Lajmet

Lëshonin dokumente ilegale, mbyllen katër komuna paralele në Vranisht të Dragashit

Krasniqi ka shkruar se në këtë fshat kundërligjshëm kanë vepruar dhe lëshuar dokumente për komunën e Prizrenit, të Suharekës, të Rahovecit dhe të Dragashit.

Published

on

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se sot në fshatin Vranisht të Dragashit janë mbyllur katër komuna paralele që kanë operuar ilegalisht vite me radhë.

Në llogarinë e tij në Facebook, Krasniqi ka shkruar se në këtë fshat kundërligjshëm kanë vepruar dhe lëshuar dokumente për komunën e Prizrenit, të Suharekës, të Rahovecit dhe të Dragashit.

“Sot në fshatin Vranisht të Dragashit mbyllëm 4 komuna paralele që kanë operuar ilegalisht për gjithë këto vite. Në këtë fshat kundërligjshëm kanë vepruar dhe lëshuar dokumente për komunën e Prizrenit, Suharekës, Rahovecit dhe Dragashit. Nga sot ajo më nuk operon. Republika e Kosovës është shtet unitar dhe si e tillë nuk do të lejojë asnjë paralelizëm kundërkushtetues”, ka shkruar Krasniqi.

Vendi

Eksplorim i procesit prodhues: Studentët e Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në UBT vizitojnë kompaninë LoniGlass SHPK

Published

on

By

Studentët e vitit të dytë të Fakultetit të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në UBT zhvilluan një vizitë studimore praktike në biznesin prodhues LoniGlass SHPK në Gremë – Ferizaj, me pronar Arben Rexhepi, në kuadër të lëndës Menaxhimi i Operacioneve.

Vizita u udhëhoq nga profesori i lëndës, Burim Berisha, dhe menaxherja e UBT-së në Ferizaj, Fatime Tahiri, me qëllim të lidhjes së njohurive teorike me praktikën reale në biznes.

Gjatë vizitës, studentët analizuan nga afër proceset operative, duke përfshirë:

  • Menaxhimin e operacioneve në tërësi,

  • Transformimin e inputeve në outpute,

  • Procesin e shndërrimit të xhamit në pasqyra dhe produkte dekorative.

Kjo vizitë ofroi studentëve një pasqyrë të drejtpërdrejtë mbi organizimin operacional, teknologjinë e përdorur dhe menaxhimin e proceseve prodhuese në praktikë, duke i ndihmuar ata të kuptojnë më mirë sfidat dhe mekanizmat e biznesit real.

Continue Reading

Vendi

Hulumtimi i profesorëve të UBT-së botohet në revistën e Akademisë së Shkencave të Republikës Çeke, të indeksuar në Scopus

Published

on

By

Profesorët e UBT-së, Prof. Dr. Avni H. Alidemaj nga Fakulteti i Shkencave Politike dhe Juridike dhe Prof. Dr. Alban Maliqi nga Studimet e Sigurisë, kanë publikuar hulumtimin e tyre në revistën prestigjioze shkencore Lawyers Quarterly, e cila botohet në Pragë të Çekisë nga Akademia e Shkencave e Republikës Çeke dhe është e indeksuar në Scopus si dhe në shumë baza të tjera të të dhënave ndërkombëtare.

Hulumtimi shkencor thekson sfidat e ndërtimit të paqes së qëndrueshme në vendet multietnike, duke argumentuar se garancitë e forta kushtetuese dhe ligjore janë thelbësore për sigurimin e stabilitetit afatgjatë dhe për parandalimin e tensioneve që mund të përshkallëzohen përtej kufijve shtetërorë. Rajoni i Ballkanit Perëndimor shërben si ilustrim i qartë se si tensionet etnike të pazgjidhura mund të çojnë në konflikte dhe në krijimin e pakënaqësive të thella ndërmjet komuniteteve.

Po ashtu, studimi analizon të arriturat e Kosovës në garantimin e të drejtave të pakicave përmes përmirësimit të kornizës ligjore dhe rritjes së përfshirjes së komuniteteve pakicë në proceset vendimmarrëse.

Profesorët Alidemaj dhe Maliqi, brenda një periudhe të shkurtër kohore, kanë publikuar një numër të konsiderueshëm punimesh shkencore në revista prestigjioze ndërkombëtare, duke kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në forcimin e kapaciteteve hulumtuese dhe në rritjen e reputacionit akademik të UBT-së.

Continue Reading

Aktualitet

REL: Maqedonasit në “turizëm farmaceutik” në Kosovë dhe në Serbi për barna më të lira

Published

on

By

“Deri në Han të Elezit për barna…”, është fjalia që e dëgjojnë rojtarët kufitarë në pikën kufitare të Bllacës mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, sidomos gjatë fundjavave, kur pyesin shtetas maqedonas se ku po shkojnë në shtetin fqinj.

Hani i Elezit është qyteti i parë në anën e Kosovës, vetëm pesë apo gjashtë kilometra larg kufirit maqedonas dhe është destinacion i shpeshtë për qytetarët maqedonas për barna më të lira, sipas dëshmive që disa qytetarë kanë ndarë me Radion Evropa e Lirë (REL).

Të tjerë udhëtojnë 35-40 kilometra deri në Ferizaj, për të bërë pazar dhe blerë barna njëkohësisht.

Nga ana tjetër, përmes pikës kufitare Tabanoc në kufirin me Serbinë, destinacioni për barna është qyteti i Vranjës.

Shteti nuk ka shifra zyrtare se sa maqedonas blejnë barna në shtete të tjera, cilat janë terapitë e tyre mujore dhe sa para “derdhen” nga shteti mbi këtë bazë.

Por, qytetarët dëshmojnë se praktika është e shpeshtë dhe se destinacionet kryesore janë Kosova dhe Serbia.

Bëhet fjalë për barna për zemrën, për trombozë, astmë, për të tilla që në Maqedoninë e Veriut ose nuk janë në listën pozitive dhe Fondi për Sigurim Shëndetësor (FSSH) nuk i subvencionon, ose janë të shtrenjta ose thjesht nuk gjenden nëpër farmaci. Pra, edhe pse barin e përshkruan mjeku, pacienti duhet ta blejë privatisht.

“Për barna shkoj më shpesh sesa do të doja. Dhe, kur më thonë sa kushton në muaj, më vjen të qaj. Në Serbi është më lirë”, thotë Millan S., 48 vjeç nga Shkupi, i cili është në terapi për shkak të sëmundjes kardiovaskulare.

Pacientë, farmacistë nëpër farmaci maqedonase dhe mjekë konfirmojnë se “turizmi farmaceutik” po bëhet përditshmëri për shumë qytetarë maqedonas.

I njëjti bar – dallim i dyfishtë në çmim

“Ksarelto” prej 15 miligramësh është barna që 60-vjeçari nga Shkupi, Dragan M., duhet ta pijë çdo ditë pas operacionit në këmbë për shkak të trombozës venoze. Përdoret për trajtim dhe parandalim të mpiksjes së gjakut.

Por, Dragan thotë se, megjithëse barin ia ka përshkruar mjeku, mund ta blejë vetëm privatisht sepse nuk është në listën pozitive të barnave. Çmimi në farmaci është 2.907 dinarë për një kuti (rreth 47 euro).

Me të njëjtat para, në Kosovë do të blinte 2.5 kuti të së njëjtit ilaç. Atje i ka blerë për 20 euro, përkatësisht nga 1.200 dinarë secilin.

Çmimi i "Xarelto" në Kosovë (majtas) dhe në Maqedoninë e Veriut (djathtas)
Çmimi i “Xarelto” në Kosovë (majtas) dhe në Maqedoninë e Veriut (djathtas)

Por, verifikimi i REL-it në farmaci në Kosovë tregoi se i njëjti ilaç mund të gjendet edhe për 13.58 euro për kuti.

“Herën e fundit mora katër kuti, m’i sollën nga Prishtina dhe më kushtuan rreth 5.000 dinarë [rreth 81 euro]. Në farmacitë tona, me të njëjtat para mund të merrja vetëm dy kuti”, thotë Dragani për REL.

Në Serbi, “ksarelto” prej 15 mg kushton nga 2.227 deri në 2.382 dinarë, varësisht nga farmacia. Pra, edhe në të dy shtetet fqinje është më lirë se në Maqedoninë e Veriut.

Marinës V. nga Shkupi, ndërkaq, mjeku i ka përshkruar “salofalk 500”, barna për kolit, sëmundje inflamatore e zorrëve. Duhet ta pijë gjithë jetën sepse terapia e mban inflamacionin nën kontroll. Ilaçi mbulohet nga FSSH, por në tri vjetët e fundit, furnizimi është problem i rregullt.

“Shpesh ka mungesa dhe rregullisht [disa herë në vit] kërkoj nga dikush nga Serbia të më sjellë sasi. E marr pa recetë. Për çudi, te ne është më lirë se në Serbi, por ka mungesa. Kot është në listën pozitive kur nuk gjendet”, thotë Marina për REL.

Në farmaci serbe, “salofalk 500” kushton nga 1.080 deri rreth 1.340 dinarë.

Pensionistja Dragica B. përdor sprej për inhalim “spiolorespimat” – terapi mirëmbajtjeje për pacientë me COPD. E blen privatisht, në farmaci në Ferizaj, për rreth 1.500 dinarë. Në Maqedoninë e Veriut është rreth 2.600 dinarë.

Llogaritja e Entit të Statistikave, e bërë për Radion Evropa e Lirë (REL), tregon se pjesëmarrja e shpenzimit për barna në shpenzimet totale vjetore të jetesës ka variuar në mënyrë të parëndësishme në katër vjetët e fundit.

Pra, shpenzimi për barna i një familjeje për vitin 2025 është rritur për 2.65 për qind krahasuar me vitin 2024, që është më pak krahasuar me rritjet e tri vjetëve paraprake.

Treg i vogël, kosto importi, norma të ndryshme tatimore

Por, ajo që shifrat nuk e tregojnë, e dëshmojnë mjekët dhe punonjësit në farmaci, të cilët janë kontakti i parë me pacientët që blejnë barna.

Një mjek nga një ordinancë internistike në Tetovë na tha se edhe nga pacientët e tij shpesh dëgjon se ilaçin që ua përshkruan, e blejnë në Kosovë.

“Jemi të vetëdijshëm se barnat që japim janë të shtrenjta, siç është ‘ksarelto’. Të tjerat madje nuk gjenden gjithmonë, e megjithatë i përshkruajmë, për shembull ‘entresto’ për dështim të zemrës. Ne i japim pacientit atë që është më e mira për të, ndërsa nga do ta sigurojë, është vendimi i tij. Por po, dëgjojmë nga pacientë se, nëse një bar këtu kushton 50 euro, në Kosovë mund të kushtojë 20 euro”, tha mjeku që kërkoi të mbetet anonim.

Vesna Stavrova, kryetare e Odës Farmaceutike të Maqedonisë, thotë se problemi me çmimet e larta është barrë serioze për qytetarët që çdo ditë vijnë në farmaci dhe reagojnë lidhur me çmimet më të larta të preparateve të caktuara.

“Kur ilaçi nuk është në listën pozitive, qytetarët e paguajnë me çmim tregu që shpesh është më i lartë sesa në vendet fqinje. Arsyeja është se jemi treg i vogël që e zvogëlon fuqinë negociuese të shtetit me gjigantët e mëdhenj farmaceutikë dhe për të gjitha barnat që importohen, kostot e importit si transporti, dogana dhe marzhat e rrisin çmimin”, thotë Stavrova për REL.

Ajo thotë se shpesh ndodh që i njëjti bar të jetë më i lirë në shtetet fqinje edhe për shkak të normave të ndryshme tatimore.

Mungesa e barnave të caktuara në tregun farmaceutik, sipas Stavrovës, vjen ndoshta nga mungesa e substancës aktive për prodhim, nga rritja e kostove doganore për barnat e importuara, ose nga pengesa administrative dhe tenderuese.

Ndonjëherë, prodhuesi nuk ka interes komercial të regjistrojë barna të caktuara në Maqedoninë e Veriut ose t’i mbajë në shitje vazhdimisht.

Si përcaktohen çmimet e barnave?

Politikën e çmimeve të barnave e përcakton Ministria e Shëndetësisë, mbi bazën e metodologjisë për formimin e çmimeve të barnave. Për disponueshmërinë e barnave është kompetente Agjencia për Barna dhe Pajisje Mjekësore (MALMED).

Ministria përcakton nivelin maksimal të çmimit të çdo ilaçi në tregtinë me shumicë, përmes analizës krahasuese të çmimit të ilaçeve në pesë vende referente nga rajoni – Sllovenia, Kroacia, Serbia, Bullgaria dhe Greqia.

Mesatarja e dy vendeve që në analizë tregojnë se kanë çmimin mesatar më të ulët për atë bar nga të gjithë prodhuesit e pranishëm në tregun e atij vendi, përcaktohet si çmimi maksimal në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkohë, për farmaci është e përcaktuar një marzhë fikse. Ajo është 20 për qind, 25 për qind ose 28 për qind, maksimalisht deri në 1.200 dinarë, varësisht nga lartësia e çmimit me shumicë të çdo brane.

Farmacitë nuk i përcaktojnë marzhat e barnave.

Barnat që mbulohen nga shteti kanë çmime të njëjta në të gjitha farmacitë.

Nga Ministria thonë se nuk janë rritur çmimet, as për barnat që mbulohen nga FSSH, as për ato që qytetarët i blejnë privatisht.

Por, shtojnë se “Maqedonia është vend me treg të vogël dhe ndodh që kompanitë të furnizojnë të njëjtin bar me çmim të ndryshëm në vende të ndryshme, varësisht nga sasitë vjetore të nevojshme, numri i pacientëve, kushtet që dikton tregu, por edhe mënyra e pagesës”.

Farmacistët në Beograd me të cilët bisedoi REL zyrtarisht nuk duan të flasin për praktikën e maqedonasve që blejnë barna në Serbi. Por, tashmë ka tekste gazetareske se për të njëjtën arsye, në Serbi vijnë edhe shtetas të Bosnje e Hercegovinës.

Arsyeja kryesore mund të jetë se Serbia është treg më i madh, marzhat dhe tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) janë më të ulëta, për shkak të së cilave barnat shpesh janë 30 deri në 50 për qind më të lira se në vendet përreth.

Si treg më i madh, Serbia ka edhe distributorë të mëdhenj që mundësojnë çmime më të ulëta, ndërsa shteti në raste të caktuara subvencionon çmimet e disa barnave bazë.

Pritet zgjerim i ri i listës pozitive

Lista pozitive e barnave për herë të fundit u zgjerua në shtator 2024, dhe kjo pas dhjetë vjetësh nga përditësimi i fundit i listës në vitin 2014 kur u pasurua vetëm me një bar të ri.

SashoKlekovski, drejtor i FSSH-së, paralajmëroi se në vitin 2026 tri herë do të zgjerohet lista pozitive e barnave – me fokus në barna për sëmundje kardiovaskulare, të cilat janë shkak për rreth 60 për qind të vdekjeve në vend.

Një prej tyre është pikërisht “ksarelto”, që maqedonasit e blejnë në Kosovë dyfish më lirë sesa tek ne. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se ky bar është një nga prioritetet për t’u vendosur në listën pozitive të barnave në vitin 2026. Por, vendimin përfundimtar duhet ta marrë bordi drejtues i FSSH-së.

Vendimi, megjithatë, varet “nga mjetet e disponueshme të destinuara për barna të reja në listën pozitive farmaceutike, në mënyrë që për të siguruarit të sigurohet bar i disponueshëm me kompensim të përcaktuar nga shteti, ndërsa pacienti të ketë të drejtë zgjedhjeje të barit”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Edhe nga FSSH thonë se ky bar është objekt i procedurës sipas rregullave të parashikuara dhe pritet të shqyrtohet për përfshirje, nëse plotësohen kushtet dhe procedura përfundon.

“Fondi, si financues i shërbimeve shëndetësore, mbështet fuqishëm masa dhe reforma për disponueshmëri më të madhe të barnave me çmime të drejta dhe kosto më të ulëta për pacientët”, thuhet në përgjigjen e Fondit për REL.

Barrë e madhe për familjet

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në një raport të publikuar në vitin 2022, me titull “Sistemet shëndetësore në veprim: Maqedonia e Veriut”, ka theksuar se në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të ketë kosto të larta për kujdesin shëndetësor, kryesisht për shkak të pagesave private për barna.

“Ekziston një varësi e madhe nga pagesat nga xhepi, që përbënin 40.4% të shpenzimeve totale për shëndetësi në vitin 2019, një nga përqindjet më të larta në Evropën Juglindore. Si pasojë, shpenzimet katastrofike për shëndetësi mbeten problem, veçanërisht për familjet më të varfra, dhe në masë të madhe nxiten nga pagesat nga xhepi për barna ambulatore”, thuhet në raport.

raportin e fundit të Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë së Veriut, thuhet se shpenzimet për kujdes shëndetësor që njerëzit i paguajnë vetë janë 41.7 për qind e shpenzimeve totale të lidhura me shëndetësinë, gjë që paraqet pengesë për qasje të barabartë në kujdesin shëndetësor. Theksohet gjithashtu se “janë planifikuar më shumë mjete buxhetore dhe barna të reja për trajtimin e sëmundjeve të rralla, por ato mbeten të mjaftueshme vetëm për rreth një të tretën e pacientëve të regjistruar”./Radio Evropa e Lirë/

Continue Reading

Lajmet

UBT organizon info sesion me kompanitë AVEDO dhe STROER-X

Published

on

By

UBT organizoi info sesion me përfaqësuesit e kompanive AVEDO dhe STROER-X, me qëllim të ofrimit të informacioneve të drejtpërdrejta mbi mundësitë e punësimit për studentët e UBT-së.

Studentët patën mundësinë të njihen me pozitat e hapura, përgjegjësitë e detajuara, kushtet e punës dhe mundësitë e zhvillimit profesional brenda këtyre kompanive.

Ky info sesion është pjesë e strategjisë së UBT-së për të forcuar bashkëpunimin me industrinë dhe për të ofruar studentëve jo vetëm njohuri akademike, por edhe mundësi të garantuara për punësim pas përfundimit të studimeve.

Në këtë mënyrë, studentët e UBT-së kanë një avantazh të rëndësishëm në tregun e punës, duke përfituar nga lidhjet e universitetit me kompani të njohura ndërkombëtare dhe praktikat profesionale që lidhen drejtpërdrejt me fushat e tyre të studimit.

Continue Reading

Të kërkuara