Shëndet

Lëvizja parandalon mpiksjen e gjakut

Published

on

Kardiologët kanë paralajmëruar se qëndrimi ulur rrit mundësinë për mpiksje të gjakut, duke shtuar se njerëzit duhet të lëvizin sa më shumë për ta parandaluar këtë gjë.

Sipas Aleancës Kombëtare për Mpiksjen e Gjakut në SHBA, çdo ditë rreth 274 persona humbin jetën nga mpiksja e gjakut. Hulumtimet e fundit tregojnë se ka mbi 900 mijë raste në vit, çka e bën këtë problem një kërcënim të madh për shëndetin publik, ka raportuar Parade.

Megjithëse tingëllon frikshëm, mpiksja e gjakut në vetvete është një proces normal i trupit – një mënyrë për të ndaluar gjakderdhjen. Por kur ndodh në mënyrë jonormale, brenda enëve të gjakut ose kur ajo shkëputet dhe udhëton në pjesë të tjera të trupit, rreziku bëhet serioz.

Mos qëndroni ulur shumë gjatë

“Mundohuni të mos qëndroni joaktivë për kohë të gjatë dhe shtoni më shumë lëvizje në rutinën tuaj, në mënyrën që është e sigurt dhe e përshtatshme për ju”, ka thënë doktoresha Danielle Belardo, kardiologe në Los Anxhelos.

Ajo ka thënë se aktiviteti fizik ndihmon në qarkullimin e mirë të gjakut.

“Levizja zvogëlon rrezikun e mpiksjes. Kur i lëvizni muskujt, përmirësoni qarkullimin dhe e parandaloni mbledhjen e gjakut në vende të caktuara”, ka shtuar ajo.

Edhe doktori Mohanakrishnan Sathyamoorthy, kardiolog dhe shef i mjekësisë së brendshme në Burnett School of Medicine në Universitetin TCU, ka thënë se qëndrimi ulur për kohë të gjatë është një nga shkaktarët kryesor të mpiksjes së gjakut.

Çka e shkakton mpiksjen?

Kjo varet nga vendndodhja, por në përgjithësi, mpiksjet në arterie apo vena mund të shkaktohen nga:

-Sëmundje që rrisin tendencën për mpiksje

-Çrregullimet e vetë enëve të gjakut

Sipas doktorit Peter Kowey, profesor i mjekësisë në Thomas Jefferson University, “shumë sëmundje ndikojnë në mënyrën si mpikset gjaku, dhe kjo mund të çojë në komplikime të rënda.”

Belardo ka thënë se duhen vëzhguar me kujdes simptomat si:

-Kollë me gjak

-Rrahje të shpejta të zemrës

-Marramendje ose ndjesi që do të bini

-Vështirësi në frymëmarrje

-Dhimbje apo shtrëngim në gjoks

-Fryrje, ngrohtësi apo ndryshim ngjyre në krahë apo këmbë

Ndërkohë, Sathyamoorthy ka theksuar se shenjë specifike është “fryrja e njëanshme, në pjesën e poshtme të këmbëve, që shfaqet papritur dhe shoqërohet me dhimbje, sidomos gjatë përkuljes, është diçka që duhet kontrolluar menjëherë”.

Si ta parandaloni mpiksjen e gjakut?

Lëvizni sa më shumë

Nëse keni punë që kërkon shumë qëndrim ulur, apo jeni në udhëtime të gjata me avion, ecni herë pas here.

“Gjatë fluturimeve të gjata, rekomandoj të ecni çdo disa orë për të mbajtur aktiv qarkullimin e gjakut”, ka thënë Kowey.

Në jetën e përditshme, mjaftojnë edhe hapa të vegjël si ngjitja e shkallëve në vend të ashensorit, apo ecje të shkurtra.

Pini ujë mjaftueshëm. Dehidratimi e rrit rrezikun për mpiksje.

“Veçanërisht në mot të nxehtë, hidratimi është thelbësor për të parandaluar trashjen e gjakut. Pyesni mjekun për sasinë e duhur të ujit që duhet të pini çdo ditë”, ka thënë Kowey.

Njihni rreziqet tuaja

Sipas American Heart Association, disa prej faktorëve që rrisin rrezikun janë:

-Mbipesha;

-Diabeti;

-Shtatzënia;

-Mosha e shtyrë;

-Qëndrimi ulur për kohë të gjatë;

-Pirja e duhanit.

Shëndet

Sekretet natyrale për të luftuar kollën tek fëmijët

Published

on

Edhe pse kollitjet nuk duhet lënë pa u trajtuar, se përkeqësohen ose shkaktojnë shqetësime të mëtejshme, ekzistojnë disa ilaçe shtëpiake natyrale që mund të ndihmojnë në lehtësimin e tyre dhe në përmirësimin e gjendjes së fëmijëve.

Mjalti

Njihet për vetitë antibakteriale e qetësuese, ndaj konsiderohet një alternativë e mirë natyrale për lehtësimin e kollës. Për fëmijët, mund të përgatitet një solucion: dy lugë gjelle mjaltë të tretura në një gotë qumësht të ngrohtë. Ky kombinim ndihmon në qetësimin e fytit dhe përmirëson gjumin. Për rezultate më të mira, rekomandohet që fëmijët ta pinë këtë përzierje çdo mbrëmje para gjumit për pesë ditë rresht.

Banja e ngrohtë

Një banjë ndihmon fëmijët të djersijnë dhe të pastrojnë rrugët e frymëmarrjes, duke lehtësuar simptomat e kollës dhe ngushtimin e hundës. Banjat e ngrohta bëhen dy herë në ditë, në mëngjes dhe në mbrëmje, për të përmirësuar qarkullimin e gjakut dhe për të relaksuar fëmijët.

Hidratimi i duhur

Uji është një nga mjetet më të thjeshta, por efektive për lehtësimin e kollës tek fëmijët. Ai mban fytin të lagur e ndihmon në hollimin e sekrecioneve, duke lehtësuar gulçimin. Fëmijët duhet të pinë rreth 6–8 gota ujë në ditë, sipas moshës së tyre. Përveç ujit, çajrat e ngrohtë, sidomos çaji me xhinxher ose me kamomil, mund të qetësojnë fytin dhe të ndihmojnë në reduktimin e kollës.

Këshilla shtesë:

Mbani ajrin e dhomës së fëmijëve të lagësht, sidomos gjatë dimrit ose kur përdoret ngrohja. Një lagështues ajri mund të ndihmojë shumë.

Shmangni ekspozimin ndaj tymit të duhanit ose ndotjes së ajrit, pasi ato irritojnë fytin dhe e përkeqësojnë kollën.

Sigurohuni që fëmija të pushojë mjaftueshëm dhe të marrë ushqim të shëndetshëm, i cili forcon sistemin imunitar.

Me këto metoda natyrale e kujdes të thjeshtë në shtëpi, kollitja e fëmijëve mund të lehtësohet ndjeshëm. Nëse kollitja zgjat më shumë se një javë, shoqërohet me temperaturë të lartë, vështirësi në frymëmarrje, duhet të kontaktoni menjëherë mjekun pediatër. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Shëndet

Sa ujë duhet të pimë çdo ditë? Ja çfarë thonë ekspertët

Published

on

Gjithmonë dëgjojmë këshilla për të pirë sa më shumë ujë për të qëndruar të hidratuar dhe të shëndetshëm.

Ka pasur shumë debate mbi sasinë e duhur të ujit që duhet të konsumojmë çdo ditë. CNN publikon një artikull që sqaron këtë çështje.

Sipas Akademisë Mjekësore Amerikane, konsumimi i ujit ndryshon bazuar në gjini.

Meshkujt rekomandohet të pinë 3.7 litra ujë në ditë, rreth 16 gota, ndërsa gratë 2.7 litra, ose rreth 12 gota.

Dehidratimi mund të shkaktojë lodhje të tepërt, mungesë motivimi dhe vështirësi për të kryer ushtrimet në mënyrën e duhur.

Ai gjithashtu ndikon në përqendrim, kujtesë dhe mund të shkaktojë nervozizëm dhe ankth.

Dy shenja kryesore që tregojnë hidratimin janë etja dhe ngjyra e urinës. Nëse nuk ndjen etje të shpeshtë dhe urina është e verdhë e hapur, kjo tregon që je i hidratuar mirë. Në të kundërtën, tregon se je i dehidratuar.

Dehidratimi ndikon edhe në qarkullimin e gjakut, mënyrën se si pompon zemra dhe mund të shkaktojë dhimbje koke.

Po ashtu, kripa dhe mineralet që grumbullohen në trup formojnë kristale të vogla në traktin urinar, duke shkaktuar dhimbje.

Personat që vuajnë nga migrena mund të përjetojnë dhimbje më të shpeshta në rast dehidratimi. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Shëndet

Insulina pa gjilpëra, trajtimi i ri që aplikohet në lëkurë

Published

on

Krema transdermale e insulinës normalizon glukozën për 12 orë në testimet para-klinike.

Një grup shkencëtarësh nga Universiteti Zhejiang në Kinë ka zhvilluar një trajtim të ri revolucionar për diabetin: një krem transdermal që fut insulinën në organizëm përmes lëkurës, duke shmangur nevojën për injeksione.

Ky zbulim mund të hapë rrugën drejt eliminimit të gjilpërave për miliona njerëz që varen çdo ditë nga insulina.

Insulina mund të absorbohet përmes lëkurës

Deri më sot, përdorimi si trajtim lokal ishte konsideruar i pamundur për shkak të madhësisë së madhe të molekulave dhe natyrës hidrofile, që pengojnë depërtimin përmes shtresave yndyrore të lëkurës. Por, duke përdorur minj, mini-derra dhe lëkurë njerëzore të kultivuar, studiuesit arritën të demonstrojnë se insulina mund të futet në trup përmes një sistemi të ri transdermal.

Sipas ekipit kërkimor, polimeri depërtues i zhvilluar prej tyre mundëson shpërndarje jo-invazive të insulinës, duke hapur mundësi të reja për administrimin transdermal të proteinave dhe peptideve në të ardhmen. Rezultatet janë botuar në revistën Nature.

Sfida e barrierës së lëkurës

Aplikimi i barnave përmes lëkurës është i thjeshtë, pa dhimbje e lejon çlirim të kontrolluar të substancave. Stratum corneum, shtresa e jashtme e lëkurës është barrierë e fortë që lejon vetëm molekula të vogla dhe lipofile të depërtojnë.

Insulina, e madhe dhe hidrofile, nuk mund të kalojë natyrshëm këtë barrierë. Studiuesit shfrytëzuan një tipar tjetër të lëkurës, gradientin acid-bazë të pH-së, i cili është acid në sipërfaqe dhe neutral në shtresat e brendshme.

Si funksionon kremi?

Ekipi krijoi një polimer të quajtur OP (poli[2-(N-oksid-N,N-dimetilamino)etil metakrilat]), që ndryshon ngarkesën e tij në varësi të pH-së.

Ky polimer lidhet me insulinën dhe formon kompleksin OP-1:

Në sipërfaqen më të acidifikuar të lëkurës, OP ka ngarkesë pozitive dhe lidhet me lipidet. Në shtresat më të thella, ku pH është neutral, ai humbet ngarkesën dhe shkëputet, duke lejuar insulinën të kalojë pengesën e lëkurës.

Rezultatet para-klinike

Në testet laboratorike dhe eksperimentet me kafshë, OP-1 tregoi rezultate shumë premtuese. Minjtë diabetikë arritën normalizim të glukozës brenda një ore, dhe efekti zgjati 12 orë, me efikasitet të krahasueshëm me injeksionet nënlëkurore.

Mini-derrat diabetikë, modeli më afër njeriut, treguan të njëjtin efekt: glukoza u ul brenda 2 orëve dhe mbeti stabile për 12 orë.

Ky trajtim transdermal përfaqëson një hap të madh drejt mënyrave më të lehta, pa dhimbje e të sigurta të administrimit të insulinës në të ardhmen. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Shëndet

Mos e pini kafenë në çdo orar, ja koha më e mirë sipas ekspertëve

Published

on

Për shumë prej nesh, kafeja është një pjesë e domosdoshme e rutinës së përditshme. Ajo është aty për të na dhënë atë dozë të energjisë që na nevojitet gjatë ditës.

Megjithatë, kafeja nuk këshillohet të konsumohet në çdo orar.

Sipas studimeve, duhet të shmangni konsumimin e kafeinës pas orës 02:00 ose të paktën shtatë orë para se të flini gjumë, pasi mund të ndikojë negativisht në gjumin tuaj.

Një studim, botuar në Journal of Clinical Sleep Medicine, zbuloi se konsumimi i kafeinës gjashtë orë para se të shkoni në shtrat ndikonte në cilësinë e gjumit, edhe pse efektet e kafeinës mund të mos ndiheshin më.

Pjesëmarrësit e studimit ishin në gjendje të binin në gjumë pa problem, por cilësia e gjumit nuk ishte njësoj si te dikush që nuk kishte konsumuar kafe disa orë para gjumit.

Sipas studimeve të bëra nga studiues në Britani dhe SHBA, pirja e një ekspresi të dopio tri orë para gjumit mund të kthejë orën e trupit prapa pothuajse një orë. Kjo gjë lidhet me sëmundjet e zemrës dhe çrregullimet neurodegjeneruese, të tilla si Alzheimeri.

Nuk bëhet fjalë vetëm për kafeinën që gjendet në kafe, por edhe për atë që gjendet te pijet me sodë apo ato energjike.

Koha më e mirë për të konsumuar kafe është ora 10 e paradites. Sa i përket konsumit të përgjithshëm, Klinika Mayo rekomandon mbajtjen e konsumit të kafeinës në 400mg në ditë, ose afërsisht katër filxhanë kafeje. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Të kërkuara