Lajmet

Lajçak pas takimit me Kurtin: Kemi pritur mirëkuptim më të madh

Lajçak deklarohet shkurtazi pas takimit.

Published

on

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e ka quajtur jo të lehtë, por të sinqertë dhe hapur takimin e sotëm me kryeministrin Albin Kurti. Megjithatë, ai ka thënë se ka pritur një kuptim më të mirë të mundësive që ofron propozimi i BE-së për arritjen e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Pas takimit mbi dy orësh të pesë emisarëve ndërkombëtar me kryeministrin Kurti, vetëm Lajçak u prononcua shkurtazi para mediave. Ai tha se BE-ja dhe ShBA-të janë të angazhuara për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. 

“Ne kemi ardhur sot këtu me një delegacion shumë të fuqishëm nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe përfaqësues të lartë diplomatikë të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, që është një sinjal në vetvete se ne jemi shumë të përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të gjitha këto fuqi e kanë hedhur peshën e tyre në këtë nismë. Dhe sigurisht, qëllimi i këtij takimi me kryeministrin Kurti ishte që të diskutohej propozimi për normalizim që ia kemi paraqitur në shtator, e më pas në dhjetor. Ne kaluam më shumë se dy orë në takimin me Kryeministrin, gjë që tashmë ju tregon se takimi ishte i gjatë, nuk ishte i lehtë, por ishte shumë i sinqertë, shumë i hapur”, tha ai. 

I dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun, shtoi se në këtë pikë, ka pritur një kuptim më të mirë të mundësive që ofron propozimi i BE-së për arritjen e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Është shumë herët për të bërë ndonjë deklaratë dramatike sepse siç e dini, ne jemi në mes të misionit tonë dhe do të vazhdojmë tani për në Beograd, pra, nuk mund të them shumë. Ajo që megjithatë dua të them në këtë pikë është se ne kemi pritur një kuptim më të mirë të mundësive që ofron ky propozim, shpresoj se do të arrijmë aty, në kuptimin e plotë dhe përdorimin e plotë të potencialit të këtij propozimi, ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë”, shtoi Lajçak. 

Gjatë takimit me Kurtin, përveç Lajçak, ishte edhe emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, si dhe këshilltarët për politikë të jashtme të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe z. Emmanuel Bonne dhe këshilltari diplomatik i kryeministres së Italisë, Francesco Maria Talò.

Pas takimit me Kurtin, emisarët ndërkombëtar do të udhëtojnë për në Beograd, ku pritet të takohen me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Lajmet

Laura Fazliu kalon në gjysmëfinale të Grand Slam-it në Abu Dhabi

Published

on

By

Xhudistja kosovare Laura Fazliu po vazhdon me sukses paraqitjen e saj në Grand Slam-in e xhudos që po heldet në Abu Dhabi, duke siguruar një vend në gjysmëfinale të këtij turneu me rëndësi.

Fazliu e nisi garën duke qenë e lirë në xhiron e parë. Në raundin e dytë, ajo mposhti me Waza-ari garuesen nga Portugalia, Joana Crisostomo. Forma e mirë e xhudistes kosovare u konfirmua edhe në çerekfinale, ku me Ippon mposhti me dominim përfaqësuesen vendase nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Tsendbazar Mashbat.

Në luftën për të siguruar finalen e madhe, Laura Fazliu do të përballet në gjysmëfinale me xhudisten nga Polonia, Angelika Szymanska. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Mundësi akademike për profesionistët: UBT ndan bursa 20% për studimet Master

Published

on

By

Teksa po afrohen ditët e fundit të afatit për regjistrime në nivelin Master, UBT rikujton të gjithë profesionistët e angazhuar në tregun e punës se mund të përfitojnë nga iniciativa “Engaged Scholarship”, e cila ofron 20% bursë studimi për avancimin e tyre akademik.

Programi u dedikohet punonjësve në sektorin publik dhe privat që synojnë të ngrenë nivelin e tyre profesional. Përfitues të kësaj zbritjeje mund të jenë kategori të ndryshme, përfshirë zyrtarët e administratës publike, pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe FSK-së, gazetarët dhe zyrtarët e marrëdhënieve me publikun, avokatët, kontabilistët, si dhe stafi shëndetësor e teknologët e ushqimit.

Për t’ua lehtësuar procesin kandidatëve që janë në marrëdhënie pune, ligjëratat zhvillohen me orar fleksibil, kryesisht në orët e pasdites. Të gjithë të interesuarit kanë edhe pak ditë kohë për të shfrytëzuar këtë mundësi para përmbylljes zyrtare të afatit të regjistrimeve për këtë vit akademik.

 

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Profesori i UBT-së, Arian Kadriu, merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore në Ukrainë

Published

on

By

Profesori i Fakultetit të Studimeve të Sigurisë në UBT, Prof. Dr. Arian Kadriu, ka marrë pjesë në edicionin e 14-të të konferencës ndërkombëtare shkencore dhe praktike “Ivan Ivanchenko Scientific School”, të organizuar në Ukrainë, ku ka prezantuar një punim shkencor në kuadër të sesionit plenar të konferencës.

Në këtë konferencë, profesori Kadriu, në bashkautorësi me eksperten Delfina Ertanowska, prezantoi punimin me titull “Strategic Friction and Interoperability Failure: The Communication Crisis in the Evolving Security Architecture of NATO’s South Eastern Flank”, i cili trajton sfidat strategjike, problemet e ndërveprueshmërisë dhe krizën e komunikimit në kuadër të arkitekturës së sigurisë në zhvillim të krahut juglindor të NATO-s.

Punimi trajton çështje me rëndësi për zhvillimet aktuale të sigurisë ndërkombëtare, duke vënë në fokus koordinimin strategjik, komunikimin ndërinstitucional dhe sfidat që ndikojnë në bashkëpunimin dhe ndërveprueshmërinë në kuadër të strukturave të sigurisë së NATO-s. Konferenca “Ivan Ivanchenko Scientific School” mbledh studiues, akademikë dhe ekspertë nga fusha të ndryshme shkencore, duke krijuar një platformë për prezantimin e kërkimeve, shkëmbimin e përvojave akademike dhe diskutimin e temave me rëndësi ndërkombëtare.

Continue Reading

Lajmet

Nisi protesta në Pejë për vrasjen e Arlinda Zekajt, ngjyrosen me të kuqe këpucët e policëve

Published

on

By

Ka nisur në Pejë protesta gjithëpopullore kundër vrasjes së grave, në shenjë revolte pas rastit të rëndë të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë.

Masa e mbledhur ka shprehur pakënaqësi të thellë ndaj dështimeve institucionale, duke kërkuar drejtësi të menjëhershme dhe llogaridhënie. Në një akt simbolik revolte, protestuesit kanë ngjyrosur me ngjyrë të kuqe këpucët e zyrtarëve policorë që po siguronin ngjarjen, teksa në kor brohorisnin thirrjet “Marre”.

Marshimi i protestuesve do të përshkojë të gjitha institucionet përgjegjëse në qytet, duke u ndalur para Komunës së Pejës, Qendrës për Punë Sociale, Stacionit Policor, Gjykatës dhe Prokurorisë Themelore.

Kjo protestë në Pejë është pjesë e valës së reagimeve qytetare që po zhvillohen në të gjithë Kosovën, me kërkesën e prerë për siguri, mbrojtje institucionalisht të garantuar dhe ndëshkim të përgjegjësve për mosveprimet që çuan në këtë tragjedi. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara