Mbreti Charles III ka bërë një përditësim për gjendjen e tij shëndetësore, duke u shprehur se është përmirësuar ndjeshëm. Ai bisedoi me Lee Harman, i cili kishte kaluar kancerin, gjatë një shëtitjeje ku ishte prezente edhe mbretëreshë Camilla.
“Jam dhe ndihem shumë mirë. (Kanceri) është thjesht një ndër ato gjërat (shtesë)”, u shpreh mbreti.
Lee Harman, 54 vjeç, tha se kishte ndarë me Charles betejën e tij me kancerin, pasi mbreti, në shkurt të vitit të kaluar, bëri me dije se ishte diagnostikuar me kancer dhe iu nënshtrua një operacioni për të trajtuar prostatën e zmadhuar, por beninje.
“Madhëria e Tij zgjodhi të ndajë diagnozën për të shmangur spekulimet dhe me shpresën se mund të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit publik për të gjithë ata në mbarë botën që preken nga kanceri,” thuhej në deklaratën e pallatit Buckingham.
Në mars, Charles u shtrua në spital për shkak të efekteve anësore nga trajtimi kundër kancerit. Si pasojë, mbreti u tërhoq përkohësisht nga angazhimet e tij mbretërore; megjithatë, muajin pasues ai iu rikthye punës. Më 1 prill, Charles u shfaq në humor teksa drejtoi një ceremoni në kalanë Windsor në Angli.
Ndërsa ka folur rrallë për shëndetin e tij që nga diagnoza, në maj, një ndihmës tregoi si Charles po përballonte sëmundjen ndërkohë që vazhdonte të punonte.
“Gjëja që mëson rreth kësaj sëmundjeje është se ti thjesht e menaxhon dhe pikërisht këtë po bën ai,” i tha ndihmësi anonim The Telegraph asokohe.
“Mjekësia ka bërë përparime të jashtëzakonshme dhe unë sinqerisht nuk shoh asnjë ndryshim tek ai. Mjafton të bësh atë që thonë mjekët dhe të jetosh jetën sa më normalisht të jetë e mundur”, shtoi personi anonim.
Charles, pasi u diagnostikua me kancer, bëri një deklaratë publike, ku u shpreh:
“Dua të shpreh falenderimet më të përzemërta për kaq shumë mesazhe mbështetjeje dhe urimet e mira që kam marrë gjatë këtyre ditëve. Siç e dinë të gjithë ata që janë prekur nga kanceri, këto mendime dashamirëse janë mbështetja dhe kurajoja më e madhe”.
Më tej, vijoi:
“Është po aq inkurajuese të dëgjoj se publikimi i diagnozës, ka ndihmuar në promovimin e ndërgjegjësimit publik dhe ka ndriçuar punën e organizatave që mbështesin pacientët e sëmurë me kancer dhe familjet e tyre në Mbretërinë e Bashkuar dhe më gjerë nëpër botë. Admirimi im i përjetshëm për kujdesin dhe përkushtimin e tyre të palodhur është edhe më i madh, si rezultat i përvojës sime personale”.