Lajmet

LDK kërkon të ulët tatimi në zero për faturat e energjisë elektrike

Kjo në mënyrë që qytetarët të përballojnë shtrenjtimin e serishëm të energjisë prej 15.4 për qind.

Published

on

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga qeveria që të ulë në zero tatimin për faturat e energjisë elektrike, në mënyrë që qytetarët të përballojnë shtrenjtimin e serishëm të energjisë prej 15.4 për qind. Sipas tyre, urgjente është edhe krijimi i kapaciteteve të reja gjeneruese për energji.

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, në konferencë për medie të premten, tha rritja e çmimit të energjisë dy herë brenda dy viteve të Qeverisë Kurti është pamje e qartë e dështimeve ekonomike të tyre dhe shtrydhjes financiare të familjeve kosovare.

“Për herë të dytë në këto dy vite të kësaj qeverie, të gjithë qytetarëve u rritet çmimi i energjisë elektrike, kësaj radhe për 15.4 për qind. E tëra kjo në këtë kohë krize, kur çmimet e produkteve esenciale janë rritur deri në 50 për qind, kur tatimi në pronë është rritur 100 për qind, kur pagat nuk janë rritur as në sektorin publik dhe as në sektorin privat dhe kur kursimet pensionale në Trust janë zvogëluar për 106 milionë euro. Shto kësaj faktin se vitin e kaluar investimet kapitale ishin realizuar për vetëm rreth 60 për qind, ndërsa qeveria mburret se i kanë tepruar qindra miliona euro dhe ju krijohet një pamje e qartë e dështimeve ekonomike të kësaj qeverie dhe të shtrydhjes financiare të familjes kosovare” , tha ai.

Ai u shpreh kritik ndaj ekzekutivit për mos investimet në krijimin e kapaciteteve të reja në energji.

“Për të keqësuar edhe më tej gjendjen në sektorin e energjisë kjo qeveri për dy vite nuk ka investuar as një cent të vetëm në krijimin e kapaciteteve të reja gjeneruese në sektorin e energjisë elektrike. Qindra miliona euro të shpenzuara në subvencionim të çmimit të rritur të energjisë nuk e zgjidhin problemin afatgjatë të energjisë. Investimi i këtyre milionave në krijimin e kapaciteteve të reja gjeneruese është e vetmja zgjidhje afatgjatë e qëndrueshme. Për më keq procesi i remonteve të KEK-ut ishte vonuar shumë gjatë këtyre dy viteve duke ulur ndjeshëm prodhimin vendor dhe duke rritur nevojën për import të energjisë me çmime tejet të larta”, shtoi ai.

Përkitazi me këtë, ai dha edhe një rekomandim ndaj qeverisë për tejkalim të krizës energjetike.

“Janë bërë dy vite që i sugjerojmë qeverisë një gjë të tillë. Në rastin e energjisë elektrike ka qenë zvogëlimi në zero i TVSh-së në faturat e energjisë”, theksoi Mustafa.

Ndërkaq, tha se i vetmi vend ku qytetarët e kanë parë ndryshimin e Qeverisë Kurti është në faturat e tyre të energjisë, duke iu ardhur gjithnjë e më të shtrenjta.

Lajmet

Hamza refuzon ftesën e Kurtit: PDK rikonfirmon qëndrimin për të mbetur në opozitë

Published

on

By

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka refuzuar zyrtarisht ftesën për takim të dërguar nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Përmes një letre kthyese drejtuar Kurtit, Hamza ka bërë të ditur se PDK-ja nuk do të jetë pjesë e takimeve konsultative, duke rikonfirmuar vendimin e partisë për të qëndruar në opozitë.

“Duke iu referuar takimit tonë të datës 10 korrik 2026 dhe qëndrimit publik të PDK-së, ju rikonfirmoj se, në rrethanat aktuale, qëndrimi ynë është që të vazhdojmë të qëndrojmë në opozitë”, thuhet në përgjigjen e Hamzës.

Përveç refuzimit të ftesës, kreu i PDK-së i ka bërë thirrje Kurtit që të kërkojë marrëveshje me subjektet e tjera politike për krijimin e institucioneve të reja. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Moska fajëson Ukrainën për shpërthimin vdekjeprurës në një restorant:

Published

on

By

Rusia ka akuzuar Ukrainën për organizimin e një shpërthimi në një restorant luksoz në qendër të Moskës, nga i cili mbetën të vdekur pesë persona dhe u plagosën 19 të tjerë. Ngjarja ka nxitur dyshime të forta se shënjestra e sulmit ishte komandanti i lartë ushtarak rus, kolonel-gjenerali Aleksandr Chayko.

Ngjarja ndodhi të shtunën në mbrëmje pranë hyrjes së restorantit italian “Balzi Rossi”, i vendosur në një nga rrokaqiejt historikë të epokës së Stalinit në Sheshin Kudrinskaya. Sipas prokurorëve rusë, një grua e paidentifikuar që mbante një mjet shpërthyes të improvizuar u përpoq të hynte brenda, por u ndalua nga roja e sigurisë, çka çoi në shpërthimin e lëndës plasëse pak çaste më vonë në hyrje të objektit.

Përmes një deklarate zyrtare, Ministria e Jashtme e Rusisë e cilësoi ngjarjen si akt terrorist të udhëhequr nga Kievi, duke u shprehur se “tentakulat e përgjakshme të bandës terroriste të Zelenskyt kanë arritur deri te restoranti italian ‘Balzi Rossi’ në Moskë”.

Ndonëse autoritetet ruse nuk kanë publikuar emrat e viktimave apo shënjestrën e sulmit, blogerë ushtarakë pro-Kremlinit dhe media të pavarura raportojnë se mbledhja private organizohej për ditëlindjen e 55-të të gjeneralit Aleksandr Chayko. Pamjet e publikuara në rrjete sociale nga eventi tregonin sfondin me mbishkrimin “Aleksandr 55”.

Chayko, i cili ka udhëhequr më parë mësymjen ruse ndaj Kievit në vitin 2022 përpara se të merrte drejtimin e forcave ajrore-hapësinore, ka shpëtuar pa lëndime. Mirëpo, sipas kanalit informativ “VChK-OGPU”, nga shpërthimi në tarracën e restorantit ka mbetur i vrarë dhëndri i tij, Daniil Peredriy, ndërsa e bija, Maria, ka pësuar lëndime të rënda. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

17-vjeçari nga Ferizaj gjen portofolin me mbi 2,600 euro e dokumente dhe e dorëzon në polici

Published

on

By

Policia e Kosovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur së një i ri 17-vjeçar me inicialet A.N nga fshati Bablak i Ferizajt është paraqitur vullnetarisht në stacionin policor pasi kishte gjetur një portofol pranë një pike karburanti në fshatin Lloshkobare.

Pas verifikimeve nga zyrtarët policorë, u bë i mundur identifikimi i pronarit, K.S., 40 vjeç nga Gjakova, të cilit iu kthyen të gjitha mjetet monetare në vlerë prej 2,435 eurosh e 270 frangash, së bashku me dokumentet e tij të identifikimit.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka shprehur falënderimin dhe vlerësimin e lartë për veprimin e A. Nuhës, duke e cilësuar ndershmërinë e tij si një shembull të shkëlqyer për të gjithë komunitetin. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

IKShPK konfirmon 99 të prekur me fruth dhe apelon për vaksinim të menjëhershëm të fëmijëve

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka nxjerrë një përditësim mbi situatën epidemiologjike në vend, ku njofton se nga 16 prilli deri më 3 gusht 2026 janë konfirmuar gjithsej 99 raste me fruth. Vetëm përgjatë javës së fundit janë regjistruar 21 raste të reja, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku ishin raportuar 65 raste.

Sipas të dhënave të institutit, vatrat kryesore të infeksionit mbeten Prishtina me 33 raste dhe Fushë-Kosova me 25 raste, të ndjekura nga Ferizaj me 12 dhe Kaçaniku me 7 raste. Rastet e tjera janë shpërndarë në numër më të vogël në komunat si Drenas, Lipjan, Obiliq, Gjilan, Skenderaj, Shtime, Vushtrri, Deçan, Graçanicë, Podujevë, Shtërpcë dhe Viti.

Për shkak të shkallës së lartë të infektueshmërisë dhe rrezikut nga komplikimet e mundshme, IKShPK u ka bërë thirrje të gjithë prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë kartelat e vaksinimit dhe të sigurojnë imunizimin e fëmijëve në Qendrat e Mjekësisë Familjare sipas kalendarit të rregullt. Po ashtu, instituti u bën apel qytetarëve që me shfaqjen e simptomave të para — si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë apo rrufë — të paraqiten menjëherë për kontroll në institucionet shëndetësore. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara