Lajmet

LDK kërkon dorëheqjen e Kurtit

Published

on

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti dhe pastaj si rrjedhojë shpërbërjen e Kuvendit.

Përmes një komunikate, LDK thotë se kryeministri i Kosovës ka zgjedhur instrumentalizimin e opozitës si shpëtim individual nga dështimi i madh.

“LDK-ja nuk e pranon këtë instrumentalizim në asnjë rrethanë. LDK-ja është e gatshme të kërkojë besim qytetar, e gatshme të marrë përgjegjësinë para sfidave, e gatshme të implementojë ‘Rrugën e Re’ si program zhvillimor, të djathtë e euroatlantik. Për këtë, duhet dorëheqja e Kryeministrit, si rruga e duhur drejt shpërbërjes së Kuvendit dhe shkuarjes në zgjedhje të parakohshme. Dorëheqja, më pas shpërbërja dhe në fund data. Ky është rendi i gjërave”, thuhet në njoftim.

LDK-ja konsideron se në këto ditë vendimtare, fokusi i institucioneve dhe i partive politike duhet të jetë te çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, proces të cilin, sipas këtij subjekti me papërgjegjshmërinë e tij, e ka rrezikuar rëndë vetë kryeministri.

“LDK-ja e refuzon farsën e darkave si mbulesë të një uniteti politik që u përbuz kur u ofrua tash e tre vjet e gjysmë. LDK-ja thërret për një unitet të djathtë gjithëkombëtar, si lidhje përtejpartiake, si lëvizje shpëtimtare. Gjendja e tanishme, politike, ekonomike, diplomatike e sociale kërkon lidership të ri në Kosovë. Rëndesa ekonomike, pagat e ulëta, çmimet e larta, sistemi shëndetësor i rrënuar e arsimi i mbetur prapa, sikurse dhe ngecjet enorme integruese për në BE e anëtarësuese për në NATO, po shkaktojnë çdo ditë zbrazjen e Kosovës, me nga 173 qytetarë duke u larguar nga vendi ynë çdo ditë e secilën ditë”, thuhet tutje.

LDK-ja ka shtuar se nuk do të bëhet pjesë e asnjë marrëveshjeje të prearanzhuar prapa dyerve të mbyllura e darkave.

“LDK-ja fton të gjitha palët politike, që në këtë kohë, të kërkojnë dhe të punojnë vetëm në drejtim të dorëheqjes legale të Kryeministrit, sepse ajo faktike tashmë ka ndodhur”, përfundon njoftimi.

Lajmet

Kallas takon Kurtin e Vuçiqin: Normalizimi i marrëdhënieve, detyrim e jo favor për BE-në

Published

on

By

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka zhvilluar takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku u diskutua për domosdoshmërinë e avancimit në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.

Kallas ka bërë të qartë se progresi në dialog dhe integrimi evropian duhet të ecin krah për krah, duke nënvizuar se marrëveshjet e arritura mbeten të detyrueshme për të dyja palët.

“Marrëveshjet e arritura përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, veçanërisht Marrëveshja e Ohrit, janë të detyrueshme. Zbatimi i tyre nuk është një favor për Brukselin, por një detyrim ndaj qytetarëve dhe një rajoni që pret marrëdhënie normale”, ka shkruar Kallas në rrjetin social X.

Diplomatja e lartë evropiane shtoi se ndonëse BE-ja do të mbetet një ndërmjetësues i paanshëm, përgjegjësia kryesore u mbetet udhëheqësve në Prishtinë dhe Beograd.

“Ndërmjetësimi nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik në Beograd dhe Prishtinë. Është koha për të ecur përpara”, nënvizoi ajo.

Nga ana tjetër, kryeministri Kurti më herët njoftoi për takimin me përfaqësuesen e BE-së, por pa përmendur se në fokus të diskutimit ishte procesi i dialogut me Serbinë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Moti sot në Kosovë

Published

on

By

Ditën e sotme në vendin tonë parashikohet mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, vende-vende nuk përjashtohet mundësia për reshje të dobëta e lokale shiu.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 6 dhe 10 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale të ditës do të arrijnë nga 17 deri në 20 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë nga veriperëndimi me shpejtësi 1 deri në 5 m/s. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

BE-ja mbështet Specialen, nuk komenton nismën e PDK-së për ndryshimin e ligjit

Published

on

Bashkimi Evropian nuk ka komentuar nismën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, e cila është dorëzuar në Kuvend.

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Christian Wigand, ka thënë se BE-ja nuk komenton njoftime apo plane të tilla, por ka theksuar se mbështetja e Bashkimit Evropian për Dhomat e Specializuara mbetet e qëndrueshme.

“Gjykata Speciale është institucion i pavarur juridik, që operon brenda sistemit ligjor të Kosovës dhe puna e saj është përkrahur nga BE-ja”, ka deklaruar Wigand në konferencën për media të martën.

Ai ka theksuar se personat e dënuar në shkallën e parë kanë të drejtë të apelojnë aktgjykimet para një paneli të pavarur të Apelit në kuadër të Dhomave të Specializuara.

“Personat e dënuar në shkallën e parë kanë të drejtë ta apelojnë aktgjykimin para gjyqtarëve të pavarur të Apelit. Mbështetja jonë për Dhomat është e qëndrueshme dhe do të vazhdojë”, ka thënë Wigand.

Sipas tij, Dhomat e Specializuara po zhvillojnë procedura gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale dënoi me gjithsej 81 vjet burgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet.

Ndërkohë, PDK-ja synon përmes ndryshimeve ligjore kufizimin e mandatit të Speciales dhe përfshirjen e një mekanizmi ndërkombëtar monitorimi.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se synimi është që rastet që lidhen me krimet e luftës të trajtohen në Kosovë, ndërsa në Hagë të mbeten çështjet e ngritura në raportin e Dick Martyt./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Protesta kundër aktgjykimit të Speciales vazhdon për të shtatën ditë

Published

on

By

22:00

Edhe sonte, protesta në Prishtinë kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ka mbledhur mijëra qytetarë.

Në mesin e të pranishmëve pati qytetarë nga vende të ndryshme, të cilët u mblodhën në sheshin “Skënderbeu” për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Gjatë protestës ka performuar këngëtari i njohur Ramë Lahaj, ndërsa para protestuesve ka folur edhe Gentiani, nipi i Rexhep Selimit. Tubimi është shoqëruar me pankarta dhe thirrje për drejtësi.

Protesta e sontme është zhvilluar në vazhdën e tubimeve të organizuara prej disa ditësh në Prishtinë, pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

 

Protestat në Prishtinë kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së vazhdojnë edhe sonte, për të shtatën ditë me radhë.

Qytetarët pritet të mblidhen sërish në sheshin “Skënderbeu”, pas gjashtë netëve radhazi të tubimeve në kryeqytet. Protesta e së hënës ishte e gjashta dhe u zhvillua me pjesëmarrje të madhe qytetarësh.

Tubimet kanë nisur pas aktgjykimit të shpallur më 16 shtator ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa gjatë netëve të kaluara tubimet në Prishtinë janë zhvilluar pa incidente të raportuara.

Protestat janë shoqëruar me pankarta dhe thirrje për drejtësi, ndërsa në mesin e pjesëmarrësve kanë qenë qytetarë nga Kosova dhe diaspora.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara