Lajmet

LDK-ja e gatshme t’i ofrojë ndihmë Qeverisë, e cilëson të paaftë në procesin e dialogut

Published

on

Procesin e dialogut po e cilëson si një dështim tjetër të Qeverisë Kurti, anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Muhamet Hamiti. Ai në një intervistë për Ekonomia Online tha se VV-ja nuk po e dëshmon që mund ta drejtojë një dialog të mirëfilltë.

“LDK-ja ka qenë në pozita ta drejtoj dialogun dhe kur e ka drejtuar për aq sa ka qenë në dorën e Kosovës e ka drejtuar më mirë, ndërsa qeveria aktuale VV-ja në kohën kur ishte në opozitë thoshte se do ta bënte më mirë. Në këtë kohë që është në qeveri po edhe në kohën kur ishte herën e parë nuk e ka dëshmuar që mund ta bëjë këtë, madje iu deshën dy muaj që ta bënte një program qeveritar pjesa për politikën e Jashtme e të cilit është shumë e dobët, nuk ka vizion, ka paqartësi, nuk ka plan për njohje të reja dhe as në anëtarësime në organizata të ndryshme”, tha ai.

Tutje, Hamiti shpreson që qeveria ta kryejë këtë proces dhe të mos përfundojë Kosova fajtore për mosvijim të duhur të dialogut.

“LDK-ja është parti institucionaliste, e di që punët e jashtme janë në dorën e qeverisë dhe natyrisht edhe në konsultim me presidencën, ne presim që qeveria që ka marrë detyrën ta drejtoj këtë dialog dhe të mos stagnojë dialogu për fajin e Kosovës sepse status quota i konvenon Serbisë e jo Kosovës, andaj nuk duhet t’i japim në asnjë mënyrë Serbisë alibi që të thotë se nuk po vazhdon dialogu shkaku i Kosovës”, theksoi ai.

LDK thotë se në tavolinën e bisedimeve Kosovë-Serbi, kurrsesi nuk bën të preket integriteti territorial e as rregullimi i brendshëm kushtetues.

“Ndërsa ne kemi qëndrimet e qarta si LDK dhe besoj që e ka mundësinë edhe qeveria t’i marrë ato që shtetësia dhe pavarësia e Kosovës është e konfirmuar, madje edhe me vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, nuk guxon të preket integriteti territorial e as rregullimi i brendshëm kushtetues, nuk bën të ketë pushtet të nivelit të tretë. Natyrisht ky proces duhet të përfundojë me njohjen e ndërsjellët sepse pa këtë as procesi i dialogut nuk ka kuptim. Kjo është punë që nuk pret shumë, procesi i dialogut, dhe ne nuk guxojmë t’u krijojmë askujt përshtypje se kemi kohë të mjaftueshme. Kjo qeveri ka thënë që nuk e ka prioritet dhe në fakt po u bëhet prioritet, dhe kjo po del që nuk është përgatitur dhe është gabim i madh i kësaj qeverie”, deklaroi ai.

Një tjetër dështim të kësaj qeverie, po e cilëson edhe mos furnizimin e mjaftueshëm me vaksina kundër Covid-19, duke thënë se pushteti ekzekutiv nuk po punon sa duhet në këtë aspekt.

“Ju po shihni se qeveria u bë dy muaj e sa, kritikonte kur ishte në opozitë, VV-ja ndërsa nuk ka arritur të sigurojë asnjë vaksinë, këto vaksina që kemi, i kemi dhuratë prej organizatave dhe programeve ndërkombëtare. Ajo që është në dorë të qeverisë është se nuk do të bëjë gjë, nuk di të bëjë gjë dhe po bëhet vonë me këtë punë. Ne për fatin tonë të mirë kemi shënuar rënie të rasteve, por kjo për shkak të punës së mirë të qeverisë por ndoshta i imunitetit të njerëzve, sepse nëse presim vaksinat e qeverisë duket se nuk do t’i marrim”, deklaroi ai.

Hamiti thotë se LDK-ja është e gatshme ta ndihmojë Qeverinë për sigurimin e vaksinave, po ashtu edhe në procese tjera.

“T’i japim mësime nuk e kemi të vështirë sa i përket vaksinave, dhe po vazhdojmë t’i japim alternativa, ashtu edhe në politikën e Jashtme, siç ishte takimi i kryetarit të LDK-së dhe kryeministrit Kurti, andaj e përsëris nuk duhet dialogu të stagnojë për shkakun e Kosovës, jemi në dialog me Serbinë, dhe dialog ky që ka zgjatur shumë”, përfundoi ai për Ekonomia Online.

Continue Reading

Vendi

LVV bojkoton seancën për çmimin e naftës, opozita kritikon mungesën e pushtetit në Kuvend

Published

on

By

Derisa në Kuvend po vazhdon seanca e jashtëzakonshme për çmimin e naftës, as kryeministri, asnjë ministër e asnjë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje nuk është paraqitur në sallë.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, kritikoi ashpër këtë bojkot, duke thënë se për një çështje kaq të rëndësishme për qytetarët, pushteti ka zgjedhur të mos marrë pjesë. Ajo ironizoi me situatën duke u shprehur: “Mos kanë harru me zbrit prej xhipave të zi”.

Përmes një rezolute, LDK-ja po kërkon uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë deri në stabilizimin e çmimeve, uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 në 8 për qind, si dhe subvencionimin e naftës për sektorët më të ndjeshëm si bujqësia, transporti publik dhe prodhuesit vendorë.

Ermal Sadiku nga LDK-ja u shpreh i dëshpëruar me sallën e zbrazët, duke theksuar se deputetët e LVV-së dhe ata të Listës Serbe janë të vetmit që po mungojnë.

Ai sqaroi se kërkesa për uljen e TVSH-së është teknikisht e realizueshme dhe nuk e dëmton buxhetin, pasi rritja e çmimeve e ka rritur automatikisht edhe grumbullimin e taksave. Sadiku përfundoi duke ironizuar se, nëse pushteti zgjedh të flasë me popullin vetëm përmes Facebook-ut e televizionit, atëherë Parlamenti mund të mbyllet plotësisht.

Continue Reading

Kronikë e zezë

Arrestohet një 48-vjeçar në Gjakovë, Policia i sekuestron mbi 5 kilogramë marihuanë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për trafikim me narkotikë gjatë një aksioni të suksesshëm të realizuar këtë të premte në Gjakovë.

Operacioni është udhëhequr nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me njësitet kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, të cilët rreth orës 14:40 kanë ndaluar për kontroll një veturë me targa të huaja.

Sipas komunikatës zyrtare, automjeti drejtohej nga i dyshuari me inicialet A.B., i lindur në vitin 1978, tek i cili gjatë kontrollit në pjesën e ulëseve të pasme janë gjetur dhjetë paketime të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë.

Pesha e përgjithshme e drogës së sekuestruar është 5 kilogramë e 413 gramë, ndërsa në cilësinë e provave materiale Policia ka konfiskuar edhe veturën dhe dy telefonat mobil që i përkisnin të dyshuarit.

Pas arrestimit, personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në stacionin policor, ku me vendim të prokurorit të shtetit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Ky aksion vjen si pjesë e planeve taktike të Policisë së Kosovës për luftimin e trafikut të drogës dhe krimit të organizuar në vend, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë nga drejtoritë përkatëse.

 

Continue Reading

Vendi

Dënohet me 24 vjet burgim Valon Aliu për vrasjen e ish-bashkëshortes në QPS-në e Ferizajt

Published

on

By

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me 24 vjet burgim të akuzuarin Valon Aliu, duke e shpallur fajtor për vrasjen e rëndë të ish-bashkëjetueses së tij, E.C., ngjarje kjo që ndodhi në prill të vitit 2024 brenda Qendrës për Punë Sociale.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtarja Fitore Krivanjeva-Daci, Aliu u dënua për tri vepra penale: vrasje e rëndë, armëmbajtje pa leje dhe kanosje, ku në dënimin final do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 prilli 2024.

Ngjarja tragjike erdhi pas një fjalosjeje të shkurtër brenda zyrave të QPS-së, ku i akuzuari nxori armën dhe qëlloi viktimën fillimisht në kraharor, ndërsa plagosi në krah edhe vëllanë e saj.

Megjithëse viktima tentoi të largohej, Aliu e qëlloi përsëri në gjoks dhe në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes.

Pas vrasjes, ai kishte kanosur edhe një zyrtare të institucionit duke ia vendosur pistoletën në ballë me kërcënimin se do ta qëllonte edhe atë.

Palët e përfshira në proces kanë afat prej 30 ditësh për ankesë në Gjykatën e Apelit, ndërsa Aliu do të qëndrojë në paraburgim deri në plotfuqishmërinë e këtij vendimi.

Continue Reading

Lajmet

Përplasje në Kuvend për naftën: LDK kërkon uljen e akcizës, LVV e cilëson propozim populist

Published

on

By

Seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës këtë të premte është shoqëruar me një debate të ashpra mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me çmimin e naftës. Përmes një rezolute, opozita ka kërkuar ndërhyrje emergjente në politika fiskale për të lehtësuar barrën e qytetarëve, ndërsa pushteti e ka refuzuar këtë nismë.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka paralajmëruar se rritja e kostos së karburanteve po rrezikon të thellojë krizën sociale në vend. Ajo theksoi se nafta është çmim bazë që dikton zinxhirin e shtrenjtimeve në çdo sektor.

“Nafta është çmim bazë i ekonomisë dhe çdo rritje e saj përkthehet automatikisht në rritje të çmimeve të produkteve bazike, shërbimeve, transportit dhe ndërtimit. Qeveria nuk duhet të qëndrojë si spektatore në një kohë kur qytetarët përballen me rritje të kostos së jetesës,” deklaroi Lushaku-Sadriu.

Rezoluta e LDK-së propozon tri masa konkrete: Uljen e akcizës nga 36 në 20 centë për litër; Uljen e TVSH-së për karburante nga 18% në 8%; Subvencionimin e naftës për bujqit, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.

Në anën tjetër, deputetja e LVV-së, Rozeta Hajdari, e ka kundërshtuar ashpër këtë kërkesë, duke argumentuar se ulja e të hyrave publike do të dëmtonte buxhetin e shtetit dhe financimin e sektorëve kyç si arsimi dhe shëndetësia.

“Ne si Grup Parlamentar me qeverisjen tonë kemi ndërhyrë aty ku duhet, kemi formalizuar tregun e naftës, kemi evituar kostot e panevojshme dhe kemi rritur transparencën. Këto masa janë efekt real dhe afatgjatë,” tha Hajdari, duke e quajtur propozimin e opozitës si ekonomikisht të papërgjegjshëm.

Hajdari shtoi se rritja e çmimeve është pasojë e krizave gjeopolitike globale dhe se masat e propozuara nga LDK-ja nuk garantojnë një ulje reale të çmimit në pompë për konsumatorët fundorë. Debati po vazhdon me akuza të ndërsjella, ku opozita kërkon veprim të menjëhershëm, ndërsa pozita mbron stabilitetin buxhetor.

 

Continue Reading

Të kërkuara