Lajmet
Lamtumira e gjeneralit të fjalës: Institucionet dhe personalitetet kujtojnë Ismail Kadarenë
Published
2 years agoon
By
Betim GashiNë ndjekje të lajmit për ndarjen nga jeta të kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare, reagimet kanë qenë të shumta dhe të fuqishme nga institucionet dhe personalitetet e ndryshme. Akademia e Shkencave e Shqipërisë e cilësoi humbjen e Kadaresë si një goditje të rëndë për botën intelektuale dhe artistike të vendit, duke vlerësuar kontributin e tij monumental në letërsi. Përfaqësues të tjerë të institucioneve kulturore dhe publike, si dhe shkrimtarë dhe intelektualë, kanë shprehur ngushëllimet e tyre dhe kanë vlerësuar trashëgiminë e pasur që Kadare lë pas.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri: Zëri i tij i fuqishëm letrar, i përkthyer në 45 gjuhë
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, shprehu ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare. Përmes një postimi në rrjetet sociale, delegacioni i BE ngushëlloi të dashurit e tij dhe të gjithë ata që admiruan gjenialitetin e Kadaresë.
“Zëri i tij i fuqishëm letrar, i përkthyer në 45 gjuhë, bëri jehonë në të gjithë Evropën dhe më gjerë, duke shfaqur kulturën e pasur dhe të larmishme shqiptare në mbarë botën. Proza e tij e mprehtë, depërtuese dhe gjithsesi mirëdashëse pasqyronte kompleksitetin e historisë dhe folklorit të Shqipërisë”, shkruhet në mesazhin e BE, ku në fund theksohet se, trashëgimia e Kadaresë do të jetojë gjatë.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë:Vepra e tij ka krijuar ura midis Shqipërisë dhe botës
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë përmes një publikimi në rrjetet sociale u shpreh thellësisht e pikëlluar për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë, për të cilin ambasada shkruan se, letërsia e tij frymëzon lexues në mbarë botën.
Ambasada e SHBA kujtoi se në vitin 2020 nderoi Kadarenë me Çmimin Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë.
“Vepra e tij ka krijuar ura midis Shqipërisë dhe botës dhe trashëgimia e tij do të jetojë si një dëshmi e gjenisë të tij në letra. Mendimet tona janë me familjen e tij, me të dashurit e tij dhe me popullin shqiptar”, shkruhet në mesazhin e ngushëllimit të ambasadës së SHBA.
Çeku: Veprat e tij mbeten testament i gjallë i talentit dhe mendjes së tij të jashtëzakonshme
Hajrulla Çeku, ministër në MRKS shkruan se Kadare ishte autori që na mësoi të shohim botën me një këndvështrim unik dhe se kontributi i tij për artin dhe kulturën shqiptare ishte i pashoq.
“Kontributi i Kadaresë për artin dhe kulturën shqiptare është i pashoq. Veprat e tij mbeten testament i gjallë i talentit dhe mendjes së tij të jashtëzakonshme. Do ta kujtojmë gjithmonë për aftësinë e tij të rrallë për të kapur thelbin e njerëzimit në çdo faqe të shkruar. Padyshim pas vetes ka lënë trashëgimi të pashlyeshme në letrat shqipe dhe botërore. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Kadare dhe të gjithë qytetarëve.”
Gonxhja: Testament i pasionit dhe talentit të pashoq
Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, u shpreh sot se ndarja nga jeta e të madhit Ismail Kadare është një lajm i trishtë.
Në mesazhin e ngushëllimit, që Gonxhja ndau në rrjetet sociale, shkroi se, Ismail Kadare do të mbetet gjithmonë një testament i pasionit dhe talentit të pashoq, vlerë e trashëgimi e pasur kulturore që përmes rreshtave të tij do jetojë ndër breza.
Ministri i shprehu ngushëllime të sinqerta familjes së gjeniut të letrave, figurës madhore të letërsisë shqiptare që, siç shkroi ministri, bëri jehonë përtej kufijve e anembanë duke na përfaqësuar denjësisht.
TKOB: Kadare ishte mik i artit, i fjalës, i letrave, i operës
Teatri Kombëtar i Operas e Baletit, në mesazhin e tij ngushëllues, shkruan se Kadare ishte nga ata artistë që veçse vdekja nuk i shuan. TKOB kujton se Kadare shkroi edhe libretin për dy vepra të rëndësishme të repertorit shqiptar.
Baleti “Tokë e pamposhtur” në vitin 1977, i cili në vitin 2009 u rivendos me të njëjtin titull të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, dhe baleti i dytë “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë” në vitin 1986, e cila u rivendos sërish në skenën e TKOB-së në maj të vitit 2024. Këto dy vepra erdhën si bashkëpunim me kolosët e muzikës Nikolla Zoraqi dhe Feim Ibrahimi, nën koreografinë e mjeshtrit koreograf Agron Aliaj.
Akademia e Shkencave të Shqipërisë: Kadare, prijësi historik i letërsisë shqipe në 7 dekada
Ikja e tij është e pangushëllueshme për Akademinë e Shkencave, për letërsinë shqipe dhe ekuilibret e saj, për gjuhën shqipe dhe folësit e saj, për letërsinë europiane e botërore.
ASHSH shkruan se letërsisë shqipe do t’i mungojë kryemjeshtri, letërsisë europiane do t’i mungojë fizikisht zëdhënësi i një kombi e një rajoni; qytetërimit tonë do t’i mungojë shqiptuesi i kumteve të mëdha.
Akademia e Shkencave shkruan në nekrologjinë e Kadaresë se shkencës së albanologjisë tashmë i është shtuar një degë e re, ajo e kadareologëve, e studiuesve dhe përkthyesve të veprës së tij. Nën ndikimin e kësaj dege të re edhe vendi i gjuhës shqipe në universitete është rritur, me hapjen e katedrave dhe njësive të reja që nga Japonia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nga Franca në Rusi.
Veliaj: Ndër mendjet më të ndritura të letërsisë shqipe dhe botërore
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, e cilësoi shkrimtarin, si një prej mendjeve më të ndritura të letërsisë shqiptare dhe botërore. Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj nënvizon se Kadare la pas një trashëgimi të pashlyeshme të letrave, kulturës dhe historisë sonë, e do të vijojë të rrezatojë po aq fuqishëm në mendjen e lexuesve të letërsisë së tij brilante.
Kryetari i Bashkisë Tiranë, i shprehu ngushëllime të sinqerta Helenës dhe familjes për këtë humbje të madhe. Pesë vjet më parë, Bashkia e Tiranës ktheu në një shtëpi-muze, banesën ku jetoi dhe punoi Ismail Kadare, duke e transformuar në një destinacion turistik.
Sadushi: Veprat e Kadaresë, trashëgimi e pashlyeshme
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi përcolli mesazhin e tij ndaj humbjes së shkrimtarit Ismail Kadare.
“Keqardhje e thellë për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë, shkrimtarit të jashtëzakonshëm që lartësoi emrin e Shqipërisë, letërsisë dhe të gjuhës shqipe. Një humbje e madhe për kombin shqiptar”, shkroi Sadushi.
Sadushi shton në mesazhin e tij se, kontributi i Kadaresë do të mbetet gjithmonë i vlerësuar dhe se veprat e tij janë një trashëgimi e pashlyeshme për kulturën dhe letërsinë shqiptare, duke frymëzuar dhe influencuar gjenerata të tëra.
Hasani: Veprat e Kadaresë magjepsën miliona lexues
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme shprehu trishtim për humbjen e Ismail Kadaresë, një figurë monumentale në letërsinë shqiptare dhe evropiane.
“Shkëlqimi i tij letrar i kapërceu kufijtë, duke formësuar thellësisht kuptimin e historisë dhe trashëgimisë së Shqipërisë. Veprat e tij magjepsën miliona lexues në mbarë botën, duke e cilësuar padyshim si shkrimtarin më të madh dhe më me ndikim shqiptar të kohës sonë”, shkroi Hasani në rrjetet sociale.
Manastirliu: Pusho i qetë mjeshtër i fjalës!
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, falënderoi mjeshtrin e madh të fjalës, Ismail Kadarenë, për pasurinë e jashtëzakonshme që la pas.
“Përmes penës së tij dhe fuqisë së pakrahasueshme të fjalës, Ismail Kadare na dhuroi histori të pavdekshme. Kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten gjithmonë me ne, duke frymëzuar brezat”, shkroi ministrja Manastirliu.
Peleshi: Shqipëria pa Kadarenë nga sot është më e vogël
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të shkrimtarit, Ismail Kadare.
“Shqipëria mban sot zi për vdekjen e shkrimtarit të saj me famë botërore Ismail Kadare. Madhështia e veprës monumentale të Kadaresë, i bën befas të pamjaftueshme e të papërshtatshme të gjitha krahasimet për të përshkruar domethënien e trashëgimisë që ai i la Shqipërisë. Si shkrimtar i një epoke të vështirë, Kadare do të mbetet përfaqësuesi i një gjenerate krijuesish të talentuar, prodhimtarë e patriotë që i dhanë lëndë etjes sonë kombëtare për emancipim, qytetërim e modernizim. Kadareja i përket Shqipërisë dhe Shqipëria pa Kadarenë nga sot është më e vogël, më e varfër e më e zbrazët”, u shpreh Peleshi në mesazh.
Çuçi: Kadare, përjetësisht i përbotshëm
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi shprehu ngushëllime për ndarjen nga jeta të Kadaresë ndërsa vlerësoi se “kolosi ynë i mendimit, gjeniu i letrave e mbrojtësi i identitetit europian të shqiptarëve iku në përjetësi”.
“Evropa e bota mbarë humbën një ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne, të përkthyer në mbi 40 gjuhë të ndryshme e të nderuar me çmime prestigjoze. Zor të gjesh fjalë për njeriun e penës dhe mendimtarin që kaq shumë krenarë na bën ne shqiptarëve. Emri dhe vepra që ai ka lënë pas e bëjnë Ismail Kadarenë të pavdekshëm e përjetësisht të përbotshëm. Prehu në paqe shkrimtari ynë i madh”, u shpreh Çuçi.
Bejko: Në këtë shekull që kemi hyrë dhe në shekullin që shkoi, vdekja e Kadaresë është humbja më e madhe
Poeti dhe pedagogu i Letërsisë, Sadik Bejko, i është bashkuar reagimeve për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të njohur Ismail Kadare mëngjesin e sotëm në spitalin e QSUT-së në Tiranë.
Në një lidhje live për News24, miku i tij tregoi njohjen e çmuar me Kadarenë dhe ditët e fundit të jetës së shkrimtarit të madh. Ai u shpreh se në këtë shekull që jemi, vdekja e Kadaresë është humbja më e madhe.
“Ne shkrimtarët kemi humbur personalitetin e madh, personalisht kam humbur një mik të madh. Më ka lidhur me të një dashuri dhe miqësi gjysmë shekullore. Është një nga lajmet më pikëlluese për mua”, u shpreh Bejko. Më tej ai tregoi se Kadare shprehej përherë me dashuri dhe shqetësim për gjërat që ndodhnin.
“Në këtë shekull që kemi hyrë dhe në shekullin që shkoi, vdekja e Kadaresë është humbja më e madhe. Kemi humbur një shkrimtar të madh, një figurë botërore të letrave. Është quajtur një nga mendjet më të rëndësishme europiane. Kemi humbur njeriun tonë më të madh. Ne shkrimtarët kemi humbur personalitetin e madh, personalisht kam humbur një mik të madh. Më ka lidhur me të një dashur dhe miqësi gjysmë shekullore. Është një nga lajmet më pikëlluese për mua. Humbje të tilla të kthehen në mirësi, në mençuri, në mendime që mund t’i sjellim mbarësi këtij populli, që Kadare, nga të gjithë njerëzit, e bëri me lavdi.”
Ndërkohë, mediat ndërkombëtare gjithashtu kanë shkruar gjerësisht për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë, duke e cilësuar atë si një nga zërat më të fuqishëm të letërsisë bashkëkohore. Gazetat dhe portalet më prestigjioze kanë përshkruar kontributin e tij të pashoq në letërsinë botërore, duke vlerësuar veprat e tij që kanë sjellë në skenën globale realitetet dhe historitë e popullit shqiptar. Kjo është padyshim një humbje e madhe jo vetëm për shqiptarët, por për gjithë botën letrare dhe kulturore, duke lënë pas një boshllëk të ndjeshëm që do të ndihet për një kohë të gjatë./UBTNews/
Lajmet
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 11 qershor 1993-1998?
Published
2 hours agoon
June 11, 2026By
UBTNews
Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
Foto: Ibrahim Rugova – Toni Bler
11 qershor 1993
Klaus Kinkel: Parapengimi i luftës në Kosovë është detyrë urgjente e Perëndimit
Mjetet e informacionit në Gjermani i kushtuan vëmendje të veçantë mbledhjes së ministrave të Punëve të Jashtme të Bashkësisë Evropiane dhe të SHBA-ve në Luksemburg.
Të gjithë ministrat, të cilët u takuan në Luksemburg, e cilësuan “detyrë urgjente” nevojën e pengimit të zgjerimit të luftës në Kosovë dhe Maqedoni, theksoi Ministri i Jashtëm gjerman, Klaus Kinkel, njofton e përditshmja gjermane “Westfalen Blatt”.
Sipas Kinkelit, së shpejti në Kosovë do të dërgohen edhe më shumë vëzhgues, ndërsa në Bosnjë do të dërgohen mëse 20.000 ushtarë për t’i mbrojtur zonat, të cilat OKB-ja i ka shpallur si zona mbrojtëse.
Në mbledhjen e ministrave të BE-së dhe SHBA-ve, krahas apelit se lufta në Kosovë nuk guxon të përhapet, edhe një herë iu bë me dije Serbisë se heqja e sanksioneve as që është në rend dite, derisa Serbia vazhdon politikën e agresionit, thuhet në shtypin gjerman.
11 qershor 1994
Kosova: Apartheidi në Evropë
Gazeta e njohur e Francës “Le Figaro” e datës 9 qershor 1994, boton një artikull të autorit Emmanuel Naxara, rreth gjedjes në Kosovë me titull “Kosova: Apartheidi në Evropë”.
Më artikullin që po e botojmë në tërësi thuhet:
“Me të kthyer në klasë në shtator të vitit 1989 kuptova se çka do të bëjnë serbët në Kosovë”, tregon i indinjuar Zeqir Islami, drejtor i shkollës “Dardania” në Prishtinë. Drejtori shqiptar tregon me gisht muret që ndajnë në dysh shkollën nga kati në kat, ndërtesa më e madhe shkollore në Kosovë është ndarë metodikisht në dy pjesë të pabarabarta. Në një anë, një e treta e lokaleve që përfshijnë rreth 2.500 nxënës shqiptarë, kurse në anën tjetër, dy të tretat që përfshijnë 450 nxënës serbë.
“Drejtori i ri i pjesës serbe i ka marrë të gjitha: perdet, karrikat dhe dërrasat e zeza”, shpërthen i skandalizuar Zeqir Islami, duke bërë listën e orendive që serbët i kanë marrë nga shkolla. Kundruall zyrës së drejtorit është një korridor në të cilin rreth 50 të vegjël ndjekin me kujdes fjalët që i shkruan profesori i anglishtes mbi portën në mur.
Prej vitit 1989 një mur është ngritur ndërmjet dy komuniteteve. Në atë kohë Beogradi u ka marrë statusin e provincës autonome. Shqiptarët e Kosovës, 2 milionë banorë, rreth 90 për qind të popullsisë, kanë humbur të gjitha të drejtat, 80 për qind të punëtorëve shqiptarë janë përjashtuar nga puna, serbët i kanë mbyllur të gjitha gazetat në gjuhën shqipe.
Jeta e dy komuniteteve është ndarë. “Që nga materniteti deri në Universitet jetët tona organizohen në mënyrë paralele”, tregon një student kosovar, me emrin Nezir, “ne kemi krijuar shkollat tona, niversitetet dhe teatrot”.
Edhe vetë sëmurja i ndanë shqiptarët dhe serbët. Në Vranjevc, i riemëruar Kodra e Trimave, një nga kuartet më të varfëra të Prishtinës, njerëzit shtyhen përpara hyrjes së klinikës “Nëna Terezë”. Brenda saj janë dy pjesë të ndara. E para, një sallë e pritjes e mbushur me gra të cilat i mbajnë fëmijët e tyre në krahëror. Në të dytën, tri salla të vogla, të ndara vetëm me nga një perde të thjeshtë, në të cilat punojnë një pediatër, një gjinekolog dhe një kirurg. “Nuk kemi mundësi të operojmë, kurse njerëzit nuk duan të shkojnë në spitalet ku nuk ka mbetur asnjë mjek shqiptar”, shpjegon kirurgu.
Barërat dërgohen nga diaspora shqiptare. Ndihma financiare e cila hyn tinëz në Kosovë ndihmon për të paguar disi “rrogat” e profesorëve dhe të punëtorëve medicinalë, rreth 15 marka në muaj. Ka rreth 500 mijë refugjatë shqiptarë të Kosovës, që janë vendosur në bashkësinë evropiane dhe në Evropën qendrore. Të gjithë paguajnë nga një kontribut për mëmëdhenë.
Serbët mundohen në çdo mënyrë të ndalojnë këtë burim të solidaritetit. Prishtina është e rrethuar me njësi paramilitare serbe. Për tre vjet, 800 mijë kosovarë janë ndaluar nga policia, 580 mijë sipas autoriteteve serbe. Që nga viti 1989 ishte vendosur një orë policore për kosovarët, duke filluar nga ora 22. Kurse tensioni është rritur që kur federata e re jugosllave – Serbia e Mali i Zi – i ka përzënë në korrikun e fundit observatorët perëndimorë të Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian – KSBE.
11 qershor 1997
Disa serbë të armatosur sulmuan një qytetar shqiptar nga Vushtrria
Më 5 qershor rreth orës 21:00, në fshatin Dërvar të Vushtrrisë, pesë serbë të armatosur ndalën Enver Fekën nga Vushtrria, derisa ai po udhëtonte me kamionin e tij, njofton KI i Degës së LDK-së në Vushtrri.
Njoftohet se serbët e armatosur, Enver Fekën e nxorën nga kamioni dhe pas fyerjeve, ata edhe e sulmuan fizikisht.
Për t’i ikur më të keqes, Enver Feka la kamionin në rrugë dhe u largua nga vendi i ngjarjes.
11 qershor 1998
Vetëm gjatë muajit maj në Gllogoc janë vrarë 14 qytetarë shqiptarë
Vetëm gjatë muajit maj të këtij viti, në komunën e Gllogocit nga forcat serbe janë vrarë 14 qytetarë shqiptarë i tha QIK-ut Xhemë Binaku, kryetar i KI të Degës së LDK-së në Gllogoc.
Njoftohet se vetëm në fshatin Poklek, llogaritet të jenë vrarë 10 shqiptarë, janë djegur 29 shtëpi, ndërsa 10 të tjera janë demoluar. Z. Binaku njoftoi edhe për dukurinë e rrëmbimit dhe të zhdukjes së njerëzve pa gjurmë. Ai përkujtoi se dje u bënë dy muaj që kur u arrestua dr. Hafir Shala, ndërsa policia serbe ende nuk ka njoftuar asgjë për fatin e tij.
Në Lezhë arritën refugjatët e parë nga Kosova
Dje në qytetin e Lezhës u pritën familjet e para të refugjatëve nga Kosova, të cilët erdhën në Shqipëri për t’i shpëtuar dhunës dhe terrorit serb, njofton ATSH.
Sipas sekretarit të Bashkisë së Lezhës, z. Gjokë Cari numri të ardhurve përbëhet prej 29 vetash, të cilët janë strehuar në familjet lezhjane, ndërsa Bashkia ka ngritur një komision për t’i evidentuar të gjithë të ardhurit nga Kosova dhe së bashku me organet e tjera lokale i ka ndërmarrë masat për sistemimin e tyre. Njoftohet se përmes TV lokal u është bërë thirrje banorëve të rrethit të Lezhës për të kontribuar me ndihma për vëllezërit kosovarë.
11 qershor 1998
Gjakovë: Granatime të fshatrave gjatë natës, mbi qytet fluturojnë helikopterë
Mbrëmë rreth orës 20, forcat serbe të vendosura në Kodrën e Çabratit kanë granatuar me artileri dhe me raketa ndriçuese fsahtrat e Rekës së Keqe. Detonimet ishin të fuqishme dhe shkaktuan frikë e panikë në mesin e popullsisë. Një pjesë e familjarëve, fëmijë dhe gra u zhvendosën nga shtëpitë bri Kodrës së Çabratit dhe u strehuan në lagjet tjera të qytetit.
Granatimet vazhduan deri në ora 22,30, ndërsa rifilluan sot në orët e hershme të mëngjesit.
Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gjakovë ende nuk ka njoftime të sakta se cilat fshatra janë ganatuar. Në qytet ka vlerësime se granatimet e mbrëmshme kishin për qëllim të shkaktonin panik në Gjakovë e rrethinë.
Rreth orës 9, në oborrin e shtëpinë e Hamëz Avdylit në fshatin Duzhnje të Rekës së Keqe në brezin kufitar Kosovë – Shqipëri është vendosur një forcë ushtarake serbe me armatim të rëndë. Aty është vendosur një tanks, ndërsa në anën tjetër të shtëpisë janë hudhur disa bomba maskuese tymi. Njoftohet se 300 metra larg shtëpie forcat serbe kanë shtënë me artileri të rëndë në drejtim të panjohur. Këto inskenime po përcillen nga mediumet serbe. Dëshmitarët dyshojnë se në këtë mënyrë forcat serbe po inskenojnë një sulm të shqiptarëve për të arsyetuar granatimet e mëdha që kanë bërë mbrëmë e sot herët në mëngjes mbi gati të gjitha fshatrat e Rekës së Keqe.
Sot gjatë ditës kanë fluturuar mbi Gjakovë e fshatrat e brezit kufitar disa aeroplanë të ushtrisë serbe, njofton KI i Degës së LDK-së në Gjakovë.
U granatua Gryka e Llapushnikut
Shtëpitë e shqiptarëve në fshatin Komoran të komunës së Gllogovcit, ku është vendosur një postbllok i forcave të mëdha të policisë serbe, përveç që po plaçkiten nga policët serbë po u shërbejnë atyre edhe për vendosjen e snajperistëve.
Nga një autoblindë ushtarake, e cila është vendosur te ura për në fshatin Kishnarekë, dje është shtënë në dy vetura që supozohet të jenë të shqiptarëve, njofton KI i Degës së LDK-së në Gllogovc.
Po ky burim njofton se sot, rreth orës 9,30, nga Komorani në Gllogovc kanë ardhur tri automjete, ndërsa më vonë lëvizja e automjeteve policore në këtë relacion është shtuar.
Në orën 11,30, nga postblloku i policisë në Komoran, ka filluar granatimi i vendbanimeve në Grykën e Llapushnikut. Shkrehje armësh ka pasur edhe nga kompleksi i “Feronikelit” në Gllogovc, ku janë stacionuar forcat serbe.
Kryetari Rugova bisedoi me kryeministrin britanik Toni Bler
Kryetari i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova bisedoi sot në Londër me kryeministrin e Britanisë së Madhe, Toni Bler.
Në takimin e përzemërt, kryetari Rugova dhe kryeministri britanik Bler biseduan për gjendjen më të re në Kosovë dhe për mundësitë e veprimit politik me qëllim të evitimit të shkallëzimit të mëtejshëm të dhunës në Kosovë.
Kryetari Rugova e cilësoi gjendjen aktuale në Kosovë tepër të rëndë për shkak të ndërhyrjeve të vazhdueshme të ushtrisë e të policisë serbe. Ai theksoi se situata vazhdon të jetë dramatike në komunën e Deçanit, Pejës e Gjakovës, si dhe në fshatrat përgjatë brezit kufitar mes Kosovës e Shqipërisë, për shkak të aksioneve të egra të forcave ushtarake e policore serbe.
Kryetari Rugova theksoi se ushtria dhe policia serbe, gjatë këtyre aksioneve, vranë e plagosën shumë qytetarë të pambrojtur dhe rrënuan e dogjën vendbanime të tëra në këto komuna, përfshirë edhe vetë qytetin e Deçanit. Si pasojë e këtyre sulemeve, një pjesë e madhe e popullsisë së këtyre zonave u detyrua të shpërngulet edhe jashtë kufijve të Kosovës, tha kryetari Rugova. Ai kërkoi që Britania e Madhe dhe aleatët e saj evroamerikanë të ndërmarrin masa urgjente efikase për parandalimin e ‘spastrimit etnik’ në Kosovë si dhe një trysni të fuqishme mbi regjimin e Beogradit për zgjidhjen politike të çështjes së Kosovës.
Duke folur rreth zgjidhjes së çështjes së Kosovës, kryetari Rugova përkujtoi se Kosova ishte njëra ndër tetë njësitë e barabarta të ish-federatës jugosllave. Në fazën e rrënimit të saj, edhe populli i Kosovës shfrytëzoi të drejtën e deklarimit të vullnetit politik dhe me referendum u përcaktua për Kosovën e pavarur dhe neutrale. Kryetari Rugova tha se kjo është zgjidhja më e mirë që do ta qetësonte gjithë rajonin.
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Toni Bler tha se gjendja në Kosovë është e papranueshme. Ai premtoi se Britania dhe aleatët e saj do të ndërmarrin masa urgjente kundër Beogradit, me qëllim të parandalimit të shkallëzimit të mëtejshëm të dhunës dhe krijimit të kushteve për zgjidhje me mjete politike e me negociata të çështjes së Kosovës.
Gjatë qëndrimit në Londër, kryetari Rugova do të takohet sonte me Ministrin e jashtëm të Britanisë së Madhe, Robin Kuk. Ministri britanik shtroi darkë për nder të kryetarit të Republikës së Kosovës.
Lajmet
KQZ: Aprovohen mbi 22 mijë pako me fletëvotime nga jashtë Kosovës, 755 refuzohen
Published
2 hours agoon
June 11, 2026By
UBTNews
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri më 10 qershor, në procesin e vlerësimit janë përfshirë më shumë se 23 mijë e 300 pako me fletëvotime nga jashtë Kosovës, prej të cilave janë aprovuar 22,601, ndërkaq janë refuzuar 755. Sipas KQZ-së, ky proces ka filluar më 9 qershor, në orën 16:00, dhe ka për qëllim të vërtetojë nëse këto pako janë dërguar nga votuesit e regjistruar suksesshëm.
Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 699 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ-ja. Në fund të këtij procesi të vlerësimit, KQZ-ja do të publikojë të dhënat e plota për numrin e pakove me fletëvotime të supozuara, të cilat pastaj do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Gjatë ditës së hënë, më 8 qershor, është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës. Tërheqja e pakove është bërë nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme, si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë. Nga gjithsej 23 kuti postare, janë tërhequr më shumë se 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, një pjesë e konsiderueshme e të cilave tashmë janë sjellë në Kosovë. Kujtojmë se gjatë periudhës së regjistrimit, e cila u zhvillua nga 6 maji deri më 17 maj, numri i shtetasve të regjistruar me sukses për të votuar përmes postës në këto zgjedhje të parakohshme për Kuvendin e Kosovës ka arritur në 104,480 votues. /E.A/
Lajmet
Dua Lipa dhe Callum Turner në muaj mjalti në Itali pas dasmës madhështore
Published
3 hours agoon
June 11, 2026By
UBT News
Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa dhe aktori Callum Turner po kalojnë muajin e mjaltit në Itali, pas një dasme luksoze që raportohet se ka kushtuar rreth 1.5 milionë paund.
Çifti është parë në hotelin e njohur “San Domenico Palace” në Taormina, pranë Catanias, si dhe duke shëtitur në qytetin piktoresk dorë për dore.
Sipas raportimeve, dasma është zhvilluar në Palermo dhe në Villa Valguarnera, me rreth 200 të ftuar, ku kanë marrë pjesë edhe emra të njohur të muzikës si Elton John, Charli XCX dhe Mark Ronson. Në ceremoni, Elton John ka interpretuar këngën “Your Song”.
Pas dasmës, çifti ka vijuar festimet dhe udhëtimet në jug të Italisë, duke shijuar ushqimin dhe kulturën lokale në disa qytete të Sicilisë./A.K/
Lajmet
Rreth 23 mijë semimaturantë i nënshtrohen Testit të Arritshmërisë më 26 qershor
Published
3 hours agoon
June 11, 2026By
UBT News
Rreth 23 mijë nxënës të klasave të nënta do t’i nënshtrohen Testit të Arritshmërisë më 26 qershor, i cili edhe këtë vit do të organizohet në një ditë të vetme.
Nga Ministria e Arsimit është bërë e ditur se testi do të përfshijë katër grupe lëndësh, duke përfshirë gjuhën shqipe, gjuhën angleze, matematikën, informatikën, si dhe shkencat shoqërore e natyrore.
Qëllimi i testit është vlerësimi i njohurive dhe shkathtësive të nxënësve, ndërsa rezultatet do të shërbejnë për orientimin dhe regjistrimin e tyre në shkollat e mesme të larta.
Njohës të arsimit vlerësojnë se testi ka rol të rëndësishëm në orientimin e nxënësve, por theksojnë se duhet të përmirësohet mënyra e administrimit dhe analizës së rezultateve për të rritur efikasitetin e tij./A.K/
Kosova tërhiqet nga Kampionati Evropian Senior i Golfit në Qipro
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 11 qershor 1993-1998?
Franca ofron mbështetje për Kosovën në organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030
KQZ: Aprovohen mbi 22 mijë pako me fletëvotime nga jashtë Kosovës, 755 refuzohen
Dua Lipa dhe Callum Turner në muaj mjalti në Itali pas dasmës madhështore
Rreth 23 mijë semimaturantë i nënshtrohen Testit të Arritshmërisë më 26 qershor
Tri raste të dhunës në familje në Malishevë, Gjakovë dhe Graçanicë
Aksident trafiku me fatalitet në Prizren, humb jetën biçiklisti
Tentim vrasje ndaj një gruaje, arrestohet i dyshuari
Të kërkuara
-
Lajmet nga UBT1 week agoStudentët e vitit të tretë në UBT prezantojnë ekspozitën përfundimtare “The Graduets”
-
Lajmet3 months agoProf. Dr. Marigona Bekteshi Ferati, recensuese e 20 punimeve shkencore në revista ndërkombëtare të indeksuara në Web of Science dhe Scopus (Q1)
-
Opinione3 months agoUji dhe Gjinia” – Shtytës i Zhvillimit të Qëndrueshëm
-
Lajmet3 days agoMira Murati rikthehet në publik pas 18 muajsh dhe paralajmëron mungesë kontrolli në AI
