan

Ky roman satirik dhe ambicioz është vendosur në Londër dhe ndjek historinë e 52-vjeçarit Campbell Flynn, një shkrimtar dhe akademik i njohur skocez. Libri përfshin një ansambël personazhesh që përfshijnë anëtarë të familjes mbretërore, oligarkë rusë, trafikantë njerëzish dhe artistë. Është krahasuar me romanet sociale të Charles Dickens dhe Tom Wolfe. The Guardian e përshkruan si një histori shumë të këndshme, ndërsa Irish Independent e cilëson si një roman të jashtëzakonshëm për gjendjen e kombit.

“My Heavenly Favourite” nga Lucas Rijneveld

Ky roman është vendosur në një komunitet fermash në Holandë dhe tregon historinë e një veterineri 49-vjeçar që është i fiksuar me një vajzë 14-vjeçare. Financial Times e përshkruan si një roman të pakompromis dhe kërkues, që konfirmon talentin e veçantë të shkrimtarit. Krahasimet me Nabokov janë të pashmangshme, por Rijneveld trajton temën me një qasje më serioze.

“Green Dot” nga Madeleine Gray

Ky roman ndjek Herën, një grua 24-vjeçare e cila kërkon lidhje dhe kuptim në jetën e saj, duke marrë një punë në një faqe lajmesh dhe duke rënë në dashuri me një gazetar të martuar më të vjetër. The Irish Times vëren një nënvijë të zymtë në libër, ndërsa iNews e përshkruan si një debutim të shkëlqyer dhe argëtues.

“The Sleepwalkers” nga Scarlett Thomas

Ky thriller veror fillon me një çift të sapomartuar që mbërrijnë në një hotel luksoz në një ishull grek, duke mbajtur sekrete nga njëri-tjetri. Libri është i ndërtuar përmes letrave, faqeve të blloqeve dhe transkriptimeve. The New York Times e përshkruan si një vepër gjeniale dhe të çuditshme.

“Wild Houses” nga Colin Barrett

Ky roman i parë vendoset në një qytet të vogël në Irlandë dhe ndjek historinë e një djali adoleshent, Doll, i cili rrëmbehet nga një bandë lokale si garanci për krimet e vëllait të tij më të madh. The Telegraph e cilëson si një tregim të shkëlqyer irlandez të dhunës, besnikërisë dhe humbjes, ndërsa The Washington Post e përshkruan si një thriller elektrik.

“Change” nga Édouard Louis

Ky libër, i botuar fillimisht në Francë në vitin 2021 si “Changer: méthode”, është një pjesë shoqëruese e veprave të tjera të Louis, që përbëjnë një univers letrar të ndërlidhur të personazheve dhe linjave kohore.The Telegraph e përshkruan si portretin më të nuancuar dhe më të sinqertë të jetës së Louis, ndërsa TLS vëren guximin e shpikjes së autorit për të shpjeguar veten.

“Parasol Against the Axe” nga Helen Oyeyemi

Hero Tojosoa pranon një ftesë që pritej ta refuzonte dhe përfundon në një fundjavë të kaotike në Pragë me mikeshën e saj të larguar, Sofie. Romani kalon në disa tregime brenda tregimit, duke u bërë i paparashikueshëm për lexuesin dhe personazhet. Publishers Weekly e përshkruan si një vepër të guximshme dhe eksperimentale, ndërsa Another Magazine vlerëson origjinalitetin e saj.

 

“Choice” nga Neel Mukherjee

Ky roman ndjek historinë e Ayush, një drejtor redaksional në një shtëpi botimi në Londër, dhe është i ndarë në tre rrëfime të ndërlidhura që eksplorojnë dilemat etike dhe nocionin e vullnetit të lirë. The Guardian e cilëson si një roman brilant dhe të vështirë që nuk ofron përgjigje të lehta.

“Victim” nga Andrew Boryga

Ky roman është prezantuar si kujtimet e protagonistit Javi Perez, një banor i Bronx-it, i cili shfrytëzon historinë e tij tragjike për të fituar famë dhe pasuri. The New York Times Book Review e përshkruan si një debutim energjik dhe shumë kënaqës, ndërsa The Southern Review of Books vlerëson zhvillimin e shkëlqyer të personazhit.

“Blessings” nga Chukwuebuka Ibeh

Ky roman ndjek historinë e Obiefuna, i cili përpiqet të përshtatet në një shoqëri ku homoseksualiteti është kriminalizuar dhe çdo mospërputhje gjinore është e dënuar. Komente: The Observer e përshkruan si një debutim emocional dhe prekës, ndërsa The Guardian vlerëson stilin e shkrimit të shkrimtarit.

“James” nga Percival Everett

Ky roman është një rishikim i “The Adventures of Huckleberry Finn” nga Mark Twain nga këndvështrimi i skllevërit Jim, duke krijuar një vepër të re dhe shumë humoristike. Komente: The Observer e përshkruan si një performancë të përsosur deri në fund.

 

“Worry” nga Alexandra Tanner

Romani ndjek historinë e Jules, një shkrimtare 28-vjeçare nga Florida, dhe motrën e saj më të re, Poppy, teksa përballen me sfidat e rritjes. Komente: The New York Times e përshkruan si një roman komik të shkëlqyer për ankthin e të rinjve të rritur, ndërsa The Washington Post vëren humorin therës dhe të lidhur me internetin./UBTNews/

Në përkthim dhe përshtatje të Dionesa Ebibi, nga BBC.

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 21 tetor 1993-1998

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

21 tetor 1993

Nga fshati Stançiq u shpërngulën dhjetë familje

Disa fshatra të Karadakut, komuna e Gjilanit, në zonën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, pas njohjes së këtij shteti, janë vënë në një trajtim të posaçëm ushtarak e policor. Njëri nga më të goditurit, gjthsesi, është Stançiqi, prej ku, në katër-pesë muajt e fundit, u shpërngulën dhjetë familje shqiptare në rrethinën e Kumanovës e të Shkupit, për shkak të lidhjeve farefisnore e gjeografike me këto treva. Për shkak të presionit policor e ushtarak në këtë brez kufitar, ka rrezik për shpërngulje edhe më të mëdha nga fshatrat përreth kësaj zone.

Sipas të dhënave të Këshillit për mbrojtjen e të drejtave e lirive të njeriut në Gjilan, për këto arsye, prej qershorit e deri para dy ditësh, nga Stançiqi u shpërngulën familjet e Kadri Bajramit (me 8 anëtarë), Destan Bajramit me 11 anëtarë, Shefki Dautit me 6 anëtarë, Isuf Veliut me 10, Salih Ajetit, gjithashtu me 10 anëtarë, pastaj familjet e Sejdi Osmanit, Baftiar e Naip Osmanit, Fehmi Murselit dhe familja e Rabit Latifit. Pra, një lagje e tërë shqiptarësh braktisi fshatin e lindjes dhe u vendos në Haraqinë, Qerkez, Kumanovë e gjetiu nëpër Maqedoni, pos dy familjeve të fundit, të cilat u vendosën në Zhegër, përkatësisht në Gjilan, njofton gazeta e sotme “Bujku”.

 

21 tetor 1994

Në komunën e Mitrovicës në nëntë muajt e fundit u bastisën 228 familje

Në komunën e Mitrovicës në nëntë muajt e fundit, policia serbe kryesisht nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi gjithësej 228 familje shqiptare, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Policia serbe gjatë kësaj kohe ndërhyri 44 herë në institucione shkollore, në pyetje i mori 46 persona, plaçkiti 55 tregtarë dhe qytetarë shqiptarë, i konfiskoi 22 pasaporta, maltretoi në forma të ndryshme 39 persona, nën pretekst të dorëzimit të armëve dhe në forma të tjera i arrestoi dhe i mbajti deri në 3 ditë në burg 140 persona, u bë hapja e procedurave gjyqësore kundër 33 personave, u rrahën 218, u dënuan me burg 12 persona, ndërsa u dërguan me dhunë në ushtrinë serbe 13 të rinj shqiptarë.

21 tetor 1995 

New York Times: A është në rend eksplodimi në Kosovë?

Gazeta autoriative amerikane “The New York Times” botoi në numrin e sotëm (21 tetor 1995) një vështrim për Kosovën të autorit Julie Mertus (Xhuli Mertës) me titull “A është në rend eksplodimi në Kosovë?”. Në artikull thuhet:

“Iniciativa paqësore amerikane në ish-Jugosllavi po sjell një lehtësim të nevojshëm në Bosnjë-Hercegovinë, por ajo gjithsesi nuk do të arrijë të vendosë paqe afatgjatë në Ballkan po qe se në negociata nuk përfshihen të gjithë liderët e grupeve më të mëdha etnike në rajon. Duke i dhënë përparësi pragmatizmit para drejtësisë, ndihmëssekretari amerikan i shtetit Hollbruk e ka lënë pasdore përbërësin kryesor në zgjidhjen e problemit të Ballkanit: shqiptarët etnikë në Kosovë.

Ndonëse shqiptarët përbëjnë më tepër se 85 për qind të popullsisë së Kosovës, e cila ishte rajon autonom në ish-Jugosllavi, ata qe një kohë të gjatë po kontrollohen nga minoriteti etnik serb.

Presidenti serb Sllobodan Millosheviq hypi në pushtet pas një fjalimi në Kosovë më 1989 me të cilin ai denonconte, siç thoshte ai, brutalitetin e shqiptarëve ndaj serbëve të Kosovës. Fjalët e tij çuan në një dhunë të tmerrshme policore kundër shqiptarëve; arrestime masive, gjykime të montuara në bazë të deklaratave të nxjerra me dhunë. Shumë shqiptarë u përzunë nga puna pasi që refuzonin të nënshkruanin deklarata të lojalitetit ndaj Jugosllavisë së re.

Kështu, shqiptarët kanë organizuar shoqërinë e tyre paralele dhe shkollat, spitalet, qeveritë lokale etj. Komisioni i të Drejtave të Njeriut i OKB-së thotë: “Pjesa dërrmuese e popullsisë jeton me frikë konstante”.

Millosheviqi ka kundërshtuar të bisedojë rreth Kosovës në takimet ndërkombëtare, duke e quajtur këtë çështje të brendshme. Ai ka penguar OKB-në që të njohë Ibrahim Rugovën, i zgjedhur kryetar i Kosovës në zgjedhjet e vitit 1992, të cilat nuk njihen nga autoritetet serbe. Nëse përkrahja për presidentin Millosheviq në Serbi bie pas marrëveshjes paqësore në Bosnjë dhe disfatave ushtarake në Kroaci, ai mund të përpiqet të forcojë pushtetin e vet duke provokuar një konflikt në Kosovë. Luftimet në Kosovë padyshim do të përhapeshin në Shqipëri dhe do të mund të përfshinin edhe Maqedoninë (me 23 për qind popullsi shqiptare), Greqinë dhe Bullgarinë. Në rrafshin diplomatik, kjo do të vinte Amerikën kundër Rusisë, e cila mbështet regjimin serb në Kosovë.

Për të evituar këtë skenar, Kosova duhet të jetë e pranishme në tryezën ndërkombëtare të negociatave. Kjo mund të arrihet vetëm po qe se Shtetet e Bashkuara e injorojnë qëndrimin e OKB-së, sipas të cilit Qeveria e zgjedhur e shqiptarëve të Kosovës nuk meriton karrikë në tryezën e negociatave.

Një rol negociues (i SHBA-ve) nuk është i pamundur. Shtetet e Bashkuara, të brengosura për Kosovën, kanë dërguar atje miliona dollarë në vit për shërbime shëndetësore.

Për më tepër, tashmë është bërë presedan që të bisedohet me liderë të cilët nuk udhëheqin shtete të njohura ndërkombëtarisht. Zoti Holbruk po rropatet me Radovan Karaxhiqin dhe Ratko Mlladiqin, liderë të serbëve të Bosnjës, të cilët akuzohen për krime të luftës. Prandaj, zoti Rugova nuk mund të përjashtohet nga negociatat vetëm pse ka fituar në zgjedhjet “e paligjshme”.

Çka mund të shpresojnë shqiptarët e Kosovës? Shtetet e Bashkuara do të duhej së paku të përkrahnin kërkesat e tyre për mbikëqyrje ndërkombëtarë të shkeljeve drastike të të drejtave të njeriut. Zoti Rugova, sipas të gjitha gjasave, po ashtu do të kërkojë një palë të tretë, helmetkaltërit e OKB-së ose trupat e NATO-s, për të ndihmuar normalizimin e një procesi në rajon, i cili do të zbuste praninë policore serbe dhe do të mundësonte rihapjen e shkollave lokale, spitaleve, shërbimeve qeveritare e të tjera. Duhet të jemi të sigurtë se një vend rreth tavoline për shqiptarët do ta iritonte Millosheviqin, por të përpiqesh të arrish paqe në Ballkan pa e pasë shqyrtuar çështjen e Kosovës është sikur të përpiqesh ta fikësh zjarrin duke e lënë thëngjillin të ndezur”, përfundon shkrimi i autorit Xhuli Mertës, që po shkruan një libër për Kosovën.

 

21 tetor 1997 

Policët e stacionuar në Morinë keqtrajtojnë kalimtarët

Që nga 17 tetori, Skenderaj e sidomos rruga në drejtim të Gllogocit po vërshohet nga patrulla të policisë, të përcjella me autoblinda e armatim të ndryshëm. Viktimë e policëve janë të gjithë qytetarët që kalojnë në këtë drejtim pas orës 20.

KI i Degës së LDK-së në Skenderaj njofton se tash pesë netë me radhë policët stacionohen në afërsi të deposë së materialit ndërtimor të Nuredin e Kajtaz Deliut nga Rrezala, e cila ndodhet në fshatin Morinë. Në këtë vend policia nga orë 20 deri në orën 24 maltreton kalimtarët. Nga policët ka pësuar rëndë edhe vetë Kajtazi. Policët madje djegin dërrasa dhe material tjetër të kësaj depoje, duke dëmtuar kështu pronarët e deposë edhe materialisht.

Në këtë vend, më 17 tetor u keqtrajtuan Petrit Murtezaj, student nga Klina e Poshtme, Vezir Ymeri nga Kopriva e Mitrovicës dhe Bajram Haziraj nga Llausha. Ata po udhëtonin me veturë dhe u keqtrajtuan pa ndonjë pretekst. Në Morinë u keqtrajtuan rëndë edhe Musa, Musdtafë e Mehdi Koca nga Polaci dhe Tafil e Daut Gjinofci nga Makermali.

Po në Morinë, siç njofton KI i Degës së LDK-së në Gllogoc, më 17 tetor, pas orës 22, u keqtrajtua fizikisht edhe Adem M. Kiqina (40) nga Baica e kësaj komune, punëtor në Ferronikel. Sipas deklaratës së tij, këtu është keqtrajtuar edhe një punëtor tjetër.

21 tetor 1998

Vdiq edhe një anëtare e familjes Deliu nga Obria e Epërme

Mbrëmë, në shok dhomën e spitalit të Prishtinës vdiq Bedrie Deliu (25) nga Obria e Epërme e Skënderajt, nënë e katër fëmijëve.

Burime nga spitali bëjnë të ditur se ajo ishte sjellë në spital me lëndime të rënda në kokë, si pasojë e torturës fizike.

Bedria është anëtare e familjes Deliu, 25 pjesëtarë të së cilës u vranë e u masakruan gjatë një aksioni të forcave serbe në fund të muajit të kaluar.

Foto: New York Times

 

Continue Reading

Lajmet

Galeria Kombëtare e Kosovës hap thirrjen për Programin Vjetor 2027

Published

on

Galeria Kombëtare e Kosovës (GKK) ka hapur thirrjen për propozime për Programin Vjetor 2027, duke ftuar artistë, kuratorë, hulumtues dhe profesionistë të tjerë të arteve pamore të aplikojnë me projektet e tyre.

Thirrja përfshin propozime për ekspozita ndërdisiplinare në fusha si piktura, skulptura, grafika, instalacioni, fotografia, videoja dhe performanca. Gjithashtu, pranohen projekte edukativo-arsimore, hulumtuese, botuese dhe multimediale.

Projektet mund të realizohen brenda ose jashtë hapësirave të Galerisë, në bashkëpunim me stafin e saj. Për aplikim janë të ftuara edhe kolektivet, organizatat dhe komunitetet kulturore, ndërsa kontratat do të lidhen me individë.

Programi do të zhvillohet në dy hapësirat e Galerisë Kombëtare të Kosovës: GKK Qendrore dhe GKK QAFA.

Afati i fundit për aplikim është 30 dhjetor 2026. Informacionet e hollësishme për thirrjen dhe mënyrën e aplikimit mund të gjenden përmes kanaleve zyrtare të Galerisë Kombëtare të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Restaurohet Mulliri i Cermjanit në Gjakovë, rikthehet një pjesë e trashëgimisë kulturore

Published

on

Mulliri i Cermjanit në Gjakovë është restauruar, duke rikthyer në jetë një pjesë të trashëgimisë kulturore që dëshmon traditën dhe mënyrën e jetesës së brezave të kaluar.

Përmes këtij restaurimi synohet ruajtja e vlerave historike dhe kulturore, si dhe përcjellja e tyre te brezat e ardhshëm.

Puna për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore vazhdon, me qëllim që monumentet dhe traditat që përbëjnë identitetin tonë të ruhen edhe në të ardhmen./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“WALL NOT I”, projekt artistik në Muzeun e Burgut të Prishtinës

Published

on

Një ligjëratë performative dhe videoinstalacion i frymëzuar nga vepra e shkrimtarit Samuel Beckett do të prezantohet më 16 tetor në Muzeun e Burgut të Prishtinës – Burgu i Idealit.

Projekti “WALL NOT I”, i realizuar nga autori dhe përkthyesi Idlir Azizaj dhe artisti Mentor Berisha, nis në orën 19:00 dhe ndërthur ligjëratën, imazhin dhe videoinstalacionin për të eksploruar raportin mes trupit, hapësirës, kujtesës dhe rrëfimit.

Përmes dialogut mes veprës së Beckettit dhe historisë së Burgut të Idealit, projekti trajton temat e mbylljes, mungesës së lirisë dhe rezistencës njerëzore.

Aktiviteti do të mbahet më 16 tetor 2026, duke filluar nga ora 19:00, në Muzeun e Burgut të Prishtinës./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara