Lajmet

​Kuvendi shkarkon Bordin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale

Për shkarkimin e këtij bordi nuk janë pajtuar edhe partitë opozitare.

Published

on

Kuvendi i Kosovës në vazhdimin e seancws plenare ka shkarkuar kryesuesen dhe tre anëtarët e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM). Për shkarkimin e këtij bordi nuk janë pajtuar edhe partitë opozitare, të cilat nuk kanë marrë pjesë në votim. Deputetë të opozitës kanë deklaruar se ky bord ishte emëruar nga vet pushteti, por të njëjtit sot po shkarkohen jashtëligjshëm. Shumica parlamentare me votim për secilin veç e veç ka shkarkuar kryesuesen e bordit, Selvete Grajqevci Pllana, Gani Kastrati anëtar, Gani Maliqin anëtar dhe po ashtu Rrezarta Pushkolli Makollin e cila ka qenë anëtare e bordit.

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti rekomandoi që Kuvendi të shkarkojë anëtarët e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja tha se ka kanë konstatuar që në vazhdimësi, janë licencuar kompani që nuk kanë kryer detyrimet ndaj KPMM-së dhe po ashtu janë proceduar penalisht për shkelje të ligjit.

“Komisioni ka nxjerrë rekomandim që të shkarkohet anëtari i bordit Gani Maliqi, për arsye sepse është konstatuar që gjatë ushtrimit të detyrës ka pasur shkelje të neneve 59 dhe 60 dhe 62 të Ligjit për Komisione të Pavarur për Miniera dhe Minerale dhe qëllimisht apo nga pakujdesia ka shkelur dispozitat e nenit 60 të Ligjit për Komisione të Pavarura për Miniera dhe Minerale. Me datën 25.08.2021, auditori i brendshëm i KPMM-së ka konstatuar është shkelur udhëzimi administrativ 01 2011 për rregullt dhe procedurat e përllogaritjes së rendës minerale në rastin e kompanisë “Ferronikeli”, tha Muja.

Edhe për anëtarët tjerë të këtij bordi, Muja theksoi se rekomandohet shkarkimi, meqë siç tha ai, kanë shkelur ligjin e KPMM-së.

“Rekomandohet të shkarkohet nga bordi i KPMM-së, për arsye se ka bërë shkelje të nenit 59, 60 dhe 62 të Ligjit të KPMM-së. Dhe qëllimisht apo nga pakujdesia ka shkelur dispozitat e nenit 60 të KPMM-së duke dëmtuar buxhetin e Kosovës. Rrezarta Pushkolli ngjashëm rekomandohet që të shkarkohet nga bordi i KPMM-së, për shkak se ka bërë shkelje të nenit 59, 60 dhe 62 të Ligjit të KPMM-së… Selvete Grajqevci po ashtu rekomandohet që të shkarkohet nga bordi i KPMM-së për shkak se ka bërë shkelje të nenit 59 të Ligjit të KPMM-së dhe ka dëmtuar buxhetin e Kosovës dhe ka dështuar të zbatojë pikën 1.4 të nenit 60, pra mandati nuk është ushtruar në përputhje me ligjet dhe aktet tjera nënligjore”, shtoi ai.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala tha se nuk do votojnë për shkarkimin e këtij bordi, meqë kjo tentativë është e jashtëligjshme.

“Ky bord është zgjedhur në mënyrë të paligjshme dhe me ndërhyrje direkte politike, e kemi thënë kur është zgjedhur. Të përzgjedhurit e kryeministrit Kurti, të intervistuar në zyrën e tij, është zgjedhur jashtëligjshëm dhe sot po e njëjta strukturë politike po i shkarkon jashtëligjshëm prapë. Jashtëligjshëm sepse është ndryshuar ligji mbi të cilën ata janë zgjedhur dhe sot kemi një ligj të ri në funksion të dedikuar vetëm për shkarkim të anëtarëve të juaj që ju i keni zgjedhur. Dhe si rezultat i kësaj tash e një vit, rregullatori i minierave është jashtë funksionit. 255 lëndë presin për të marrë përgjigje që rregullojnë industrinë minerare, nxjerrëse, hulumtuese dhe përpunuese e 250 kompani, me qindra e mijëra punëtorë sot janë në pritje të vendimeve, por që fatkeqësisht tash e një vit ky rregullator nuk është funksional”, u shpreh ai.

Shala shtoi se të gjitha kërkesat e minatorëve të Trepçës i mbështesin fuqishëm, ku bëri thirrje që qeveria të reflektojnë për këtë sektor. Shala tha se këta minatorë që janë në grevë, nuk po i viziton askush.

“Asnjë nga institucionet e shtetit nuk i ka vizituar, askush nuk është merr me ta. Asnjë komunikatë zyrtare, asnjë raport njerëzor dhe human, sepse janë nëntokë nuk e kemi nga shteti. Pse qeveria frikësohet të komunikojë me minatorët, kujt i frikohet apo është e vetëdijshme tashmë që i ka mashtruar thellë dhe keq. I ka mashtruar qeveria sepse ju premtoi Trepçës dhe minatorëve zhvillim, ju premtoi investime, rivitalizim, i premtoi investime në teknologji dhe hulumtime, siguri në punë, ndryshim të ligjit e shumëçka tjetër. Por asnjë nga këto qeveria nuk i përmbajti”, deklaroi Shala.

Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku Rexhepi tha se nuk do të marrin pjesë në votim për shkarkimin e këtij bordi.

“Ju vet këtë bord e keni emëruar dhe tani vet po e sjellni për ta shkarkuar. Unë jam e bindur që shkarkimi i këtij bordi është për shkak se nuk ju kanë dëgjuar, jo për shkak të defekteve apo gabimeve që i kanë bërë si bord. Ky shkarkim është i jashtëligjshëm dhe sigurisht ai komision ka mbetur pa bord funksional që një kohë të gjatë. Tani do të merr kohë edhe deri te zgjedhja e bordit të ri. Janë njerëz me kredibilitet, janë njerëz profesionist dhe nuk duhet të luhet me identitetin e tyre dhe kjo është kjo keqqeverisja e juaj që vet emëroni dhe vet shkarkoni. U bat horë me borde dhe me njerëz që po i emëroni. Ja po i emëroni familjarë, ja militantë të juaj. Dhe ata që po i emëroni dhe nuk po ju dëgjojnë, po i sjellin dhe po i shkarkoni”, u shpreh deputetja e LDK-së.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se në kohën kur bordi është emëruar nga pushteti aktual, ka pasur lëvdata publike për anëtarët. Edhe ai ka shprehur kundërshtinë për shkarkimin e këtij bordi në seancën e sotme plenare.

“Është pikërisht ky bord që kur është emëruar ka pasur një referencë, një lëvdatë publike për këta persona, të cilët sot janë para kuvendit për shkarkim. Pyetja e parë që do të doja ta shkarkoja për kolegët e mi në LVV është ‘çfarë ka ndryshuar?’. A ka mundësi të tregojë dikush se çfarë ka ndryshuar, veç një sqarimi narrativ që jepet në rekomandimin e komisionit, i cili shumicën e rasteve është referencë, përveç dy tri pikave ku konsiderohet si veprim i paligjshëm. Të gjitha pikat tjera janë detyra dhe përgjegjësi të një anëtari të një bordi. Pushteti, kjo qeveri ka ardhur me një premtim të madh që do të depolitizojë, do të sjellë në krye të agjencioneve ekzekutive dhe kushtetuese, dhe sot vijnë me një kërkesë për shkarkim me arsyen e vetme se diku këta persona nuk kanë arritur t’i përmbushin kërkesat që i ka kjo shumicë, kjo qeveri”, u shpreh ai.

Edhe Tahiri ka komentuar grevën e minatorëve të Trepçës, ku tha se duhet të merren masa nga institucionet.

Në seancën e sotme plenare, në rend të ditës është shqyrtimi i dytë i projektligjit për Pronën Publike, për Prokurorinë Speciale dhe ndryshimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Vendi

“Liria ka Emër” paralajmëron “Marshin për Liri” më 12 shtator në Prishtinë

Published

on

Platforma qytetare “Liria ka Emër” do të organizojë më 12 shtator në Prishtinë “Marshin për Liri”, nën moton “Kosova po pret”.

Marshi do të mbahet katër ditë para 16 shtatorit, datë kur pritet të zhvillohet seanca përmbyllëse e procesit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një konferencë për media, përfaqësuesit e platformës, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë prezantuar aktivitetet që do t’i paraprijnë dhe do ta pasojnë marshin.

Hoxha ka thënë se platforma, së bashku me qytetarët, për gjashtë vjet ka kërkuar një proces të drejtë gjyqësor për ish-krerët e UÇK-së. Ajo ka theksuar se mbështetja do të vazhdojë pa paragjykuar vendimin e drejtësisë dhe pa ndërhyrë në procesin gjyqësor.

Sipas saj, aktivitetet nisin me një numërim mbrapsht deri më 16 shtator, i cili do të vendoset në Prishtinë dhe do të shtrihet edhe në komunat e tjera të Kosovës.

Platforma ka paralajmëruar edhe aktivitetin “Netët e Lirisë”, i cili do të organizohet në shtatë zonat e UÇK-së dhe do t’i kushtohet kujtesës, historisë dhe sakrificave për liri.

Ndërkohë, Ismail Tasholli u ka bërë thirrje liderëve të katër partive kryesore shqiptare që t’i bashkohen marshit. Ai ka përmendur Albin Kurtin, Bedri Hamzën, Lumir Abdixhikun dhe Ardian Gjinin, duke kërkuar që të marrin pjesë jo në funksion të fushatës partiake, por “për Kosovën, për lirinë, për të ardhmen”.

“Liria ka Emër” ka paralajmëruar gjithashtu një aktivitet në Hagë më 16 shtator, në bashkëpunim me diasporën shqiptare.

Sipas organizatorëve, mesazhi i aktiviteteve në Prishtinë dhe Hagë do të jetë i njëjtë: “Kosova po pret”./A.K/

Continue Reading

Vendi

Përfundojnë gërmimet në Kalludër dhe Jabukë, mbetje mortore të 23 personave

Published

on

Kanë përfunduar të premten gërmimet disa javore në lokacionet Kalludër i Vogël dhe Jabukë të Zubin-Potokut, ku janë zbuluar mbetje mortore që dyshohet se u përkasin 23 personave të zhdukur me forcë.

Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka konfirmuar përfundimin e procesit katërjavor të gërmimeve, vlerësimit dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore.

Sipas të dhënave të Komisionit, në një nga lokacionet e Kalludrit të Vogël janë gjetur mbetje mortore të 13 personave, në Jabukë të 4 personave, ndërsa në një lokacion tjetër në Kalludër të Vogël janë gjetur mbetje të 6 personave.

Gara ka thënë se tash pritet që mbetjet të kalojnë në ekzaminime mjekoligjore dhe procesin e identifikimit përmes analizës së ADN-së.

Ndërkohë, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se armatimi i konfiskuar në zonën përreth Kalludrit do të ekzaminohet, për të verifikuar nëse mund të ketë lidhje me vrasjen e 23 personave, mbetjet e të cilëve janë gjetur në këto lokacione.

Gërmimet në këtë zonë paraqesin një tjetër etapë në përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe identifikimin e tyre./A.K/

Continue Reading

Vendi

Tahiri: Vdekjet e punëtorëve në KEK, dëshmi e dështimit institucional

Published

on

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka akuzuar Qeverinë në detyrë për mungesë reagimi dhe mbikëqyrjeje të kushteve të punës në institucionet dhe ndërmarrjet publike, pasi dy punëtorë të KEK-ut humbën jetën brenda tri ditësh, si pasojë e lëndimeve të marra në vendin e punës, raporton Ekonomia Online.

Tahiri kërkoi që organet përgjegjëse të ndërmarrin veprime konkrete menjëherë.

“Më 20 gusht, Arbenit Ahmeti humbi jetën duke transportuar kabllot 6 kV. Më 16 gusht, vetëm katër ditë më herët, Haxhi Gojnovci, teknik i xehtarisë, mbeti i vdekur pranë ekskavatorit. Më 15 korrik, Milazim Binaku ndërroi jetë në QKUK, si pasojë e lëndimeve të marra më 8 korrik në Fabrikën e Pajimeve Xehtare në Palaj. Më 27 shkurt, Migjen Sadiku ndërroi jetë në hapësirat e Termocentralit “Kosova B”. Pas secilit prej këtyre emrave është një nënë që pret, një bashkëshorte që mbetet vetëm, fëmijë që pyesin pse babai i tyre nuk u kthye më. Janë punëtorë që shkuan në punë për të siguruar bukën e gojës për familjet e tyre dhe humbën jetën duke bërë punën e tyre”, shtoi ai.

Tahiri theksoi se kabineti qeveritar po sillet “sikur nuk ka asnjë përgjegjësi”.

“Qeveria nuk mund të jetë njëkohësisht menaxhuese dhe mbikëqyrëse e ndërmarrjeve publike dhe, në fund, të sillet sikur nuk ka asnjë përgjegjësi. Si është e mundur që kur flitet për rritje të prodhimit apo për progres, dalin dhe shprehin krenari, ndërsa në raste të tilla fshihen nëpër xhipa të zinj e prapa perdeve të pushtetit? Kur këto vdekje ndodhin në një ndërmarrje publike, nën kontrollin e drejtpërdrejtë të shtetit, ato bëhen dëshmi e një dështimi institucional. Nëse shteti nuk arrin të mbrojë jetën e punëtorëve të vet, si mund të pretendojë se mbron jetën dhe të drejtat e punëtorëve në sektorin privat?”, tha Tahiri.

Tahiri bëri thirrje për inspektim, identifikim dhe eliminim të rreziqeve në vendet e punës, rritjen e masave të sigurisë dhe mbrojtjes për punëtorët./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gjermani: Mbyllja më e fortë e bizneseve në gati 20 vjet

Published

on

Energjia e shtrenjtë, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe mungesa e pasardhësve për biznesin po çojnë në shtimin numrit të mbylljeve të bizneseve dhe falimentimeve në Gjermani.

187.744 sipërmarrje në Gjermanindërprenë gjatë vitit të kaluar aktivitetin e tyre, duke shënuar numrin më të lartë të mbylljevenë pothuajse 20 vjet. Krahasuar me vitin pararendës, ky numër u rrit me gati 10 për qind. Këto janë të dhënat e analizës së përbashkët vjetore të agjencisë së informacionit ekonomik Creditreform dhe Qendrës Leibniz për Kërkime Ekonomike Evropiane (ZEW) në Mannheim.

Sipas analizës dinamika e krizës po përhapet tashmë në të gjitha fushat, përfshirë edhe gastronominë apo sektorin e shëndetësisë. Dhe ndryshe nga vitet e mëparshme tani po e ndërpresin aktivitetin e tyre edhe kompani që, në fakt, janë ekonomikisht të shëndosha dhe të qëndrueshme.

Gastronomia dhe hoteleria

Në analizë thuhet se rritja më e fortë e numrit të mbylljeve të bizneseve u regjistrua në sektorin e gastronomisë dhe të hotelerisë. Në vitin 2025 mbyllën aktivitetin e tyre rreth 15.000 restorante, kafene dhe sipërmarrje akomoduese, që përbën 15 për qind më shumë krahasuar me vitin 2024.

Që nga 1 janari 2026 në gastronominë gjermane zbatohet një normë e reduktuar TVSH-je prej 7 për qind për ushqimet. Por “ulja e TVSH-së për të mbështetur sektorin e gastronomisë në krahasim me degët e tjera, duket se nuk ka arritur ta zbusë gjendjen e vështirë në këtë sektor”, thuhet në analizë.

Përkeqësim i gjendjes në sektorin e shëndetësisë

Në sektorin e shëndetësisë vazhdoi prirja negative që po vërehet prej rreth dhjetë vitesh: numri i mbylljeve të sipërmarrjeve në këtë fushë, arriti në rreth 11.000 raste, dhe  është tashmë rreth dy herë më i lartë se në vitin 2008.

Vetëm gjatë vitit të kaluar mbyllën aktivitetin e tyre afërsisht 5.500 klinika mjekësore,  pra rreth 23 për qind më shumë krahasuar me vitin 2024. Shpesh arsyeja është se mjekët dalin në pension dhe nuk arrijnë të gjejnë dikë që të marrë përsipër dhe të vazhdojë drejtimin e klinikës së tyre.

Edhe industria u godit rëndë

Në sektorin industrial ndërprenë aktivitetin e tyre rreth 11.000 ndërmarrje, që do të thotë 10 për qind më shumë mbyllje krahasuar me një vit më parë.

Eksperti i Creditreform, Patrik-Ludwig Hantzsch, e quajti rritjen e numrit të falimentimeve si një “darë krize” që po e “kap dhe dëmton ekonominë gjermane nga dy anë”: nga njëra anë trazirat gjeopolitike, si lufta me Iranin ose tarifat doganore amerikane, dhe nga ana tjetër çmimet e larta të energjisë dhe burokracia e madhe brenda vendit.

Studiuesja e ZEW-së, Sandra Gottschalk, thekson se vetëm 13 për qind e afro 190.000 mbylljeve të regjistruara gjatë vitit të kaluar ishin si pasojë falimentimi. Sipas saj shumica e bizneseve mbyllen pothuajse pa u vënë re, pa procedura formale falimentimi dhe pa tërhequr vëmendje të madhe publike./A.K/

Burimi:DW

 

Continue Reading

Të kërkuara