Lajmet

Lajçak takon ministrin e jashtëm të Serbisë, diskutojnë për dialogun

Publikuar

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak gjatë vizitës së tij në Beograd është takuar me ministrin e sapoemëruar të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq me të cilin kanë diskutuar për procesin e dialogut. Kështu ka shkruar Lajçak në një postim në “X”.

Ai ka thënë se kanë diskutuar edhe për procesin e integrimit të Serbisë në BE.

“Në Beograd pata rastin të takohem edhe me ministrin e jashtëm të sapoemëruar Marko Gjuriq. Ne diskutuam për dialogun dhe procesin e integrimit të Serbisë në BE. I urova suksese në detyrën e re”, ka shkruar Lajçak.

Bota

Më shumë se 45 mijë specie në rrezik zhdukjeje

Publikuar

nga

Më shumë se 45 mijë specie janë aktualisht në rrezik zhdukjeje, 1 mijë më shumë se vitin e kaluar, sipas një organizate ndërkombëtare të ruajtjes (IUCN) e cila fajëson presionet nga ndryshimet klimatike, speciet “pushtuese” dhe aktivitetet njerëzore si tregtia e paligjshme, shkruan AP.

Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) publikoi listën e specieve të kërcënuara. Tani në edicionin e saj të 60-të, lista ngre alarmin për kafshët dhe bimët në rrezik zhdukjeje, por gjithashtu thekson historitë e suksesit të ruajtjes si ajo e rrëqebullit iberik.

Lista tani përfshin 163 mijë e 40 lloje, një rritje prej rreth 6 mijë krahasuar me vitin e kaluar.

Kaktusët Copiapoa në shkretëtirën bregdetare të Kilit, Atacama, elefanti i Borneos dhe hardhuca gjigante Gran Canaria janë ndër speciet e kërcënuara. Kaktusët Copiapoa janë lakmuar prej kohësh si bimë dekorative, duke nxitur një tregti të paligjshme që është përforcuar nga mediat sociale ku entuziastët dhe tregtarët shfaqin dhe shesin kaktusët.

”82% e specieve tani janë në rrezik të zhdukjes, një rritje e konsiderueshme nga 55% në vitin 2013”, thotë raporti.

IUCN tha se rënia ishte për shkak të rritjes së kërkesës për kaktusët kilianë në Evropë dhe Azi si specie zbukuruese. Kontrabandistët dhe gjuetarët që lehtësojnë tregtinë kanë fituar akses më të madh në habitatin e bimëve falë rrugëve dhe zgjerimit të banesave në zonën e Atacama.

“Është e lehtë të dallosh nëse kaktusët Copiapoa janë marrë pa leje apo janë rritur në një serë”, tha Pablo Guerrero, një anëtar i Panelit të Bimëve të IUCN.

Përditësimi i vitit 2024 gjithashtu thekson elefantin aziatik i Borneos si një specie të rrezikuar. Sipas analizës së IUCN, vetëm rreth 1 mijë elefantë të Borneos vlerësohet të mbeten në natyrë./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Miratohet kërkesa e mbrojtjes së Rexhep Selimit për t’i përjashtuar disa prova në lidhje me një dëshmitar

Publikuar

nga

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është miratuar kërkesa e mbrojtjes së Rexhep Selimit që disa prova në lidhje me një dëshmitar të përjashtohen nga procesi gjyqësor pasi trupi gjykues kishte konstatuar se kishin efekt dëmtues të konsiderueshëm për të akuzuarin.

Kjo është bërë e ditur përmes konferencës javore të DhSK-së, nga zëdhënësi i saj, Michael Doyle.

“Në çështjen Hashim Thaçi dhe të bashkakuzuarit, më 19 qershor, Trupi Gjykues miratoi një kërkesë të Mbrojtjes së Selimit për t’i përjashtuar nga procesi disa prova në lidhje me një dëshmitar. Trupi Gjykues konstatoi se provat përkatëse kishin vlerë provuese të kufizuar dhe kanë efekt dëmtues të konsiderueshëm për të akuzuarin”, tha Doyle.

Ai tha se trupi gjykues kishte udhëzuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) që të mos bënte pyetje në lidhje me këtë provë si dhe e paralajmëroi dëshmitarin që të mos flas për të gjatë dhënies së dëshmisë.

“Gjithashtu, Trupi Gjykues udhëzoi Prokurorinë të mos bënte pyetje në lidhje me këtë provë gjatë dhënies së dëshmisë prej dëshmitarit dhe të paralajmëronte dëshmitarin të mos fliste për të gjatë dhënies së dëshmisë”, tha Doyle.

Zëdhënësi i DhSK-së njoftoi se në të njëjtën çështje gjyqësore është miratuar kërkesa e ZPS-së që dy dëshmitar të dëshmojnë përmes video-lidhjes e që njëri ishte për shkaqe shëndetësore dhe tjetri për arsye sigurie.

“Më 20 qershor, Trupi Gjykues miratoi një kërkesë të Prokurorisë për të lejuar dy dëshmitarë të japin dëshmi nëpërmjet video-lidhjes. Njëri prej dëshmitarëve nuk mund të udhëtojë për shkaqe shëndetësore, ndërsa për dëshmitarin tjetër Prokuroria ngriti shqetësime për shkaqe sigurie. Trupi Gjykues theksoi se palët mund t’u bëjnë pyetje dëshmitarëve njësoj sikur të ishin në sallë të gjyqit dhe ekipet e Mbrojtjes nuk paraqitën kundërshtime ndaj kërkesës.  Trupi Gjykues theksoi gjithashtu se dëshmia nëpërmjet video-lidhjes mund të çojë në proces gjyqësor më të shpejtë”, tha ai.

Michael Doyle tregoi edhe për mbarëvajtjen e seancave gjatë kësaj jave në këtë çështje gjyqësore si dhe për kërkesën e dëshmitarit Fondaj për përfaqësim ligjor.

“Seancat në këtë çështje gjyqësore rifilluan këtë javë me dëshminë e dëshmitarit të 73-të të Prokurorisë. Sipas përmbledhjes së Prokurorisë, dëshmitari, Kurtesh Fondaj, është ish-ushtarak i UÇK-së i Zonës Operative të Pashtrikut. Z. Fondaj dha dëshmi kryesisht në seancë publike dhe pa masa mbrojtëse. Të mërkurën paradite, në fillim të seancës, dëshmitari Kurtesh Fondaj kërkoi të kishte përfaqësim ligjor, pas pyetjeve të Trupit Gjykues një ditë më parë”, tha ai.

Doyle tregoi se kjo kërkesë nuk u miratua pasi sipas trupit gjykues, dëshmitarëve iu ofrohet avokat vetëm nëse ka shqetësime në lidhje me vetëinkriminim dhe se ky rast nuk ishte i kësaj natyre.

Tutje, ai shtoi se seancat e radhës në këtë çështje gjyqësore pritet të fillojnë më 1 korrik.

“Të mërkurën pasdite dha dëshmi dëshmitari i 74-t i Prokurorisë, që dëshmoi në seancë private. Pas kësaj, seancat përfunduan për këtë javë. Seanca e ardhshme në këtë çështje gjyqësore është caktuar për të hënën, 1 korrik, duke filluar në orën 10:00 paradite”, tha ai.

Zëdhënësi i DhSK-së njoftoi gjithashtu se DhSK-ja ka publikuar raportin vjetor lidhur me punën e Gjykatës gjatë vitit 2023 i cili është në dispozicion për publikun në të tri gjuhet zyrtare.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë./BetimipërDrejtësi

Vazhdo të lexosh

Kronika e zezë

Dënohet me 1 vit e 3 muaj burgim gjakovari që kërcënoi me jetë bashkëshorten e tij

Publikuar

nga

Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur fajtor të akuzuarin A.Gj. dhe të njëjtit i ka shqiptuar dënim prej 1 vit e 3 muaj burgim për veprën penale ‘Kanosja’.

Nëpërmjet një komunikate për media, Gjykata njofton se A.Gj., akuzohej se ka kërcënuar me jetë bashkëshorten e tij, me të cilën kanë tre fëmijë nga martesa e përbashkët.

“I pandehuri A.Gj., akuzohet se “më datën 26 maj 2024, rreth orës 18:30 në fshatin O. H., Komuna Gjakovë, brenda marrëdhënies familjare, seriozisht e kanosë të dëmtuarën/bashkëshorten e tij Xh.Gj., me të cilën është i martuar dhe ka 3 fëmijë të përbashkët, në atë mënyrë që pas problemeve të vazhdueshme në mes të dëmtuarës me të pandehurin, ditën kritike, e dëmtuara kishte shkuar tek familja e prindërve të saj për qëndrim, me ç’rast i pandehuri shkon aty, ku me ta takuar të dëmtuarën i drejtohet me fjalët “ hajde se duhet mu marr vesh”, e dëmtuara refuzon duke i thënë se nuk kam çka merrna vesh me ty, me pas i pandehuri e kanosë me fjalët “se kam me të vra” dhe nga brezi nxjerr mjetin armën/shkrepës e duke e mbajtur në drejtimin e të dëmtuarës i drejtohet përsëri me fjalët kanosëse “ kom me të myt ty dhe vëllain tuaj”, për çka tek e njëjta shkakton frikë dhe panik””, thuhet në komunikatë.

Të akuzuarit i vazhdohet paraburgimi deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Udhëheqësit evropianë zgjedhin drejtuesit e rinj të institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian

Publikuar

nga

Udhëheqësit evropianë pritet që sot të miratojnë kandidaturat për pozitat kryesore drejtuese të institucioneve të Bashkimin Evropian. Kryetarja e tanishme e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen do të propozohet për një mandat të ri në krye të këtij institucioni, ndërsa ish kryeministri portugez Antonio Costa do të emërohet president i Këshillit Evropian. Ndërkohë, kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, e njohur për qëndrimin e ashpër ndaj Rusisë, do të propozohet për të zëvendësuar shefin e politikës së jashtme, Josep Borrell.

Në Bruksel po bëhen përgatitjet e fundit për takimin dy ditor të udhëheqësve evropianë, të cilët pritet të zgjedhin drejtuesit kryesorë të Bashkimit Evropian dhe të diskutojnë për situatën në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë.

Udhëheqësit e bllokut më të madh tregtar në botë, të përbërë nga 27 shtete anëtare, pritet të miratojnë edhe për një mandat zonjën Ursula von der Leyen në postin e kryetares së Komisionit Evropian, ish kyrministrin portugez Antonio Costa për të zëvendësuar presidentin aktual të Këshillit Evropian Charles Michel dhe kryeministren estoneze Kaja Kallas për të zëvendësuar Përfaqësuesin e lartë të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Josep Borrell.

Miratimi i tyre u mundësua pas arritjes së një marrëveshjeje në fillim të javës në mes të tre grupeve kryesore politike në Parlamentin Evropian – partive konservatore, atyre social-demokrate dhe partive liberale, përkundër kritikave të ashpra nga e djathta e skajshme.

“Jemi të lumtur që propozimi ynë për emërimin e Ursula von der Leyen-it për të vazhduar si kryetare e Komisionit Evropian do të përkrahet në takimin e sotëm të Këshillit Evropian…Ata që duan përkrahjen tonë duhet të kenë qëndrim të qartë për të ndaluar emigracionin e jashtëligjshëm, për procesin e rimëkëmbjes ekonomike të Evropës dhe për sigurinë në nivelin evropian. Këto janë premtimet kryesore që kemi bërë dhe njerëzit presin që t’i realizojmë ato,” deklaroi Presidenti i Partisë Popullore Evropiane, EPP, Manfred Weber.

Zgjedhjen e kryetarit të Këshillit Evropian e bëjnë udhëheqësit e Bashkimit Evropian, ndërsa kandidaturat e zonjës Von der Leyen dhe zonjës Kallas duhet të miratohen nga Parlamentit Evropian.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare evropiane, partitë e djathta shënuan përparim, në veçanti në Gjermani, Francë dhe Itali, por tre grupet kryesore politike në parlamentin evropian vazhdojnë të kenë shumicën. Kundërshtimet e partive të së djathtës ekstreme për kandidaturat nuk u morrën parasysh.

Në prag të takimit të BE-së, Kryeministrja Meloni kritikoi marrëveshjen për postet e larta të institucioneve evropiane, duke thënë se ajo nuk mori parasysh vullnetin e qytetarëve të BE-së për një “Evropë më konkrete dhe më pak ideologjike.”

Presidenti i Komisionit Evropian është përgjegjës për hartimin e politikave të Bashkimit Evropian, duke filluar nga menaxhimi i çështjeve klimatike e deri te buxheti i përbashkët i bllokut. Ndërkaq, puna kryesore e presidentit të Këshillit Evropian është të ndërmjetësojë marrëveshjet ndërmjet shteteve anëtare të BE-së, ndërsa përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri përfaqëson BE-në në skenën globale.

Takimi i të enjtes fillon me nënshkrimin e një marrëveshje për sigurinë me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, në shenjë mbështetjeje për Ukrainën në luftën kundër Rusisë.

Ai u bëri thirrje udhëheqësve të BE-së që të përmbushin premtimet për të siguruar pajisje ushtarake për Ukrainën, vetëm pak ditë pasi blloku nisi negociatat për anëtarësim me qeverinë e tij.

“Duhet të punojmë për hapat e ardhshëm. Njëra prej çështjeve urgjente është mbrojtja ajrore….Falenderoj shtetet që premtuan pajisje, armë dhe municione, por ato na duhen urgjentisht në fushëbetejë,” tha Presidenti Zelenskyy.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, agjenda e takimit përpos çështjeve të mbrojtjes, përfshinë plane për të forcuar Bashkimin Evropian për t’i bërë ballë trysnive ekonomike nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe përgatitjen e bllokut për një valë të re zgjerimi, që do të përfshinte Ukrainën, Moldavinë dhe Ballkanin Perëndimor.

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara