Lajmet

Lamtumira e gjeneralit të fjalës: Institucionet dhe personalitetet kujtojnë Ismail Kadarenë

Published

on

Në ndjekje të lajmit për ndarjen nga jeta të kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare, reagimet kanë qenë të shumta dhe të fuqishme nga institucionet dhe personalitetet e ndryshme. Akademia e Shkencave e Shqipërisë e cilësoi humbjen e Kadaresë si një goditje të rëndë për botën intelektuale dhe artistike të vendit, duke vlerësuar kontributin e tij monumental në letërsi. Përfaqësues të tjerë të institucioneve kulturore dhe publike, si dhe shkrimtarë dhe intelektualë, kanë shprehur ngushëllimet e tyre dhe kanë vlerësuar trashëgiminë e pasur që Kadare lë pas.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri: Zëri i tij i fuqishëm letrar, i përkthyer në 45 gjuhë

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, shprehu ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare. Përmes një postimi në rrjetet sociale, delegacioni i BE ngushëlloi të dashurit e tij dhe të gjithë ata që admiruan gjenialitetin e Kadaresë.

“Zëri i tij i fuqishëm letrar, i përkthyer në 45 gjuhë, bëri jehonë në të gjithë Evropën dhe më gjerë, duke shfaqur kulturën e pasur dhe të larmishme shqiptare në mbarë botën. Proza e tij e mprehtë, depërtuese dhe gjithsesi mirëdashëse pasqyronte kompleksitetin e historisë dhe folklorit të Shqipërisë”, shkruhet në mesazhin e BE, ku në fund theksohet se, trashëgimia e Kadaresë do të jetojë gjatë.

 

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë:Vepra e tij ka krijuar ura midis Shqipërisë dhe botës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë përmes një publikimi në rrjetet sociale u shpreh thellësisht e pikëlluar për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë, për të cilin ambasada shkruan se, letërsia e tij frymëzon lexues në mbarë botën.

Ambasada e SHBA kujtoi se në vitin 2020 nderoi Kadarenë me Çmimin Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë.

“Vepra e tij ka krijuar ura midis Shqipërisë dhe botës dhe trashëgimia e tij do të jetojë si një dëshmi e gjenisë të tij në letra. Mendimet tona janë me familjen e tij, me të dashurit e tij dhe me popullin shqiptar”, shkruhet në mesazhin e ngushëllimit të ambasadës së SHBA.

 

Çeku: Veprat e tij mbeten testament i gjallë i talentit dhe mendjes së tij të jashtëzakonshme

Hajrulla Çeku, ministër në MRKS shkruan se Kadare ishte autori që na mësoi të shohim botën me një këndvështrim unik dhe se kontributi i tij për artin dhe kulturën shqiptare ishte i pashoq.

“Kontributi i Kadaresë për artin dhe kulturën shqiptare është i pashoq. Veprat e tij mbeten testament i gjallë i talentit dhe mendjes së tij të jashtëzakonshme. Do ta kujtojmë gjithmonë për aftësinë e tij të rrallë për të kapur thelbin e njerëzimit në çdo faqe të shkruar. Padyshim pas vetes ka lënë trashëgimi të pashlyeshme në letrat shqipe dhe botërore. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Kadare dhe të gjithë qytetarëve.”

 

Gonxhja: Testament i pasionit dhe talentit të pashoq

Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, u shpreh sot se ndarja nga jeta e të madhit Ismail Kadare është një lajm i trishtë.

Në mesazhin e ngushëllimit, që Gonxhja ndau në rrjetet sociale, shkroi se, Ismail Kadare do të mbetet gjithmonë një testament i pasionit dhe talentit të pashoq, vlerë e trashëgimi e pasur kulturore që përmes rreshtave të tij do jetojë ndër breza.

Ministri i shprehu ngushëllime të sinqerta familjes së gjeniut të letrave, figurës madhore të letërsisë shqiptare që, siç shkroi ministri, bëri jehonë përtej kufijve e anembanë duke na përfaqësuar denjësisht.

 

TKOB: Kadare ishte mik i artit, i fjalës, i letrave, i operës

Teatri Kombëtar i Operas e Baletit, në mesazhin e tij ngushëllues, shkruan se Kadare ishte nga ata artistë që veçse vdekja nuk i shuan. TKOB kujton se Kadare shkroi edhe libretin për dy vepra të rëndësishme të repertorit shqiptar.

Baleti “Tokë e pamposhtur” në vitin 1977, i cili në vitin 2009 u rivendos me të njëjtin titull të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, dhe baleti i dytë “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë” në vitin 1986, e cila u rivendos sërish në skenën e TKOB-së në maj të vitit 2024. Këto dy vepra erdhën si bashkëpunim me kolosët e muzikës Nikolla Zoraqi dhe Feim Ibrahimi, nën koreografinë e mjeshtrit koreograf Agron Aliaj.

 

Akademia e Shkencave të Shqipërisë: Kadare, prijësi historik i letërsisë shqipe në 7 dekada

Ikja e tij është e pangushëllueshme për Akademinë e Shkencave, për letërsinë shqipe dhe ekuilibret e saj, për gjuhën shqipe dhe folësit e saj, për letërsinë europiane e botërore.

ASHSH shkruan se letërsisë shqipe do t’i mungojë kryemjeshtri, letërsisë europiane do t’i mungojë fizikisht zëdhënësi i një kombi e një rajoni; qytetërimit tonë do t’i mungojë shqiptuesi i kumteve të mëdha.

Akademia e Shkencave shkruan në nekrologjinë e Kadaresë se shkencës së albanologjisë tashmë i është shtuar një degë e re, ajo e kadareologëve, e studiuesve dhe përkthyesve të veprës së tij. Nën ndikimin e kësaj dege të re edhe vendi i gjuhës shqipe në universitete është rritur, me hapjen e katedrave dhe njësive të reja që nga Japonia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nga Franca në Rusi.

Veliaj: Ndër mendjet më të ndritura të letërsisë shqipe dhe botërore

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, e cilësoi shkrimtarin, si një prej mendjeve më të ndritura të letërsisë shqiptare dhe botërore. Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj nënvizon se Kadare la pas një trashëgimi të pashlyeshme të letrave, kulturës dhe historisë sonë, e do të vijojë të rrezatojë po aq fuqishëm në mendjen e lexuesve të letërsisë së tij brilante.

Kryetari i Bashkisë Tiranë, i shprehu ngushëllime të sinqerta Helenës dhe familjes për këtë humbje të madhe.  Pesë vjet më parë, Bashkia e Tiranës ktheu në një shtëpi-muze, banesën ku jetoi dhe punoi Ismail Kadare, duke e transformuar në një destinacion turistik.

Sadushi: Veprat e Kadaresë, trashëgimi e pashlyeshme

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi përcolli mesazhin e tij ndaj humbjes së shkrimtarit Ismail Kadare.

“Keqardhje e thellë për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë, shkrimtarit të jashtëzakonshëm që lartësoi emrin e Shqipërisë, letërsisë dhe të gjuhës shqipe. Një humbje e madhe për kombin shqiptar”, shkroi Sadushi.

Sadushi shton në mesazhin e tij se, kontributi i Kadaresë do të mbetet gjithmonë i vlerësuar dhe se veprat e tij janë një trashëgimi e pashlyeshme për kulturën dhe letërsinë shqiptare, duke frymëzuar dhe influencuar gjenerata të tëra.

Hasani: Veprat e Kadaresë magjepsën miliona lexues

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme shprehu trishtim për humbjen e Ismail Kadaresë, një figurë monumentale në letërsinë shqiptare dhe evropiane.

“Shkëlqimi i tij letrar i kapërceu kufijtë, duke formësuar thellësisht kuptimin e historisë dhe trashëgimisë së Shqipërisë. Veprat e tij magjepsën miliona lexues në mbarë botën, duke e cilësuar padyshim si shkrimtarin më të madh dhe më me ndikim shqiptar të kohës sonë”, shkroi Hasani në rrjetet sociale.

Manastirliu: Pusho i qetë mjeshtër i fjalës!

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, falënderoi mjeshtrin e madh të fjalës, Ismail Kadarenë, për pasurinë e jashtëzakonshme që la pas.

“Përmes penës së tij dhe fuqisë së pakrahasueshme të fjalës, Ismail Kadare na dhuroi histori të pavdekshme. Kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten gjithmonë me ne, duke frymëzuar brezat”, shkroi ministrja Manastirliu.

 

Peleshi: Shqipëria pa Kadarenë nga sot është më e vogël

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të shkrimtarit, Ismail Kadare.

“Shqipëria mban sot zi për vdekjen e shkrimtarit të saj me famë botërore Ismail Kadare. Madhështia e veprës monumentale të Kadaresë, i bën befas të pamjaftueshme e të papërshtatshme të gjitha krahasimet për të përshkruar domethënien e trashëgimisë që ai i la Shqipërisë. Si shkrimtar i një epoke të vështirë, Kadare do të mbetet përfaqësuesi i një gjenerate krijuesish të talentuar, prodhimtarë e patriotë që i dhanë lëndë etjes sonë kombëtare për emancipim, qytetërim e modernizim. Kadareja i përket Shqipërisë dhe Shqipëria pa Kadarenë nga sot është më e vogël, më e varfër e më e zbrazët”, u shpreh Peleshi në mesazh.

 

Çuçi: Kadare, përjetësisht i përbotshëm

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi shprehu ngushëllime për ndarjen nga jeta të Kadaresë ndërsa vlerësoi se “kolosi ynë i mendimit, gjeniu i letrave e mbrojtësi i identitetit europian të shqiptarëve iku në përjetësi”.

“Evropa e bota mbarë humbën një ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne, të përkthyer në mbi 40 gjuhë të ndryshme e të nderuar me çmime prestigjoze. Zor të gjesh fjalë për njeriun e penës dhe mendimtarin që kaq shumë krenarë na bën ne shqiptarëve. Emri dhe vepra që ai ka lënë pas e bëjnë Ismail Kadarenë të pavdekshëm e përjetësisht të përbotshëm. Prehu në paqe shkrimtari ynë i madh”, u shpreh Çuçi.

 

Bejko: Në këtë shekull që kemi hyrë dhe në shekullin që shkoi, vdekja e Kadaresë është humbja më e madhe

Poeti dhe pedagogu i Letërsisë, Sadik Bejko, i është bashkuar reagimeve për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të njohur Ismail Kadare mëngjesin e sotëm në spitalin e QSUT-së në Tiranë.

Në një lidhje live për News24, miku i tij tregoi njohjen e çmuar me Kadarenë dhe ditët e fundit të jetës së shkrimtarit të madh. Ai u shpreh se në këtë shekull që jemi, vdekja e Kadaresë është humbja më e madhe.

“Ne shkrimtarët kemi humbur personalitetin e madh, personalisht kam humbur një mik të madh. Më ka lidhur me të një dashuri dhe miqësi gjysmë shekullore. Është një nga lajmet më pikëlluese për mua”, u shpreh Bejko. Më tej ai tregoi se Kadare shprehej përherë me dashuri dhe shqetësim për gjërat që ndodhnin.

“Në këtë shekull që kemi hyrë dhe në shekullin që shkoi, vdekja e Kadaresë është humbja më e madhe. Kemi humbur një shkrimtar të madh, një figurë botërore të letrave. Është quajtur një nga mendjet më të rëndësishme europiane. Kemi humbur njeriun tonë më të madh. Ne shkrimtarët kemi humbur personalitetin e madh, personalisht kam humbur një mik të madh. Më ka lidhur me të një dashur dhe miqësi gjysmë shekullore. Është një nga lajmet më pikëlluese për mua. Humbje të tilla të kthehen në mirësi, në mençuri, në mendime që mund t’i sjellim mbarësi këtij populli, që Kadare, nga të gjithë njerëzit, e bëri me lavdi.”

 

Ndërkohë, mediat ndërkombëtare gjithashtu kanë shkruar gjerësisht për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë, duke e cilësuar atë si një nga zërat më të fuqishëm të letërsisë bashkëkohore. Gazetat dhe portalet më prestigjioze kanë përshkruar kontributin e tij të pashoq në letërsinë botërore, duke vlerësuar veprat e tij që kanë sjellë në skenën globale realitetet dhe historitë e popullit shqiptar. Kjo është padyshim një humbje e madhe jo vetëm për shqiptarët, por për gjithë botën letrare dhe kulturore, duke lënë pas një boshllëk të ndjeshëm që do të ndihet për një kohë të gjatë./UBTNews/

 

lajme

Protestat vazhdojnë në Prishtinë: Kërkohet që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare

Published

on

By

Protesta kundër vrasjes së Arlinda Zekajt ka vazhduar edhe sot në Prishtinë, ku qytetarët janë mbledhur për të tretën ditë radhazi në sheshin e kryeqytetit për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Gjatë ditës së sotme, protestuesit janë ndalur edhe para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke shprehur pakënaqësi të thellë ndaj mënyrës se si po menaxhohen e trajtohen rastet e dhunës ndaj grave nga organet kompetente.

Këto aksione po organizohen nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, nën moton kryesore “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.

Continue Reading

Lajmet

Akil Gjakova mbyll garën pa medalje në Abu Dhabi

Published

on

By

Xhudisti kosovar Akil Gjakova e ka mbyllur pa medalje paraqitjen e tij në Grand Slam-in e Abu Dhabit, pasi u mposht në përballjen e drejtpërdrejtë për vendin e tretë.

Në kategorinë deri në 73 kilogramë, Gjakova u ndal në luftën për medaljen e bronztë nga xhudisti rus Karen Galstian. Pejani e nisi garën i lirë në xhiron e parë, ndërsa në të dytën mposhti me Ippon izraelitin Ohad Moritz. Suksesin më të madh e shënoi në raundin e tretë ku eliminoi nënkampionin e botës, Makhmadbek Makhmadbekov, po ashtu me Ippon në kohën shtesë.

Pasi u mposht në çerekfinale nga azerbajxhanasi Hidayat Heydarov, Gjakova kërkoi suksesin përmes repesazhit, por nuk arriti të ngjitej në podiumin e fituesve. /E.A/

Continue Reading

lajme

Nën hetim për projektin e kryeqytetit: Përparim Rama paraqitet në Prokurorinë Speciale

Published

on

By

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale ku po intervistohet në cilësinë e të dyshuarit lidhur me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.

Rama arriti në prokurori i shoqëruar nga avokati Artan Çerkini, teksa para hyrjes deklaroi shkurtimisht se detyra e tij është ndërtimi i kryeqytetit, ndërsa e organit të ndjekjes është të sigurohet që gjithçka bëhet në përputhje me ligjin. Hetimet për këtë projekt ndërlidhen me procedurat e prokurimit publik, vlerën prej 12 milionë eurosh, si dhe me dyshimet për manipulim të stafit e konflikt interesi.

Intervistimi i kryetarit të Prishtinës vjen pas tensioneve publike dhe paralajmërimeve nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje për arrestimin e tij të mundshëm, reagime këto që pasuan ndryshimet e fundit në udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, ku pas shkarkimit të Blerim Isufajt, detyra i është besuar prokurorit Dren Paca.

Ndaj deklaratave të përfaqësuesve të pushtetit, Rama u ka bërë thirrje publike organeve të drejtësisë që të merren me ato që i ka cilësuar si kërcënime direkte ndaj tij. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Laura Fazliu fiton të bronztën në Grand Slam

Published

on

By

Laura Fazliu ka fituar medalje të bronztë në Grand Slamin e xhudos në Abu Dabi.

Në luftë për medalje të bronztë, Laura e mposhti bartësen e parë, kroaten Iva Oberan.

Lufta ishte e barabartë, ndërsa në kohën shtesë Laura realizoi hedhje të bukur për fitore me “Ippon”.

Laura fitoi 500 pikë në renditjen botërore. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara