Kulturë

Letra e lamtumirës nga Gabriel García Márquez

“Do të flija pak, do të ëndërroja më shumë…”

Published

on

Nëse për një çast Zoti do të harronte se
jam një kukull lecke e
do të më dhurojë paksa jetë, ka gjasa se
nuk do të them gjithçka që mendoj,
por patjetër do ta mendoj çdo gjë që do ta them.

Do t’iu jepja vlerë gjërave, jo për vlerën që kanë,
por për kuptimin që kanë.

Do të flija pak, do të ëndërroja më shumë,

e kuptoj se për çdo minutë që i mbyllim
sytë, humbim gjashtëdhjetë sekonda dritë.

Do të ecja përpara kur të tjerët do të ndaleshin,
do të rrija zgjuar kur të tjerët do të flinin,
do të dëgjoja kur të tjerët flasin dhe
dhe sa do të shijoja një akullore të mirë çokolate!

Nëse Zoti do të më dhuronte paksa jetë,
do të vishesha thjeshtë,
do të shtrihesha në pishë të diellit duke lënë zbuluar jo vetëm
trupin tim por edhe shpirtin tim.

Zoti im, nëse do të kisha një zemër, do ta shkruaja
urrejtjen time në akull dhe
dhe do të prisja që të shkrihej në diell.

Do të pikturoja me një ëndër të Van Gogut
sipër yjeve një poemë të Benedettit
dhe një këngë e Serratit do të ishte serenata
që do t’ia kushtoja hënës.

Do t’i ujitja me lotët e mi trëndafilët,
për ta ndjerë dhimbjen e gjembave të tyre
dhe puthjen e mishtë të petaleve të tyre…

Zoti im, nëse do të kisha paksa jetë…

Nuk do të lija të kalonte qoftë një ditë të vetma
pa iu thënë njerëzve se dua,
se i dua. Do t’i bindja të gjithë burrat e grate
se janë të parapëlqyerit e mi dhe
do të jetoja i dashuruar nga dashuria.

Njerëzve do t’ua provoja
sa gabojnë tek mendojnë
të heqin dorë së dashuruari
kur plaken, pa e ditur
se plaken kur heqin dorë së dashuruari.

Një fëmije do t’i jepja flatra,
por do ta lija ta merrte fluturimin vetë.

Të moshuarit do t’i mësoja
se vdekja nuk vjen me pleqërinë
por me harresën.

Kaq shumë gjëra kam mësuar nga ju, Njerëzit!

Ka mësuar se e gjithë bota adhuron të jetojë
mbi majën e malit,
pa e ditur se lumturia e vërtetë
është në ngjitjen e shpatit.
Kam mësuar se
kur i sapolinduri shtrëngon me grushtin e tij të vogël,
për herë të parë, gishtin e babait të tij,
e mban shtrënguar për gjithmonë.
Kam mësuar se një njeri
ka të drejtë ta vështrojë një tjetër
nga lart poshtë vetëm
kur duhet ta ndihmojë për t’u ngritur.

Janë aq shumë gjëra
që kam mundur të mësoj nga ju,
por realisht,
nuk do të më shërbejnë shumë,
sepse kur do të m’i vendosin
brenda asaj valixheje,
palumturisht do të jem duke vdekur.

Shqipëroi: Elida Buçpapaj./KultPlus

Continue Reading

Lajmet

Promovohet libri i ri i Prof. Dr. Halil Krasniqit: “Religjioni dhe mjekësia”

Published

on

By

Në Bibliotekën Qendrore të Kampusit UBT në Lipjan është promovuar libri më i ri i Prof. Dr. Halil Krasniqit, i titulluar “Religjioni dhe mjekësia – Besimi, shëndeti, jeta dhe rruga e njeriut drejt së vërtetës”. Ngjarja mblodhi familjarë, kolegë, profesorë, studentë e profesionistë të shëndetësisë e kulturës.

Vepra analizon raportin e thellë mes shkencës mjekësore dhe besimit, duke trajtuar lidhjen trup-shpirt, përballjen me sëmundjen dhe kërkimin e paqes së brendshme.

Gjatë fjalës së tij, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, vuri në dukje se libri shërben si një pikëtakim thelbësor mes besimit dhe shkencës, veçanërisht në momentet kur njeriu përballet me dilema të brendshme.

“Ajo që profesori Halil e thotë edhe në libër është se religjioni dhe mjekësia janë një ftesë për dialog ndërmjet mjekut dhe pacientit, shkencës dhe etikës, trupit dhe shpirtit, dijes dhe besimit. A është ky një formulim i qëndrueshëm? Po, sepse e gjejmë në pjesën praktike atëherë kur njeriu përballet me ato shqetësimet e veta të brendshme,” u shpreh Sejdiu.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, vlerësoi gjithashtu kontributin e gjatë të Dr. Krasniqit në akademi dhe mjekësi, duke e cilësuar librin si një hap të guximshëm për të hapur debate të nevojshme shoqërore.

“E falënderoj doktor Halilin për kontributin e tij në gjenerimin e dijeve përmes punës si profesor në UBT, si dhe e vlerësoj jashtëzakonisht shumë përkushtimin e tij në fushën e mjekësisë. Libri i tij i fundit është mjaft interesant dhe sfidues… Një guxim i tillë është i nevojshëm, sepse kemi nevojë të debatojmë për çështje që lidhin religjionin me shëndetin,” theksoi Hajrizi.Në përmbyllje, vetë autori Prof. Dr. Dr. Halil Krasniqi tregoi se shtysa kryesore pse një kirurg i përkushtohet shkrimit lidhet drejtpërdrejt me vlerën e vetë njeriut dhe forcën hyjnore që udhëheq jetën.

“Shtrohet pyetja se pse shkruan një mjek, një kirurg, vendi i të cilit është në sallën e operacionit pranë pacientëve? Përgjigja ime është shumë e thjeshtë: të gjitha librat shkruhen për njeriun — qenien më të përsosur, e cila vuan, sëmuret, përjeton faza të ndryshme të jetës dhe që është ajo që e ndryshon botën. E në ndikimin e njeriut ekziston edhe një forcë natyrore që e quajmë Zot (Allah), i cili ka një ndikim të drejtpërdrejtë në krijimin, jetën dhe vdekjen e njeriut,” përmbylli Krasniqi.

 

Continue Reading

Lajmet

Filmi kosovar “DUA” do të hapë edicionin e 18-të të PriFest

Published

on

Filmi kosovar “DUA”, me regji të Blerta Bashollit, do të hapë edicionin e 18-të të PriFest – Prishtina International Film Festival, më 8 shtator në Prishtinë.

Sipas organizatorëve, rikthimi i filmit në kryeqytet ka një domethënie të veçantë, pasi historia e tij lidhet drejtpërdrejt me Kosovën dhe periudhën e viteve ’90. Filmi trajton adoleshencën, miqësinë, identitetin dhe rezistencën përmes historisë së një vajze 13-vjeçare në Prishtinën e asaj kohe.

Në kastin e filmit janë Pinea Sylejmani, Vlera Bilalli, Yllka Gashi, Kushtrim Hoxha, Kaona Sylejmani, Andi Bajgora, Fiona Abdullahu dhe Arben Bajraktaraj.

“DUA” është bashkëprodhim i Kosovës, Zvicrës dhe Francës, me skenar nga Blerta Basholli dhe Nicole Borgeat, montazh nga Enis Saraçi dhe drejtore fotografie Lucie Baudinaud.

Filmi e pati premierën botërore në Festivalin e Kanës 2026, në Seksionin e Kritikëve të Javës së Kritikës.

Pas prezantimit në festivale ndërkombëtare, “DUA” do të rikthehet në Prishtinë si filmi hapës i PriFestit, i cili do të vazhdojë për gjashtë ditë me shfaqje filmash, takime dhe aktivitete të ndryshme./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Dua” shfaqet premierë rajonale në Festivalin e Filmit në Sarajevë

Published

on

Filmi kosovar “Dua” ka pasur premierën rajonale mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Sarajevës, ku u shfaq në kuadër të programit garues “Competition Programme – Narrative Feature Film” të Festivalit të Filmit në Sarajevë.

Filmi është me regji të Blerta Bashollit dhe është prodhuar nga Ikonë Studio.

Në rolet kryesore interpretojnë Pinea Matoshi, Yllka Gashi, Kushtrim Hoxha, Kaona Matoshi, Andi Bajgora, Vlera Bilalli dhe Fiona Abdullahu.

Premiera në Sarajevë shënon një tjetër prezantim të rëndësishëm për kinematografinë kosovare në një prej festivaleve më të njohura të filmit në rajon./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Monodrama ‘Arka’ e Mentor Zymberajt në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës ‘Dulcinea’

Published

on

Pas sukseseve të saj në skenat ndërkombëtare, monodrama “Arka”, me interpretim të aktorit kosovar Mentor Zymberaj, do të prezantohet në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës ‘Dulcinea’ në Ulqin.

“ARKA” do të ngjitet në skenë më 19 gusht 2026, në orën 21:00, në Skenën Verore të Kalasë së Ulqinit, në kuadër të ceremonisë solemne të hapjes dhe ditës së parë të festivalit..

Paraqitja e Zymberajt është pjesë e programit ndërkombëtar të festivalit, i cili zhvillohet nga 19 deri më 22 gusht në Ulqin.

 

Continue Reading

Të kërkuara